ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: E KREMTE, KRIPË

kremte (e) f. “ditë feste kishtare”. E paspieguar te G. Meyeri 205. Bugge (BB XVIII 168) mendon për një afrim me gjerm. e lartë të vj. hirmen “me pushue, me u prehë”. Jokli Studien 41 e lufton këtë barazim me të drejtë, me arsyetimin se kuptimi i së kremtes si ditë pushimi është judaik-kristian. Afrimin që bën ai vetë me gjerm. Ruhm “famë”, ind. e vj. carkarti “përmend me mburrje”, gr. κήρυξ “kasnec” e kundërshton Thumbi (Gött. Gel. Anz. 1915, f. 24) për arsye kuptimore e formale, e me të bashkohet dhe Walde­-Pokorny I 353v. Khs. dhe Oštir (Arhiv II 282, 310).

Fjalë e sferës kishtare, që është për­gji­thë­suar në një fjalë laike. Në Kalabri për “gëzim, festë” (V. Dorsa te G. Meyer, Alb. Gram. 71); në Greqi e krëmptea (G. Meyer AS V 49), me zhvillim të një p-je si tingull homorganik pas m-së. Neologjizma janë kremtoj e kremtim m. Ashtu si emrat e ditëve të javës, edhe e kremte është një mbiemër, dalë nga një elipsë prej ditë e… (sh. SCL 4, 1959, 532, 533 shën. 1). Duke u nisur nga kjo që në shqipen i mirë përdoret dhe për “i shenjtë”: vend i mirë (Kristoforidhi 21), natë e mirë, vorre të mira (kjo në Qafmurrë), dhe që ditë e kremte do të jetë “ditë e shenjtë”, mund të mendohet për e kremte një kuptim më i lashtë “e mirë”. Atëhere fjala lejon një krahasim me tok. krent “i mirë”, krentaune “mirësi” që citon Meillet IJ I 10. Në shqipen e kremte dhe e premte përbëjnë një çift fjalësh që formojnë rimë, dhe që duket të kenë ndikuar njëra-tjetrën, sh. e premte.

kripë krypë f.; krip, kryp, kripój, kripësój, kërpíj, krëpíj, në Siqeli kuprínj “i shtie kripë; i shtie përsipër sheqer, hi”; kripaník kripës kripsnik krypësník m. “boskë”, krypçë krypenicë f. “kripanik”; kripësirë f. “shëllirë”; krypanéc m. “lakror me hithra”, krypësht m. “Alyssum mari­ti­mum”, pas Gazullit “Turgenia” krypëç f. “Tamarix, brukë”, krypësorrë f. “kuarc, kalcit” (Gazulli, sh. sorrë); i krypshëm “i kripur”. – Fjalë e afër me sll. krupa (sll. e vj. kishtare krupa “thërrime, thërmiqe”, skr. krúpa “breshnizë, breshër” etj.); khs. G. Meyer f. 206, AS III 4, Jokl LKU 89, 287, Berneker I 630, Walde-Pokorny I 482, Tagliavini 161 (me literaturë), Po­kor­ny 623. Fjala shqipe, si refleks i një baze *krūpā, qëndron në raport apofonie me fjalën sllave dalë nga një *kroupa, Jokl IAnz 35, 36, Vasmer I 35, REW I 671 me literaturë. Në këto rrethana forma kripë, kryesisht e toskërishtes, është sekundare, krypë primare, jo anasjelltas, si mendon La Piana SLA Varia 44.

Forma me -i- kryesisht e toskërishtes, ajo me -y- e gegërishtes. Del sëpari në një dokument latin të vitit 1403 me zgjerimin gripareas “anije ngarkuar me kripë” (Act. Alb. II 742), me kr-në nistore sonorizuar në gr-, si shpeshherë, e me sufiks -are. Me­ndi­mi i V. Hehnit, pranuar prej G. Meyerit, që lituanishtja e shqipja e kanë humbur fjalën e vjetër për “kripë”, për shqipen nuk është i drejtë, sh. i ngjelmët e shije.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin