AKADEMITË E LLAFEVE

Javën që shkoi, opinioni publik, të paktën në Shqipëri, u habit me një letër të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, prof. Hivzi Islamit, drejtuar një kolegut të vet, prof. Rexhep Qoses.

Letra përmbante 55 pyetje, të cilat nuk kishin të bëjnë as me shkencën, as me artin; në preambulin e saj, prof. Qosja quhej, mes të tjerash, “halucinant e linçues, psikopat për skena e prapaskena, megaloman, narcisoid, intrigant i kombit, kacagjel nihilist, pushti i kombit, bolsheviku dhe enveristi më i devotshëm, vajtuesi më i madh i Josip Broz Titos në ish-Jugosllavi,” etj. Sa për 55 pyetjet, mes tyre numëroheshin perla si kjo e mëposhtmja:

23. A bëre divorc me gjyq nga gruaja legjitime dhe faktike vetëm për ta mbajtur banesën shoqërore, së bashku me shtëpinë luksoze? A vazhdove jetën normalisht me gruan “e divorcuar” në këtë banesë dhe në këtë shtëpi derisa ajo ishte gjallë?

24. A bëje orgji me gratë e huaja, të qarqeve të njohura të Kosovës në hotel “Dajti” e gjetiu në Shqipëri? Po orgjitë në Maqedoni, në motelet e atëhershme, poashtu me gratë e e këtyre qarqeve?

Thashë më lart që pyetjet s’kishin lidhje as me shkencën as me artin; por gabova. Duhej të kisha thënë që vetë letra mishëronte përkryer një formë arti varfanjak, që tash po kultivohet me këmbëngulje anembanë sferës së diskursit publik në Shqipëri – dhe që do ta quaja stili “kalashnikov” i ekzekutimit të kundërshtarit në debatet.

I vetëdijshëm se kjo letër është vetëm maja e ajsbergut e konflikteve me natyrë kryesisht politike që po e gërryejnë së brendshmi institucionin e ASHAK-ut; dhe duke e pranuar sa padijen, aq edhe indiferencën time totale ndaj grindjeve dhe gërricjeve mes këtyre burrave të këtij institucioni, po lejohem të them se një fletë-rrufe, si kjo e prof. Islamit, më provon se ASHAK-ut nuk i mjafton emri i rëndë dhe “perëndimor” për të funksionuar si Akademi; dhe se me këtë letër, institucioni në fjalë i është prezantuar opinionit më tepër si një tryezë e papastruar mejhaneje.

Pas disa ditësh, nuk mungoi reagimi i kolegëve të Hivzi Islamit dhe të Rexhep Qoses në Shqipëri, nëpërmjet një “Letre të 37 intelektualëve të Shqipërisë”, ku me të drejtë denoncohej “ transferimi i gjuhës së urrejtjes e të përbaltjes nga politika në debatin shkencor intelektual” dhe letra e Islamit quhej “model i mjerimit intelektual”.

Ajo çfarë nuk shkonte, me këtë deklaratë të intelektualëve të Shqipërisë, ishte se reagimi i tyre kristalizohej më shumë kundër përbaltjes së prof. Qoses, si “një personalitet poliedrik, protagonist i vijës së parë të intelektualëve që profesionin e tyre si njerëz të dijes e të letrave e përjetojnë si një mision patriotik e qytetar” sesa kundër përbaltjes dhe vrasjes simbolike në diskursin publik si të tilla. Në fakt, çfarë i kish shqetësuar këta burra dhe gra të nderuar ishin “[a]kuzat joparimore kundër personaliteteve të jetës sonë kombëtare dhe kulturore” [theksimi im, 2Xh], në kuptimin që gabimi i rëndë i prof. Islamit duhej parë si në përpjesëtim me figurën e prof. Qoses si të tillë.

Por kjo nuk qëndron. Edhe pse kushdo ka të drejtë i vetëm ose i bashkuar me shokë të tjerë në çetë, të ngrihet në mbrojtje të prof. Qoses kur ky përbaltet dhe përdhoset publikisht në mënyrë të pahijshme dhe krejt joelegante, problemi real në këtë mes nuk është që u sulmua prof. Qosja, por te mënyra si u krye ky sulm, ose te lehtësia me të cilën kritikat ad hominem e gjejnë rrugën, nga ujërat e zeza të thashethemeve dhe të intrigës, në faqet e para të gazetave dhe kudo gjetiu ku konsumohet debati publik në hapësirën shqiptare.

Dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin që prof. Qosja është “personalitet i jetës sonë kombëtare dhe kulturore”, qoftë edhe thjesht për faktin që si në Shqipëri, ashtu edhe sidomos në Kosovë, mund të ketë shumë njerëz që mendojnë ndryshe; por me faktin që prof. Qosja është qytetar, dhe si çdo qytetari tjetër edhe këtij i duhet tuteluar dinjiteti në komunikimin publik (pavarësisht nga statusi prej monumenti kulture apo jo). Prandaj fletë-rrufeja e pahijshme e prof. Islamit duhej shfrytëzuar, idealisht, për të shtruar nevojën e ngutshme të përshëndoshjes së diskursit publik në hapësirën shqiptare, jo për të vrapuar dhe vënë në vend dinjitetin e shkelur prof. Qoses, pa çka se ky mund ta ketë tashmë një kult të vetin në segmente të caktuara të elitave kulturore të Shqipërisë.

Në këtë debat futet tani edhe prof. Bahri Beci, me një shkrim të titulluar Reagim ndaj reagimit për Rexhep Qosen, të cilit duket se i ka lënë përshtypje të keqe ndërhyrja korale e 37 intelektualëve nga Shqipëria, të cilët marrin anën e prof. Qoses kundër prof. Islamit, me anë të një letre të hapur e cila, në dukje, synon të denoncojë disa vese flagrante të komunikimit intelektual shqip.

Prof. Beci e shtron drejt çështjen, por i shmanget argumentit themelor që nga momenti kur ndërhyrjen e 37 intelektualëve e vë në të njëjtin plan diskursiv me fletë-rrufenë 55-këmbëshe të prof. Islamit; sepse në fakt dokumentet ndryshojnë mes tyre, për nga toni, kritikat dhe natyra e akuzave.

Dhe ngaqë i shmanget argumentit themelor, ai e gjykon edhe ndërhyrjen e të 37-tëve si “të panevojshme dhe të dëmshme”, meqë, gjithnjë sipas prof. Becit [theksimi im, 2xh],

Konflikti midis dy akademikëve të ASH[A]K nuk është shkencor, po njerëzor dhe personal, prandaj askush nuk ka të drejtë as ta tjetërsojë, as t’i hedh benzinë zjarrit në emër të këtij ose atij grupimi, apo, ç’është edhe më keq, në emër të këtij apo atij paragjykimi.

Mirëpo, edhe në qoftë kështu, edhe në qoftë se konflikti mes prof. Islamit dhe prof. Qoses nuk është “shkencor”, a nuk është për t’u qortuar prof. Islami, kur një konflikt “njerëzor dhe personal” vendos ta bëjë publik, në vend që ta mbajë në caqet e komunikimit privat, siç do t’u kish hije dy akademikëve të statusit të tyre, dhe anëtarë të një institucioni si ASHAK-u?

Me sa po shihet, pak shanse paska që shërimi i varrave të diskursit publik në hapësirën shqiptare të fillojë nga tryezat akademike.

Nuk ka komente

  1. Une them qe Qosja dhe Islami do te ishin gazetare shume te mire te dosierit. I pare edhe si Entertainment. Meqe keni shkruar se ka krize ne media, thashe se mund t’i cmojme aq akademiket tane, sa per t’u besuar misionin e gazetarit. Keshtu mbase edhe diskursi i intelektualeve tane sherohet nga hemorroidet kronike.

  2. Akademiku shqiptar Bahri Beci e konsideron normale gjuhen e kolegut te tij kosovar Islamit, sepse ai vete keto kohet e fundit ka botuar ne Tirane “nje liber qe nuk do te donte ta shkruante”, ku perflet e perbalt ne menyren me te ulet koleget e tij te Institutit, te gjalle e te vdekur, por me shume te vdekurit sesa te gjallet.

    Ata qe i kane njohur nga afer me thone se ne kohen kur zhvillohen ngjarjet, Bahriu u qurravitej e u lepihej pikerisht atyre shefave dhe kolegeve qe sot pergojon dhe shan pa iu skuqur faqja.

    Sidoqofte, letra e intelektualeve shqiptare ne mbrojtje te Qoses sherben, ne mos tjeter, se paku per t’i distancuar ata personalisht nga ky batak nderakademik.

  3. me pelqeu shkrimi qe ve ne pah rreshtoret e parakalimet “shumekembeshe” (55, 37, 200 a 1500 apo edhe 100 000 shqiptare kunder asaj apo kesaj nisme) .. jane bere si peticonet e internetit listat e gjata te intelektualeve ne rreshtore .. demokracia eshte debat numrash por eshte primitive qe diskutimi publik, sidomos mbi artin dhe shkencen, te degjeneroje ne kete fare feje .. megjithese edhe neper bote ka lista te tilla, por shkencetaret rreshtohen per te mbeshtetur nje argument ne baze te ekspertizes apo kerkimeve te tyre dhe jo per te brohoritur apo per tu shnderruar ne nje turme sic paraqitet akademia e kosoves

  4. Ky reagim s’ka te qortuar. Ata e pane te arsyeshme te mbanin qendrim te posaçem ndaj rastit, xha xhai e sheh me te arsyeshme te qortoje dukurine e perbaltjes ne pergjithesi. Fare mire xha xhai mund te behet nismetar i nje liste intelektualesh e te qortoje pergjithesine.
    Zakonisht listat behen per ngjarje specifike dhe kryejne funksion me te gjere, persa kohe qe ngjarja specifike eshte zakonisht eshte pjese e nje pergjithesie.

  5. “ASHAK-ut nuk i mjafton emri i rëndë dhe “perëndimor” për të funksionuar si Akademi; dhe se me këtë letër, institucioni në fjalë i është prezantuar opinionit më tepër si një tryezë e papastruar mejhaneje”

    Ndoshta ASHAK-ut dhe ASHSH-se i nevojitet paksa guxim qe te prononcohen per probleme me te medha te Kosoves dhe Shqiperise. Per sa i perket Shqiperise sidomos, keto vitet e fundit jane kryer vepra e procese te jashtezakonshme; eshte bere lemsh çeshtja e pronave, eshte shkaterruar territori, mjedisi, drejtesia, arsimi, trashegimia kulturore, … Nuk merret vesh me kush eshte polic dhe kush gjobvenes, kush eshte gjykates dhe kush eshte hajdut, megjithese perndryshe te gjithe e dime se çfare kane qene dhe jane shume prej politikaneve. Natyrisht nuk eshte edhe aq e lehte te flitet per probleme te tilla, pasi mund te cenohen qeveritare, nderkohe qe e vetmja menyre per te thene se jam gjalle paskan qene kritikat e panevojshme ndaj personazheve qe nuk jane nen ombrellen e pushtetit apo te mblidhesh me 37 “intelektuale” te tjere per nje shkrim-peticion, qellimi i te cilit ndoshta nuk mund te paragjykohet. Veç mund te paragjykohet fakti se nuk jane bere peticione atehere kur kane qene mese te domosdoshem.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin