NË BANKAT E SHKOLLËS

Nxënësit shqiptarë në Itali

Si çdo vit, Ministria italiane e Arsimit, nëpërmjet një studimi të posaçëm, i ofron publikut një fotografi interesante të nxënësve me shtetësi të huaj që studiojnë në shkollat e ndryshme të vendit. Si paraqitet situata e nxënësve shqiptarë në Itali? Të dhënat e fundit japin një kuadër me gjithë mend interesant.

Raporti “Nxënësit me shtetësi jo italiane”, i përgatitur në bashkëpunim me Fondazione Ismu, analizon praninë në shkolla gjatë vitit 2012/2013 (kopshti, cikli fillor, cikli i mesëm i ulët, shkolla e mesme). Qëllimi i studimit është të përvijojë karakteristikat e pranisë së nxënësve të huaj dhe të shqyrtojë dukurinë në tërësi e sipas territoreve të ndryshme.

Analiza statistikore e nxënësve të huaj në Itali del se nxënësit me shtetësi të huaj vazhdojnë të rriten në numër, edhe pse rritja nuk bëhet me ritmet e së kaluarës. Gjatë vitit shkollor 2012/2013 rezultojnë 786.630 nxënës të huaj (+4,1% kundrejt vitit të kaluar), praktikisht 8,8% e numrit të përgjithshëm të nxënësve. Prania më e madhe e të huajve vihet re në kopshte e në shkollat fillore. Në këto grupmosha ka edhe më shumë fëmijë që janë lindur në Itali.

nxenesit-e-huaj-ne-itali-sipas-prejardhjesNxënësit janë me prejardhje të ndryshme. Nuk mungon asnjë kontinent, por pjesa më e madhe vjen nga Europa dhe Afrika. Vendin e parë për nga prania e zënë nxënësit rumunë (148.602), kurse në vend të dytë janë shqiptarët (104.710 nxënës). Vijojnë marokenët (98.106) dhe kinezët (36.043). Për t’u shënuar fakti se tre bashkësitë e para kanë përqindjen më të madhe të pranisë në shkolla, çka shpjegohet edhe me numrin e përgjithshëm të imigrantëve me këto prejardhje.

Po të shikohen përqindjet dallohet mirë se nxënësit rumunë janë në vend të parë në të gjitha ciklet shkollore, marokenët kapin vendin e dytë në kopshte e në fillore, kurse shqiptarët zënë vendin e dytë në shkollat e mesme.

Nuk mund të lihet pa nënvizuar përqindja femërore e nxënësve të huaj (48%), e cila i afrohet tashmë asaj italiane. Megjithatë, në shkollat e mesme vajzat e huaja ua kalojnë italianeve në numër (+1,2%). Ndërsa disa vende nuk kanë përqindje të lartë femërore tek nxënësit (Pakistani, India e Bangladesh), të tjera e kalojnë mesataren. Shqipëria futet pikërisht në këtë kategori. Në 104.710 nxënës shqiptarë gjithsej, 47,7% janë femra. Në qoftë se nga pikëpamja e numrit të përgjithshëm të femrave Shqipëria zë vendin e dytë (49.989) pas rumuneve, në përqindje shqiptarët kalojnë në vend të shtatë, sepse ka bashkësi që kanë më shumë femra (Ukraina, Ekuadori, Moldavia, etj.). Për ta kuptuar këtë fenomen duhen studiuar karakteristikat e posaçme të çdo komuniteti imigrantësh. Numrat ndryshojnë nga cikli në cikël e nga komuniteti në komunitet. Gjithsesi, përqindja duket përgjithësisht e ekuilibruar e jo vetëm për shqiptarët.

Nxenesit_e_huaj_sipas_gjiniseHarta e pranisë së nxënësve të huaj përputhet në vija të përgjithshme me hartën e imigracionit në Itali, mbi të gjitha për sa i përket shpërndarjes territoriale. Pjesa më e madhe e nxënësve janë në shkollat e krahinave të qendrës e të veriut të Italisë. Kjo shpërndarje verifikohet kryesisht në provincat me përmasa t mesme e të vogla. Katër të pestat e shkollave italiane kanë të huaj në bankat e veta, kurse 60% e shkollave të mesme ka deri 15% të huaj.

Në gjysmën e krahinave janë rumunët ata që gjenden në vend të parë, kurse Shqipëria zë vendin e parë në gjashtë krahina, ku nënvizohen Lombardia, Toskana dhe Emilia Romagna. Ka disa qytete me përmasa të ndryshme ku nxënësit shqiptarë kanë prani të konsiderueshme si përqindje Casale Monferrato në Piemonte (44,1%) , Varese në Lombardi (28,8%), Conegliano në Veneto (13,5%), Ravenna e Faenza në Emilia Romagna (24,5%), Pistoia në Toskana (51,1%), Monterotondo në Lacio (8,2%), Bari në Pulja (17,4%).

Por si i zgjedhin shkollat e mesme të huajt? Këtu duhen analizuar edhe aspekte të tjera që ndikojnë në përzgjedhjen e llojit të shkollës, por nga të dhënat del qartë se ka peshën e vet prejardhja (nga pikëpamja e shkollarizmit të vendit nga ku nisen), sikurse ka rëndësi përqindja femërore. Kështu shkollat e mesme me drejtim artistik, gjuhësor, humanist, shkencor, etj. ndiqen më shumë nga nxënës që vijnë nga vende si Romania, Ukraina dhe Shqipëria, që kanë edhe përqindje të ndjeshme femërore. Marokenët parapëlqejnë shkollat e mesme profesionale (52%), ku paraqesin përqindje të larta edhe indianët, pakistanezët, tunizianët, etj. Moldavët dhe kinezët zgjedhin kryesisht shkollat e mesme me karakter teknik.

Në përgjithësi shkollat e mesme ndiqen si nga djemtë ashtu edhe nga vajzat. Ndonëse duhet shënuar se ndjeshmëria dhe tradita kulturore ndikon në praninë e femrave në shkollat e mesme. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet prania më e lartë e vajzave që e kanë origjinën nga Europa lindore, ku arsimi femëror i ka krijuar themelet e veta shumë vite më parë, kurse vende të tjera kanë përqindje më të ulëta (indianet, pakistanezet).

Fotografia e nxënësve të huaj në Itali i pasuron pa dyshim njohjet tona për imigracionin në përgjithësi e për dinamikat e nxënësve në shkolla. Disa elemente të pranisë së nxënësve shqiptarë tregojnë se kemi të bëjmë me një bashkësi në thelb të stabilizuar e të ekuilibruar, duke filluar nga numri i përgjithshëm, shpërndarja territoriale, por edhe nga përqindja e femrave. Megjithatë, të tjera aspekte mbeten për t’u studiuar më tej, meqë tek nxënësit mund të lexohet edhe e ardhmja e imigracionit shqiptar në Itali.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin