BURRA TË LIDHUR PËR FJALËSH

Debat i tensionuar në selinë e Komitetit Qendror të Partisë, gjatë Plenumit IV, më 27 qershor 1973, ose partiarkët e lartë si nënprodukte të thashethemishtës politike.*

Shoku Hysni Kapo [Todi Lubonjës, 2Xh]:
– Ti thua për “Njollat e murrme” që kur e kritikoi udhëheqja, edhe ti e kuptove se kjo dramë nuk qëndronte, atëherë pse nuk prite ti që ai, Minush Jerua, të rehabilitohej kur duhej, por u përpoqe të rehabilitohej, përse? Minush Jerua nisej nga Durrësi dhe vinte në Korçë te ti, në një kohë kur ai dhe vepra e tij u hodh poshtë nga udhëheqja. Ti e dije këtë. Atëherë pse ai vinte në Korçë dhe duhet ta rehabilitoje ti atë? Po Bilal Xhaferrin ku e gjete ti me Fadil Paçramin? Bilal Xhaferrin që është i arratisur në Greqi, armik, njeri i bastarduar.
Fadil Paçrami:
– As unë nuk e di atë.
Shoku Hysni Kapo:
– Jo shoku Fadil, e dimë mirë ne këtë gjë. Dimë edhe tjetrën, që Minush Jeros i ke thënë “dale se s’ka ardhur koha për në Tiranë”. Do ta sillje ti në Tiranë? Pse ti nuk prite ta rehabilitojë shoqëria Minush Jeron, por duhej ta rehabilitoje ti? A nuk tregon kjo një rënie në gjunjë dhe ai atëherë ndërroi edhe emrin e dramës “Nënë Duda” dhe e vuri në skenë me emrin “Të pamposhturit”?
Shoku Enver Hoxha:
– Të pamposhturit janë këta.
– Shoku Mehmet Shehu:
– Ajo është alegori. Nuk kanë guxim të flasin hapur dhe maskohen.
Shoku Enver Hoxha:
– Domethënë Partia i dënon ata, por ata janë të pamposhtur.
Shoku Mihallaq Ziçishti:
– Karshi kujt janë të pamposhtur dhe pse do të sillnin Minush Jeron këtu në Tiranë?
Shoku Enver Hoxha:
– Për t’i treguar udhëheqjes së Partisë se janë të pamposhtur dhe vijnë pikërisht në Tiranë dhe jo në Gramsh apo diku tjetër.
Shoku Haxhi Lleshi:
– Këto koncepte dhe këto pikëpamje i ke koordinuar ti me ndonjë tjetër, për shembull me Fadilin?
Todi Lubonja:
– Përsa i takon dramës “Të pamposhturit”, në diskutimin që është bërë për “Njollat e murrme” në Tiranë, nga sa di unë, atje është bërë autokritikë. Unë di që atëherë Minush Jerua ishte dramaturg dhe lejohej të botonte shkrime. Të them të drejtën dhe sinqerisht, në rastin e parë atë e kam njohur në dramën “Njollat e murrme”.
Shoku Manush Myftiu:
– Ai është kritikuar në plenumin e 15-të.
Todi Lubonja:
– Mundet, por unë personalisht nuk e kam njohur dhe është thënë që këta duhet ta lajnë me vepra. Për dramën “Të pamposhturit”, mendimi im ka qenë se kjo është një dramë patriotike, një dramë për luftën. Për këtë edhe kemi biseduar, në mos gabohem kam biseduar edhe me shokun Ramiz.
“Mirë” është thënë nga të gjithë dhe ne kemi qenë dakord që ta vëmë në skenë.
Shoku Mihallaq Ziçishti:
– Nuk është e vërtetë. Mua më ka thirrur shoku Ramiz dhe e kemi hedhur poshtë.
Shoku Ramiz Alia:
– Edhe ti ke qenë bashkë me Mihallaqin. Është biseduar konkretisht jo për dramën, por nëse ka mundësi që ky njeri të vërë pjesë në skenë. Thamë se nuk u heqim të drejtën e skenës këtyre njerëzve.
Todi Lubonja:
– Po, kështu keni thënë.
Shoku Ramiz Alia:
– Kur ka ardhur më vonë Mihallaqi, kemi biseduar konkretisht që ajo pjesë nuk duhet vënë.
Todi Lubonja:
– Çështja është diskutuar që të vijë apo të mos vijë në Tiranë Minush Jerua, për këtë jam thirrur unë.
Shoku Mihallaq Ziçishti:
Kemi biseduar dhe u thirrëm në Tiranë për çështjen që, qëndron apo nuk qëndron drama “Të pamposhturit”.
Todi Lubonja:
– Ju shoku Mihallaq keni thënë, “ta vëmë dramën dhe të bëjmë diskutim””. Kështu drama është vënë, është diskutuar në masa dhe është aprovuar të shfaqet në Korçë.
Shoku Peti Shamblli:
– Kam qenë unë në Korçë kur është dhënë kjo dramë për herë të parë dhe jeni përplasur me shokun Mihallaq.
Ai atëherë të tha: “Çfarë jam unë këtu, hu gardhi?”
Todi Lubonja:
– Kur është bërë diskutimi s’kam qenë as unë, as shoku Mihallaq.
Shoku Hysni Kapo:
– Po pse flet kështu more Todi, përse ju thirra unë ju në KQ? Ke qenë ti, shoku Mihallaq, shoku Haki, Piro Kondi dhe Leka Shkurti. Pikërisht sepse instruktorët e KQ thanë që në Korçë është vënë një dramë e tillë dhe shoku Mihallaq nuk ishte dakord për këtë. Prandaj ju thirra. Madje të kam thënë që “pse vjen Minush Jerua nga Durrësi në Komitetin e Partisë të Korçës?”.
Ai vjen te ti, sepse gjen strehë tek ti. Ti po të mendoje siç mendonte Partia, do t’i thoshe atij që “ktheu prapë dhe shko në Durrës, se ka atje një komitet partie dhe një komitet ekzekutiv, të cilët le ta shikojnë”. Këta njerëz ju gjenin ju me qiri dhe ju i mirëprisnit e u bënit edhe jehonë.
Shoku Rrapo Dervishi:
– Minush Jerua i ka hyrë gjithë Shqipërisë. Todi, më duket mua, përdori edhe një taktikë tjetër.
Shoku Enver Hoxha:
– Çfarë taktike?
Shoku Rrapo Dervishi:
– Po ja… këtë që, gjoja me autokritikë të kalonte.
Todi Lubonja:
– Po çfarë të bëj shoku Rrapo, të mos bëj autokritikë?
Shoku Rrapo Dervishi:
– Për konsideratën e Partisë, duke filluar që nga shoku Enver e me radhë për të gjithë të tjerët.
Todi Lubonja:
– As topi s’ma ka tundur këtë konsideratë dhe as ka për të ma tundur sa të vdes, thuaj çfarë të duash ti.
Shoku Rrapo Dervishi:
[…] Për sa i përket çështjes së Minush Jeros, dua të them se ai na erdhi në Gjirokastër dhe një vepër tjetër e tij mendohej të vihej në teatrin e Gjirokastrës, se këta kanë futur hundët gjithandej, duke vepruar fshehurazi. U gjend për këtë Viktor Zhusti, miku i ngushtë i familjes së Fadilit. Kërkonin ta vinin atje në skenë. Kur mora vesh, pyeta, “Po ku është Minush Jero?”, “Në Durrës”, më thanë. Atëherë u thashë shokëve të pyesnin shokun Rita. Morëm të dhëna që Durrësi nuk e kish aprovuar, por kur nuk e aprovoi Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit, pse do ta aprovonim ne në Gjirokastër. Kjo punë mbaroi.
Po prapë ne u ndodhëm nën presionin për këtë. Pyetëm degën e Brendshme, pastaj na thanë shokët e degës që ka aktivitet armiqësor. Shoku Rita nuk e kishte aprovuar. Nga dega e Brendshme kishim të dhëna se ka aktivitet armiqësor. Atëherë u thamë të mos na e linin në Gjirokastër. Pse e keni sjellë këtu në Tiranë Minush Jeron?
Todi Lubonja:
– Minush Jeron ta kam sjellë unë në Tiranë? Jo, nuk është e vërtetë.
Shoku Hysni Kapo:
Premtimi i është dhënë. Këtu erdhi Mihallaq Luarasi, kurse atij i kanë dhënë fjalën, po i kanë thënë se tani akoma nuk është koha.
Shoku Rrapo Dervishi:
– Këta kanë bërë manovrime andej e këtej.
Shoku Enver Hoxha:
– Këto thuaji në diskutim shoku Rrapo.
Todi Lubonja:
– Për sa i takon Bilal Xhaferrit, në jetën time këtë tip një herë e kam takuar. Atëherë kur ky shkruante në gazetën “Zëri i Rinisë”. E mora vesh që është arratisur, që është element armik, i poshtër dhe thashë: “Në djall të vejë me gjithë soj e sorollop”.
Shoku Dashnor Mamaqi:
– Fadil Paçrami përdor edhe provokacionin. Në KQ ka një dokument që më akuzon mua se kam mbrojtur Bilal Xhaferrin. Ky dokument është dërguar nga Komiteti i Partisë. Kjo është një gënjeshtër. Kur kam qenë në Durrës, më ka marrë Todi në telefon dhe më tha që kishim një Bilal Xhaferri. Unë as që e njihja fare, bile as e dija që punonte aty. Më tha që është një talent i madh për tregime, madje do të bëhet një nga tregimtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Unë s’kisha kënduar gjë nga ky. Atëherë fillova të këndoj, se ka botuar në gazetën “Drita” dhe në “Zëri i Rinisë”. Todi ka bërë presion te shoku Ramiz që të inkurajohet ai djalë dhe unë me porosi të shokut Ramiz e kam thirrur në aparat që të punonte në Qytetin Stalin. Kur e kam marrë vesh këtë gjë, që ishte bërë me nxitjen e Fadilit, kam shkuar tek shoku Ramiz. I jam lutur shumë ta sqaronte këtë çështje, ose do të shkoja te shoku Enver. Më ka thënë të rrija i qetë se s’kishte gjë.
Shoku Enver Hoxha:
– Edhe të tilla gjëra kanë bërë këta.
Shoku Manush Myftiu:
– Sipas materialeve që kemi dërguar ne si komitet, ti dhe Llazar Siliqi jeni ata që kanë futur Bilal Xhaferrin në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ky ishte raporti që bëri Fadili.
Shoku Rita Marko:
Kanë bërë edhe presion në Durrës te ne, se pse ne nuk jepnim mendim. Ne nuk kemi qenë dakord.
Shoku Manush Myftiu:
– Kjo është një veprimtari me të vërtetë agjenturiale, e ndyrë.
Shoku Enver Hoxha:
– Atëherë, pse thua ti Todi që Bilal Xhaferrin e ke parë vetëm një herë?
Todi Lubonja:
– Një herë e kam takuar, shoku Enver, kur botonte dhe s’kam ndërhyrë për asgjë, as për shtëpi. Kam thënë vetëm që ka botuar disa tregime të mira.
Shoku Enver Hoxha:
– Po ia ke thënë që është një nga ata me talent?
Shoku Kadri Hazbiu:
– Meqenëse ky ishte njeri me rendiment dhe të tërhoqi vëmendjen, u interesove ti se kush ishte ky me prejardhje, me biografi.
Todi Lubonja:
– Po, u interesova dhe më kanë thënë që të atin ia kanë vrarë Zervistët në Greqi. Këtë ma tha Ballkëz Halili.
Shoku Hekuran Isai:
Të na flasë Todi për lidhjet me Fadilin. Edhe në qoftë se platforma e Fadilit dhe e Todit nuk është e shkruar, ajo është në kokat e tyre, ata me siguri i kanë pasur të qarta qëllimet se ku duhej të arrinin, duke vënë dorë në këto qendra të rëndësishme. Unë mendoj që të flasin më hapur se po i bënin këto qendra si Klubi i Petëfit në Hungari. Ata kanë përdorur të gjitha format për të tërhequr kuadrot që u vinin pas vetes, kanë përdorur të gjitha mjetet për të tërhequr disa elementë të rinj rreth vetes së tyre si Minush Jero. Edhe ne në Komitetin e Partisë na kanë bërë presione.
Shoku Muho Asllani:
– Gjosho Vasian që ka qenë i internuar në Lushnjë, pse e kanë përkrahur?
Shoku Mehmet Shehu:
– Ky është Gjergj Gaberi, për të cilin unë kam tërhequr vërejtjen në telefon. Është ai diversanti që ka ardhur që andej.
Shoku Mihallaq Ziçishti:
– Të na i sqarojë mirë këto Todi, se ai po thotë se “jam dakord me të gjitha ato që u thanë”. Por të na i sqarojë, nëse këto kanë qenë pikëpamje apo edhe grupime.
Shoku Enver Hoxha:
– Tani ai do t’u përgjigjet pyetjeve.
Todi Lubonja:
– Unë mendoj se këtu grupime nuk ka. Marrëdhëniet e mia me Fadil Paçramin, pavarësisht se ndodhi kjo që u lidh një krushqi midis nesh, e cila nuk varej nga vullneti e dëshira ime, nuk kanë qenë marrëdhënie të lidhura. Për këtë edhe shokët mund të flasin.
Shoku Enver Hoxha:
– Po në pikëpamje politike?
Todi Lubonja:
– As kam të bëj me Fadil Paçramin, as jam influencuar nga ai.
Shoku Mihallaq Ziçishti:
– Mbase kalin nuk ia keni mbajtur njëri-tjetrit, por trego si u puqët në këto mendime, në politikë?
Shoku Enver Hoxha:
– Ne marksistë-leninistët, po, puqemi si mishi me thoin, po juve që jeni në një rrugë, nuk jeni të puqur?
Todi Lubonja:
– Unë mendoj se një radhë çështjesh që u trajtuan këtu për Fadil Paçramin mua nuk më përkasin.
Shoku Enver Hoxha:
– Ashtu? Po edhe atij për liberalizëm, për pikëpamje e veprime antiparti i kemi thënë, edhe ti i pranon ato.
Todi Lubonja:
– Mendimi im është që unë nuk mund të futem në një thes me Fadil Paçramin, mund ta kem gabim, por unë kështu mendoj.
Shoku Enver Hoxha:
– Ti i pranove të gjitha ato që janë thënë këtu, e ajo është një vijë.
Shoku Hekuran Isai:
– Jo vetëm në një thes t’u futim të dyve me Fadilin, por t’u mbyllim dhe grykën mirë me litar.
Todi Lubonja:
E fute ti atë, po unë s’e fus veten atje. Gjosho Vasia që thotë ai shoku, është hera e parë që e dëgjoj këtë emër, nuk e di se ç’është ky njeri.
Shoku Mehmet Shehu:
Është Gjergj Gaberi, me flokë të gjatë që i bie kitarës.
Todi Lubonja:
– Nuk e njoh dhe nuk e di.
Shoqja Zina Franja:
– Gjosho Vasia është e vërtetë që ka qenë i internuar, ka babën të arratisur. Ju e keni marrë këtu në Tiranë në kundërshtim me të tëra rregullat e shtetit tonë, i pa pasaportizuar. Ne si Shkodër kemi protestuar, atëherë ju jeni detyruar ta ktheni mbrapsht.
Todi Lubonja:
– Të verifikohet si është, unë për këtë nuk di asgjë.
Shoqja Zina Franja:
– Çfarë të verifikohet? Ai ka ardhur në Tiranë, ka ndenjur disa muaj këtu dhe pastaj e keni kthyer mbrapsht.
Todi Lubonja:
– Ai mund të ketë qëndruar edhe disa vjet, por unë nuk di gjë për këtë njeri.
Shoku Enver Hoxha:
– Ka dalë ai në televizion?
Todi Lubonja:
– Po nuk e njoh fare shoku Enver dhe nuk e di nëse ka dalë, unë nuk e kam dëgjuar.
Shoku Mehmet Shehu:
– Pse gënjen? Ty të kemi marrë në telefon dhe të kemi thënë që ‘hiqe Gjergj Gaberin’.
Todi Lubonja:
– Mund ta njoh po ta shikoj me fytyrë.
Shoqja Fahrije Saliçaj:
– Ai është sjellë në Tiranë për në televizion dhe na është dërguar në Kombinat për të punuar si zdrukthëtar.
Todi Lubonja:
– Unë këtë nuk e njoh.
Shoku Enver Hoxha:
– Nuk është mirë që të mos njohësh kuadrot e tu.
Shoku Mehmet Shehu:
– Është ai me flokë të gjata që i bie kitarës.
Todi Lubonja:
– Ai veshpreri është tjetër shoku Mehmet. Po mundet. Po unë as e njoh dhe as që e di.
Shoku Enver Hoxha:
– Mirë, vazhdo.
Todi Lubonja:
– Për sa i takon asaj që tha shoku Sadik Bocaj, lidhur me një letër që ka ardhur nga Berati, desha të them se është e vërtetë që në radio për një periudhë prej një muaji, në orën 5:30 të mëngjesit kur jepej muzikë popullore, pa dijeninë time, e kam thënë në organizatën bazë të Partisë dhe kështu ka dalë e vërtetuar, është ndërruar programi. Është dhënë muzikë popullore dhe muzikë masive. Në letër ashtu thuhet, siç thotë shoku Sadik, që duket ka ardhur një reformator në radio dhe ka bërë këto reforma. Sapo jam vënë në dijeni, kam dhënë urdhër të prerë dhe kam bërë kritikë që të vihej në vend ai gabim. Në fakt është vënë në vend.
Shoku Enver Hoxha:
– Po përse nuk dhe urdhër të prerë kur të foli Mehmeti, po nga një letër anonime e dhe këtë urdhër?
Todi Lubonja:
Do ta them edhe atë.
Shoku Mehmet Shehu:
– Po edhe për këtë, unë i kam dërguar me shkrim nga Kryeministria që, përse keni ndryshuar programin se më kishin thënë, kur isha në Sarandë e gjetkë, që kanë ndryshuar programin. Fshatarët donin muzikë popullore mëngjes për mëngjes, kurse këta e kishin hequr.
Shoku Kadri Hazbiu:
– Populli thoshte se tani e ngatërronin me Italinë.
Todi Lubonja:
Porosinë që më ka dhënë shoku Mehmet dhe ma ka përsëritur edhe shoku Ramiz, unë nuk e kam lënë në heshtje, prandaj thashë në diskutimin tim se kam luftuar, por jo me forcën e duhur. E kam shtruar këtë çështje dhe kam thënë të ndalohet rreptësisht, por ka pasur raste që kanë dalë në ekran edhe njerëz me flokë të gjatë. Sigurisht gabimi bie mbi mua. Unë nuk kontrolloja të gjitha emisionet, nuk ishte e mundur ta bëja një gjë të tillë.
Shoku Hysni Kapo:
– Ka qenë e rastit estetika që po përhapej në televizion apo ti ke pikëpamje për estetikën dhe modën borgjeze?
Todi Lubonja:
– Të them të drejtën për flokët e gjatë që mbanin të rinjtë nuk kam as pikën e simpatisë, madje jam grindur edhe me djalin tim.
Shoku Hysni Kapo:
– Po si shpjegohet që në organizatën e Partisë të Radio-Televizionit, doli se ti ke thënë që, do vajza të gjata, bionde dhe me pantallona kauboj si suedezet? Kjo ka dalë në organizatë. Si është e mundur kjo?
Todi Lubonja:
– Kjo është shtrembëruar shoku Hysni. Duke folur kundër veshjes me pantallona kauboj, kam thënë veç të tjerave se, ka edhe disa që janë të shkurtra e që duken shumë të shëmtuara kur veshin pantallona të gjata. Këtë kam thënë dhe jo ashtu sikurse është shtrembëruar atje.
Shoku Behar Shtylla:
– Kur ishte shoku Enver në Uzinën e Instrumenteve të Precizionit të Lartë në Korçë, ka kritikuar vajzat që veshin fustane të shkurtra dhe të ngushta, kurse ti atje ke thënë se ty të pëlqejnë ato vajza që i kanë këmbët e bukura.
Shoku Sadik Bocaj:
– Këtu Todi gënjen. Në organizatën e përgjithshme, në Byronë e Partisë të Radios, doli që Todi nuk ka zbatuar urdhrin e kryeministrit dhe të sekretarit të KQ shokut Ramiz, as ka dëgjuar drejtorin e televizionit, as sekretarin e organizatës bazë, as kurrkënd. Madje, atje doli se në shtator të vitit 1972, në një mbledhje kuadrosh specialistë, Todi, lidhur me çështjen për njerëzit që do të dalin në ekran të televizorit ka thënë: “Mua personalisht më pëlqejnë vajzat e gjata si skandinavet me pantallona kauboj, me rrip të gjerë me togëz në mes, por kemi urdhër që në këtë anë duhet të jemi të përmbajtur”.
Shoku Enver Hoxha:
– Shoku Sadik është nga ata shokë që flet ekzakt. Këto janë thënë në organizatën bazë, pikërisht siç thotë Sadiku.
Shoku Mehmet Shehu:
– Asnjë nga ne nuk i mban shënimet si Sadiku.
Todi Lubonja:
– Edhe unë kam thënë në organizatën bazë këto që thashë këtu tani. Ashtu është siç tha Sadiku, por unë thashë ato që thashë edhe këtu. Dhe kështu është.
Shoku Haki Toska:
– Është e vërtetë se keni thënë që po paguajmë haraçe? Dhe çfarë doni të thoni me këtë?
Todi Lubonja:
– Nuk është e vërtetë. Këtë e ka thënë Pipi Mitrojorgji, gjoja sikur ka bërë një bisedë telefonike me mua. Ia kam thënë edhe Pipit dhe nuk është e vërtetë. Nuk i jap asnjë kuptim kësaj gjëje. E kam thënë që në fillim dhe e them edhe këtu në plenum. Do të pranojmë ato që kemi.
Shoku Enver Hoxha:
– Mirë, po meqenëse ti e njeh veten se je liberal, je kundër shfaqjeve që ti i quan konservatore, prandaj këtu mund të bëhen fare lehtë deduksione dhe mund të kesh thënë që paguajmë haraçin e atyre të vjetërve, megjithëse ti e refuzon një gjë të tillë.
Todi Lubonja:
– Po unë nuk e kam thënë shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha:
– Supozojmë se nuk e ke thënë, po duke qenë se ti je liberal, atëherë sipas teje, ne kemi jetuar në një obskurantizëm kaq të madh, saqë paguajmë haraçet tani.
Shoku Mihallaq Ziçishti:
– Këtë thotë, se nuk e ka thënë. Atë që tha shoku Jashar e mohoi. Të gjitha i mohon. Atëherë çfarë pranon?
Shoku Hysni Kapo:
– Kur e pranon se je liberal, i je kundërvënë vijës së Partisë apo jo?
Todi Lubonja:
– Në praktikë po.
Shoku Hysni Kapo:
– Vetëm në teori dhe në praktikë në art, apo në të gjitha fushat?
Todi Lubonja:
– Vetëm në art dhe në normat e kuadrit ka pasur subjektivizëm. Në rastin e Klimi Misës i kam shkelur normat, kjo është e drejtë.

*marrë nga Gazeta Shqiptare, e cila gjithashtu e ka marrë nga kushedi ku tjetër. Kam theksuar foljet dhe shprehjet foljore që i referohen drejtpërdrejt (me të zezë) ose tërthorazi (me blu) të folurit [2Xh].

Nuk ka komente

  1. Xha Xha,

    meqe ia ke hyre kesaj pune, pse nuk analizon gjuhen e politikaneve te sotem?
    Po te analizohet gjuha e debateve te sotme politike, besoj se do te dalin xhevahire te verteta!

  2. Kur lexoj raporte te tilla, ne ajër degjoj ulerima te largeta qensh dhe ujqerisht, qe tinezisht vijne rrotull njeri tjetrit per te zbuluar dhe kafshuar kundershtarin per vdekje ne pjesen me te ndjeshme e te pambrojtur…

    1. ..kurse mua me kujton edhe cakejte e hienat ,qe atehere rrinin fshehur pas ferres me veshet ngritur per te pare nga do anonte fitorja,kurse sot masturbohen sheshit si heronj. Eh, te ish Frojdi gjalle…

  3. Kur lexon artikuj te tille tronditesh deri ne palce, dhe te vjen kaq keq per vehten, per njerezit e tu dhe per ate popull qe pati ate fat aq te mjere, dhe per vite te tera humbi cdo gje sepse ne krye kishte keta ujqer apo kafshe te egra …… NUk me harrohet kam qene gjimnaziste dhe per here te pare mora pjese ne mbledhjen e Frontit ne Tirane ne lagjen ku banonja (me detyrim kuptohet). Na detyruan te firmosim qe te shkonim ne mbledhje se I ftuar do te ishte nje anetar I Byrose Politike qe une po e quaj R.M. Kur e kam degjuar te fliste kam mbetur me goje hapur…… ai ka qene prezantimi im I vertete me shoket e Partise…. dhe per nje kohe te gjate nuk mund te hiqnja nga mendja ato fjale boshe dhe ate te folur provincial, pa asnje pjekuri intelektuale, dhe shume ordiner…… Dhe c’eshte me e bukura ajo fjala e urte “I ben gropen shokut bie vete brenda”, gjeti misherim tek keta individe….. te gjithe ata qe flasin ne kete mbledhje jo me larg se 5,6 vjet me vone paten vete te njejtin fat.

    1. Ne fakt keto jane pershtypjet tona, qe na u ngjallen nga kujtimet e nje realitet te pabesueshem, qe disave ka filluar t’u duket si trillim. Ne te vertete jemi jashte tekstit e kontekstit. 2xh i ka vene nje titull per ta perceptuar ate drame ne nje terren tjeter, ne nje mizerablitet intelektual. Ne te vertete eshte fjala per burra qe kane bere lufte, qe kane marre vendime te rendesishme dikur, qe kane rrezikuar (natyrisht me fort jeten e te tjereve se sa te tyren), por qe dy dekada pas luftes jane tejkaluar nga realiteti. Ideologjise komuniste, qe i kishte mbajtur gjalle e motivuar, asaj ideologjie vete i kane dale brinjet, po i thyen kryqet. Vendet komuniste kane njohur tetorin polak, revolten e Berlinit, pranveren e Prages dhe papritur bajraktaret komuniste shqiptare pane se e keqja ka trokitur edhe ne deren e tyre. Festivali i 11-te, nje stine e vogel “liberalizmi” etj. Por me shume se sa shohin ata ndjejne, ndjene fundin e asaj ideologjie qe ka peshtjelluar boten, por edhe rrezikun personal. Hoxha vjell zjarr sepse po flitet per “te vjetrit”. Qe nga ky çast ne koken e tij eshte marre vendimi i shkaterrimit per ata qe kane shqiptuar te pashqiptueshmen. Por juridikisht eshte nje fjale qe nuk ke si ta kapesh, qe nuk e interpreton shume thelle se i ben ata vete qesharake. Per kete arsye ai ai terheq gjithe ato burre ne nje “danse macabre” fjalesh, “ti the kleshtu, une te thashe ashtu”,pse ma the e pse ta thashe, nje karagjozllet ububesk. Duan te kalbin disa ne burg, por nuk ka nen qe ta lehtesoje kete gje. Atehere kapja pas fjeleve eshte po aq qesharake sa edhe kapja pâs bishtave te prasit. Ububesk, nuk ka fjale tjeter. Ketu duket ka qene synimi i parshem i 2xh, jo per te na kujtuar nje mbledhje byroje a pleniumi.
      Megjithate duhet te jemi te sinqerte dhe te pranojme se nuk duhen vene te gjitha palet ne nje rrafsh. Ketu ka njerez pamoral e te pabese qe as nuk mund ta mendoje ndryshe ate vend perveçse nen hyqmin e tyre dhe te tjere qe ndjejne nje lloj pergjegjesie per fatet e atij vendi dhe qe duan ta nxjerrin disi nga mesjeta politike, t’i japin pak ritme e ngjyra jetes, le lirojne pak lakun e nje lufte te ndyre klasash qe ka lodhur nje komb te tere.
      Duhet patur respekt per kete njerez, Todi Lubonja ne krye, pavaresisht gjithçkaje, ideologjise qe i besuan.
      Une nuk kam droje te them se i ndaj veç dhe nderoj integritetin e tyre. Ne nje çast te caktuar ai nuk ka dashur te kete asgje te perbashket me hienat e tjera.

    2. motra ti akoma paske frikë me i përmënd emrin atij të byros??
      paske met shqiptare e thekun në mentalitet!!flasim e flasim,derës të dëgjoj penxherja,por nuk përmëndim asnjëherë emra të përveçëm!
      për rita markon e ke muhabetin??
      mos ki frik se stë hedh në gjyq për shpifje!!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin