ÇABEJ: MBI TEZËN ILIRE E PELLAZGE

Vështrime mbi prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij[1]

Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet të zgjidhet më fort nga ana e ruajtjes dhe e vazhdimësisë së gjuhës së tij sesa nga pikëpamja etnike, sepse më shumë se elementet e tjera gjuha është karakteristika që dallon një popull nga të tjerët. Një problem i tillë ndërkaq, për çdo popull, të çdo vendi qoftë e të çdo kohe, paraqitet kompleks, dhe për kushtet shqiptare veçanërisht i komplikuar. Kompleks: sepse në formimin e një populli si një njësi më vete e me tipare vetjake që e dallojnë nga popujt e tjerë, kanë pjesë, sikundër dihet, rrethana të ndryshme të karakterit gjeografik dhe procese të shumëfishta historike, etnike, ekonomike, kulturore e gjuhësore. I komplikuar: në këtë fushë të studimeve shqiptare është shumë e ndjeshme mungesa e burimeve historike e të shkrimit.

Megjithatë, dija e re shqiptare, edhe me këtë varfëri burimesh, me mjetet që ka në dorë përpiqet t’i afrohet zgjidhjes së këtij problemi. Dhe ka arritur në këtë lëmë rezultate që mbeten, e që kanë zënë vend dhe në fushën shkencore ndërkombëtare. Për  vetë karakterin kompleks të çështjes edhe metoda për t’u zbatuar këtu duhet të jetë komplekse. Aty duhet të bashkëpunojnë disa disiplina shkencore. Sidomos vijnë në vështrim aty gjeografia historike, historia, gjuhësia, etnografia dhe arkeologjia parahistorike. Rezultatet e njërës ndër këto fusha duhet të merren parasysh e të vlerësohen në masën e duhur nga disiplinat e tjera, të kombinohen me rezultatet e tyre, që të përmblidhen faktet e shumëllojshme në disa parime të përgjithshme, në disa fakte më të sigurta, për të arritur kështu disi në një sintezë.

Shqiptarët janë autoktonë ose anas në Gadishullin Ballkanik, duke qenë që rrojnë aty që nga kohët e lashta parahistorike. Ata janë bashkë me grekët populli më i moçëm i kësaj treve, janë trashëgimtarë të situatës etnike të periodës së lashtë në këtë pjesë të Europës Juglindore. Në këto rrethana pyetja se ku e ka burimin populli shqiptar, do të thotë me fjalë të tjera këtë: Stërgjyshët e shqiptarëve, ai popull që ka folur gjuhën nga e cila ka rrjedhur shqipja e sotme, me ç’emër njihej në kohët antike në Ballkan? Prej cilit popull të lashtë të këtij gadishulli rrjedhin pra shqiptarët e sotëm?

Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë. Ajo gjeti një truall pjellor në idetë e romanizmit, i cili në Europën Juglindore u përhap më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishin dalë rryma letrare të tjera. Teoria pellazge ndërkaq më vonë ra poshtë. Pellazgët në burimet greke e romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. I lokalizojnë në zonën e Detit Egje, kryesisht në Tesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël, nga Kreta e nga ishuj të tjerë të zonës egjeane. Ata paraqiten ndërkaq gjithkund si një popull legjendar, i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike konkrete. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.

Duke u nisur nga një platformë më reale, për sqarimin e problemit të burimit, do t’i sillemi pikësëpari historisë si vazhdim i situatës parahistorike në Gadishull të Ballkanit. Kjo trevë e Evropës Jugore, në periodën antike ka qenë e banuar prej disa popujsh, popuj të ndryshëm nga ata të sotmit dhe të ndryshëm edhe nga njëri-tjetri. Dihet se në viset perëndimore të Gadishullit kanë banuar ilirët, në viset lindore trakasit, në anët jugore grekët, në qendër makedonët, të cilët kanë qenë të ndryshëm nga grekët edhe me një gjuhë më vete, sipas Herodotit me “gjuhë barbare”, d.m.th. jogreke. Duke lënë mënjanë disa popullsi më të vogla, si fiset iranike në pjesën lindore të Gadishullit dhe disa fise kelte në viset veriperëndimore e qendrore, kjo ka qenë gjendja etnike në epokën greko-romake. Në këtë mes shtrohet pyetja se prej cilit nga këta popuj zbresin shqiptarët, prej cilës nga gjuhët e tyre rrjedh gjuha shqipe. Në këtë problematikë grekët, ose si quheshin në atë kohë, helenët, përjashtohen vetvetiu, si një popull i ndryshëm nga populli shqiptar. Përjashtohen gjithashtu dhe makedonët e vjetër, si një popull relativisht i vogël dhe gjeografikisht më në skaj të truallit gjuhësor të shqipes, ndonëse për punë të afërsisë territoriale disa lidhje nuk mund të mohohen kryekrejet. Në këto rrethanat dy janë popujt që vijnë në vështrim si të parët e shqiptarëve, ilirët dhe trakasit.

Ilirët kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë. Duke lënë mënjanë përhapjen e tyre në kohët parahistorike, në periodën historike ata shtriheshin që nga anët e Istrisë afër Triestës në veriperëndim e nga viset afër brigjeve të Danubit në veri gjer në gjirin e Artës së Çamërisë në jug, qytet që aso kohe quhej Ambrakia. Kështu fiset ilire banonin viset e sotme të Shqipërisë me Çamëri, të Malit të Zi, Bosnjes e Hercegovinës, Dalmacisë e Kroacisë, pra gjithë bregdetin lindor të Adriatikut me hinterlandin përkatës. Të fisit ilir kanë qenë pas gjithë gjasësh edhe mesapët e japigët e Apulisë në Itali Jugore. Në lindje fiset ilire mbërrinin gjer në anët e lumenjvet Vardar e Moravë në Maqedoni Veriore e në Kosovë, një trevë që në lashtësi quhej Dardania, dhe shtriheshin edhe në një pjesë të Serbisë së sotme. Në ato anë ilirët ishin kufi me fiset trake, vise-vise edhe duke u përzier me to.

Edhe trakasit kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë: Herodoti e quan popullin më të madh pas indasve. Shkonin që prej kufijve të ilirëve në perëndim e gjer në brigjet e Detit të Zi në lindje, prej Detit Egje në jug e gjer në malet e Karpateve në Veri. Përfshinin kështu një pjesë të Greqisë e të Turqisë europiane të sotme, Bullgarinë, Rumaninë e një pjesë të Hungarisë e të Polonisë. Për fatet historike të këtyre popujve e të fiseve të tyre, nga mungesa e materialit burimor për të cilin u fol më sipër, shumë pak jemi në gjendje të dimë, dhe kjo errësirë njohurish shtohet sa më lart të ngjitemi në lashtësi të kohëve. Dimë p.sh. që koncepti edhe emri ilir erdhi e u përhap vetëm me kohë, duke dalë prej një popullsie me këtë emër e duke përfshirë edhe fise etnikisht e gjuhësisht të afra. Ky emër në epopetë e Homerit ende nuk shfaqet. Emri i ndonjë populli të veçantë, si ai i dardanëve dhe ai peonëve, të cilët në kohë historike kanë banuar në veri të makedonëve, del në skenë të historisë shumë më përpara se emri i përgjithshëm i ilirëve. Dihet gjithashtu që këta popuj të lashtë të Ballkanit, nën ndikimin e qytetërimit greko-romak, e sidomos me zotërimin e gjatë të Perandorisë Romake, me kohë pjesërisht u greqizuan, e për një pjesë të madhe u romanizuan. Me fjalë të tjera këta, pa u zhdukur si popuj, me kohë u asimiluan: lanë gjuhët e veta dhe morën vise-vise greqishten, vise-vise në pjesën më të madhe – latinishten. Kjo ndodhi sidomos nëpër qytete, nëpër qendra administrative e ushtarake ku romakët kishin ngulur garnizonet e tyre. Nëpër vise malore ndërkaq asimilimi nuk arriti të kryhej kryekrejet. Popullsitë vendase ruajtën më gjatë karakterin e tyre etnik dhe gjuhën e tyre. Ndonjëri nga këta popuj bile i shpëtoi gjer në fund romanizimit. Dëshmi e gjallë për këtë është populli shqiptar, i cili duhet të jetë pasardhës i njërit nga këta popuj (a fise) të paromanizuar.

Çështja e birërisë, e filacionit, d.m.th. e rrjedhjes së një populli të sotëm prej një të lashti, të një gjuhe të re e të njohur prej një gjuhë të vjetër e të zhdukur, paraqitet mjaft e lehtë kur prej popullit të lashtë e prej gjuhës së tij kemi njohuri relativisht të sakta. Po në lidhje me shqiptarët e me shqipen, kjo çështje, si u tha, mbetet veçanërisht e vështirë. Gjuhët e lashta të Ballkanit, për mungesë shkrimesh të tyre, mund të thuhet se njihen pak e aspak. Prej gjuhës së trakasve ka disa pak mbishkrime, prej gjuhës së ilirëve të Ballkanit nuk është gjetur gjer më sot asnjë mbishkrim. Mbishkrimet e mesapëve të Italisë Jugore lexohen, porse interpretimi i tyre ka mbetur gjer sot i pasigurtë. Prej të dyja gjuhëvet, ilirishtes dhe trakishtes, kanë mbetur disa të ashtuquajtura glosa, d.m.th. disa fjalë të tyre të dëshmuara prej autorësh grekë e romakë bashkë me kuptimet e tyre të dhëna greqisht a latinisht. Ka edhe një numër mjaft të madh me emra vendesh e personash, të gdhendur nëpër gurë a të dëshmuar nëpër tekste të autorëve klasikë; emra shumica me interpretim gjuhësor-kuptimor të dyshimtë dhe ku dijetarët modernë kanë gjetur prandaj një fushë të lirë për gjykime shpeshherë arbitrare. Kështu dy gjuhët në fjalë mbeten thuajse të panjohura për ne. Ne nuk ua dimë strukturën gjuhësore, as sistemin gramatikor, as fjalorin e tyre. Në këto rrethana mjetet e krahasimit mungojnë: mungon çelësi për të krahasuar materialin e shqipes me atë të dy gjuhëve në fjalë.

Duke qenë gjendja kështu, kriteri i gjuhës duhet të vështrohet së bashku me gjendjen gjeografike e historike. Në pikëpamje të gjeografisë historike dihet se shqiptarët e sotëm banojnë në ato vise ku në kohën antike banonin fise ilire. Në pikëpamje historike është vënë re me të drejtë, që sot e dy shekuj më parë, që nuk ka asnjë të dhënë, asnjë kumt historik që shqiptarët të jenë ardhës, që të kenë zënë vend në këto troje në një periodë historike të caktuar, si bie fjala aty nga mbarimi i kohës antike, ose në mesjetën e hershme. Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në teritorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdimi i njërit nga dialektet e vjetra ilire.

Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë. Në lidhje me këto nuk mund të jetë një gjë gand e e rastit edhe kjo, që emri i  fisit ilir Albanoi, që përmend astronomi e gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin e dytë të erës sonë në trevën midis Durrësit e maleve të Kandavisë në Shqipëri të Mesme, vazhdon të rrojë në Arbën Arbër, Arbënesh Arbëresh, emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë, i gjallë dhe sot e kësaj dite. Në pikëpamje gjuhësore këtyre rrethanave vjen e u shtohet ky fakt, që vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtat e tyre të sotmet ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhës shqipe. Aty hyjnë barazime të tilla si Scardus : Shar, Scodra : Shkodër, Drivastum : Drisht, Pirustae : Qafa e Prushit, Lissus : Lesh (Lezhë), Isamnus : Ishëm Ishm, Dyrrachium : Durrës, Aulon : Vlonë Vlorë, Thyamis : Çam e të tjera. Edhe kjo dëshmon për autoktoninë ilire të popullit shqiptar: sepse ky zhvillim nga trajtat antike të këtyre emrave në të sotmet nuk gjen spjegim veçse me mjetet e shqipes. Nuk mund të spjegohet as me mjetet e gjuhëve romane as të gjuhëve sllave, e as nëpërmjet të ndonjë gjuhe tjetër të zonës ballkanike. Për vazhdimësinë ilire ka dhe të tjera të dhëna nga fusha gjuhësore, si disa barazime që dalin në emra personash ndër ilirët e hershëm e ndër shqiptarët e sotëm. Përveç këtyre, ato të paka fjalë që dihen prej ilirishtes, shpjegohen mirëfilli me anë të shqipes. Edhe mjaft fjalë të mbishkrimeve mesapike zbërthehen me gjuhën tonë. Në këtë mënyrë të dhënat e gjeografisë historike dhe të gjuhës vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën. Nuk mungojnë edhe disa paralele të karakterit etnografik, në të cilat nuk po hyhet këtu. Prej lëmit të arkeologjisë meriton vëmendje rrethana që në disa stacione parahistorike të trevës shqiptare vihet re një vazhdimësi e kulturës materiale, një kontinuitet nga epokat e lashta gjer në mesjetën e hershme; kjo rrethanë vjen e u shtohet argumenteve gjeografike, historike e gjuhësore që u shtruan më sipër.

Për sa u përket trakasve dhe gjuhës së tyre, mbi dëshminë e disa të dhënave historike dhe gjuhësore (emra vendesh me tipare trake) është vënë re me kohë një prani elementesh trake në krahun veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik e veçanërisht në viset bregdetare të Adriatikut të jugut. Ato duhet të jenë përzier me kohë me elementet ilire, pa mundur të themi se nga ilirët e trakasit kush qe anas e kush i ardhur. Si përfundim, edhe për arsye historike mund të thuhet se në formimin e etnosit shqiptar në bazë qëndron elementi ilir, porse mund të ketë pasur dhe një komponente trake, me përmasa gjithsesi më të vogla. Si u krye procesi i këtij formimi etnik e gjuhësor, në ç’rrethana territoriale e historike, në gjendjen e sotme të njohurive është vështirë të përcaktohet. Aty shihet më qartë përfundimi, që është populli shqiptar më gjuhën e tij, sesa rruga e zhvillimit që u përshkua gjersa u arrit gjer në gjendjen e sotme.


[1]  Botuar së pari në gazetën Rilindja, Prishtinë 23.VII.1977

Nuk ka komente

  1. “Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë.”

    Ky argument me eshte dukur gjithmone i hapur kundrejt sulmit. Ne qofte se argumentojme qe vazhdimesia e emertimit te nje fisi ua le barren e argumentimit mohuesve, u japim atyre me shume material per mohim. Pse? Sepse nuk ka asnje prove qe vazhdimesia e emertimit rrjedh logjikisht ne vazhdimesi gjuhesore. Nje argument mohues shume thjesht mund te shpike nje ardhje nga jashte apo shnderrim te nje fisi te humbur qe llogjikisht sjell emertim te njejte (arberesh) por qe ne vetvete nuk ruan asgje nga origjina gjuhesore e autoktonit. Si mund te justifikohet atehere vazhdimesia gjuhesore ne kete rast? Me duket se rasti i bullgareve eshte pothuaj i njejte dhe mund te sillet si kundershembull qe rrezon llogjiken e mesiperme.

    I njejti kunder-argument mund te behet edhe per toponimet Shqip. Kalimi nga Scodra-Shkoder eshte thjesht nje shembull i adoptimit te nje toponimi nga nje gjuhe e huaj (qe nuk e njohim) ne nje Shqipe moderne por qe nuk na ndricon persa i perket hapit te mesem qe perkoi me kete shnderrim, pra per protoshqipen qe polli shqipen moderne.

    Si do i pergjigjej Cabej ketij lloj argumenti? Ose me thjeshte: si duhet ti pergjigjem une ketij argumenti?

    1. Une besoj se ne rrafshin e logjikes matematike, pa marre parasysh perberjen konkrete te argumentit, ju keni plotesisht te drejte. Me fjale te tjera ne se dikush hedh tezen A, duhet edhe ta argumentoje (vertetoje, sic do te thoshim per pohimet matematike) ate. Nuk mund ta lere barren e argumentimit te te kundertes se tezes A tek mohuesit e saj. Mohuesit e tezes A mund te kundershtojne thjesht sepse hedhesi i tezes A nuk eshte ne gjendje ta vertetoje ate, ose sepse gjejne pika te dobeta ose te diskutueshme ne vertetimin e tij.

      Ne rastin konkret nuk kuptohet mire perse Cabej ka ndjere nevojen te shprehet ne kete menyre duke zbuluar piken delikate te parzmores. Mbase ne vitin 1977, ai nuk mendonte se mund te atakohej tamam atje, ose nuk qe shume i forte ne logjike (e kuptuar kjo si “logjike matematike”, jo si logjika ne kuptimin e rendomte te termit), ose edhe ai pa dashje beri gabimin te shprehej ne kete menyre per te sugjestionuar kundershtaret e tezes. Megjithate po te hiqet kjo shprehje, mbase argumentet qe sjell Cabej edhe pse mund te mos jene shterruese, e bejne vertetesine e tezes se prejardhjes ne mos te parrefuzueshme, te pakten te pranueshme, sidomos nese ajo shihet me dashamiresi, whatever this means.

      1. Ja ta shtrojme ndryshe problemin:

        Une them se kjo shtepi ku banoj eshte e imja, sepse gjithe fshati e di qe fisi im banon ne kete shtepi denbabaden, prej kohesh qe s’mbahen mend.

        Tani vjen ti dhe thua se une jam i ardhur ketu, se ne fakt kjo shtepi i perket dikujt tjeter qe te paret e mi e paskeshin perzene duke i marre shtepi e katandi.
        Dakord, po a ma verteton dot? Barra e argumentimit te bie ty ne kete rast. Derisa te vertetosh te kunderten, une kam te drejte te supozoj se ne kete shtepi ka jetuar gjithmone fisi im, edhe pse me ka humbur tapia.

        Ç’do te thoshte logjika matematike ne kete rast?

        1. Logjika matematike ne kete rast thote qe ti nuk ke kuptuar asgje nga sa kam shkruar une me siper, dhe vec kesaj ke harruar te thuash se sa metra nga shtepia jote ndodhet kroi i fshatit, se kjo mbase te ndihmon te vertetosh qe shtepia eshte e jotja denbabaden.

        2. Logjika matematike duke perdorur par absurd thote se ” nese nuk provon dot qe kam ardhur ketu, atehere kam qene ketu”..
          Ai qe ngre tezen e ardhesit duhet t’u pergjigjet shume pyetjeve : prej ku? kur? si? c’shenja jane lene ne vendin e origjines, po rruges? c’gjeten ne destinacion? si ndervepruan? ku jane shenjat ?…
          Teza e ardhjes sipas autoreve te ndryshem shperndahet ne kohe prej shek II deri ne te XI ndersa ne hapesire pothuaj nga cdo pike e Ballkanit,Cila prej tyre eshte e verteta, apo ka shume ardhje dhe jane te gjitha te verteta?

          Logjika me e thjeshte e do, si thote edhe Cabej, qe ketyre pyetjeve e te tjera duhet t’u pergjigjen ata qe ngrene keto teza.
          Ne anen tjeter,shumesia e tezave te alloktonise eshte dobesia e tyre. Eshte nje situate ‘pellazgjike’ ne kuptimin qe mund te shtosh cfaredo teze te re alloktone dhe te jete po aq e suksesshme dhe e barazvlefshme me egzistueset. Thene ne nje perpjekje per pak humor, duhet qe tezat alloktone te ndeshen e te nxjerrin kampionin e tyre , i cili pastaj te ndeshet me tezen e autoktonise.

          Ajo qe e ben situaten te pafalsifikueshme eshte se te dhenat apo perfundimet e disiplinave merren te vecuara ose mbivlerohet njera ne kurriz te tjetres. Kur merren te gjitha se bashku , qe eshte e vetmja metode e drejte, atehere teza e autoktonise rezulton me e mbeshtetura.

          Kjo teme eshte rrahur shpesh ketu dhe nuk ben interes sa kohe nuk sillet ndonje e re. U ndala thjesht prej habise se si prej disave Cabej trajtohet si nje mesues fshati, kur puna prej gjeniu e tij vihet ne dyshim prej nje ‘meditimi’ 15 minutesh prej anonimesh. Tek ppu mund te sillesh keshtu , Peisazhet kane tjeter format.

          1. Fatma: “Logjika matematike duke perdorur par absurd thote se ” nese nuk provon dot qe kam ardhur ketu, atehere kam qene ketu”..” (Nje aplikim i thjeshte i kesaj teze con ne absurditetin e dyfishte: askush nuk mund te vertetoje qe nuk ka Zot, pra duhet te kete Zot, ne te kundert askush nuk mund te vertetoje qe ka Zot, pra nuk duhet te kete Zot)

            Kjo eshte krejt gabim. Logjika matematike duke perdorur “par absurd” (sic thua ti) ne kete rast ne te vertete thote” …nese duke u nisur nga teza “qe kam ardhur ketu” arrihet ne absurditet, atehere kjo provon qe kam qene ketu.” Pra, a mund te me tregosh ndonje absurditet ne te cilin arrihet po te supozojme psh qe shqiptaret nuk e kane prejardhjen perj ilireve?

            Qe te mos keqkuptohemi, une nuk diskutoj prejardhjen e shqiptareve ketu, as gjenialitetin e Cabejt. Nuk eshte as specialiteti im as kompetenca ime. Verejta ime lidhet me trajtimin e problemit nga pikpamja e shqyrtimit te hipotezave te ndryshme. Asnjera pale nuk eshte ne gjendje te sjelle argumenta shterruese per te provuar tezen qe mbron. Te gjitha palet i referohen faktit qe kundershtaret e tezes se tyre nuk mund te vertetojne te kunderten e tezes qe mbrojne ata vete. Dhe po ta perseris edhe nje here po do te besosh ne gjenialitetin e Cabejt, beso sa te kesh qejf, me ke edhe mua mbrapa. Ate punen e “par absurd” e ke gabim. Dhe kjo nuk eshte ceshtje meditimi 15 minutesh, eshte po aq gjeniale sa Cabej, ne mos me shume.

          2. . ”’Verejta ime lidhet me trajtimin e problemit nga pikpamja e shqyrtimit te hipotezave te ndryshme. Asnjera pale nuk eshte ne gjendje te sjelle argumenta shterruese per te provuar tezen qe mbron. ”’

            Kjo eshte pseudo-shkencore. Nuk ekziston argumenti shterues, madje as kur duket i atille, pasi njohja nuk eshte e shtershme.Kur pretendohet njohja e shtershme hyjme ne pseudo-shkence.
            Me sill nje te vertete historike ne lidhje me origjinat e popujve te lashte, e cila nuk ka ndonje variant alternativ.

            Tezat nuk mund te barazvleresohen, meqe te gjitha kane gjera mangut,

            Teza ilire eshte e vetmja historikisht e pranueshme, qe t’i veme pikat mbi i çeshtjes se tezave e vertetimeve.
            Tezat e tjera jane gjuhesisht te degjueshme dhe historikisht te papranueshme.
            Kjo do te thote se nqs nje historian do te shkruaje per shqiptaret, don s’don, si historian i duhet te pranoje vetem tezen ilire.
            Nqs nje gjuhetar do te shkruaje per shqiptaret, don s’don, i duhet te trajtoje edhe tezat alternative.

            Por, meqe historine duam qe ta shkruajne historianet, rrjedhimisht duhet edhe te pranojme ate qe ata e kane me detyrim-percaktim ta shkruajne. Marrja per te mireqene e autoktonise derisa te vertetohet e kunderta eshte parim themelor per ndarjen e shapit nga sheqeri ne historiografi. Mund te mos pelqehet universalisht, por s’ka parim e kriter shkencor qe nuk e ka ndonje cen ( epistemologet jane filozofe).

          3. Nje nga mrekullirat qe prodhon personazhi me nick inatçor, eshte qe duke pretenduar relatvizmin e dijeve (“nuk egzistojne argumenta shterruese”, dhe kjo eshte gabim, se argumente shterruese ka sa te duash, po te mundoheh pak gjen edhe vete, merre detyre shtepie), eshte qe pastaj po vetë shterrueshmerisht u ve vulen gjerave:

            “Teza ilire eshte e vetmja historikisht e pranueshme, qe t’i veme pikat mbi i çeshtjes se tezave e vertetimeve.”

            Bravo! A ka si behet me shterrueshem se kaq, sidomos kur ve pikat mbi i, se pas kesaj s’ka korrektor qe te gjen me gabime.

            Une po e perseris per te kushedisaten here, per ata qe duan te kuptojne: te kater hipotezat e permendura nga Xha Xhai jane te barasvlereshme nga pikpamja logjike. (Dhe kjo eshte shkencore, jo pseudoshkencore. Per ata qe dijne ose qe DUAN te kuptojne).Vertetimi i seciles prej tyre behet duke sjelle prova ne dobi te tezes, jo duke pretenduar qe e kunderta e tezes nuk mund te vertetohet. Pastaj, deri ku mbajne tezat qe sillen ne dobi te njeres teze apo tjeters, kjo eshte per t’u gjykuar. Por une ndaloj ketu sepse sic e kam thene edhe me pare nuk marr persiper te gjykoj provat qe ka sjelle Cabej ne favor te vazhdueshmerise Iliro-Shqiptare.

            Per ata qe nuk duan te kuptojne, ky diskutim shnderrohet nga nje diskutim mbi barazvlefshmrine ne nisje te te kater hipotezave, ne diskutimin a jane shqiptaret apo jo pasardhes te ilireve………Pra situata behet pak si “njeri i bie gozhdes (po them ne kete rast une), tjetri i bie patkoit (Inatçori, Fatma e ndonje tjeter)”. Ciao.

          4. Shiko o llogjetar, se ka nje parim qe nuk lejon shterueshmerine e njohjes shkencore, e quan pseudoshkence ate qe pretendon shterueshmerine. Pikat mbi i, kane te bejne me historikisht ”te pranueshmen”; arrin ta kuptosh dallimin mes te pranueshmes dhe te shterueshmes ?

            Nuk ka hipoteza te barazvlefshme nga ana logjike kur diçka eshte o A o -A, çka po te shpjegonte Fatma.
            Ka nje A, qe eshte autoktonia, ka dhe disa -A, kur A-se t’i nxjerresh -A, dhe jo -A1,-A2…. -An , atehere mund te kete seriozitet çeshtja, me fjalet e Fatmes, nxirr kampionin njehere. Perndryshe, tek vargu -A, -An, mund te dale dikush qe te pretendoje barazvlefshmeri ne nisje, duke thene se shqiptaret vijne nga Marsi dhe te kerkoje vemendje per ”argumentet” e veta.
            Vargu -A, -An, nuk eshte historiografik por gjuhesor dhe rremuja numerike ka te beje me paaftesine e gjuhesise te jape nje sentence e jo me te historiografise, e cila nuk merret me pemen por me pyllin.
            Prezumimi i autoktonise, ashtu si i pafajesise, thone se barra e proves i bie pales tjeter. Nqs s’ke prova ça pretendon kot, jo terci po verci.

            1. Lutem mbylleni këtë debat menjëherë – nuk po çon asgjëkundi.

    2. Problemi i marrëdhënieve iliro-shqiptare në kapërcyellin midis antikitetit dhe mesjetës pranon katër zgjidhje bazë:

      (1) Shqiptarët rrjedhin prej një fisi ilir dhe shqipja është vazhduese e një dialekti ilir (qëndrimi zyrtar i albanologjisë në Shqipëri)
      (2) Shqiptarët rrjedhin prej një fisi ilir, por shqipja është vazhduese e një gjuhe joilire
      (3) Shqiptarët rrjedhin nga një popull joilir, por shqipja është vazhduese e një dialekti ilir
      (4) Shqiptarët rrjedhin nga një popull joilir dhe shqipja është vazhduese e një gjuhe joilire

      Të cilave u duhet shtuar edhe një e pestë, sipas së cilës ne sot për sot nuk jemi në gjendje të zgjedhim asnjë nga katër të mësipërmet, sepse nuk kemi prova.

      Natyrisht, nuk ka asnjë arsye që të na detyrojë që problemin e prejardhjes së shqiptarëve të sotëm si popull (ose si racë, që e kanë pasë quajtur dikur) të lidhim me problemin e prejardhjes së gjuhës shqipe, përveç gjasave.

      Gjenetikisht, duket sikur shqiptarët e sotëm e kanë vendin pikërisht këtu ku jetojnë sot; ndërkohë që për shqipen mund të thuhet me siguri që është gjuhë indo-europiane, por lidhjet e saj me ilirishten ose me ndonjë gjuhë tjetër të Ballkanit të lashtë nuk hulumtohen dot, sepse asnjë nga këto gjuhë të supozuara si paraardhëse nuk njihen.

      Çabej nuk zgjatet shumë në dallimin midis prejardhjes së shqiptarëve dhe prejardhjes së gjuhës shqipe; por kjo nuk do të thotë se i ka njësuar: thjesht ka qenë tepër profesionist, për t’u shtrirë në fushën me mina të gjenetikës së popullatave, e cila në kohën kur shkruante Çabej operonte ende me përmasa kafkash, indekse qefalike dhe grupe gjaku.

      Megjithatë, teza e tij e kujdesshme do kuptuar kështu: sa kohë që nuk kemi gjëkundi njoftime për dyndje masive fisesh të lashtësisë në truallin ku jetojnë sot shqiptarët, atëherë gjasat janë që paraardhësit e shqiptarëve të kenë jetuar po këtu ku jetojnë shqiptarët sot (pra të kenë qenë ilirët) dhe paraardhësja e shqipes të flitej po këtu ku flitet shqipja sot (pra të ketë qenë një dialekt i ilirishtes).

      1. Bukur dhe qarte fare. Te kater mundesite e numeruara me siper perbejne set te plote, qe do te thote detyrimisht njera prej tyre eshte e vertete. E pesta, besoj se nuk ben pjese ne set-in e mesiperm, eshte thjesht konstatim i faktit qe per asnjeren nga kater mundesite e permendura nuk jemi ne gjendje te ofrojme prova te plota, gjithe duke qene te vetdijshem qe njera dhe vetem njera nga ato eshte e sakta.

        Teza qe “sa kohe qe nuk kemi gjekundi njoftime per dyndje masive fisesh te lashtesise ne truallin ku jetojne sot shqiptaret, atehere gjasat jane……” qendron potencialisht dhe shpreserisht e sakte per sa kohe qe nuk gjenden prova dyndjesh masive ne truallin ku jetojne sot shqiptaret, ose edhe prova te tjera qe kundershtojne tezen zyrtare te albanologjise shqiptare.

        Ne analogji me kete situate mund te sillet shembulli i “Mjelmes se Zeze” (“Black Swan”)( Theksoj se analogjine ketu nuk po e bejme me permbajtjen e shembullit, por raporteve te mundesises se egzistences te nje dukurie, a fakti, kjo sa per te mos ngaterruar ndonje komentues qe pastaj mund te sjelle per shembull qe komshiu i vet mund te vertetoje qe patat qe ai ka ne obor jane te vetat). Konkretisht, ne Europe deri aty nga fundi i sh. XVi mendohej, madje ishin te sigurte, se te gjitha mjelmat jane te bardha, me argumentin qe deri atehere askerkush nuk kishte pare ndonje mjelme te zeze.Kur europianet migruan ne Australi pane qe kishte edhe mjelma te zeza.

        Morali i perralles eshte, qe mbeshtetja ne argumente te tipit “nuk ka prova qe kundershtojne kete qe them une.” eshte me e dobet se mbeshtetja ne argumenta te tipit “keto jane provat qe vertetojne kete qe them une”. Gjithesei, pertej kesaj duhet po ashtu vene ne dukje qe mbeshtetja ne argumente te tipit “nuk ka prova qe kundershtojne kete qe them une” eshte padyshim me i mire se hiçi.

      2. “Megjithatë, teza e tij e kujdesshme do kuptuar kështu: sa kohë që nuk kemi gjëkundi njoftime për dyndje masive fisesh të lashtësisë në truallin ku jetojnë sot shqiptarët, atëherë gjasat janë që paraardhësit e shqiptarëve të kenë jetuar po këtu ku jetojnë shqiptarët sot (pra të kenë qenë ilirët) dhe paraardhësja e shqipes të flitej po këtu ku flitet shqipja sot (pra të ketë qenë një dialekt i ilirishtes).”

        Nje nga tezat e rendesishme qe shkojne ne favor te autoktonise se shqiptareve. Zhvendosjet e popujve jane nder subjektet me te preferuara te kronikave te Antikitetit dhe Mesjetes se hershme, se bashku me konfliktet dhe mrekullite e shenjtoreve. Mosdeshmia e emigrimit do te ishte keshtu nje çudi qe duhej shpjeguar, ndaj Cabej shkruan me te drejte qe barra ju takon mbeshtetesve te tezes se kundert. Sigurisht nje popull aleat i bizantineve qe vazhdon te jetoje ne te njejtat troje pa u konfliktuar me Kostandinopojen dhe pa shkaktuar ndonje interes tjeter, eshte e kuptueshme qe nuk ka shume mundesi te permendet ne tekstet bizantine apo ne ato te popujve te tjere. Kjo vlen edhe per vllehet, e vendosur madje me afer Konstandinopojes. Ne fakt nje migrim i madhe popullsish duket se ka ndodhur drejt maleve shqiptare dhe malazeze gjate shekujve VI-VII, prej veriut dhe lindjes, kur popullsite e vjetra te Perandorise Bizantine u terhoqen per tu mbrojtur nga sulmet e popujve te pertej Danubit; Kujt i bie barra, them se duhet qe te kerkoje ne kete drejtim, megjithese prej te gjithe asaj qe kam lexuar per vete kam krijuar bindjen se edhe shqiptaret dhe gjuha shqipe kane qendruar gjithnje diku mes Shqiperise, Kosoves dhe Maqedonise.

  2. Trendi i studimeve mbi iliret e ilirishtes eshte i prirur drejt nje skepticizmi te cuditshem, gje qe po sjell pashmangshem nje okskurantizem vajtues. Cdo hyrje ne artikujt ”Illyria” ose ”Illyrian” mbisundohet nga togfjalesha te pergatitur sesi ”We know little of Illyrian” e te ngjashme me keto. Sigurisht qe njohurite paresore mbi iliret (burimet e greko-romake) jane larg te qenurit te mjaftueshme: megjithate, ato ofrojne njohuri sasiisht e cilesisht me te mira sesa ta zeme per daket, skithet ose ndonje popull tjeter ne skajet verilindore te Siujdheses. Te mos merret ky si nje manifestim i nje mendje komplotiste, por jam i detyruar te pohoj me gojen plot se nga dijetare te caktuar ndiqen shpesh edhe standarte te dyfishta. Te njejtit autor qe vikasin se “nuk ka burime te mjaftueshme”, e kthejne saora diskun ne anen tjeter e nisin te nxjerrin interpretime te reja post-moderniste, zakonisht per t’i hequr vize mohuese asaj qe pandehet ”tradicionale”. Nje dite me ra nje liber per baskishten. Autori ankohej se studiuesit e huaj (dmth jo-bask) ndjekin nje qasje tej-skepticiste, duke permendur vazhdimisht ”erresiren” qe rrethon kete gjuhe-relike te Pirinejeve. Ky autor thote se studiuesit e baskishtes pelqejne te kredhen ne terrin e hamendesimeve, por asnjeri prej tyre nuk e can koken per studimet e brezave te tere te dijetareve qe permituan lashtesine e baskishtes. Autoret qe flasin per ilirishten e per iliret, bejne gjithehere sqarime te percipta, duke perseritur ad naseum disa shabllone qesharake. Vjet m’u tha rasti te kem nje leterkembim te ngjeshur me nje gjuhetar holandez, V.V i cili ne disa prej artikujve te tij i mbahej pikepamjes se shqipja gjegjesisht Urheimat-i i pare i saj bie ne Dardani (duke perseritur pa ndonje shtjellim te metejshem ato qe kishte thene pothuajse 60 vite me pare albanologu, Henrik Baric). Ne letren time i kerkova autorit te me sqaronte me pak fjale qendrimin e tij restriktiv ndaj truallit primordial te shqipes, ne nje kohe kur cdo studim priret te theksoje faktin se ne shqipe duhet te kene bashkevepruar disa agregate te ndare ne hapesira te ndryshme. Dhe gjuhetari yne ne letren e pare me dha nje pergjigjje krejt formale, me shume me tone miresjellje sesa me artikulim te qarte. Nderkohe, ne letren e dyte une rishtas kerkova qe te me shpjegonte pse shqipja kufizohet vetem ne Dardani, nderkohe qe ai nisi te me fliste sesi Dardania mund te kete qene thrake, etj. Letra ime e trete (qe s’i ktheu pergjigjje me arsyetimin se ”ishte ne pushime”) permbante nje vleresim kritik te simbiozes se supozuar trako-ilire ne Dardani dhe nentekstit te saj politik. Garashanin e Popovic ne vitet e 80-ta i binin kembanave se shqiptaret e hiqnin origjinen e tyre nga mizet e daket e paromanizuar qe u amalgamuan me iliret e ”romanizuar” te Prevalitanise e Epirit te Ri. Russu shkonte edhe nje hap me larg: sipas tij, shqipet e hershme s’ishin gje tjeter vecse karpe qe shtegtuan me ne jug. Nenteksti i kesaj hipoteze eshte pohimi i alloktonise se proto-shqiptareve, gjegjesisht infiltrimit/penetrimit te tyre simultan me sllavet. Pra, kjo hipoteze e cila per hir te pranueshmerise dhe korrekteses thote qe ”shqiptaret jane brum paleo-ballkanik”, ka nje dimension krejt politik.

    1. Një provë e fortë e autoktnonisë shqiptare më duket se është edhe prania në shqip e një leksiku latin dhe i greqishtes së vjetër. Pra, në se do ishin të ardhur, e pamundur që në gjuhë të ruheshin fjalë me origjinë nga dy popuj gjeografikisht të vendosur në dy brigje të ndryshne detare.

    2. Derisa te mos dalin ne shesh te dhena te reja gjuhesore, si dokumente, mbishkrime te vjetra etj. te krahasueshme me shqipen, studiuesit do te vazhdojne te vertiten si kali ne leme.
      Me aq sa kemi ne dore deri tani, ç’kishte per t’u thene, eshte thene. Te tjerat jane spekulime.

  3. Mesa kuptova une nga diskutimi me lart, argumenti me bindes dhe me i forte eshte qe shqipja eshte gjuhe indo-europiane dhe nuk dihet, historikisht, te kete patur dyndje te medha popullsish qe flisnin ndonje gjuhe me kete lloj prejardhjeje ne ballkan. Keshtu qe e vetmja prejardhje llogjike e Shqipes eshte autoktone. Me kete lloj argumenti Cabej eshte mese i perligjur t’ua kerkoje barren e argumentit mohuesve. Vazhdimesia e toponimeve dhe emrit arberesh eshte deri diku material mbeshtetes por jo kryesor ne berjen e argumentit.

    Megjithate faleminderit per diskutimin, me ndihmoi ta qartesoja ate pak qe kam ne koke.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin