DILEMA E PASTRUESIT

Herë pas here do të lexosh, në lajmet e faqeve kulturore, për një vepër arti bashkëkohor të trajtuar si mbeturina nga një kujdestar ose një pastrues i muzeut ose i ekspozitës.

Gazeta italiane Repubblica i ka veçanërisht qejf këto incidente.

lajmin e botuar sot, një numër veprash të një ekspozite në Bari përfunduan në kamionin e plehrave komunale, për shkak të një keqkuptimi.

Një incident i vetëm mund edhe të interpretohet si lajthitje e punëtorit të pastrimit; por kur eliminime të tilla ndodhin rregullisht, kjo fton për pak refleksion.

Dhe pikërisht për natyrën e disa instalacioneve të artit bashkëkohor.

Të gjithë pak e shumë e kemi parë se shumë prej veprave të ekspozuara – readymades, ose skulptura dhe instalacione të bëra me sende të gjetura ose të rikuperuara – janë, në fakt, plehra; ose sende që e kanë humbur vlerën e përdorimit fillestare, për t’u kthyer në ekskremente të përditshmërisë.

Janë një numër konvencionesh, që i kthejnë në vepra arti – duke filluar nga reputacioni i artistit që i ka gjetur dhe i ka kombinuar, vetë akti i përzgjedhjes dhe kombinimit, emri që u është vënë ose akti i pagëzimit, teksti që i shoqëron ose i bashkekspozuar, fqinjësia me vepra të tjera të ngjashme ose jo, të qenët pjesë e një serie, etj.

Ky lloj rehabilitimi është i ngjashëm me riciklimin, por edhe njëkohësisht krejt i kundërt.

Më e rëndësishme se të gjitha këto, është hapësira e ekspozimit, ose muzeu (galeria). Po citoj Boris Groys-in: sa kohë që vepra e artit sot nuk mund të përkufizohet veçse si një send i ekspozuar, atëherë “sa më pak të dallojë vizualisht kjo vepër arti nga një send profan, aq më e nevojshme është që të bëhet dallim i qartë midis kontekstit artistik dhe kontekstit profan, të përditshëm, jomuzeologjik të shfaqjes së këtij sendi. Pikërisht kur një vepër arti duket si send ‘normal’, atëherë ajo ka nevojë për kontekstualizimin dhe mbrojtjen e muzeumit.”[1]

Nuk ka pra, ndonjë dallim thelbësor, midis sendeve që mbyllen në ekspozita, galeri dhe muze, për t’u ekspozuar si vepra arti; dhe sendeve të tjera, që përfundojnë pa shumë ceremoni në plehra.

Dallimi ka natyrë kontekstuale.

Në fakt, gjithnjë sipas Groys-it, arti bashkëkohor ka nevojë të ekspozohet, që të mund të konsiderohet art; dhe njësia elementare e artit sot nuk është më vepra e artit si send, por hapësira artistike ku ekspozohet sendi – ajo e një muzeu, ose e një instalacioni; dhe arti i sotëm nuk është më shumë e sendeve të veçanta, por topologjia e vendeve të caktuara (topology of particular places).[2]

Problemin madhor të artit bashkëkohor unë do ta quaja, kështu, dilema e pastruesit: çfarë duhet hedhur dhe çfarë jo, që nga brenda muzeut?

Natyrisht, fakti banal që disa sende përfundojnë të ekspozuara në një hapësirë të caktuar, duke u etiketuar si vepra arti (instalacione, etj.), nuk i bën vepra arti të gjitha plehrat që mund të gjenden brenda në atë hapësirë – p.sh. një shishe plastike, e flakur tutje nga një fëmijë, ose një kapuç që e ka humbur dikush.

Konteksti vendos gjithçka.

Para disa ditësh, Repubblica sillte një lajm tjetër të kësaj serie, këtë herë për një incident në Muzeun e Artit në Ravenna.

Incidenti meriton një përshkrim të detajuar. Autori i veprës, i njohur si Eron dhe një nga më të njohurit street artists italianë, kish paraqitur një vepër e cila konsistonte në një pasqyrë të madhe të rrëzuar në dyshemenë e njërës sallë të muzeut; duke vizatuar pastaj edhe hijen (ose njollën) e lënë nga pasqyra në mur. Për ta përforcuar l’effet du réel, Eron-i kishte hapur në mur edhe vrimën, pas gjase të gozhdës që kish mbajtur kornizën e pasqyrës të varur dikur.

Pasi u mbyll kjo ekspozitë, një nga punëtorët që po rregullonin sallën, e mbylli vrimën me stuko para se ta lyente murin me bojë, pa e ditur se ajo kish qenë pjesë e instalacionit, jo diçka për t’u ndrequr në mur.

Kush e ka dëgjuar barcaletën për orificin anal të elefantit që ia servirën dikujt në restorant, do ta kuptojë dilemën.

Eron-i, të paktën, komentoi bukur për incidentin: punëtori, tha, më ndihmoi që ta përfundoja veprën.

Në fakt, ajo vrimë ishte pjesë e instalacionit; meqë vizitori pritej që ta përjetonte rrëzimin e pasqyrës përdhé edhe nëpërmjet gjurmëve të saj të dikurshme në mur – përndryshe, aty nuk kish pasur kurrë gozhdë. Një anus, si me thënë, pa elefantin përkatës.

Dy histori, por rreth të njëjtit konflikt – atij kantian midis dobisë dhe padobisë së sendeve.


[1] Groys, Boris, Art Power, MIT Press, 2008, f. 32. Shih edhe f. 93.

[2] po aty, f. 93.

* Imazhi: Color Theft

Nuk ka komente

  1. Intervista e pastrueses Ana në ekspozitën e Barit është domethënëse. “Pashë disa kartonë e shishe birre përtokë, thotë ajo. I mblodha dhe i hodha”. Si mund të shpjegohet ky keqkuptim? Nëpërmjet kontekstit. Është pikërisht konteksti që ato “sende” i shndërron për spektatorin në vepra arti, është pikërisht konteksti që ato “sende” i shndërron për pastruesin në plehra. Pastruesja italiane, midis të tjerash punëtore e dalluar, të çarmatos me sinqeritetin e saj, aq më tepër që shprehet me theks të fortë dialektor. Jo vetëm nuk pendohet, por është bindur se ka bërë detyrën e saj. Nuk ka faj kur thotë se duhet t’i kishin lënë “sendet e artit” në lokale të posaçme, jo përtokë si mbeturina çfarëdo. Ajo ka bërë punën si çdo ditë, ka pastruar banjat, zyrat, sallat nga papastërtitë e plehrat.

    Por pjesa më e bukur e intervistës është kur gazetari e pyet nëse do të shkojë ta shikojë ekspozitën e artit ku kishte pastruar. “Jo” thotë me buzëqeshje kuptimplotë.

    Arti që ngatërrohet me plehrat, them unë, arti që për t’u shndërruar i tillë ka nevojë për korniza e mure ekspozitash, arti peng i kontekstit, ndonjë pyetje duhet t’ia bëjë vetes para se ta quajë veten të denjë për emrin e artit të mirëfilltë. Sepse edhe gjesti i pastrueses, në mos art, është një lloj kritike ndaj artit. Ndaj duhet marrë parasysh patjetër. Përndryshe, nesër kur në ekspozitë do të admirojmë të mahnitur ndonjë fshesë të mbështetur në mur si “shprehje e pastrimit etik të shoqërisë së korruptuar”, ose si “katarsis e nevojshme e vetëdijes moderne”, do të mbetemi të zhgënjyer me zbulimin se ishte fshesa e pastrueses Ana.

  2. Natyra klasore, sektare e artit bashkëkohor ka nevojë të vazhdueshme të konfirmohet në incidente si këto, po gjithsesi, ndër të tjera, me këto kuptojmë dhe sa pak dilema me punësimet kanë shefat e kuadrit në muzeume.

    Për të ardhur pastaj tek dilema e policit. Shkon njeriu e i thyen Ai Weiweit para ca ditësh një vazo të ekspozuar, një milion dollarë mall, pastaj thotë “e kisha performancë”, protestë artistike. Akti është i njëjtë me atë të Weiwei-t dora wetë, ekspozita e të cilit dokumenton procedurën e shkatërrimit të një vazoje qindravjeçare kineze. -Dallimi është se unë thyej vazo në pronësinë time, – u mbrojt disidenti kinez. Prona është absolutisht e shenjtë, trashëgimia kulturore dhe ‘arti’, relativisht.

    Nëse shefat e kuadrit vendosin ta kthejnë në pronë ‘psherëtimën e elefantit’ (because they can)(falemnderit që ma përkujtove barcaletën!), kjo bëhet mu aty trashëgimi kulturore dhe histori. Art po se po.

    I vemë psherëtimës pastaj dhe një pastrues para, që të zerë hundët me gishta, ngaqë këta nuk e kuptojnë parfumerinë iniciatike, dhe ja.

  3. Eshte e habitshme se si gjithmone, e gjithmone, provokimet e Xhaxhait ne lidhje me temen e artit bashkekohor, nuk bejne gje tjeter pervecse konfirmojne idene se per dike qe ka nje teori mbi te cilen eshte i bindur, cdo gje perben prove te kesaj teorie, madje edhe kur edhe e hedh poshte. Nuk e kuptoj, pra, se si citati i Groys, ku e zeze ne te bardhe thuhet se sendi profan nga arti nuk ka dallim NE DUKJE, te perkthehet si “[n]uk ka, pra ndonjë dallim thelbësor, midis sendeve që mbyllen në ekspozita, galeri dhe muze, për t’u ekspozuar si vepra arti; dhe sendeve të tjera, që përfundojnë pa shumë ceremoni në plehra.” Vec ne qofte se thelbesorja e artit nuk eshte gje tjeter pervec asaj qe duket. Cka eshte pozicion mese i vlefshem nga ana e Xhaxhait, sado qe pozicion i lodhur e monoton, por qe nuk ka pse ngaterrohet me pozicionin e Groys.

    Shto ketu qe, me sa kam kuptuar, dhe ndoshta e kam kuptuar gabim, por me duket se kur Xhaxhai thote se nuk ka dallim thelbesor mes artit dhe plehrave, nuk ka parasysh krejt artin, duke perfshire pra edhe artin “e bukur,” sic e quajti ne nje shkrim tjeter, por vetem artin bashkekohor, ate qe u quajt me gjysem ironi “i rendesishem” sepse “i papelqyeshem,” ironi qe ketu zgjerohet si “i rendesishem” sepse “i padallueshem.”

    Eshte e vertete, qe dallueshmeria apo padallueshmeria mes artit dhe te perditshmes luan nje rol thelbesor per sa i perket artit bashkekohor, art qe eshte inauguruar ne fakt pikerisht fal rolit qe luajne objekti i artit me objektin e te perditshmes me njeri tjetrin, apo me sakte fal eksperimentimit me keto roleve. Por nuk mund te mos biesh dakord se, jo vetem praktikisht, por edhe gramatikisht (pra mos e merr thjesht per semantike), te thuash nga nje ane se “s’ka dallim thelbesor mes objektit te artit bashkekohor dhe objektit te se perditshmes” ndryshon kryekeput nga ana tjeter po te thuash se “padallueshmeria mes objektit te artit dhe objektit te se perditshmes eshte thelbesore per sa i perket artit bashkekohor.” Keshtu edhe ajo qe thote Groys, e qe nuk vlen ekskluzivisht per artin bashkekohor, kuptohet me sakte: jo qe nuk ka dallim thelbesor mes artit dhe profanes, por qe dallimi thelbesor mes artit dhe profanes eshte konteksti, dhe se nje art qe ne dukje nuk ka dallim nga profania, na ndihmon te ravijezojme pikerisht kontekstet specifike te artit dhe te profanes ne dallim nga njeri tjetri. Perndryshe, krejt arti nuk eshte gje tjeter pervec boje, kanavace, gure, kova, shishe, shkurt, materiale, analiza e te cilave, apo dilema mbi te cilat, materialeve si te tilla pra, ku dhe kembengul ta vendose theksin Xhaxhai, eshte po aq interesante sa edhe dilema e veres se elefantit.

    1. “krejt arti nuk eshte gje tjeter pervec boje, kanavace, gure, kova, shishe, shkurt, materiale”

      Dhe jo vetem arti qe ekspozohet, por pothuaj te gjithe artet, ne pamje te pare, nuk jane veçse ‘lende e pare’ : edhe kinematografia, art aq kompleks e popullor ne dukje, veçse prej dy elementesh perbehet, prej imazhit dhe zerit (eshte bere dikur nje eksepriment per te shtuar edhe erërat ne sallat e kinemase – pra te futej ne pune nuhatja, por besoj se nuk ka nevoje per te thene se cili ishte rezultati). Keshtu qe edhe filmat mes njeri-tjetrit, ‘ne dukje’, nuk kane ndonje ndryshim, per me teper qe pothuaj te gjitha teknikat e interpretimit, montazhit, muzikes… etj etj, jane ezauruar tashme. Por prap se prap, shumica e njerezve e redukon pelqimin nje filmi me lojen e aktoreve, muziken e filmit, intrigen, montazhin etj etj. Pra thjesht me komponenet e imazhit dhe zerit.
      Per mendimin tim, ne te gjitha rastet kjo vjen nga dy arsye: e para eshte universale dhe ka te beje me pertacine dhe mungesen e nje far’ mazohizmi te nevojshem, nje far’ kokeuljeje te domosdoshme qe qenia njerezore duhet te kultivoje ne raport me artet. E dyta, eshte kryesisht semundje shqiptare, e trasheguar nga periudha e komunizmit: nje far’ tendence e shqiptareve per te tjerrur teori per artin, ne vend qe te vizitojne me shume ekspozita, te shikojne me shume filma, pjese teatrale, opera, koncerte e balete.

      1. Ka edhe një arsye tjetër, besoj – koha shumë e paktë që i lihet kinemasë në shkollë. Programet shkollore i kushtojnë një numër të pabesueshëm orësh letërsisë – në një kohë që filmi mbetet i njerkës, njëlloj si televizioni.

        (Kjo ndodh, them, ngaqë shkolla shqipe vazhdon ta trajtojë letërsinë shqipe, së bashku me historinë kombëtare, si të ishte një farë katekizmi.)

        Përndryshe, nuk mund të presësh dot nga masa që t’i qaset kinemasë si publiku avant-garde. Jo për gjë tjetër, por ashtu do ta skualifikonte vetë raison d’être të këtij të fundit.

    2. Shkrimi im nuk ishte polemik. Mua më dëfren një lloj i caktuar dukurie – dhe pikërisht eliminimi i artit bashkëkohor nga galeritë dhe muzetë, prej pastruesve, të cilët e marrin për plehra.

      Nëse ka gjë të lodhur dhe monotone, në këtë mes, Lulian, ky është reagimi yt on cue, sa herë që unë hap tema të tilla – aq sa duket sikur je kthyer në estetin rezident të hapësirës së komenteve.

      Unë përgjithësisht nuk e kuptoj dot se çfarë thua ti dhe çfarë të shqetëson pikërisht. Groys-in e kuptoj shumë më mirë.

      E drejta jote të komentosh ku dhe si të duash; por unë besoj se mund të japësh kontribute më të vlefshme në tema të tjera.

      1. Nuk e di nese tingelloj si estet ne rezidence, apo jo, dhe duke qene se nuk eshte qellimi im nuk eshte as e rendesishme nese tingelloj kesisoji, por komentin e kam polemik megjithese shkrimin ti mund te mos e kesh menduar si te tille. Dhe ja cfare me shqeteson pikerisht: me duket se ti e keqperdor autoritetin tend, kete platforme, per te ushqyer gjithmone e gjithmone, ku me shume e ku me pak, perbuzje, percmim dhe hilaritet ndaj artit kontemporan.

        Ne nje shkrim te meparshem ketu, flitej per rolin e kuratorit, si ndermjetes mes artit dhe publikut. Thuhej se kete rol mund ta luaje kushdo, artisti, arkitekti, filozofi, poeti, publicisti, intelektuali publik, etj. Dhe une besoj se ky rol mund te luhet jo vetem ne menyre formale, veshur me teshat e profesionit dhe brenda disa shtrengimeve specifike, por duke qene se i vjen ne sherbim komunikimit publik, edhe ne platforma te tjera, me te relaksuara, pa pretenduar pjese nga torta e profesionit, sic edhe eshte PTF. E megjithate, duke te ndjekur vazhdimisht ne lidhje me kete teme, ndoshta dhe ne menyre monotone, verej qe nuk komunikon gje tjeter me publikun pervec hilaritetit te disa aksidenteve banale, si femija qe nuk lodhet se qeshuri me pordhen. Kur fare mire, mund ta perdorje platformen per te mos e ulur piacen gjithmone ne nivel aksidentesh.

        E di qe jam mese i mireseardhur te shkruaj, dhe sic thua, e drejta ime te komentoj ku dhe si te dua; por ndryshe nga ty, besoj se jap kontribut mese te vlefshem ne kete teme, duke u marre sa me kete hilaritet foshnjor, aq edhe me tezat gjysem te pjekura qe sjell ne mbeshtetje te ketij defrimi.

        Keshtu pra, ti pretendon se shkrimi yt nuk eshte polemik, por — dhe keto mos mi merr as per pyetje retorike, e as per pyetje prej hetuesi, por si ftese per debat — si mund te mos jete polemike teza se arti bashkekohor nga plehrat nuk ka dallim thelbesor? Thua se nuk me kupton mua, por kupton Groys, por atehere perse e shtremberon Groysin per t’i dhene ze percmimit dhe perbuzjes ndaj artit bashkekohor? Perderisa e ke kuptuar Groys, atehere si mund ta rreshtosh argumentin e tij, se arti nga plehrat nuk kane dallim ne dukje, ne pamje, vizualisht, ne mbeshtetje te tezes tende, se s’kane dallim ne thelb? Mua me intereson, psh, se si kalove nga mungesa e dallimit ne dukje qe ben Groys, tek mungesa e dallimit ne thelb. Perpiqem ta lexoj bujarisht kete kapercim — ndoshta ekziston nje argument, se thelbesorja ne art eshte thjesht vizuale, apo per ta thene ne menyre me te pergjithshme, thjesht shqisore: gje qe e lexoj tek shkrimi jot, por qe ndoshta kushedi nuk ke dashur ta thuash — por si jap dot dum.

        Gjithe c’gjej ne vend te sqarimit eshte defrimi percmues me keto aksidentet banale, te cilin do e kuptoja me se miri si forme kritike, madje mese te nevojshme — me kusht ama: qe tezat mbi artin kontemporan te mos ishin vetem subjekt i paragjykimeve dhe kodeve te arteve te bukura, sic eshte edhe teza e implikuar ketu, se arti ne thelb eshte vetem ajo cka duket. Nuk mund pra, t’i komunikohet publikut kaq fuqishem gjithmone e njejta perbuzje e llogorizuar ndaj artit kontemporan nga nje krah, dhe te kerkohet nga publiku qe te jete i kulturuar e te geloje deshira per dije dhe art nga krahu tjeter.

        Ja, pikerisht kjo me shqeteson.

  4. Arti gjithmone ka qene, eshte dhe do te jete i keqkptuar kur ‘konsumuesit’ (vizitoret) e tij do ta ndajne objektin artistik nga subjekti artist dhe marrdhenia e ndersjellte e tyre ne kohe dhe hapesire. Zakonisht merret ne fokus njeri prej ketyre komponenteve dhe kristalizohet ne statusin e tij (objekt/subjekt/marrdhenie) te cilit i vihet edhe nje vlere (madje edhe nje çmim). Arti gjithmone (edhe me pare se Duchamp) ka provokuar statiken e çdo statusi dhe ka kultivuar pershkueshmerine (ne kohe dhe hapesire) e tij …gjithmone duke nenkuptuar me Art objekt+subjekt+marrdhenie .. me ‘+’ dhe jo me ‘/’.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin