VËMENDJA VDIQ?

Pi një kafe me shokun dhe bashkëbisedimi ndërpritet rregullisht nga telefonat që vijnë nga celularët modernë; tingujt e zileve, gjithnjë e më të personalizuara, e kthejnë muhabetin në një film me ndërprerje reklamash, ku filmi janë bisedat, por me të tjerët, jo me shokun. Në një farë mënyrë kafja kthehet në shqetësim për telefonat që vijnë të shumta, shpeshherë për të nxitur të tjera.

I flet kolegut për aksh projekt, ose aksh problem, dhe ai pohon i menduar me kokë, në mënyrë krejt automatike, me sytë e ngulitur poshtë tryezës, kur luan me celularin superinteligjent që ia kanë dhuruar për datëlindje. Shkruan sms me breshëri, sidomos kur ka mësuar si t’i dërgojë pa harxhuar asnjë kacidhe.

Mban një kumtesë në konferencë dhe shikon auditorin që lëviz gishtat e mesit mbi fletore digjitale, tablet ose iPad, kinse po mbajnë shënime, por me siguri duke kërkuar lajmet e fundit sportive, në rastin më të mirë. Ti përdor teknikat më të fundit për t’i tërhequr vëmendjen sallës, ndërkohë që salla, në pamje të parë e bindur, e heshtur, e disiplinuar, duket sikur është gjetiu, në lidhje, online, por gjetiu. Në rastin më të mirë po postojnë ndjojë fotografi të konferencës, ose po cicërojnë ndonjë xhevahir që sapo kanë dëgjuar nga dikush që tjetër flet e tjetër mendon.

E pra, duket sikur viktima e parë e mjeteve të komunikimit modern është vëmendja. Koha kur vëmendja ishte e lartë, saqë as miza pipëtinte, ka ikur një herë e përgjithmonë; ose më mirë miza mund të dëgjohet sërish, por askush nuk ia vë veshin se njerëzit e kanë mendjen të përditësojnë profilin e vet në rrjetet sociale.

Mos po rreshtohemi vallë me ithtarët e apokalipsit, sipas përkufizimit të Umberto Eco-s? Larg qoftë! Por edhe të kalosh nga krahu i të integruarve nuk është kaq e lehtë, pa të vrarë pak ndërgjegjja. Sepse katastrofizmi i konservatorëve që e shohin zgjidhjen tek lidhja analogjike, sikurse entuziazmi i teoricienëve të ndërlidhjes së përhershme në linjë, ka kurthet e veta. Gjithsesi, pavarësisht nga kampet e flamujt në fushë, fakti është se vëmendja po na lë shëndenë. E gjen gjithnjë e më pak, dhe kur e gjen, prishet e shqetësohet nga ndërhyrjet nga jashtë, që shfaqen zhurmshëm me tinguj, tekste, imazhe…

Mungesa e vëmendjes është shfaqur prej kohësh edhe në kabllot e internetit. Sa lundërtarë ka sot në botë që nisen për të parë një faqe të caktuar dhe pas orë të tëra lundrimi harrohen në vende të tjera si Uliksi në ishullin e Kalipsosë? Plot. Lidhje pas lidhjeje, video pas videoje, shkrim pas shkrimi, dhe përfundon në vende të panjohura, çka do të ishte intriguese në vetvete, sikur të të mos mundonte harresa për ku ishe nisur.

Mirëpo, në qoftë se kafja me shokun, biseda me kolegun, fjalimi në konferencë, lundrimi virtual, mund edhe t’i mbijetojnë vëmendjes me luhatje, vendi që nuk mund të konceptohet pa vëmendje është shkolla. Është e vërtetë se ka vende të tjera ku vëmendja duhet të jetë e lartë, si p.sh. në entet e kultit fetar, ku njerëzit shkojnë për t’u falur, porse prania e atjeshme nënkupton vullnetin e plotë për të marrë pjesë; çka nuk mund të thuhet për shkollën ku duhet të shkojnë detyrimisht të gjithë deri në një farë moshe.

Sipas profesorit francez Philippe Meirieu, teknologjitë e reja në shkollë mund të futen, me kusht që të përpunohet “pedagogjia e vëmendjes”. Studiuesi francez mendon se nxënësit e studentët e sotëm janë viktima të hutimit të vazhdueshëm. Në shkollë rrezikon të ndodhë ajo që është verifikuar prej vitesh me televizionin; zapping-u i telespektatorëve i ka detyruar autorët televizivë t’i përgjigjen me programe të caktuara për t’ua tërhequr vëmendjen, por gjithnjë në dëm të cilësisë. Mirëpo ka mësues që duan ta bëjnë mësimin tërheqës duke përdorur lloj lloj marifetesh, shpeshherë të dobishme; përkundrazi, ka të tjerë që i kthehen metodës klasike, duke u treguar të ashpër me nxënësit. Që këtej edhe kërkesa e prof. Meirieu për krijimin e një pedagogjie të re për vëmendjen, çka do të thotë edhe puna e mësimdhënësve për t’i dhënë klasës stimuj të ndryshëm e motivacione të përbashkëta, për të arritur “vëmendjen e thellë”, që shkolla dikur e kishte në premisë.

Lexojmë gjithnjë në shtyp se filozofi Bernard Stiegler e zgjeron çështjen, duke e shkuar përtej oborrit të shkollës. Sipas tij vëmendja është në shërbim të mësimit, me të gjithë të mirat e studimit të lëndëve të ndryshme, por edhe në shërbim të të tjerëve, përderisa edhe vetë mirësjellja, ose kujdesi, është një lloj vëmendje ndaj tjetrit.

Që vëmendja ka filluar të humbasë terren, e tregon edhe fakti se lexuesit e dikurshëm të librave pothuajse nuk ekzistojnë më. Ata që shkojnë deri në faqe të fundit janë të paktë. Ka studiues që e kanë lidhur vëmendjen me ofertën e jashtëzakonshme të informacionit. Në qoftë se informacioni sot është pothuajse i pafund, vëmendja bëhet mall i vyer, sepse duhet përdorur me kujdes për të mos e humbur kot në këtë oqean me tekste e imazhe.

Përtej shkollës, lipset vërtet një ripërpunim i procesit të vëmendjes, gjë që kërkon në radhë të parë palestër për ta stërvitur, sikurse duhen domosdoshmërish filtra të duhur për ta përdorur atë sa më mirë. Sepse nuk mund të mohohet se mjetet e reja të komunikimit, interneti dhe rrjetet sociale i japin stimuj fantastikë vëmendjes, duke u shndërruar në mjedis pozitiv e pjellor, ku mund të kultivohet metodologjia e përpunimi i përzgjedhjes. Moderniteti në vetvete nuk është rrezik për vëmendjen, më shumë seç është përdorimi i saj në kohët moderne. Meqë nuk ta thotë interneti se ku duhet ta kalosh kohën dhe kush e meriton më shumë vëmendjen tënde, por aftësia jote për ta drejtuar atë nga kahu i duhur. Çdo kompjuter ose celular, i kujtdo brez qoftë, e ka butonin e fikjes, që mund të përdoret pa problem kur vëmendja duhet drejtuar diku tjetër.

Ndoshta duhet ta fillojmë çështjen nga e para, duke filluar nga rrënja e fjalës vëmendje e duke sqaruar që në fillim se njeriu nuk mund të jetojë pa e pasur vëmendjen diku; sepse nga vëmendja varet ndërtimi i së ardhmes e nga vëmendja varet respekti ndaj tjetrit. Tek e fundit edhe ai që na merr në telefon, me Skype, ose ai që shkruan në blog, e kërkon vëmendjen tonë, por se sa e meriton këtë e dimë vetëm ne.

Nuk ka komente

  1. vemendja, problem i madh.. ja vetem duke lexuar kete tekst, lexova nje tjeter, u morra me nje tjeter forum .. mendja mu vertit ne te tjera gjera etj.. problem.. por une them se fajin e ka kompjuteri..

  2. I dashur Pishak. Problemi qe ngrini eshte me te vertete per vemendje, sepse po humb vemendja.Eshte nje problem qe duhet ta vleresojme seriozisht. Mblidhemi shpesh me femijet por c’ndodh. Secili hap celularin dhe navigon. Edhe kur i pyet, pergigjen shpesh e japin pa hequr syte nga celulari.Kjo na merzit. Jemi mesuar qe ta shohim me sy bashkebiseduesin, por shpesh merr ne pergjigje konfuze, mbasi vendja nuk eshte te biseda po te celulari. Erdhi nje kusheri nga Austria pas disa vitesh mungese dhe me tha : “Nuk u cmalla me niperit e mbesat, se ata sikur jane “budallallepsur” nga celularet e githfare markash dhe gjithe kohes merren me to”.
    Eshte dhe nje problem tjeter; perdorimi i tepruar i celulareve dhe teknologjise informatike, se pari i mban njerezit ne nje pasivitet fizik dhe perben ne rrezik per disa semunde nervore.
    Shpesh eshte dyshimi nga disa specialiste se nepermet ketyre paisjeve, mund te kthehemi ne ne big brother global.
    Populli gjithne ka thene, cdo gje, sado e mire te jete, kur teprohet eshte e demshme. Cdo ge me masen e duhur.

    1. Edhe unë kështu mendoj: duhet të mësojmë si t’i përdorim mjetet e reja teknologjike, e jo të përdoremi prej tyre. Mirëpo e kuptoj që kjo nuk është e thjeshtë. Kërkon vëmendje. 🙂

  3. Me shume se problem vemendie eshte menyre e bashkebisedimit dhe bashkeshoqerimit. Ne rastet kur kerkohet vemendie, zyra, pune, etj, individet dine te perqendrohen, ushtrojne vemendie dhe angazhim. Ne morine e informacionit, shoqerizimit ose thjesht ndarjes se nje hapesire te afert individi detyrohet te distancohet me nje mjet te jashtem per te mos u etiketuar ose gjykuar si i vecuar. Vemendia kerkon vecim,despotizem te kohes dhe hapesires. Duhet thjesht pranuar se nuk kemi me cti themi njeri tjetrit dhe mosvemendien mos ta shohim si jorendesi.

    1. Dakord, por bashkëbisedimi lyp medoemos vëmendje, sepse në qoftë se ti flet dhe unë shikoj celularin, ose shkruaj një sms, biseda jonë mund të konsiderohet e dështuar. Vëmendja është disiplinim i vetes, sikurse i kohës dhe i hapësirës. Megjithatë, mendoj se kemi ende ç’t’i themi njëri tjetrit; përndryshe nuk do të komunikonim këtu në blog.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin