SHKRONJA NË MJEKËR

99-374823-000002Çdo të mendonte dom Gjergji i Maks Gjerazit sikur ta lexonte lajmin e alfabetit në mjekër? Nuk e dimë, por mund ta imagjinojmë.

Dizajneri modern Michael Allen, me qendër në New York, ka shkruar alfabetin, shkronjë për shkronjë, mbi mjekër të vet. I armatosur me vegla rroje, për dy vjet rresht ka skulpturuar me qimet e mjekrës të gjitha shkronjat e alfabetit. Alphabeard e ka pagëzuar, dhe për të vërtetuar se janë të vërteta, ka botuar fotografitë e shkronjave të skalitura me brisk, por vetëm pasi e ka certifikuar kuptimin e tyre nëpërmjet djalit të vogël.

Lajmi i ra globit rreth e rrotull në më pak se 24 orë. Në të gjitha gjuhët. Sikundër aventura të tjera të llojit Guiness World Records, pyetja që të mundon në kësi rastesh është se përse duhej kjo nismë kaq origjinale. Natyrisht, shkronjat e alfabetit mund të ishin shkruar edhe me qime të tjera, që trupit fatmirësisht nuk i mungojnë, por mjekra ndoshta është zgjedhur për dukshmërinë e vet të jashtëzakonshme. Është pjesë e fytyrës, njëlloj si sytë dhe hunda.

Ka media që nuk e pyesin as autorin, as veten, për kuptimin e këtij veprimi të pazakontë. E megjithatë duan të dinë nëse mjekra me shkronja, do të bëhet apo jo modë në të ardhmen. Nuk do të ishte çudi, as hera e parë,  që veprime të tilla të krijonin një lloj tendence e të ndiqeshin nga qindra mijëra njerëz. Jo vetëm për snobizëm e për modë. Në qoftë se shoqes tënde, ta zëmë, i fillon emri me E, a nuk do të ishte shprehje dashurie sikur të stampoje mbi mjekër pikërisht atë shkronjë?

Shumë varëse dhe byzylykë e ndjekin prej kohësh modën e alfabetit, në kuptimin që përdoren si zbukurim shkronja të emrit të vet, të të dashurit e kështu me radhë. Në këtë pikë nuk mund të rrihet pa dhënë këshillën e rastit për ata që kultivojnë disa lidhje dashurie. Meqenëse bota është e mbushur plot me dhurata të gabuara, si rrjedhim edhe me varëse e byzylykë ku lëkunden shkronja të tjera, që nuk kanë lidhje me emrin e marrëses, nuk do të ishte keq që të bëhej kujdes në këtë drejtim. Përfytyroni për një çast t’i shkoni në shtëpi me mjekër ku triumfon shkronja “I” dhe jo “L”. Si do t’i përgjigjeshit të gruas? “E dashur, është shkronja L, por e shkruar me të vogël”, apo “Shpirt, ti e di që berberi im është analfabet”, apo “Zemër, më shkau dora dhe brisku më rrojti pa dashur vijën e poshtme”.

Nuk është e qartë ç’e ka shtyrë dizajnerin amerikan për ta bërë këtë gjë. Spekulime mund të bëhen plot për këtë tipograf biologjik, i cili tatuon mjekrën siç bëhet me lëkurën me tatuazhet e përkohshme. E çuditshme kjo nismë që përdor imazhin për të fiksuar thelbin e kundërimazhit. Alfabeti është shkruar me lloj lloj mënyrash, përfshirë pozicionet e Kamasutrës, por kurrë me mjekër. Dëshira për imitim, apo rikrijim? E ç’kuptim marrin shkronjat e paraqitura pranë gojës? Komunikimi verbal vs. komunikimit me shkrim? Alfabeti modern kërkon estetikën e vet duke evokuar format e shkrimit ideografik? Për fat të mirë, dizajneri amerikan nuk mëton të ketë ngritur probleme të mëdha filozofike, as pretendon të na e shesë eksperimentin si formë arti.

Megjithatë, po të kishte qenë shqiptar, me siguri nisma do të kishte pasur, ose do të kishte marrë, ngjyrime të tjera. Së pari, nuk do të do të kishte qenë ndërmarrje e lehtë, sepse alfabeti i shqipes është më i pasur me shkronja. Së dyti, sepse gjuha në arealin shqip është ende nerv i zbuluar, madje edhe kur flitet thjesht për alfabetin. Shkronja “ë” është njëra prej tyre. Udha e saj, reale dhe imagjinare, është me gjithë mend domethënëse.

Kështu, një Allen shqiptar që do ta qëndiste shkronjën “ë” mbi mjekër, do të shkonte përtej provokimit në vetvete, do të regjistrohej nga libri i Guiness për shkronjën më të vështirë, do të shikohej nga shumëkush si mbrojtësi i arinjve panda në xhunglën e alfabetit. Ndërsa gruas xheloze mund t’i përgjigjej filozofikisht: “Jemi gjithsesi qenie shkronjash”. Në fund, do të tregonte se atë që s’e bën dot tastiera e bën brisku i rrojës. Pra mbetet gjithnjë çështje vullneti, jo mundësie.

Po Dom Gjergji i rrëfyer nga Maksi ç’do të bënte sikur ta kishte dëgjuar lajmin në kohën e vet?

I kërrusur nga vitet dhe nga barra e rëndë e hartimit të alfabetit shqip, do t’i ngrinte sytë nga librat me ballina të rënda e fletë të verdha, për t’i drejtuar kah dritares në muzg. Asnjë sugjerim konkret nuk do t’i vinte nga alfabeti mjekrosh. Shkronja hyjnore mungonte edhe atje. Me hapa të ngadalta e plot dyshime, do t’i afrohej pasqyrës e do ta shikonte mjekrën gjatë, si për të përfytyruar formën e përkryer, që e kërkonte me aq zjarrmi prej vitesh. Drita e zbehtë, që flaka e qiriut ia lëshonte dridhshëm, nuk do ta ndihmonte për të pikasur në thinjat e mjekrës së vet konturet e shkronjës së fundit. Një dorë hyjnore ia kishte përvijuar në vite, thinjë mbas thinje, muaj pas muaji, vit pas viti. Por ajo trajtë duhej kërkuar si format galaktike në kupën qiellore. Si shenja e fundit, para se të mbyllte sytë.

Kështu, perfeksioni i Hyjit, ishte shfaqur tek ai vetë, nëpërmjet vizatimit hyjnor të një jete kushtuar dijes, duke i përdorur të gjitha shkronjat e universit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin