SHAH ME RROKJE

Blogu mbetet gjithnjë kureshtar ndaj gjithçkaje që duket si gjuhë, por që është diçka tjetër – e maskuar si gjuhë, ose kod i fshehtë për t’u zbërthyer, ose anotacion, ose edhe thjesht belbëzim, glosolali, transkriptim i një cicërime zogu ose mesazh i sapombërritur nga Alfa e Lirës.

Prandaj edhe na tërhoqi teksti i mëposhtëm, të cilin e gjetëm në librin e mrekullueshëm të Christian Hesse, The Joys of Chess:

gegoseso kahirati hadotiwi gakawigot dotetsase hagagoho hisothoto kekototi sowisetet wizat

Që tingëllon diçka si japonishte, por pa qenë i tillë.

Ai tekst është shkruar me kodin telegrafik Gringmuth, i cili nuk është veçse një sistem koordinatash karteziane për fushën e shahut, ku kolonat përfaqësohen nga shkronjat BCDFGHKL për të bardhin dhe MNPRSTWZ për të ziun, ndërsa rreshtat e të bardhit (1-4), përkatësisht të së ziut (8-5) shënjohen si AEIO. Në qoftë se kemi të bëjmë me një lëvizje ku njëri gur ha një gur tjetër, në fund të “fjalës” shtohet një T.

Arsyeja pse u zhvillua një kod i tillë (nga Sir William Watson Rutherford, në 1880) lidhet me faktin që Posta Britanike e atyre viteve nuk lejonte transmetimin e shifrave në telegramet; por duke e regjistruar një lojë shahu vetëm me shkronja, lëvizjet mund të transmetoheshin lirisht.

Kështu edhe lojërat e shahut mund të luheshin në distancë, ose me telegraf.

Meqë “fjalët” e kodit Gringmuth mund të shqiptohen lehtë, mund të përfytyrojmë dy mjeshtra shahu të sprovuar, që rrinë në një stol në park dhe shkëmbejnë me njëri-tjetrin fjalë si “gego! seso!”, “kahi! reri!”, duke e përfytyruar lojën.

Çfarë betejash epike mund të zhvillohen kështu, nën sytë e kalimtarëve syleshë, të cilëve nuk do t’u shkojë mendja te shahu.

Sokolov - SemenovAq më tepër që sistemi nuk ka nevojë të ndërmjetësohet nga ndonjë gjuhë natyrore, për të funksionuar – dhe ashtu, një kampion shahu nga Odesa ose nga Kuala-Lumpuri, nuk ka nevojë të dijë shqip, për të marrë vesh që kali shkon në f3, as anglisht, për të kuptuar që knight goes to f3.

Sounds like a lot of fun, tha!

Dhe natyrisht, teksti i mësipërm:

gegoseso kahirati hadotiwi gakawigot dotetsase hagagoho hisothoto kekototi sowisetet wizat

I përket një loje midis mjeshtrave Sokolov dhe Semenov, e cila përndryshe mund të ndiqet këtu dhe që përfundoi me një mat pak a shumë piktoresk, si në diagramin përbri.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin