GJUHË DIPLOMATIKE

JanusDy faqe të gegnishtes post-standard në MAPO-n e sotme.

Nga njëra anë, Rudolf Marku ndërhyn edhe ai në debatin për kandidaturën e Ardian Ndrecës si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan, në lidhje me kritikën që ia pat bërë këtij deputeti Ben Blushi, për përdorimin e gegnishtes në dokumente dhe kontekste shtetërore, duke shënuar:

Ndjehesh i trishtuar tek mendon se profesor Ardian Ndreca, me komandën e latinishtes, greqishtes së vjetër, gjermanishtes, italishtes, frëngjishtes, anglishtes, duhet të diskutohet nëse është i denjë që të jetë ambasador i vendit të vet në Vatikan, ngase di dhe gegnisht…Gjë që do të thotë se dhe Luigj Gurakuqi, padër Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, at Zef Pllumi do të ishin të përjashtuar nga nderi për të qenë ambasadorë të vendit tonë për shkakun e mëkatit të gegnishtes.

Argumenti është manipulativ dhe, në thelb, i padenjë për penën e Markut. Ndrecës nuk ia kanë përfolur faktin që di gegnisht, as që e shkruan atë në publik; por faktin që ndoshta nuk di, ose nuk dëshiron të dijë, se kur duhet përdorur gegnishtja dhe kur shqipja standard.

Tek e fundit, të dish një gjuhë do të thotë edhe të dish edhe se kur nuk është e hijshme ta përdorësh. Me fjalë të tjera – e përfytyrojmë dot Ndrecën që t’i dorëzojë kredencialet si ambasador i RSh në Vatikan, i veshur me kostumin madhështor të malësorit dukagjinas?

Nga ana tjetër, Mehmet Elezi, një tjetër luftëtar i vendosur për rehabilitimin e kulturës së gegnishtes edhe popullore, edhe letrare, shkruan një editorial për Vaçe Zelën, dhe aty eksperimenton me një përzierje, ad libitum, të formave fonetike dhe morfologjike të standardit me ato të gegnishtes.

Ua kam parë edhe të tjerëve këtë përzierje, por e kam konsideruar zakonisht si simptomë të mos-zotërimit, prej tyre, të standardit; gjë që nuk e supozoj dot për një mjeshtër të sprovuar shqipes, si Elezi.

Që këtej, besoj se kemi të bëjmë me eksperiment, jo me mangësi në tekst.

Shkruan autori:

Vaçja me zërin qiellor kish qenë flaka. Borën e kishin shkaktuar të tjerët. Një këngëtar nuk duhej me këndue më shumë se dy këngë gjatë një shfaqjeje.

Vini re këtu jo vetëm përdorimin e paskajores gege me këndue, por edhe përplasjen morfonologjike midis ue-së te këndue, me ua-në te shkaktuar.

Në mënyrë tipike, Elezi kombinon në ligjëratën e vet forma të pjesores me –uar dhe forma të pjesores me –ue, duke e shkelur qëllimisht normën gramatikore të shqipes.

Aty lexon paragrafe si ky më poshtë:

Një këngëtar nuk duhej me këndue më shumë se dy këngë gjatë një shfaqjeje. Ky ishte rregulli. Për recital as që mund të bëhej fjalë.

Këtu unë gjej një kundërvënie mes paskajores gege (duhej me këndue) dhe lidhores së standardit (mund të bëhej) – e cila i shkon në themel strukturës gramatikore të shqipes. Pyetja ime: a mund të bashkëjetojnë këto forma gramatikisht të barasvlershme?

Më tej akoma:

Në qoftë se Vaçe Zela do të kish ardhur në jetë pak më vonë, për të kënduar në një Shqipëri të hapur, do të ish njohur si Kadareja i këngës shqiptare.

Ndërsa pak më poshtë:

Një këngëtar nuk duhej me këndue më shumë se dy këngë gjatë një shfaqjeje.

Duke përdorur kështu, brenda të njëjtit tekst, dy forma të ndryshme të pjesores: kënduar dhe këndue.

Po ashtu:

E kishim dëgjuar shumë herë në radio, sidomos në programin me muzikë të kërkuar Radio-Posta, kishim parë ndonjë fotografi të shpërlarë bardhë e zi nëpër gazetat e kohës. Tashti, ja rasti me e ndjekë drejtpërdrejt në skenë, me e pa e me e dëgjue disa hapa larg teje.

Edhe këtu, e njëjta pjesore në dy forma të ndryshme, të cilat përndryshe në shqipe e përjashtojnë njëra-tjetrën: kush thotë dëgjue, nuk thotë dëgjuar, dhe anasjellas; kush thotë parë, nuk thotë pa dhe anasjelltas.

Alkimia e formave paralele, prej të cilave njëra është standard dhe tjetra jo, arrin përpjesëtime alarmuese.

Gjithsesi, në tekstet laboratorike të Elezit kemi ndeshim dy dukuri të ndryshme: e para, është me natyrë morfo-sintaksore: përdorimi i paskajores gege, ose e formës me + pjesore në vend të lidhores së standardit; e dyta, është bashkëjetesa e dy pjesoreve, asaj të standardit (toske) dhe asaj të shkurtër gege, të cilat dallojnë mes tyre fonetikisht.

Elezi fut herë pas here, por jo rregullisht, forma të paskajores gege të cilat përdorin pjesoren gege; edhe pse, sipas së njëjtës logjike dhe metode, njëlloj mund të pritej prej tij edhe një formë e tillë si me punuar (ku hibridizimi vepron brenda formës gramatikore, në vend që të veprojë brenda tekstit).

Përndryshe, ky eksperiment i autorit më kujton teknikat e densibilizimit, p.sh. në mjekësi; si orvatje për ta mësuar lexuesin me bashkëjetesën e formave gjuhësore përndryshe të papranueshme – si bashkëjetesë.

Nuk di ç’do të kish thënë Rudolf Marku për këtë shqipe eksperimentale të Elezit – a do ta konsideronte vallë si cenim strukturor e lëndim jo vetëm të standardit, por edhe të gegnishtes vetë? Pa folur pastaj për Blushin dhe qortimet e tij protokollare, në atë masë që edhe Elezi i përket ka përkitur shërbimit diplomatik të Republikës, si ish-ambasador i Shqipërisë në Zvicër.

Nuk ka komente

  1. shume shkrim kritik dhe aktual
    po jam kurioz, a ka ligj me denue keta dopjostandartistet? nese jo, pse nuk nxjerrim nje ligj qe t’i fus edhe keta qe perdorin dopjostandardin tek trollat?

    Rexhati

  2. Rudolfi ia fut kot.
    Blushi nuk e hodhi poshte kandidaturen e Ndreces, por duke e miratuar ate, i kerkoi kandidatit qe, kur te jete ambasador, te perdore gjuhen e shtetit ne komunikimet zyrtare me shtetin.

    Sa per Elezin, ai ka vene ne zbatim nje kerkese te vjeter per te shtene paskajoren gege ne standardin e sotem dhe per ta perdorur ate si zgjedhje te lire, krahas lidhores se standardit, pa prekur formen standarde te pjesores ne te gjitha perdorimet e saj (ne perberje te trajtave te perbera te foljeve, ne perdorime mbiemerore etj.)
    Ne raport me kete propozim, e vetmja inkoherence ne shembujt e mesiperm eshte perdorimi i paskajores toske “për të kënduar” bashke me ate gege “me këndue”. Per te qene koherent duhej te kishte perdorur vetem ate gege.

    Mua nuk me ka pelqyer kurre ky propozim, sepse mendoj se nuk mund te perzihen elemente morfologjiko-sintaksore nga sisteme te ndryshme gjuhesore.
    Mirepo ketij argumenti tim perkrahesit e shtenies se paskajores gege i jane pergjigjur me argumentet kostallariane, pra duke me kujtuar se ne standardin e sotem kemi mjaft elemente morfologjike gege, perfshire edhe format e pjesores gege si teme fjaleformuese ne: mesues, perdorues, mendueshem, i besueshem etj.

    Nuk besoj qe ky model mund te fitoje prestigjin e nevojshem per t’u ngritur ne nivelin e standardit, aq me teper kur sillet nga pena pa prestigj si ajo e M. Elezit.

  3. 2xha: “Pyetja ime: a mund të bashkëjetojnë këto forma gramatikisht të barasvlershme?”

    Pyetja është me vend, ku te dy format “gramatikisht te barasvlershme” janë variante morfo-sintaksore kompetitive.

    Ndoshta M. Elezi novator (duhet te jesh i tille qe te sjellësh një risi te re), me zgjuarsi, na ka ofruar një hibridizim ne tekstin ne fjale, për te pare reagimet e lexuesve.

    Te dyja format ne te njëjtin tekst (ne gegërishte dhe toskërishte), si variante morfo-sintaksore, nuk duket se stonojne, (jo detyrimisht për shkak te standardizimit, normës akoma te debatueshme) apo përjashtojnë njëra tjetrën; mund te bashkëjetojnë ne një bashkekzistence te paqme. Këto janë konsiderata personale para se gjithash!

    Sprova e Elezit mund te konsiderohet dhe shihet si një lloj “provokimi”, veçse i padëmshëm, pozitiv, i udhëhequr prej qëllimeve te mira qe vene ne dyshim tabute e derisotshme.

    Me gjithë tribulimet, trazimet qe sjell kjo përqasje, te përkushtuarit e kauzave te tilla, duan te sfidojnë aforizmin “the road to hell is paved with good intentions”, shprehje e cila mund te interpretohet ne disa variante.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin