KUTURU ME KALË

I ngacmuar nga lajmet për vizitën e Kasparovit në Tiranë të para pak ditëve, u përpoqa të gjej faqen e Federatës Shqiptare të Shahut në Internet, por pa shumë sukses – edhe pse gjeta një faqe të mirë-përditësuar në Facebook. Aty edhe pyeta administratorin përkatës, i cili më dha lidhjen për faqen zyrtare: http://www.fshsh.org.al/.

Natyrisht, kjo faqe as është mirëmbajtur, as është përditësuar prej kohësh – pavarësisht nga entuziazmi i Kasparovit, interesat e tij për t’u zgjedhur president i FIDE-s dhe ambiciet e qarqeve drejtuese të Federatës vetë.

Përkundrazi, Federata e Shahut e Kosovës ka një faqe më të përditësuar dhe funksionale, edhe pse gjithnjë primitive për nga pamja, materialet dhe cilësia e teksteve dhe grafikës.

Por le të kthehemi te faqja e FSHSH-së – meqë aty na dhemb dhëmbi më shumë.

Shahu në Shqipëri ka pasur një traditë të mirë: interes nga publiku, masivitet dhe kampionë që kanë arritur suksese të konsiderueshme, megjithë pengesat sadistike të imponuara prej regjimit totalitar (i cili nuk i lejonte tanët të ndesheshin me shahistë sovjetikë, çka do të ishte njëlloj sikur t’ua ndaloje futbollistëve që të luanin në bar; pa përmendur pastaj dëmet e pallogaritshme që u shkaktuam kësisoj, në vite, sovjetikëve vetë).

Kush kërkon të mësojë diçka nga kjo traditë, ose edhe nga gjendja e tanishme e veprimtarive shahistike në Shqipëri, nuk mund ta bëjë këtë që nga sajti zyrtar i FSHSH-së; pse aty lajmet më të fundit janë ato për Kupën e Shqipërisë (rapid), të mbajtur në 2011.

Përndryshe, sipas të dhënave që ofron faqja vetë, një nga artikujt më të lexuar atje (most popular) është ky i mëposhtmi:

artikull per 3 lajme

I përgatitur që më 21 prill të vitit 2008.

Një sajt i thjeshtë për shahun në Shqipëri mund të përmbante informacion për kampionatet kombëtare në vite, biografitë e shahistëve, ndeshjet e tyre më të mira në Shqipëri dhe jashtë – në format të luajtshëm. Me pak mundim, vizitorët mund të ftoheshin të luanin me njëri-tjetrin në linjë: për këtë mjafton një server në gjendje pune, andaj nuk ka nevojë të trazosh Kasparovin për lekë, ose ndonjë kampion tjetër të rëndë.

Po ashtu, faqja mund të përfshinte lajme për veprimtaritë shahistike ndërkombëtare dhe lidhje drejt sajteve përkatëse: për shembull, pikërisht këto ditë, është duke u zhvilluar turneu që do të përcaktojë se kush do të sfidojë kampionin Magnus Carlsen, në matchin e ardhshëm për titullin botëror. Lojërat gjenden kudo falas – mjafton dëshira për t’ia sjellë publikut.

Më në fund, faqja mund të përfshinte edhe probleme shahu, kuriozitete dhe materiale trajnimi për shahistët e rinj – p.sh. hapje ose finale. Ka programe kompjuterike që kushtojnë pak dhe që mund të kujdesen për të gjitha këto.

I mërzitur nga pamja post-apokaliptike e faqes së FSHSH-së, u intrigova, megjithatë, nga një foto në cepin e poshtëm majtas – e cila shërben si ilustrim i një hapësire të rezervuar për shahistët e kategorisë së 1-rë (vetë hapësira nuk ekziston ose unë nuk dita si të shkoj atje).

shah i gatshemJu ftoj ta shihni me kujdes.

Fotoja tregon një fushë shahu, me gurët të rreshtuar, por ku duket sikur ende nuk është bërë ndonjë lëvizje – me përjashtim të një kali të bardhë, i cili po bëhet gati për t’u rehatuar në një prej kuadrateve të qendrës (e4).

Natyrisht, në fillim të një loje, kuajt e bardhë nuk mund të shkojnë veçse në kuadratet h3, f3, c3 dhe a3; dhe, meqë nga fotoja duket sikur kali i bardhë në b1 nuk ka lëvizur, atëherë me pak logjikë dhe bonsens mund të supozojmë se lëvizjet e të bardhit deri më tash kanë qenë: 1. Kf3 (Kh3)… 2. Kg5 … 3. Ke4 (natyrisht, këtë varg mund ta zgjatësh pa fund, por unë vetëm dhashë rrugën më të shkurtër). Se çfarë ka lëvizur i ziu ndërkohë, këtë veç mund ta marrim me mend.*

Gjithsesi, asnjë lojë shahu normale nuk fillon me tre lëvizje të kota me kalë qoftë ky edhe i kategorisë së parë – madje, edhe sikur t’i shkojë ndokujt në mendje që të luajë ashtu, pse ka vënë bast ose kërkon të tallet me kundërshtarin, loja nuk ia vlen të pavdekësohet në foto; dhe aq më tepër në një foto të vendosur në faqen e një federate kombëtare të shahut.

Ergo: foton e ka nxjerrë dikush që për shahun di vetëm se është një lojë që luhet mbi një fushë bardhezi, me gurë në forma të çuditshme monarkike, mes të cilëve edhe kuaj; ose një fotograf që i qaset shahut me pasionin e një të apasionuari pas hipizmit.

Ky kalë që vjen rrotull në lëmin e fushës bardhezi, pa asnjë synim në kokën që komandon dorën përkatëse prej mëngjarashi (e cila, mes të tjerash, po e mban figurën si të ishte stilograf), m’u duk emblematike për gjendjen e shahut në Shqipëri – madje nuk do të habitesha sikur ndonjë koleg ta merrte kalin hergjelé për metaforë të vetë kardinalit Kasparov dhe shëtitjet e tij galopante anembanë.

*Meqë i ziu nuk ka asnjë gur të vetin – figurë ose ushtar – në rreshtat 5 dhe 6, atëherë një skenar i mundshëm si mund të jetë zhvilluar kjo lojë me pak lëvizje do të ishte: 1. Kf3 – Kf6 2. Kg5 – Ke4 3. K:e4. Megjithatë, po të ishte kali i bardhë duke ngrënë një kalë të zi në e4, atëherë ky kalë i zi duhej të dukej gjëkundi në foto (p.sh. i kapur në dorën që lëviz kalin e bardhë). Shahistët zakonisht e ngrenë gurin që hanë me gishtin e vogël, ose me gishtin e unazës dhe të voglin, duke e mbajtur pastaj të shtrënguar pas pëllëmbës, në një kohë që me tre gishtat e tjerë mbajnë gurin e tyre, ose atë që “ha”. Natyrisht, e gjithë kjo s’është veçse një ushtrim për t’u zbavitur – ose një puzzle, nëse duam. Një version tjetër i lëvizjeve për të arritur pozicionin në tabelë do të ishte: 1. Kh3 – Kc6 2. Kf4 – Kb8 3. Kd5 – Kc6 4. Kdc3 – Kb8 5. Ke4: këtu i bardhi e shpie kalin në e4 me 2 lëvizje më shumë, në një kohë që i ziu vetëm sa lëviz para dhe mbrapa kalin e vet të krahut të damës, duke e pasur të kthyer për të dytën herë në bazën e nisjes, në momentin që është nxjerrë fotoja.

Nuk ka komente

  1. duhet të jetë kali i Skënderbeut. Këto janë vitrina pa mall brenda, normë në epokën e vitrinës. Kosova mund të duket pak më mirë, po nuk i shpëton shumë rregullit

  2. Eshte fatkeqesi qe njerez qe jane prere per nje pune te caktuar, te merren me nje pune tjeter per te cilen as kane pasion e as njohuri!
    Dhe vijme ne nje situate te tille qe autori (me ekspertize ne shume fusha te tjera) gjen mangesi foshnjore ne kete fushe!
    Pa dashur (nuk mundem), te analizoj thellesine e autorin ne fushen e shahut, vrejtjet jane te pakontestueshme.
    Minimumi eshte te viheshin njerez me nje kulture minimale ne kete fushe.
    Kjo sigurisht eshte e pamundur ne vendin tone.
    Kane gjetur gjynahqarin e rradhes qe eshte gati te shese punen e vet per 5 lek., dhe qe do ishte pretendim i madh nese do ishte ne gjendje te diferenconte midis Kalit dhe Mbretershes!
    Ai stan ate bulmet do kete!

  3. Radio Tirana, per turpin tone kolektiv dhe per faqen e zeze te atyre drejtoreve, ceo-ve, presidenteve apo cfaredolloj emri i kane vene vetes tani, ka nje prezence skandaloze ne Internet dhe sigurisht asnje mundesi qe te degjohet live ne tryezen tende ne zyre ose ne shtepi!
    Radio Tirana!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin