PISLLËKU QË VJEN NGA JASHTË

[Ky shkrim është vazhdimi i një eseje, pjesën e parë të së cilës  e nxora te Trupi termometër. Sikurse pjesa e parë, edhe këtu jam përpjekur të përshkruaj dhe interpretoj, pa ndonjë pretendim shterrues, mënyrën si i kanë perceptuar sëmundjet e fëmijëve familjet urbane në Shqipërinë e viteve 1950-1960.]

Aksi pis – pastër

Grupi i dytë i sëmundjeve që kërcënojnë fëmijën, sikurse e di, sërish, çdo prind, është ai që prek sistemin tretës – stomakun, zorrët – dhe që shfaqet me të përziera, të vjella, dhimbje barku dhe heqje barku.

Sipas dijes popullore, të gjitha këto sëmundje depërtojnë në trup nëpërmjet gojës; dhe të gjitha lidhen, në një mënyrë ose në një tjetër, me ushqimin dhe jashtëqitjen.

Madje, meqë simptomat kryesore të sëmundjeve të tilla lidhen me anomali të nxjerrjes së nënprodukteve të tretjes (ushqimit) nga trupi – të vjellat dhe fecet – ose të jashtëqitjes, kjo ka ndihmuar në kristalizimin e një metonimie, sipas së cilës sëmundjet në fjalë shkaktohen nga kontakti i trupit, dhe pikërisht i gojës, me pisllëkun si karakteristikë, kryesisht të ekskrementit, ose të jashtëqitjes.

Të gjithë do të dallojmë këtu edhe një efekt madhor të tabusë së jashtëqitjes, e cila i nënvendoset porosisë për t’u qëndruar larg ekskrementeve, si vetvetiu të pista; duke luajtur kështu rol kritik në socializimin e fëmijës (përfshi edhe toilet training).

Për t’iu shmangur rrezikut të sëmundjeve të sistemit tretës dhe helmimit ushqimor (food poisoning), fëmija duhet të stërvitet me durim, për të dalluar se çfarë është pis dhe çfarë jo; duke pasur parasysh që një pjesë e mirë e pisllëkut është e kushtëzuar kulturorisht.

Prandaj edhe fëmijës që në fillim, dhe jo pa një farë urgjence, i shpjegohet që të mos futë në gojë gjëra që i ka marrë “nga toka” dhe të mos vazhdojë ta hajë bukën ose copën e mollës që i ka rënë përdhé; deri në atë shkallë sa ky të mësohet ta shoqërojë, në botëvështrim, konceptin e pisllëkut me dheun (baltën, pluhurin, dyshemenë – ose tokën).

Kjo është një arsye më tepër për ta mbajtur dheun jashtë shtëpisë; çfarë pasqyrohet edhe në zakonin e respektuar të të hequrit të këpucëve, kur dikush hyn në shtëpi nga jashtë.

Nëse dheu, në kuptimin shkencor të fjalës, nuk është veçse një përzierje ku mbetjet organike figurojnë mes përbërësve kryesorë, atëherë koncepti popullor për dheun si pis nuk është krejt i pabazë; qoftë ngaqë dheu përmban gjithfarë ekskrementesh dhe mbeturina të kalbëzimit të materjes me origjinë bimore, qoftë për shkak të mikro-organizmave gjithfarësh që jetojnë dhe shumohen aty natyrshëm.[1]

Megjithatë, vizioni i dheut, në raport me fëmijën, përfshin edhe një metonimi ekstreme, sipas të cilës dheu nuk është veçse një formë e natyralizuar ose e de-individualizuar e jashtëqitjes – duke pasur parasysh këtu dheun si pleh dhe si plehra, ose si mbetje nga objekte dikur të gjalla. Këtu dheu, që në një degëzim tjetër semantik të konceptit, është vendi ku varrosen të vdekurit, vjen dhe i afrohet edhe ai vdekjes, njëlloj si të ftohtit total në aksin e mëparshëm.

Edhe sëmundjet parazitare të rrugëve të tretjes, si ato që shkaktohen nga krimbat (askaridet, shiriti, etj.) vijnë prej dheut, ku ruhen vezët e tyre, ose jashtëqitjet e kafshëve pritëse ose vektorëve.[2]

Pyetja e parë që i bëhet fëmijës që e heq barku është: çfarë ke ngrënë? Dyshimi në këtë rast është se fëmija mund të ketë ngrënë ushqim të prishur – i cili s’është veçse një formë plehu ose sendi të vdekur ose diçkaje që është duke u shndërruar në dhé; ose edhe një frutë të palarë, të kalbur, të mykur, të ngrënë nga krimbi, të çukitur nga zogu ose të pështyrë nga miza (p.sh. një fik të tejpjekur dhe të çarë ose një kumbull të gjetur poshtë pemës).

Si edhe në rastin e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, higjiena folklorike nuk arrin deri në konceptin e mikro-organizmave si shkaktarë të infeksionit; por vepron sipas një modeli me natyrë metonimike, për shembull, duke shpjeguar se sëmundjet e rrugëve tretëse, sidomos ato me heqje barku ose çrregullime të jashtëqitjes, shkaktohen ngaqë fëmija ka ngrënë çfarë nuk duhej të hante, ose ushqime të ndotura me jashtëqitje; ose ka futur në gojë objekte të ndotura me dhé, ose që kanë qenë në kontakt me plehrat, etj. dhe, më në fund, të prishura.

Që të shmanget rreziku i infeksionit, ushqimi – dhe veçanërisht ai i fëmijës – duhet përgatitur me kujdes, duke u mbajtur larg pisllëkut ose duke ia larguar pisllëkun, p.sh. me larje ose dezinfektim; dhe, gjithsesi, vendi ideal se ku mund të kryhet kjo është, edhe një herë tjetër, shtëpia. Në shtëpi, ose brenda, prindi mund të krijojë një mjedis të lirë nga papastërtitë, sidomos nga dheu dhe relativisht edhe nga mizat, minjtë dhe vektorët e tjerë të pisllëkut. Prandaj edhe, kur fëmija ankohet se e ka zënë barku, nëna i thotë: do të kesh ngrënë ndonjë gjë jashtë. Sërish, aksi brenda – jashtë shërben për të artikuluar kontrastin mes shëndetit dhe sëmundjes, këtë herë në trajtat e pastërtisë vs. pisllëkut.[3]

Sipas këtij aksi do të orientohej njëfarësoj edhe rreziku i tetanosit përmes plagëve të shkaktuara nga gozhdë ose hekurishte të ndryshkura, meqë edhe ndryshku shihet si një lloj metali i prishur, i dekompozuar, i “jashtëqitur”; dhe prandaj bartës i një lloj helmimi të gjakut që mund të futet në trup nëpërmjet plagës.


[1] Mund të shihet edhe kundërvënia midis baltës dhe rërës, sa kohë që fëmija orientohet që t’i rrijë larg së parës, si pis, por jo të dytës. Në fakt, kultura urbane e shoqëron rërën me plazhin, larjen në det dhe pastërtinë, ose më mirë purifikimin; çka i kundërvihet drejtpërdrejt baltës, e cila ndot, ose përbalt (baltos). Vizualisht, ka një vijueshmëri midis baltës si ekskrement të dobët, dhe ekskrementit, si baltë të distiluar drejt esencës së pisllëkut. Rëra nuk merr pjesë këtu – meqë hyn në ekuacionet kuptimore si baltë e sterilizuar; ndryshe nga pluhuri, i cili mund të shndërrohet në baltë thjesht duke u lagur.

[2] Një burim tjetër i pisllëkut ushqimor, që shkakton sëmundjet e aparatit tretës, janë mizat: fëmijës i mësohet që të mos e futë në gojë ushqimin që ka hyrë në kontakt me mizën. Mizat nuk janë aq pis në vetvete, sa e transportojnë pisllëkun nga një vend në një tjetër (vektor); dhe kështu i përkasin së njëjtës kategori me buburrecat, milingonat, minjtë e shtëpisë dhe të tjera gjallesa të ngjashme.

[3] Këtu vjen doemos në vështrim trajtesa themelore e Mary Douglas, për pisllëkun (dirt) dhe pastërtinë (“Purity and Danger”). Autorja shpjegon aty edhe si ritualet e pastrimit dhe mirëmbajtja e një hapësire të pastër ndihmojnë për të përvijuar kufijtë e shtëpisë. Në këtë rast, paralelizmi me çfarë ndeshëm në rastin e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes nuk më duket i rastit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin