SHQIPTARËT NË PASQYRË

nga Irena Shabani

[kujdes: shkrimi mund të përmbajë spoilers!]

“Amsterdam Express” realizimi më i fundit i Fatmir Koçit, u ndoq i shoqëruar nga një ndalim kërshëritës frymëmarrje përgjatë gjithë minutazhit të tij.

Filmi të rrëmbente, ndonëse jo pak raste të hidhte nga njëra situatë në tjetrën ende pa kapërdirë të parën.

Ai trajton historinë e një djali shqiptar që transferohet në Amsterdam për të siguruar para’ për të ndërtuar shtëpinë e tij në periferitë e Tiranës, ku ka lënë dhe të dashurën e zemrës.

Në kryeqytetin hollandez ai “rrëshket” në aktivitete kriminale dhe në një tjetër raport intim të kurorëzuar me martesë, duke notuar kështu mes trazirave dhe dy dashurive (ose tre) duke llogaritur edhe një tërheqje të madhe që zhvillohet mes kujdesit dhe keqardhjes me një prej vajzave të seksit.

Po a ishte një film i realizuar apo jo? Minutat pasi mbaronte ti ishe në të njëjtën frymë përfshirjeje dhe do të duhej të kalonin disa orë që të mendoje më mirë.

Ndoshta ajo që nuk të linte të vije re me sy të lirë se ku “çalonte” filmi ishte interpretimi i shkëlqyer i James Biberit, Vasjan Lamit, Bujar Lakos dhe në një rol episodik, por të spikatur i Gent Ferrës.

Po lë pa përmendur në renditjen e më sipërme Blerim Destanin, sepse roli i tij nuk më bindi, pati një lloj pafuqishmërie për të mbërritur deri në brendësi të personazhit, ndoshta jo per faj të tij, po se vetë personazhi kryesor nuk kishte thellësinë që pritej.

Megjithatë vendosja përkrah e një aktori si Destani dhe Biberit ishte në harmoni të plotë. Filmi kishte interpretimin e shkëlqyer të aktorëve të mësipërm, një muzikë mbresëlënëse, shumë skena të realizuara dhe që të mbanin në ajër, por atyre ju mungonte zinxhiri që do ti bënte të gjitha të ishin një trup.

posterSkenari edhe pse shfaqte plot të vërteta të realitetit shqiptar ishte i lidhur dobët e ndonjëherë edhe i pabesueshëm. Emigranti shqiptar me emrin Bekim është konfuz në zgjedhjet e tij, ai luan njëkohësisht djalin e mirë e djalin e keq në një qorr-sokak që nuk dihet se ku do ta nxjerr, martesa e tij me një hollandeze është një detaj pak i çuditshëm sepse nuk del qartë nëse ai dëshironte kthimin në atdhe apo pasaportën hollandeze.

Van Doom i luajtur nga James Biberi është gjithashtu një personazh i spikatur, ai qëndron lart në rol deri në fund të filmit në mënyrën sesi e sjell figurën e një krimineli shqiptar në rrugët e botës, por në fund ai është një kriminel që zvogëlohet si karakter e ka një mbyllje absurde.

Kriminelët e atij niveli që Koçi ka sjellë nëpërmjet Biberit janë burra të zgjuar e llogaribërës të mëdhenj, përndjekja absurde që ai i bën personazhit kryesor prej Hollande në rrugët e Bathores është e stisur dhe pa një arsye reale. Bekimi nuk është fajtor në lidhje me grabitjen që një prej vajzave të vitrinës së “Red Light District” i bën tutorit të saj, kjo është një arsye e mjaftueshme që një personazh si Doom të mos merret me bashkëatdhetarin e tij, shto këtu faktin që një biznes i tillë aq “fitimprurës”, përkthehet në lekë dhe jo në mundësi përndjekje të një hallexhiu si Bekimi.

Marrëdhënia e dashurisë mes Bekimit dhe Martës (Flonja Kodheli), vajzës nga Bathorja është e vagullt, e ndërlikuar, e kanalizuar gabim dhe gjatë rrjedhës së filmit e çorientuar.

Vasjan Lami në rolin e babait të Martës sjell një figurë të spikatur që të përcjell ankthin e një babai pijanec e të pashpresë që pasi nuk di çfarë t’i bëjë jetës së tij, mundohet që dufin kundrejt saj ta përcjell nën avujt e alkoolit mbi shpinat e femrave të familjes së varfër.

Po kështu qëndron lart edhe personazhi i luajtur nga Bujar Lako, por nuk do të thosha të njëjtën gjë për partneren e tij Rajmonda Bulku, përfshi këtu faktin që si Lami, si Lako sillnin në dialekt figurat e dy malësorëve, një gjë që stononte përballë shqipes pothuaj letrare të grave të tyre.

Olta Gixhari në një rol pothuaj episodik, sjell në lartësinë e duhur personazhin e një vajze lesbike që nuk kalon pa lënë mbresa. Sa për mënyrën sesi filmi mbyllet, kjo të sjell në mend pothuaj shumicën e filmave shqiptar të viteve të fundit, të cilët do të ishin më dinjitozë nëse do të stopoheshin 10 minuta para finales nën fjalinë; “Të dashur shikues filmin përfundojeni si t’ua ketë ënda”.

Nuk po i referohem këtu realitetin shqiptar ku trenat pothuaj nuk ekzistojnë dhe që ata që janë, përdoren tashmë nga banorët e fshatrave që sjellin në kryeqytet vetëm ushqime fshati, bagëti e të tjera. Po e marr të mirëqenë që një vajzë e re me kërkesa nga jeta e nga vetja si Marta hypën në tren për të udhëtuar drejt shtëpisë së tezes së saj, po kështu po e mirëkuptoj edhe faktin që tutori hakmarrës ndjek Martën si shantazh për Bekimin, por përballja e këtyre të dyve është ndoshta skena më e dobët e filmit.

Skenaristi ndoshta ka dëshiruar ta çlirojë personazhin e Bekimit nga çdo lloj mëkati. Prandaj vjen një zgjidhje alla deus ex machina ku Van Doom hidhet nga treni. Personazhi i Bekimit në jetën reale do ta kishte shkrepur armën e do bëhej fajtor si shumë të tillë që i përfshin rrjedha në histori absurde.

Po a vlen ky film? Mendoj që po. Mendoj që me gjithë minuset e tij realiteti bruto gjendej me shumicë përgjatë gjithë filmit. Ai na shfaqej edhe me detaje të vogla, si makina Porsche apo martesa për një pasaportë, na shfaqej me vitrinat e Amsterdamit, biznes ky që kontrollohet nga shqiptarët, po kështu ai shpaloste para çdo kujt drama të mëdha të familjeve në kaos dhe pafuqinë e shumë prej të rinjve për të parë matanë asaj që jetojnë çdo ditë.

http://www.irenashabani.com/

 

Nuk ka komente

  1. Blerim Destani/producer; Mike Downey/co-producer; Rozeta Feri/producer; Dritan Huqi/executive producer; Edgar Kapp/line producer; Tanja Lunardelli/assistant producer; Kuba Szutkowski/co-producer; Sam Taylor/co-producer

  2. Ndersa une mendoj se nese filmi ka probleme, ashtu sic thoni ju Irena, atehere nuk mjafton qe te tregoje realitetin bruto qe t’ia vlej. Se po te jete per realitetin bruto atehere spektatori e perjeton perdite duke jetuar e nuk ka nevoje te shkoje ne kinema, teater apo diku tjeter. Dua te them nese tema dominon mbi mbi aspektin artistik atehere nje veper arti nuk ia vlen. Sepaku duhet te jene ne nivele te barabarta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin