PUNË KALAMAJSH

Herën e fundit që isha në Tiranë, një botues më shprehu habinë se lexuesi shqiptar tregonte indiferencë të plotë për fantashkencën e përkthyer.

Ky botues kish marrë në sy rrezikun të nxirrte, madje me humbje, disa romane nga më të mirat të këtij zhanri, ose të tilla që i kanë rezistuar kohës. E megjithatë, më tha, nuk i ishin shitur pothuajse fare.

Në Perëndim letërsinë fantashkencore e konsiderojnë si letërsi zhanri – njëlloj si thrillers, mystery, detective, noir, horror, fantasy, romance dhe zhanre të tjera. Në vija të trasha, kjo lloj letërsie përkufizohet si e drejtuar nga e ardhmja, edhe pse elementi shkencor ose teknologjik asnjëherë nuk duhet të mungojë në fabul, ose së paku në kontekst.

Tani, publiku shqiptar tregon interes të madh për disa zhanre, si fantasy, romance, thrillers and detective; prandaj mosinteresimi për fantashkencën nuk mund t’i faturohet qasjes high-brow ndaj letërsisë, që ishte karakteristike për periudhën totalitare.

Një rol këtu luan edhe tradita e çuditshme, e konsoliduar në vitet e regjimit komunist, për ta trajtuar fantashkencën si “letërsi për fëmijë” – a thua se veç fëmijëve do t’u tolerohej të ëndërronin për të ardhmen.

Fantashkenca, gjatë atyre viteve, kufizohej me disa vepra madhore të Jules Verne-it – si 20,000 lega nën det ose edhe tek-tuk me ndonjë përkthim nga rusishtja – si Shitësi i ajrit i Beljajev-it dhe Mjegullnaja e Andromedës e Jefremov-it; përndryshe, për udhëtime kozmike dhe zbulime shkencore mahnitëse u flitej vetëm të vegjëlve.

Dukuria vjen e bëhet edhe më enigmatike, po të kemi parasysh se fantashkenca sovjetike, bash në ato vite, pat arritur disa nga majat e frymëzimit lirik dhe mjeshtërisë letrare (krahas Jefremovit, duhen përmendur këtu patjetër vëllezërit Strugackij); pa përmendur pastaj fantashkencën nga vende të tjera të Lindjes – p.sh. polaku Lem (autori i “Solaris”-it).

Pse ky përçmim për zhanrin, atëherë?

Një shpjegim spekulativ do të ishte se fantashkenca ofron, në rastet më standard, një vizion të së ardhmes; dhe letërsia e mirë nuk mund veçse të themelohet mbi konfliktin, në një kohë që e ardhmja komuniste e pranon konfliktin vetëm midis “së mirës” dhe “më të mirës.”

Dikush, në zyrat e censurës dhe të propagandës, do ta kish kuptuar se një letërsi që flet për të ardhmen e sjell gjithnjë me vete farën e disidencës dhe të dyshimit – mjaft të kujtosh këtu vepra të tilla si Ne, e modernistit rus Zamjatin; ose edhe romani 1984, i George Orwell-it dhe Më e mira e botëve, e A. Huxley-t (pa lënë mënjanë as Thundrën e hekurt, të Jack London-it).

Në fakt, nëse filozofët dhe sociologët gjithnjë u janë qasur utopive, me mënyrat e tyre, në shekullin tonë imazhi i utopisë (dhe tani i distopisë) u ka mbetur në dorë shkrimtarëve.

Edhe pse fantashkenca naive na kish mësuar me idenë se është fjala për një letërsi ku personazhet udhëtojnë me raketa personale ose ua bën kafenë roboti, etj., në fakt letërsia më e mirë e këtij zhanri është gjithnjë antropologjike, me nota të forta filozofike.

Nuk ka dyshim, nga ana tjetër, se fantashkenca të bën ta marrësh në pyetje realitetin, në të gjitha aspektet – social, teknologjik, filozofik. Kjo nuk lidhet aq me shkencën, sesa me transportimin që i bëhet lexuesit, drejt një bote alternative.

Ndoshta ka qenë pikërisht ky potencial, për ta vënë në dyshim realen, që i ka nxitur censorët ta mbajnë këtë lloj letërsie larg lexuesit shqiptar, gjatë viteve të totalitarizmit.
Kanë thënë se, nga të gjitha zhanret letrare, fantashkenca është e vetmja që merret me të sotmen; kjo tingëllon paradoksale, derisa nuk jemi ulur të lexojmë, ose të rilexojmë kryeveprat e fantashkencës së dekadave të shkuara.

Për shembull, nuk ka vepër letrare që ta evokojë më mirë gjendjen shpirtërore të Bashkimit Sovjetik të fazës para-staliniste, sesa Ne e Zamjatin-it; sikurse vepra e një autori pulp amerikan, si Heinlein, e përshkruajnë me besnikëri të habitshme zeitgeist-in e viteve 1950, së paku në ShBA.

Këto ditë më ka qëlluar të rilexoj pasazhe të gjata nga romani 1984, dhe kam vënë re, jo pa një farë hidhërimi, se analizat politike, sociologjike dhe filozofike të autorit – të cilat në kohën kur u botua romani i drejtoheshin së ardhmes – janë edhe pjesët më të vjetruara në vepër.

Herë pas here, veprat e autorëve fantashkencorë i sheh të vlerësohen sipas “saktësisë” së parashikimeve – a thua se është fjala për tekste të diktuara prej fallxhorëve. Kështu, A. Clarke-ut gjithnjë ia përmendin se ka parashikuar satelitët e telekomunikacioneve; sikurse ia përmendnin dikur Jules Verne-it se kish parashikuar nëndetësen.

Nëse shkrimtarët e fantashkencës janë edhe futurologë, kjo mund të diskutohet; çfarë nuk mund dhe nuk duhet vënë në dyshim, është se fantashkenca i drejtohet së sotmes, dhe pikërisht atij tehu të së sotmes, që është zhytur përgjysmë në të ardhmen.

Natyrisht, të mund të ndjekësh vepra që i përkasin së ashtuquajturës “hard sci-fi”, duhet të kesh njëfarë kulture në kozmogoni, astrofizikë, fizikë kuantike, kibernetikë, biofizikë, gjenetikë, nanoteknologji… Jo më kot të thonë se lexuesit e këtij zhanri vijnë zakonisht nga shkencat e sakta, teknologjia dhe departamentet universitare të shkencave sociale dhe të antropologjisë.

Studiuesit e zhanrit kanë vënë re, bie fjala, se triada njeri-robot-alien mishëron, në thelb, konfliktin filozofik të njeriut me makinën nga njëra anë, dhe me Tjetrin nga ana tjetër – çka i jep relevance të madhe letërsisë që merret me këto tema sa i përket qasjes që i bëjmë modernitetit.

Këto janë dilema të sotme, që na gërryejnë mendimet sot; dhe teknika e zhvendosjes së tyre drejt së ardhmes nuk është veçse një formë imazhimi.

Që prej vitit 1959, kur Charles Percy Snow mbajti leksionin e vet të famshëm për Dy kulturat, ku analizoi moskomunikimin mes shkencave të sakta dhe humaniteteve në shoqërinë moderne, roli i fantashkencës si urë që bashkon dy anët e humnerës ka ardhur duke u kristalizuar.

Aq sa mund të themi se suksesi i madh i fantashkencës sot në Perëndim, jo vetëm si zhanër letrar, por edhe e sidomos si kryezhanër në kinema, ka të bëjë pikërisht me këtë nevojë kritike që ndien shoqëria, për t’i mbajtur pjesët e veta të diferencuara në komunikim mes tyre.

Natyrisht, kultura shqiptare ende ushqen një kult sa absurd, aq edhe të kapërcyer, të shkrimtarit si profet dhe mishërim të shpirtit të kombit; dhe të letërsisë si streha fisnike e të gjithë atyre që nuk duan t’i ndyjnë duart me shkencë dhe teknologji.

Brenda kësaj kulture, s’do shumë mend që fantazia, si zhanër letrar, të marrë përparësi ndaj fantashkencës; dhe së ardhmes publiku t’i qaset më shumë përmes veprave me natyrë fallxhore, sesa atyre me natyrë vizionare.

Brezi im pati fat të përjetonte, në fëminë e vet, ngjarjen aq epokale të zbritjes së njeriut të parë në Hënë – çka ia induktoi edhe një qasje të caktuar ndaj fantashkencës, jo aq si ikje nga realiteti ose shije fëminore e aventurës, sesa si refleksion për la condition humaine në një botë gjithnjë e më të sunduar nga teknologjia.

Sot, në ndryshim nga gjysmë shekulli më parë, i njëjti zhanër letrar po dëshmon divorcin e madh dhe të dhimbshëm të së ardhmes nga optimizmi; mjaft të shohësh temat ekologjike dhe apokaliptike që sundojnë diskursin fantashkencor në Perëndim – nga spekulimet e holla për singularitetin, te filmat dhe stripat komikë me zombies.

Që publiku shqiptar ka mbetur i shurdhër ndaj këtij tonaliteti, këtu ka arsye për t’u shqetësuar; dhe unë i jap të drejtë mikut tim botues, i cili në fakt, as ai, nuk e kish hallin te investimi i humbur. Përndryshe, ne mburremi që jemi pjesë e lëvizjeve globalizuese, duke e lënë tashmë pas izolacionizmin enverist të 20-30 vjetëve më parë – pa çka se, me ç’duket nga disa shenja të fshehta dhe dinake, nga ai izolacionizëm ende pakçka ka ndryshuar; dhe se pozicioni i kujt refuzon ta ndiejë veten pjesë e botës ku jeton mund të jetë, ndonjëherë, më komodi.

Nuk ka komente

  1. sipas mendimit tim dy jane arsyet kryesore: televizori dhe njohurite teknike, une kam pasur lexuar fanta-shkence me pare, por kerkon nje lloj interesi dhe njohuri teknike qe shkollat tona nuk i kultivojne si dikur se mesuesit ne matematike, fizike etj. jane kryesisht te paafte e te pamotivuar (mungesa e bazes materiale etj.) .. ndersa sot robi sheh me mire fantazite me efektet e CGI (kompjuterike) si ne X-man etj, ndersa tjeter faktor ka beje edhe me zhanrin e “fantastikes” apo “fantasy” si “Lord of the rings”, ky zhanr ka gelltitur shume nga subjektet e fanta-shkences dhe per pasoje edhe tregun.

  2. Kalimin nga utopia ne distopi personalisht e kam perjetuar me shnderrimin e Internetit utopik e libertarian te viteve 90 e fillimviteve 2000, plot potencial e te ardhme, te pakontrollueshem, kaotik dhe te brishte ne rrjetin e sotem distopik te Snowden, super i kontrolluar, e mjelur me precizion industrial nga NSA, Google dhe gjithfare koncernesh. Besoj kemi arritur ne kete stad te trishte jo vetem prej mungeses se konkurences ideologjike mbas renies se sistemeve komuniste por edhe pse inovacionet e investimet e medha ne shkence po mungojne prej gati 15 vitesh. Ndodhemi akoma ne fazen ku teknologjine ekzistuese vec mund ta mprehim e drejtojme kah vetes. Mjafton te kesh parasysh qe mbi gjysma e inxhiniereve te Google punojne ne cdo moment te caktuar per te kuptuar nese preferencat tona personale korrelojne fjala vjen me shume me afinitetin per qen apo mace.

    Cilido transplant lindor ne luginen e silikonit e ndjen thelle diskrepancen e kultures shkence-fantashkence me te cilen mund te jete rritur, te udhetimeve dhe ambicies ne hapesire, ne Hene e Mars dhe fokusimin e aq shume resurseve dhe energjive inxhinierike te industrise sot tek selfie. Per te qene te sinqerte jemi mbase ne prag te shperthimeve ne inovacion, qellime qe deri para vetem 2 vitesh ishin te largeta e te paimagjinueshme si makina pa shofer apo analiza e manifakturimi automatik i objekteve jane tashme mese te arritshme fale teknologjive te sapodala nga inkubatori si “deep learning” e 3d-printing. Ne kete aspekt fokusi i industrise high-tech me trivialitete sot mund te shihet dhe si “nxemje” per te konverguar nga shume ane ne qellime me te guximshme ne te ardhmen e afert.

    Por kur foltoret e injorances dhe Tea-Party mund te kontrollojne sot buxhetin e NASA-s dhe politika ne Europe po dominohet nga Le Penn, Blocher dhe Jobbik duhet qene skeptik nga ku besoj dhe se fantashkenca ka sot per sot me pak konjukture jo vetem ne Shqiperi por mbase edhe me gjere.

  3. Perderisa eshte pritur me indiference te plote i bie qe as kalamajte nuk kane lexuar gje, çka do te thote se nuk eshte (me) as pune kalamajsh. Rrjedhimisht shkaqet duhen gjetur tjeterkund.

    1. Librat e tanishëm nuk janë paraqitur si letërsi për fëmijë. Prandaj nuk të kuptoj mirë kur thua ‘tjetërkund’ – tjetërkund në raport me çfarë?

      1. Pak rendesi ka si eshte paraqitur ne reklamimin e kufizuar qe mund t’i behet, nqs bindja eshte e atille, gjithkush do i blinte per femijet, madje duke buzeqeshur me pretendimet e reklamuesit.
        Tjeterkund mund te jete gjithçka tjeter nga kundi (sistemi komunist).
        Shkenca ka nja 40-50 vjet qe merret me aplikimin, limitet e pakapercyeshme te forces se rendeses e motorit reaktiv e kane kthyer gjithesine ne erresiren e moçme. Ne, si shoqeri, s’ishim pjese e revolucionit shkencor, i cili lejoi integrimin e fantashkences ne Perendim. As ndonje frike nga fundi i botes nuk ekziston, keshtu qe nuk ka premisa per konsolidimin e letersise fantashkencore.
        Kur mungon kureshtja, aq me pak pune mund te beje niveli artistik, meqenese artistet e medhenj te shkrimit nuk para merren me fantashkence.

        1. Kam frikë, por mos ma merr për ters, se nuk e njeh sa duhet fantashkencën bashkëkohore.

          Duke pasur parasysh shoqëritë perëndimore, që janë kapur rob të së tashmes, edhe për faj të teknologjive virtualizuese, ajo letërsi (ose art, se kinemaja nuk duhet përjashtuar këtu) që u jep një mundësi të zhvendosen në të ardhmen luan edhe rol terapeutik.

          Ra fjala për kinemanë – filma të tillë si Blade Runner, Alien, Aliens, Matrix por edhe të tjerë si Inception, Twelve Monkeys, Avatar, Vanilla Sky dhe Terminator kanë ndikuar në mënyrë vendimtare në formësimin e imagjinatës globale, dhe nëse duam, edhe të vizionit global për çfarë na pret përtej horizontit.

          Dhe këtu nuk po flas për romanet me udhëtime kozmike (space operas, që rimarrin tropet e romaneve me aventura në det) – por për atë fantashkencë e cila është e vetmja lloj letërsie e cila arrin t’ia sjellë problemet filozofike më akute të kohës lexuesit të zakonshëm: identitetin personal, inteligjencën artificiale, ballafaqimin me Tjetrin, relativizmin etik, kontaktin me Perëndinë, privatësinë, integrimin e teknologjisë me biologjinë, mjedisin dhe fundin e botës, raportin e individit me kolektivitetin.

          Nga kjo pikëpamje, edhe Pallati i ëndrrave, i Kadaresë, do të klasifikohej si fantashkencë sociale; një nga të paktat vepra të tilla në letërsinë shqipe.

          Nga ana tjetër, sa kohë që jeta moderne na detyron që t’u qasemi problemeve, edhe atyre më banalet, me rrugë racionale dhe të teknologjizuar, atëherë nevoja për letërsinë përkatëse vjen e bëhet imperative; për të njëjtën arsye që, bie fjala, në shekullin XIII e njëjta lloj letërsie nuk mund të shprehej përveçse në format e Komedisë Hyjnore të Dantes.

          1. Nuk besoj se njohja e mire apo e keqe ka ndonje ndikim ne faktin se indiferenca e plote nuk legjitimon shpjegimin se fantashkenca trajtohet si pune kalamajsh.

            Njohja e mire apo e keqe sigurisht qe ka ndikim ne shpjegimin e indiferences se plote ndaj leximit (jo shikimit te filmave), perpos shpjegimeve qe bien poshte per arsye thjesht logjike.

            Gjithsesi, nuk shoh qe fantashkenca te jete e vetmja lloj letersie e cila arrin te sjelle problemet filozofike me akute qe rreshton, ose te pakten jane per t’u perjashtuar, identiteti personal, ballafaqimi me tjetrin, relativizmin etik, kontaktin me Zotin, privatesine dhe raportin e individit me kolektivitetin. Keto jane tematika qe trajtohen ne çdo lloj letersie, ku me pak e ku me shume.

            Fantashkenca eshte e vetmja qe merret me problemet filozofike qe lidhen me shkencen, teknologjine. Edhe fundi i botes ne kuptimin fantashkencor eshte produkt i frikes nga shkenca, teknologjia, jo me si dikur i frikes nga Zoti.

            Si me siper, shoqeria shqiptare nuk ka marre pjese ne revolucionin shkencor, as ka depertuar ne te frika prej shkences,teknologjise, keshtu qe fantashkenca si letersi nuk ka zene dot rrenje, ndersa si kinematografi, trajtohet si çamçakezi, pertypet e hidhet.

            Flet per formesim te imagjinates globale dhe vizionit global te se ardhmes, e rendit nje sere filmash. Mirepo ky globalizim i pretenduar per mendimin tim eshte i pamundur. Eshte i pamundur pasi shperndarja globale e imagjinates, vizionit e shqetesimeve te 1/6 se njerezimit, nuk do te thote formesim. Pa shkuar tek bota kineze,islamike apo afrikane, mjafton te shohim se ne Shqiperi nuk perceptohen fare keto probleme filozofike te lidhura me fundin e botes. Kjo mosnjohje sjell qe gjithçka te vleresohet vetem per nivelin artistik.

            Mesa verehet shqiptaret kane besim se teknologjia jo vetem rregullon jeten, por edhe vete njeriun, keshtu qe nuk ka gjasa te hyje frika nga teknologjia apo keqperdorimi i saj. Ndoshta jemi ne faze papjekurie, naiviteti, apo ndoshta Perendimi eshte bere paranojak prej ndikimit te Luftes se Ftohte, nuk e di keto jane çeshtje te medha.

  4. Si kompensim vjen interesi i shfrenuar për pellazgologjinë konspiracioniste. Se aq është fantazia, nuk mbahen dot dy kunguj në një sqetull: o kaska e kozmonautit, o përkrenarja e Thotit (perëndisë egjiptiane që ia thoshte shqip).

  5. E kam pyetur gjithnjë veten se përse regjimi totalitar shqiptar nuk e merrte në konsideratë letërsinë e fantashkencës. Qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se mosvlerësimi nuk vinte vetëm se shikohej si letërsi për fëmijë, pra e rangut inferior; letërsia fantashkencore dallohet nga të tjerat sepse i kërkon me përkufizim lexuesit interpretime të tjera, që shkojnë përtej tekstit dhe fabulës së shkruar. Pikërisht ato lexime të tjera u kallnin datën censorëve të totalitarizmit, ndaj edhe e kishin syrgjynosur letërsinë e fantashkencës në bankat e shkollës tetëvjeçare, ku presupozohet për arsye të moshës të mos bëhen lexime të paautorizuara. Nëse kjo është e vërtetë, nuk rezulton gjithsesi e qartë për lexuesit e sotëm shqiptarë, përndryshe do të kishin vërshuar drejt rafteve përkatëse për t’i blerë me vrap.

  6. Mbaj mend që dikur kam lexuar me ëndje një roman fantastiko-shkencor me titull “Drejt Epsilonit të Eridianit”. Në mos gaboj, autori quhej A. Hysenbegasi. Më ka pëlqyer shumë dhe mendoj se sillte një risi në letërsinë shqipe, për atë kohë.

  7. Debati është interesant dhe unë desha të di dicka më shumë rreth konsumit të librit në përgjithësi nga publiku shqiptar. Përveҫ faktit (të pa verifikuar ma ha mendja por të pakundërshtueshëm gjithsesi) të rënies së interesit të publikut ndaj librit, si fenomen global ky, mbase kemi të dhëna se ҫfarë letërsie konsumohet në Shqipëri? Shoh inflacionin e librave të Danielle Steel-it apo Stephanie Meyer-it nëpër librari, kioska e madje edhe tezga librash rrugëve të Tiranës, por nuk besoj se domosdoshmërisht ky është indikator i preferencës publike për këtë lloj letërsie ndaj Umberto Eco-s apo Philip Roth-it. Mendoj se grafiku i botimit të librave në Shqipëri nuk diktohet nga tregu i cili nga ana e vet do përcaktohej nga shijet e lexuesve. Unë nuk e kam kuptuar akoma se cili është kriteri që botuesit ndjekin për përzgjedhjen e librave që shohin dritën e botimit në shqip, e ndaj edhe debatit të ngritur nga Xhaxhai mbase i duhet shtuar ndonjë e dhënë mbi sa më sipër?

  8. Verrejtje e sakte. Fantashkenca paraqet pak interes per lexuesit shqiptar sot sebashku me nje zhaner tjeter qe pothuajse nuk u zhvillua kurre ne Shqiperi, ate te stripave. Por nese fantashkenca e shkruar ka kete fat, ndryshe qendron puna me fantashkencen e shikuar e cila ka goxha publik (megjithese edhe per kete shqiptaret nuk eshte se lene koken).

    Pervec arsyeve qe u dhane ne artikull, une do te shtoja se nuk ka pasur ndonje pasion kushedi se cfare ne rradhet e njohesve (connoisseurs) te letersise per kete zhaner, te cilet kishin ne dore formesimin e kultures se leximit ne kohen e komunizmit. Keshtu qe dashje padashje ky zhaner mori nje rol te dores se trete. Dhe vetvetiu nuk u krijua dot nje tradite e konsoliduar leximi e kesaj letersie. Te krahasohet kjo me konsumin e fantashkences vizuale sot (filmit). Pra interes ka por ndiqet menyra me e lehte e konsumit ndersa leximi si nje zakon qe kerkon kultivim nuk ka mbijetuar sepse ka qene nje bime qe nuk u rrit.
    Kjo qe thashe me siper per mungesen e pasionit te madh te njohesve eshte me teper nje perceptim personal sesa nje bindje e bazuar tek faktet.

    Gjithashtu mendoj se nje vend provincial dhe i izoluar si Shqiperia ka shume pak gjasa te zhvilloje nje interes te konsiderueshem per fantashkencen. Kjo sepse fantashkencen e zhvillojne ato shoqeri qe jane ne vijen e pare te frontit ne teknologji e shkence e jo shoqerite e vijes se fundit qe thjesht konsumojne pasivisht teknologjine ose ate qe ngelet prej saj. Ne njefare menyre ai qe eshte ne vijen e pare te frontit ka edhe ankthin me te madh se do te haje ndonje koqe plumbi, ndersa ai qe eshte ne prapavije e kap vala me me vonese dhe eshte me teper viktime e pasbetejes. Ja pse psh fantashkenca qe ka te beje me fundin e botes dhe pasojat e tij ka me shume interes tek publiku shqiptar sot sesa tipe te tjera te fantashkences qe kane te bejne me pararojen e teknologjise si psh siborget apo edhe me fantashkencen kryesisht reflektive. Ne njefare menyre provinca ka me shume menyre per fantazine sesa fanta-shkencen.

    Edhe dicka tjeter qe ka lidhje me paragrafin e fundit. Ndoshta vete natyra tejet izolatore e Shqiperise gjate komunizmit nuk e ushqente shume interesin per fantashkencen. Kjo sepse perpara nevojes se komunikimit me hapesiren e tjetrin kozmik, tek shqiptaret dominonte nevoja e hapjes dhe njohjes me boten, ate realen dmth planetin toke. Pra ne ishim aliene ne planetin tone. Tani qe po e mendoj edhe ky duket si nje subjekt fantashkence…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin