TËRHEQJE LITARI

Ata që kujdesen për terminologjinë e shqipes janë, në thelb, po aq punëtorë të gjuhës sa edhe, të themi, mësuesit ose korrektorët teknikë; edhe pse puna e të parëve është më e vështirë dhe kërkon intuitë të madhe.

Terminologjia e një fushe ndërtohet hap pas hapi, falë bashkëpunimit midis gjuhëtarëve dhe ekspertëve teknikë, të paktën në rrethana ideale. Përndryshe, nëse gjendja vjen e bëhet kaotike, si sot në Shqipëri, gjuhëtarët dhe ekspertët teknikë vijnë dhe i kundërvihen shoku-shokut.

Sa kohë që mungojnë politika gjuhësore energjike, të mençura dhe të shënjestruara, gjuhëtarët dhe korrektorët do të priren të groposen në llogoret default të purizmit, duke e reduktuar kujdesin e tyre për gjuhën në kujdesin për ta mbajtur gjuhën të pastër. Përkundrazi, ekspertët teknikë do të ndihen, si rregull, më rehat me termat e huaj, sepse këta u vijnë, si të thuash, po aq të gatshëm sa edhe teknologjitë përkatëse; por edhe ngaqë njohja prej tyre e leksikut të shqipes është, praktikisht, rudimentare.

Gjysmë me shaka, këto dy çeta do t’i quaja, përkatësisht, kundërcjepërit[1] dhe shqipnglishët.

Pa përsëritur gjëra që i kam thënë gjetiu, do të shtoja vetëm se, si të parët, ashtu edhe të dytët, gabojnë jo aq në zgjedhjet specifike individuale të termave, sesa te voluntarizmi me të cilin u qasen sfidave terminologjike.

Kundërcjepërit kujtojnë se, me vullnet të mirë, mund ta shqipërojnë krejt dhe arbitrarisht terminologjinë e huaj, edhe pse rezultatet shpesh janë qesharake, të papranueshme dhe të dënuara të mbeten në letër, kur nuk përfundojnë në barceleta. Këta i energjizon vetëdija e epërsisë morale, ngaqë shpesh gënjehen se po ofrojnë një shërbim të natyrës patriotike.

Shqipnglishët, nga ana e tyre, kujtojnë se u mjafton ta kuptojnë teknikisht terminologjinë, për të vendosur si do të përdoret; duke shpërfillur strukturën e leksikut dhe të gjuhës mbarë. Këta zakonisht e marrin kontaktin me një term kur ky nuk është shqipëruar ende, pse nuk ka pasur kohë të shqipërohet; dhe pastaj habiten kur marrin vesh që shqipes i mungon kjo apo ajo fjalë, pse e kanë të vështirë ta kuptojnë se fjalët gjuha nuk i mban të gatshme në raft, por i përfton sipas nevojës; dhe se për kultura si jona teknologjia e re gjithnjë do të shfaqet pa terminologjinë përkatëse.

Nuk do shumë zor të marrësh vesh se shqipnglishët nuk duan shumë t’ia dinë për disiplinën e shqipes – ose për strukturat e saj gramatikore, leksikore dhe fonetike; por duhet vërejtur këtu se edhe kundërcjepërit, me maninë e tyre për të sajuar fjalë në tavolinë thjesht ngaqë shqipja ua ofron mjetet, tregohen njëlloj shpërfillës ndaj nevojës për disiplinë në përdorimin e mjeteve gjuhësore; në kuptimin që, edhe kur një term mund të sendërtohet, kjo nuk do të thotë se duhet të sendërtohet.

Një kulturë si e jona, ku neologjia morfologjike (me ndajshtesa dhe kompozita) ende duartrokitet dhe shihet si mënyrë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës, është e dënuar, njëfarësoj, të vuajë nga kjo sëmundje foshnjore e rebelimit ndaj disiplinës natyrore të gjuhës; pa përmendur pastaj zakonin irritues, të disa kundërcjepërve, për t’i zëvendësuar termat e huaj me përkufizimin e tyre: kështu, tani së voni, streaming, të cilin të gjithë e dimë se çfarë është, e kanë dhënë në shqipe si “transmetim i vazhdueshëm”, ndërsa hotspot si “pikë shpërndarëse” – dhe në këto rrethana, kur termi nuk shqipërohet, por parafrazohet, s’do mend që shqipnglishët do të revoltohen dhe do të kërkojnë përdorimin e termave origjinalë anglishte.

Të braktisur secila palë në famullitë kulturore përkatëse, edhe kundërcjepërit edhe shqipnglishët veçse do të katandisen në skllevër të deformimeve profesionale ose të huqeve të tyre karakteristike – duke anuar, të parët ndaj esperantizimit të shqipes, ndërsa të dytët drejt gjymtimit të strukturave gramatikore ose edhe mënjanimit të plotë të termit shqip nga komunikimi teknik (duke prodhuar thënie të tipit: M’i jep një çikë streaming proxy settings.).

Faktori që do ta mbante nën fre ekstremizimin por që, në momentin e tanishëm praktikisht mungon ose ka dështuar, është autoriteti publik – në të gjitha fazat e procesit terminologjik, që nga krijimi i termave të rinj në tavolinë, te diskutimi i tyre, hartimi i fjalorëve terminologjikë anglisht-shqip dhe nomenklaturave përkatëse, vënia e tyre në dispozicion falas (tash e tutje detyrimisht online) dhe pastaj shtrëngimi me ligj për të zbatuar një terminologji të caktuar, në një fushë të caktuar; dhe aq më tepër, në një kulturë ku risitë rregullisht hyjnë tashmë të konfeksionuara nga jashtë; dhe nuk përftohen së brendshmi duke pasur kohë edhe të zhvillojnë veshjet leksikore të përshtatshme. Vetëm ky autoritet publik do të mund ta materializonte nevojën për standarde terminologjike të arsyeshme në detyrime të llojit ligjor, ose ndëshkime të tilla si gjobat (p.sh. për një kompani që në vend të termit hidrokarbure, përdor termin hidrokarbone).

Natyrisht, mungesa e autoritetit publik ndihet kryesisht në fushat ku edhe nevoja për standarde terminologjike ndihet më tepër; dhe fakti që, bie fjala, terminologjia gramatikore e shqipes është pak a shumë e konsoliduar, nuk duhet të na gabojë dhe të na bëjë të besojmë se, siç funksionon terminologjia gramatikore pa ndërhyrjen e autoritetit publik, ashtu mund të funksionojë edhe ajo kompjuterike ose e telekomunikacioneve.

Dhe kur në këto fusha kaq dinamike autoriteti publik nuk përfillet më, përpjekjet e kundërcjepërve e humbin relevancën dhe katandisen në gjimnastikë skolastike groteske, ndërsa ato të shqipnglishëve rrezikojnë t’i shkaktojnë shqipes dëme të rënda dhe mbetëse – pavarësisht nga vullneti i mirë i të dyja palëve.


[1] I quaj kështu, sipas shqipërimit kundërcjap që i patën bërë dikur termit anatomik latinisht antitragus te një fjalor i termave të anatomisë të botuar nga Akademia e Shkencave, shqipërim të cilin e qesëndisi pastaj A. Klosi në një artikull të mirënjohur.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha,
    pervec vullnetit te munguar duket se njerzit e duhur i kemi, duke filluar me ty ne krye. Si i behet qe te vihet ne levizje ky propozim? Ne cilen ministri duhet te drejtohemi? Cili insitucion e ka per detyre ta bej kete pune por ka neglizhuar? Ndoshta duhet filluar aty por nuk kam shume shprese qe do jene te gatcem te heqin dore nga lluksi i te paturit autoritet. Per disa vite ngrihet ky shqetesim ketu por nuk di te kete patur ndonje angazhim nga aktoret perkates nderkohe qe shqipja bastardohet.

    Shkrimet nga ky blog merren rregullisht nga mediat ne Tirane. I lus qe te marrin kete shkrim dhe te luajne rolin e ndergjegjesimit se keshtu ndoshta ky propozim bie ne veshet e duhur. Ftoj dhe lexuesit e tjere qe ta perhapin kete shkrim neper rrethet e tyre sociale.

    1. Të falënderoj për fjalën e mirë, por Shqipërisë nuk i mungojnë specialistët terminologë, as tradita e bashkëpunimit midis terminologëve dhe ekspertëve teknologjikë.

      Duhet vullnet i mirë dhe vëmendje institucionale; dhe sidomos duhet kuptuar se sot standardizimi i terminologjisë ose do të kryhet online, ose nuk do të kryhet: fjalorët prej letre nuk pinë ujë më, vjetërohen që pa dalë akoma nga shtypshkronja. Sikurse duhet kuptuar se shteti duhet të ndërhyjë ligjërisht në terminologji – jo të lajë duart, në emër të kriterit të pavarësisë institucionale; as të lejojë që, në mes të kësaj katrahure, komisionet ndërakademike të debatojnë me muaj nevojën e ndryshimit të shumësit të emrave me i të theksuar – nga kufinj, në kufij.

      Kur isha në Shqipëri, bëra disa përçapje për ta ngacmuar problemin; por atje, në të gjitha instancat, vetëm diskutohet për politikë kuadri: kush ikën e kush vjen. Ndoshta kësaj histerie emërimesh (ose këtij aktiviteti kinse politik që nuk kushton asnjë qindarkë) një ditë do t’i mbarojë benzina, pra…

  2. Kam degjuar se Akademia e Shkencave keto vite ka paraqitur ne parlament projektligje per mbrojtjen e gjuhes dhe te standardit. Nuk e di se ç’dispozita permbajne konkretisht ato propozime, por di qe deri me sot nuk kane hyre dot ne rend te dites per t’u diskutuar e miratuar.

    Edhe sikur te miratohen formalisht ligje te tilla, kush do te kujdeset per zbatimin e tyre? Duhet ngritur nje lloj policie gjuhesore qe te kontrolloje e te imponoje sanksione per shkeljet eventuale. Nuk di a ka ndonje vend normal ne bote qe ndjek nje praktike te tille.
    Pastaj, ne nje vend si Shqiperia ku nuk zbatohen ligje shume me te rendesishme per shoqerine dhe jeten e qytetareve, veshtire se mund te funksionojne masa te tilla.

    Per mendimin tim, e vetmja rruge efikase eshte qasja kulturore dhe arsimore, me fushata sensibilizuese ne media dhe ne shkolle.
    Duhet krijuar nje klime shoqerore e tille qe vete njerezit te behen te ndjeshem ndaj gjuhes dhe te reagojne ndaj shkeljeve gjuhesore. Nga pervoja vetjake mund te them se sot per sot, po t’u besh shqiptareve ndonje verejtje gjuhesore a terminologjike, ne rastin me te mire te marrin per rilindas te vonuar.

    1. Ma do mendja se, të paktën taktikisht, është më e lehtë të mbrohet ligjërimi sesa gjuha.

      Nuk është se po bëj lojëra fjalësh – por është më kollaj të gjobosh një kompani që e shet produktin me një manual përdorimi ku nuk përdoret terminologjia e miratuar, sesa të financosh, bie fjala, një konferencë për “pastrimin dhe pasurimin” e gjuhës shqipe.

      Dhe për këtë nuk ka nevojë fare për polici gjuhësore – në tregun e lirë, kontrollin e ndërsjelltë e stimulon, në mos e garanton konkurrenca.

      (Ndërkohë, me paratë e gjobave të mbledhura, mund ta financosh edhe konferencën përkatëse, ku të recitohen vjershat e Naimit dhe të Fishtës për gjuhën shqipe.)

      1. Terminologjise teknike neper manualet qe botojne kompanite dhe mund t’ia gjesh anen pa pasur nevoje per ligj. Tek e fundit behet fjale per nje numer te kufizuar kompanish dhe per nje rreth te ngushte specialistesh qe merren me perkthimin e tyre, te cilet fare mire mund te bien dakord per terminologjine. Puna eshte si t’ia besh mases se madhe te perdoruesve qe nuk i lexojne fare e s’duan t’ia dine per manualet ne shqip.

        Nuk e kisha fjalen per “pastrim e pasurim”, por pergjithesisht per kulture te gjuhes, pjese e se ciles eshte edhe terminologjia. Nese nuk ka nje ndjeshmeri shoqerore per kulturen e gjuhes, eshte e kote ta pretendosh ate me ligj vetem per terminologjine e zhvillimeve te reja teknologjike. Eshte si te perpiqesh te mbulosh me kesule lakuriqesine e dikujt qe del ne rruge pa breke.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin