PËLLUMBA, SKIFTERË DHE PUPLA (JASTËKU)

nga Elton Dusha

 “Njeriu jeton në një shoqëri në mënyrë që të përmbushë ëndrrat dhe dëshirat e tij; dhe e vetmja arsye për krijimin e një autoriteti qendror është mundësimi i një ambienti që lehtëson këtë përmbushje…”

Pierre Elliot Trudeau

Shkrimi i Xha Xhait Pëllumba dhe Skifterë vë në pah një debat të vjetër institucionalist që e sheh zhvillimin e një shoqërie si një formë konkurrence midis aktiviteteve prodhuese (pëllumbave) dhe atyre zhvatëse (rent seeking, extractive), të të ashtuquajturve skifterë. Në të vërtetë,  ky argument, me uniforma të ndryshme (Douglass North, Putnam, Acemoglu & Robinson, Besley & Persson) ka kohë që paraqitet në tregun e ideve si një nga arsyet me thelbësore të rrënimit/lulëzimit të shoqërive moderne.

Ndonëse logjika e artikullit është e plotë dhe përfundimi që nxirret i vetëpërmbajtur në tërësinë e argumentit, problemi nuk qëndron në mënyrën se si shqiptarët sillen përballë strukturave të përfitimit që e bëjnë zhvatjen me leverdi, në këtë rast shqiptarët sillen si çdokush tjetër. Problemi qëndron në faktin që struktura të tilla ekzistojnë në Shqipëri. Një lexues i vëmendshëm mund të bëjë 2 pyetje: Pse në Shqipëri mbizotërojnë strukturat që e bëjnë zhvatjen më fitimprurëse? Nëse njeriu është me të vërtetë produkt i ambientit, kush e ndryshon ambientin që produkti të mos jetë kaq i kalbur?

Për t’iu përgjigjur pyetjes së parë, shoqëria shqiptare duhet parë në kontekstin historik që fillon para pavarësisë. Le ta thjeshtëzojmë zhvillimin institucional të një vendi në dy etapa; 1) krijimi i një shteti qendror që ka fuqinë (de facto dhe de jure) e ligjvënies dhe zbatimit dhe 2) demokratizimi i vendim-marrjes (vetëvendosja) ose pjesëmarrja e shumicës së popullatës në procesin e qeverisjes. (shih Acemoglu & Robinson) Hapi i parë është i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për të krijuar një shoqëri/ekonomi të suksesshme, ndërsa hapi i dytë është edhe i nevojshëm edhe i mjaftueshëm nëse hapi i parë është i suksesshëm. Ç’do të thotë kjo; një shoqëri si Perandoria Otomane ishte shembull i një shteti qendror të fortë i cili dështoi që të përfshinte në procesin e vendim-marrjes një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe prandaj përfundoi në një mini-revolucion të suksesshëm (ndonëse Turqit e Rinj nuk ishin demokratë të flaktë, ishin forcë modernizimi në krahasim me oborrin perandorak). Dështimi i perandorisë Otomane ishte një dështim politik me rrjedhoja të forta ekonomike për shkak se ishte një sistem politik tërësisht zhvatës (extractive) për sa i përket lëmit ekonomik.

Në këtë rast përdora Perandorinë Otomane sepse Shqipëria e pas-pavarësisë trashëgoi pothuajse pa ndonjë thyerje thelbësore (përveç një revolucioni të shkurtër dhe të dështuar) institucionet e perandorisë. Me këtë nuk dua të them që në Shqipëri kishte oborrtarë dhe vezirë, por që struktura e ndërtimit të shoqërisë ishte një kopje e asaj otomane. Kur flasim për strukturën flasim për marrëdhëniet e popullatës me shtetin dhe me njëri-tjetrin. Shqipëria e pas-pavarësisë ishte deri diku një çiflig i madh ku shteti mbretëror luftoi dhe fitoi të drejtën për të patur monopolin e dhunës dhe ligjvënies (si çdo shtet tjetër modern). Megjithatë, aktiviteti ekonomik nuk ishte i lirë, por gjithnjë në varësi të shtetit. Pra shteti si forcë për ruajtjen e pushtetit të një klase të caktuar, aktivisht caktonte hyrjen në aktivitet ekonomik nëpërmjet monopolit të dhunës. E thënë më qartë, e drejta e sulltanit për t’ia hequr dyqanin apo tokat dikujt u trashëgua në Shqipëri dhe iu dha mbretit. Kështu, në Shqipëri nuk kishte kontroll ligjor që të kufizonte autoritetin e mbretit. Në këtë atmosferë, shteti është në vetvete zhvatës, dhe aktiviteti prodhues, që deri diku mund të ketë ndonjë vlerë, është jo me leverdi. Për me tepër, për një njeri me aftësi, marrëdhënia me shtetin dhe fitimprurja që vjen nga kjo marrëdhënie është shumë më e sigurt dhe më e madhe se sa një marrëdhënie ekonomike private. P.sh., ta zëmë se një tregtar A në Shkodër gjente një burim mallrash me çmim të ulët. Ky tregtari hipotetik ka dy rrugëzgjidhje: 1) me kapitalin që ka, të blejë mallrat dhe t’i sjellë direkt në Shkodër për shitje ose 2) t’i thotë një tregtari B që ka siguruar monopolin e tregtisë në Shkodër dhe të marrë një pjesë të fitimit. Zgjedhja e parë është relativisht me fitimprurëse, por pothuaj e pamundur për faktin që shteti favorizon drejtpërdrejt monopolin në tregti. Atëherë tregtari ynë hipotetik zgjedh variantin 2. Në këtë rast, nëpërmjet monopolit, shteti është zhvatës indirekt. Pra aktiviteti ekonomik është aq i komanduar nga shteti zhvatës, saqë mënyra e fitimprurjes varet drejtpërdrejt nga shteti (këto lloj allishverishesh nuk janë të huaja për shtetin shqiptar sot). Në këtë rast të thjeshtë, marrëdhënia me shtetin është më fitimprurëse sesa tregtia e drejtpërdrejtë. Biles, mund të thuhet që shteti është epiqendra e marrëdhënieve ekonomike. Atij tregtarit B hipotetik e drejta e tregtisë i vjen indirekt nga shteti, dhe jo nga aftësia e tij për tregti. Nëse shteti është zhvatës, mënyra se si një shoqëri organizon veten do të jetë rrjedhimisht zhvatëse, sepse e tillë është forma e përfitimit.

Roli i shtetit shqiptar ka qenë, pothuajse pa ndalim vazhdimësie që në 1912-ën, tërësisht qendror në jetën ekonomike shqiptare. Duke qenë i tillë, ka krijuar një lloj marrëdhënieje të sëmurë midis individit dhe shtetit. Të dy e shohin njëri-tjetrin si mënyrë për të përfituar, biles qytetari shqiptar e sheh shtetin si mënyrën e vetme për t’u majmur. Duke qenë se shteti zhvatës është aktori kryesor ekonomik, edhe mënyra e organizimit të aktivitetit ekonomik është domosdoshmërisht zhvatëse, pra dominohet nga skifterët. Nëse monopolizimi i aktivitetit ekonomik është mënyra nëpërmjet se cilës funksionon ekonomia shqiptare, dhe monopolizimi bëhet nga shteti, loja është gjithmonë zero-sum (çdo lek i fituar nga dikush është një lek i humbur nga dikush tjetër). Në këtë lloj ambienti strategjia dominante është zhvatja, jo kooperimi.

Douglass North flet në “Structure and Change in Economic History” për dy lloj institucionesh; 1) institucione kontraktuale (sa e besueshme është kontrata midis dy individëve dhe sa i mundshëm është zbatimi i saj) dhe 2) institucione që parandalojnë marrjen me dhunë të pronës nga shteti (predatory theory of the state). Në Shqipëri, institucionet e 2-shit kanë qenë deri diku joekzistuese dhe për mendimin tim kanë bërë të pamundur që institucionet kontraktuale të zhvillohen në mënyrë normale. Domethënë, nëse shteti në vetvete është zhvatës, është e pamundur që marrëdhënia e individëve midis tyre të mos jetë zhvatëse gjithashtu. Nëse kontrata me shtetin nuk ka vlerë, gjithashtu dhe kontrata midis individëve nuk mund të ketë vlerë nëse njëri prej tyre mund të përdorë shtetin si levë për të thyer kontratën kur ajo nuk i leverdis.

Natyra oktapodiane e shtetit shqiptar është tashmë e qartë për të gjithë ata që e kanë ndjekur politiken shqiptare këto njëzet vjetët e fundit. Me natyre oktapodiane dua të them që shteti shqiptar, herë me hir e herë me pahir, është në prapaskenat e çdo aktiviteti ekonomik në Shqipëri. Si i tillë, ky shtet është thjesht rentier (rentier state) dhe shumë rrallë ndërhyn pozitivisht në jetën e individit. Për më tepër, kontrata sociale në Shqipëri ka dështuar totalisht, domethënë marrëdhënia e qytetarit me shtetin nuk funksionon dot normalisht sepse të dyja palëve u mungon eksperienca e një shteti që është në varësi të vullnetit popullor. Me qartë; qytetari shqiptar e sheh shtetin si një pengesë që duhet shmangur ose kapërcyer, ose si një burim të ardhurash në rast se e ka parë ëmbël fati. Nga ana tjetër, shteti e sheh qytetarin si pengesë për të arritur qëllimet e veta të ngushta dhe nuk mund ta konceptojë dot veten si shërbëtor publik (public servant). Kjo ka krijuar një ekonomi fiktive, ku shteti është në vetvete industri, dhe si i tillë, duke patur monopolin e ligjvënies dhe zbatimit, përdor dhunën ligjore për të majmur veten. Kur flas për shtetin shqiptar kam ndërmend vetëm individët që e përbëjnë atë, sepse shteti shqiptar si koncept është ende i pazbuluar.

Ç’u tha më sipër (po të thuhej me thukët) do të ishte pothuaj përkufizimi i një shteti dështak (failed state). Në marrëdhënien me një shtet demokratik, individi i dorëzon vullnetarisht një pjesë të lirive vetjake në mënyrë që shteti të kryejë ato funksione që shoqëria nuk mund t’i kryeje pa një ndërmarrje kolektive. Nëse shteti shqiptar është i paaftë ose i painteresuar të kryejë funksionin për të cilin individi i jep të drejtën të ekzistojë, atëherë përse duhet që individi t’i japë këtij shteti të drejtën e ekzistencës? Në këtë stad është dhe marrëdhënia e qytetarit shqiptar me shtetin që e përfaqëson atë. Kur një polic ndalon dikë në rrugë, ai nuk sjell ndonjë ndjesi respekti apo frike, i ndaluari nuk e sheh policin si përfaqësuesin e një strukture që është vendosur në rrugë për të ruajtur rendin, por thjesht si një instrument për lehtësimin e kuletës. Në këtë mënyrë, shteti shqiptar ekziston vetëm për inerci, ose thjesht për të përligjur kufijtë politikë të republikës shqiptare (nuk ka vend pa shtet) por jo si kontratë me individin.

Përfundimi? Nëse ne kërkojmë një shoqëri të drejtë, është e nevojshme që të kërkojmë zmbrapsjen e shtetit nga arena ekonomike shqiptare. Në të vërtetë, një forcë politike pragmatike do të kishte sloganin: “Vraje Shtetin – (ose të paktën priji krahët)”. Megjithatë, mesa shoh duke lexuar shtypin shqiptar, ideja e shtetit si shpëtimtari i individit ngelet dominante në Shqipëri. Dhe, megjithëse shteti shqiptar vazhdon ta zhgënjejë individin, qytetari e ka pothuaj të pamundur të krijojë një jetë ekonomike të pavarur sepse shteti është i pakufizuar në vetvete. Pra suksesi individual është i pamundur pa përfshirjen e shtetit (ndoshta kjo ka të bëjë me privatizimin deri diku, është një tezë interesante që mund të hulumtohet me tej). Jam i ndërgjegjshëm për faktin që zmbrapsja e shtetit kërkon pushtetarë që të luftojnë kundër interesit të ngushtë vetjak, dhe ndonëse në përgjithësi optimist, nuk shoh ndonjë syresh që të ketë vullnetin e duhur. Megjithatë, më duket me vlerë që të shqiptohet një platformë e qartë që vë në krye të qëllimeve të saj zvogëlimin e rolit të shtetit në shoqëri, dhe që e kërkon suksesin në aftësitë dhe iniciativën vetjake dhe jo në lidhjet me burokracinë e shtetit.

Ky lloj argumenti tingëllon ideologjik, dhe jam i bindur që kushdo që e lexon do të përmendë neo-liberalizmin, Von-Mises e të tjerë austriakë. Që të jemi të qartë, unë nuk do të rekomandoja të njëjtën gjë në Kanada, Danimarkë, Suedi apo gjetkë. Nuk jam ideologjikisht kundër shtetit aktiv në jetën ekonomike. Por ky rreth vicioz që ka zënë vend në Shqipëri duhet thyer, dhe duhet thyer në mënyrë të tillë që parazitizmi të bëhet pothuaj i pamundur. Dhe parazitët me të mëdhenj në shoqërinë shqiptare sot kanë tituj qeveritarë. Ndoshta në një të ardhme relativisht të afërt, marrëdhënia e individit me shtetin do të ndryshojë, por deri atëherë duhet që procesi i krijimit të të ardhurave në vend të bëhet jashtë strukturave shtetërore.

Rreth Autorit

Elton Dusha është i doktoruar në Universitetin e Torontos, dhe prej vitesh ushtron profesionin si profesor, analist, dhe konsulent ne fushën e ekonomisë. Fokusi i punës së tij është makroekonomia, veçanërisht politikat monetare, zhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe tregjet financiare. Përveç publikimeve akademike, ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në diskursin publik, sidomos gjatë qëndrimit të tij në Kili, nëpërmjet artikujve për institucionet shtetërore dhe publikun, ku prek tema kyçe dhe aktuale për politikat ekonomike.

Author Archive Page

Nuk ka komente

  1. Me nje fjale, ky “ilac” qe i’u dha bujarisht ketij vendi pas 90, nuk paska qene ne doza te mjaftueshme…..
    Qe te “shpetojme foshnjen” duhet te hedhim ne ere kete rradhe shtepine qe nga themelet…..
    Eshte shume prekese te shohesh pellumbat e neoliberalizmit globalist te cicerijne shqip!

  2. Interesante, por mungon fjalekyçi, dmth krimi.
    Shteti eshte totalisht i kapur prej krimit, kudo tendera, ankande,privatizime, monopole, evazioni fiskal etj jane ne duart e krimit te lidhur me politiken.
    I vetmi ndryshim nga Siçilia eshte se atje krimi eshte i organizuar, ka hierarki te qarta e te konsoliduara.
    Krimin e kane kontrolluar disi vetem Berisha dhe Meta, sepse kane rrjetet me te fuqishme (affiliati) te krimit.
    Majkua si kryeminister ishte aksidental, Nano e Rama kane pasur/kane rrjete me te dobeta.

    Ndoshta ndonje dite do te dale ne drite roli i ish-Sigurimit (i cili sikunder dihet tashme u specializua gjate viteve ’80 ne shitjen e droges dhe armeve ), jo si organizate alla Cosa Nostra, por si grupime te pavarura qe i dhane jete apo mbeshteten format me te suksesshme te krimit te organizuar (ato te fshehtat qe s’i kap kush, jo ato te çunave te lagjes qe mbushin burgjet e Europes).
    Kur te dale ne drite, mbase nuk do veme deri tek Perandoria turke per te gjetur shkaqet.

    Problemi i shtetit eshte se perben mburoje dhe burim te ardhurash per krimin. Rasti i fundit i killerit Sinanaj, nxorri ne drite qe urdheruesi Karçini ishte i lidhur me PS-ne ndersa P. Bare i lidhur me PD-ne. Nuk jane thjesht dy biznesmene rivale, jane dy persona qe kane bere leke e jane mbrojtur prej partive. Po te ishin transparente te ardhurat e fushatave do i gjeje financues te partive perkateve.

    Nqs behemi partizane te liberizmit, i heqim shtetit deri diku funksionin si burim te ardhurash per krimin, por nuk i heqim dot funksionin e mburojes. Nga ana tjeter edhe funksioni si burim te ardhurash veç sa dobesohet ne shkallen e dyte (ate pjese qe lidhet me zvogelimin e administrates, rrjedhimisht kontrollin me te dobet mbi votat), por shteti liberist eshte perseri burim te ardhurash, sepse s’mund te jete kurre totalisht liberist (s’ekziston ndonje i tille ne hapesire e kohe). Do kete gjithnje kuota importi e kuota eksporti, evazion fiskal, tendera e ankande e me radhe.

    Me i rendesishem do te jete zeri i evazionit fiskal sepse shteti edhe me i kulluar liberist do kete serisht taksa, pasi s’ka shtet pa taksa.

    Edhe sikur 10% te jete niveli i pergjithshem i taksave (futi brenda te gjitha llojet), do te jete mjaftueshem qe ai i cili do kryeje evazion fiskal, te avantazhohet ne treg (me 10%) dhe te nxjerre jashte tregut rivalin korrekt, dmth pa mbrojtje politike.

    Ne gjithe boten krimi eshte i lidhur me politiken, po ne jemi ne shkallen e Siçilise. Ne kete sistem nuk ka ndonje peshe te madhe modeli qe ndiqet, megjithate duhet pranuar se vetem liberizmi krijon hapesira per ndryshim, pasi nuk te lejon kontrollin e larte te votes.

    Ne kete kuptim, forca e vetme per ndryshim, pa frike se them ndonje blasfemi, eshte fshataresia, pasi aty shteti dhe rrjedhimisht krimi, kane me pak ndikim. Problemi eshte se fshataresia nuk ben dot revolucion, dmth fshataresia punon token e ka me shume pavaresi prej shtetit/krimit, por nuk perben kontigjent per ndryshimin e sistemeve.

    Ne Shqiperi po qe se thua shtet, thua krim, rrjedhimisht duhet te jemi liberiste.

  3. fokusimi tek institucionet te ben te verber ndaj dinamikave te pushtetit. nese shteti shqiptar eshte neopatrimonial me institucione formale e kryesisht joformale te mbartjes dhe ekzekutimit te pushtetit te lidhur me tarafe familjare (mjafton te shohesh sistemin bajraktar ne partite politike, ne sistemin financiar, ne gjykata etj.) atehre pushteti politik dhe ekonomik eshte i lidhur me shtetin.. eshte i vetmi aparat qe mundeson mbijetesen e entiteve ekonomike ne vend. afermendsh qe zgjidhja eshte sic e keni propozuar: qe shteti te prapesohet ne funksionet elementare te sigurise. Por kjo kerkon nje shtet te forte nga jashte dhe brenda, qe zoteron monopolin e dhunes … dhe ky nuk eshte shteti neopatrimonial shqiptar.. pra shteti eshte shqiptar eshte perjashtimisht ne rolin e tij zhvates, ai nuk mund te siguroje qytetarin nga kercenimi i brendshem dhe i jashtem .. dhe ti thuash zhvatesit (bandave sic shprehet Charles Tilly) qe terhiqu ne funksionet e tua primare, eshte si ti thuash ujkut te behet vegjetarian

  4. Mesa kuptohet nga parashtrimi; problemet e Shqiperise jane me se shumti te rrafshit te drejtesise. Sado liberal apo social te jete ndertuar shteti serisht drejtuesit e nje nderrmarje – qofte kjo monopol privat apo shtetror – do ti zhvasin konsumatoret nese nuk kontrollohen nga nje institucion i jashtem apo nese nuk ekziston nje sistem i ndershem drejtesie (ligje prokurore, gjykates) qe do ti penalizonte. Edhe gjobvenesi polic do ti vendoste njelloj ato gjoba. Pra eshte funksioni regalien i drejtesise qe duhet te mbarte shteti qe nuk funksionon dhe ky funksion eshte i domosdoshem njelloj sipas çdo teorie ekonomike; liberale, kejneziane, komuniste … Cila mund te jete zgjidhja e gjithe kesaj zamallahie? Sipas meje; vetem permiresimi i sistemit te drejtesise apo ndryshimi rrenjesor i funksionimit te tij. Duhet rindertuar ne menyre te tille qe ta kete te veshtire te korruptohet. Perndryshe mendoj se shteti shqiptar duhet te nderhyje me shume ne ekonomi. Duhen ndertuar strategji zhvilluese te sektoreve te ndryshem, subvencionuar prodhimet vendase, vendosur barriera mbi ato te huaja … etj, ashtu siç ben apo perpiqet te bej çdo shtet tjeter.

  5. Per nje shkrim qe ka per qellim plotesimin e mangesive te nje shkrimi tjeter, eshte gjynah qe ka kaq shume mangesi per vete. Problemi vertete eshte qe ne Shqiperi ka struktura te tilla qe e bejne zhvatjen fitimprurese; dhe po aq me vend eshte edhe ideja se jo vetem ambjenti e ben njeriun por edhe njeriu ambjentin. Por mbetem skeptik ndaj keshilles per tkurrje te shtetit, dhe jo vetem per shkak te “pussyfooting” te autorit me ideologjine neoliberale, por sespe e mbi identifikon shtetin me titullaret e tij, pavaresisht se ciles ideologjie i perket ky mbi identifikim.

    Me cfare kuptoj nga rrethi vicioz dhe shnderrimi i tij ne nje rreth virtuoz, nuk mund te ruash njekohesisht kete mbi identifikim te shtetit qe ne koncept me titullaret grabitqare, dhe me tej te shqiptosh me rregull treshi zvogelimin e rolit te shtetit. Nese duam te prishet rrethi vicioz, duhet shtetin ta identifikojme me dicka qe shkon pertej zyrtareve dhe burokracise, me dicka si republika, apo premtimi per drejtesine apo barazine. Perndryshe, jemi duke pranuar premisen e titullareve grabitqar, se “shteti eshte imi, dhe shteti jam une,” pikerisht premisen mbi te cilen ngrihet rrethi vicioz.

    E cuditshme ketu eshte se Dusha e di qe keshillat e tij tingellojne neoliberale, se problemi nuk eshte shtruar ndryshe pervecse ne terma te tkurrje te shtetit, dhe megjithate, meton ta shtroje problemin po njesoj duke pritur kesaj rradhe rezultate te tjera.

    Pa merak Dushe, e lexova disclaimer qe kishe vene ne fund, por nuk di c’te bej me te. Ne rastin me te mire e lexoj si moralizem naiv e dhembeshkulur, “zmbrapsja e shtetit kërkon pushtetarë që të luftojnë kundër interesit të ngushtë vetjak,” njesoj si dhe fajin per krizen e 2008-es e kishte babezia e financiereve dhe jo mbi identifikimi i mireqenies se pergjithshme me mireqenien e ketyre financiereve; dhe ne rastin me te keq eshte cinizem i zakonshem skifteresh, “e dime qe kjo qe po shtrojme eshte ideologjike (ne kuptimin klasik te termit — hi syve) por le te bejme sikur nuk eshte, le te bejme sikur shteti, qe pak me pare e diagnostikuam si te deshtuar dhe inekzistent ne raport me qytetarin hallexhi, eshte ne fakt ne cdo skute e qoshe te shoqerise dhe pengese per individin.”

    Shkurt, nuk e kuptoj se pse ne nje shkrim perndryshe te sakte, shteti dhe roli i tij vazhdon te perkufizohet me ane te lidhjeve personale me te, aq sa tkurrja e faktorit te lidhjes personale me shtetin perkthehet si tkurrje e shtetit, nderkohe qe do duhej te behej me eksplicite e anasjellta? Nuk e kuptoj pse shkrimi flirton me terma ideologjike te atij lloji qe deri me sot na kane cuar pikerisht tek nje sukses indivdual te paimagjinueshem pa lidhjet personale me shtetin? Me fjale te tjera, si mund te shmange kjo tkurrje e shtetit papergjegjesine e shtetit ndaj nje shumice gjithnje e me e madhe, dhe kapjen e shtetit nga nje pakice gjithnje e me e vogel?

  6. Do t’i kthehem edhe unë, për një moment, “institucioneve kontraktuale” për të cilat flet Douglass North, të cilat, siç e vëren Dusha me të drejtë, nuk janë lejuar të zhvillohen në mënyrë normale në Shqipëri.

    Thotë Dusha:

    nëse shteti në vetvete është zhvatës, është e pamundur që marrëdhënia e individëve midis tyre të mos jetë zhvatëse gjithashtu. Nëse kontrata me shtetin nuk ka vlerë, gjithashtu dhe kontrata midis individëve nuk mund të ketë vlerë nëse njëri prej tyre mund të përdorë shtetin si levë për të thyer kontratën kur ajo nuk i leverdis.

    Problemi që shoh unë mund të formulohet kështu: marrëdhënia e individëve mes tyre mund të jetë zhvatëse pavarësisht nga nëse është apo nuk është shteti zhvatës.

    Kjo ka të bëjë me shkallën e besimit (trust) që duhet, për të lidhur edhe kontratën më të thjeshtë ekonomike, të themi tregtare. Kjo shkallë besimi nuk është se varet kryekëput nga natyra e shtetit – është parametër i pavarur nga marrëdhëniet e palëve në transaksion me një autoritet të tretë.

    Natyrisht, kontratat mund të mbrohen dhe të garantohen me ligj, por vetëm ligji nuk mjafton. Pa mirëbesim midis palëve, shoqëria pëson kolaps edhe në kushtet e një sistemi legal të përsosur dhe të zbatuar më së miri, për shkak të rritjes së kostove transaksionale (litigation).

    Çfarë e përcakton këtë besim në lidhjen e kontratës? Unë do të thoja: vetëdija e të qenit pjesë e një komuniteti. Kjo do të shpjegonte, bie fjala, edhe suksesin ekonomik të pashembullt të komuniteteve hebraike dhe rolin e tyre në zhvillimin e tregtisë në Europë, ose praktikisht në kalimin nga Mesjeta në kohët moderne. Besimi që kishin tregtarët hebrenj te njëri-tjetri i kishte rrënjët në vetëdijën e përkatësisë tek i njëjti komunitet.

    Shkruan Dusha:

    kontrata sociale në Shqipëri ka dështuar totalisht, domethënë marrëdhënia e qytetarit me shtetin nuk funksionon dot normalisht sepse të dyja palëve u mungon eksperienca e një shteti që është në varësi të vullnetit popullor. Me qartë; qytetari shqiptar e sheh shtetin si një pengesë që duhet shmangur ose kapërcyer, ose si një burim të ardhurash në rast se e ka parë ëmbël fati.

    Jam dakord me këtë; por dua të shtoj se në Shqipëri kontrata sociale ka dështuar sa i përket jo vetëm marrëdhënies së qytetarit me shtetin, por edhe marrëdhënieve të qytetarëve mes tyre. Madje është ky dështim, që ka sjellë – gabimisht për mendimin tim – një rritje të vëmendjes ndaj dhe nevojës për ndërhyrjen e shtetit, nëpërmjet instrumenteve që sigurojnë përmbushjen e kontratave (legjislacioni, gjyqësori).

    Nëse fryma komunitare do të ishte ruajtur dhe qytetarët të kishin besim tek njëri-tjetri, shumë kontrata do të lidheshin me një handshake, dhe nuk do të kishte nevojë për shkresa, noterë, juristë dhe kontrolle nga palë të treta. Madje kjo lloj kontrate do të krijonte kushtet për ripërmasimin e rolit të shtetit në jetën publike, duke afruar atë model libertarian, që ofron Dusha në shkrim.

    Dhe nëse është kështu, atëherë kuptohet edhe pse veprimtaria ekonomike, në Shqipëri, mbetet e bazuar në familjen – meqë besimi mes të afërmve të gjakut (kin) u ka mbijetuar përmbysjeve sociale – dhe nuk arrin të kapërcejë nivelin e sipërmarrjeve të vogla me natyrë familjare. Të vihet re, bie fjala, mungesa ose anemia e shoqërive aksionare, të cilat kërkojnë jo vetëm një bazë ligjore të kthjellët dhe eficiente, por edhe besimin se paratë e investuara do të administrohen në mënyrë të paanshëm (besim që e mori coup de grâce me fiaskon e piramidave financiare, në 1997).

  7. Lulian,

    Zakonisht, edhe kur vete lexoj moralizime te tipit libertarian neper blogje reagoj keq. Problemi eshte qe kur behen moralizime te tilla te gjithe mundohen te kerkojne motivin ideologjik dhe jo ate praktik. Ideologjia e helmon diskutimin, edhe nese diskutimi mund te jete deri diku i sakte ne vetvete. Ky lloj problemi zakonisht quhet mood affiliation bias. Reagimi yt tingellon si i tille, dhe po ta them sinqerisht qe nuk te ve faj. Edhe une po ta lexoja shkrimin tim per here te pare do te kisha reaguar pak a shume ne te njejtat vija te trasha si ty (ndonese nuk do te isha dot aq poetik ne argumentin tim) .

    Problemi me libertarianet eshte qe ne pergjithesi nuk jane fleksibel sepse ndihen te bindur qe cdo gje e keqe ne vetvete buron nga monopoli qe ka shteti mbi ligjvenien dhe ligjsbatimin. Ne pergjithesi argumenti i tyre shtrohet keshtu: “Cfare autoriteti ka shteti mbi individin nese shteti vete eshte i perbere nga individe qe ne krye te te gjithave kane interesin personal?” Pergjigja me e thjeshte e kesaj pyetje eshte qe ndonese shteti ne vetvete mund te perbehet nga skiftere (dhe nuk eshte e qarte qe gjithmone eshte keshtu), nese ne marredheniet midis individeve private mbizoterojne pellumbat, sado zhvates te jene pushtetaret, percaktimi i rregullave te lojes qe behet nga shteti eshte i dobishem nese marredheniet midis individeve jane jo-zhvatese.

    Megjithate, problemi eshte qe marredhenia midis individeve private ndikohet shume nga shteti. Domethene, nese individi e sheh shtetin si helmuesin e marredhenieve private, rrjedhimisht pret qe cdo marredhenie private te jete e helmuar. Ketu dalim tek argumenti qe shtron Xhaxhai.

    Xhaxha, kam nje pershtypje qe kur i referohesh hebrenjve te mesjetes i referohesh ketij studimi (http://www.stanford.edu/~avner/Greif_Papers/1993 Greif AER 1993.pdf) (Nese jo, ta rekomandoj). Le te perdorim tregtaret e Maghribit dhe Venedikut si shembull per ilustrim. Venediku, deri ne nje pike ishte nje nga qytetet me te medha te Europes, (ne 1330 me popullate rreth 110,000 banore aq sa Parisi dhe tre here me shume se Londra). Institucionet ishin te hapura sidomos ne anen e tregtise nepermjet nje instrumenti qe quhej commenda (nje forme e vjeter e limited partnership). Commenda njihte ligjerisht kontraten midis dy tregtareve, njeri qe ishte kapitalisti dhe tjetri qe bente udhetimin me anije. Shteti teknikisht ishte zbatuesi i kontrates private dhe ne kete menyre bente te mundur qe marreveshja midis dy tregtareve te ishte e zbatueshme. Ne pikun e Venedikut keshilli ishte pak a shume perfaqesues i tregtareve. Sipas Acemoglu & Robinson:

    “The debates and constitutional amendments of 1286 presaged La Serrata (“The Closure”) of Venice. In February 1297, it was decided that if you had been a member of the Great Council in the previous four years, you received automatic nomination and approval. New nominations now had to be approved by the Council of Forty, but with only twelve votes. After September 11, 1298, current members and their families no longer needed confirmation. The Great Council was now effectively sealed to outsiders, and the initial incumbents had become a hereditary aristocracy. The seal on this came in 1315, with the Libro d’Oro, or “Gold Book,” which was an official registry of the Venetian nobility.” (Kap 6, fq 155).

    Pas mbylljes, Venediku u tkurr deri ne piken qe ne kohen kur te gjithe qytetet e Europes po zgjeroheshin, Venediku humbte banore. Nga ana tjeter, tregtaret hebrenj te Maghrebit bazoheshin ne gjoben klanore, dmth perjashtimin e dikujt qe devijonte nga kontrata, pa monopolin e dhunes formal te nje shteti. Ky lloj perjashtimi ishte shume i rende sepse perkatesia klanore nuk ishte thjesht ceshtje kulture apo nderi, por sepse pa klanin nuk kishte mbijetese. Shteti Venedikas u shnderrua ne nje shtet zhvates ne fund sepse monopolizoi te drejten e beries se tregtise duke limituar numrin e atyre qe mund te benin tregti. Imagjino nje tregtar te ri ne Venedik qe nuk mbrohej nga commenda, per te kontrata me nje tregtar te madh te mbrojtur nga shteti ishte e njeanshme, dhe kishte shume mundesi qe tregtari i madh te devijonte nga kontrata pa ndonje denim sepse ai ishte anetar i aristokracise Veneciane. Ne kete menyre nje institucion si commenda qe dikur ishte i dobishem u kthye ne nje menyre per te zhvatur tregtaret e rinj.

    Me kete du ate them qe rregullat e lojes qe vendosen nga shteti jane po aq te fuqishme sa zbatimi i tyre. Nese shteti fillon e zgjeron fuqine e tij deri sa rregullat e lojes te mos kene me asnje lloj llogjike de fakto, rregullat e lojes jane te pavlefshme, dhe prezenca e shtetit e helmon marredhenien private midis dy individeve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin