SHKRONJA MANGUT

Dom Gjergjit ia kish ngarkuar Zoti misionin hyjnor – alfabeti i ri shqip duhej hartuar me çdo kusht; dhe ai ishte i vetmi dijetar, i cili mund t’ia dilte.

Iu vu leximeve me ngulm: faqe pas faqeje, ku shihte si e kish zgjidhur dija problemin e shkrimit amtar, ç’shkronja kish zgjedhur dhe pse.

Alfabeti latin vinte vetvetiu si i pari kandidat, pse krejt shtypshkronjat e kishin, europiane dhe aziatike, madje edhe osmane.

Por tingujt e pasur shqip nuk i lidhje dot me vargonj edhe sikur t’i kapje me leqe.

Dom Gjergji bleu me flori librat fije-fije shkruar kamot prej Buzukut, Budit, Bogdanit dhe Kazazit; studioi shkronjat e tyre dhe ua deshifroi sekretet tipografike baroke.

U nisi pastaj letra studiuesve kudo – i pyeti si do t’i kishin zgjedhur shkronjat: pse disa donin latinet, disa jo; pse shqipes nuk i shkonte alfabeti grek, as ai cirilik dhe as ai osman.

U çoi letra studiuesve kudo, pa çka se kishte vendosur prerazi; i duhej konfirmimi, jo sugjerimet e tyre sado fisnike.

Shqipes, mendoi Dom Gjergji, nuk i dalin shenjat e alfabetit latin, pa çka se Ciceroni shqiptar, Virgjili dhe Horaci ende nuk ishin shfaqur mes nesh. Duhej improvizuar me guxim doemos, dhe ai ashtu veproi, i bindur.

Me syrin e mjeshtrit artizan, diku shtoi bishtin e duhur, diku gjetiu kombinoi dhe shkriu mes tyre dy shkronja tok.

Dhe ashtu erdhi dhe u formua alfabeti shqip, si lulja e cila mbin sypatrembur nga dheu, duke bartur me vete dijen dhe sekretet e shkronjave latine, por edhe duke çelur nga e para, e prekur rishtas qepallash prej diellit rijosh.

Dom Gjergji i pa shkronjat e renditura nga pena mbi faqe dhe imagjinoi librat sakaq, me miliona, fshehur aty si farat çuar pezull te shtjellat e valles, spirale pa skaj. Nuk do ta jetonte dot triumfin e shqipes me shkrim, prandaj edhe i lejohej ta ngjizte me mendje siç do ta kish dashur. Flaka e qiririt dridhej mbi skrivani, hidhte hije lodruese mbi perdet prej taftaje dhe tavanin e zi; edhe pak dhe zbardhte dita e Arbrit, veç shkronja e fundit i mungonte.

Ashtu dha e shpirt e vdiq, me pengun lotues se i kish mbetur alfabeti cung, siç i kish mbetur lulja njomzake pa petalin e fundit. Iku nga bota i trishtuar dhe la vendin e vet bosh, si shkronja e vetme munguese e alfabetit, me dhimbje dhe bindje se perfeksionin e arrin dot veç Hyu; i cili bash tek ajo shkronja aq vjedhurazi i ishte shfaqur.

[Dhe që ende i mungon tekstit më sipër.]

Nuk ka komente

  1. Eksperiment interesant, e pabesueshme që në gjithë këtë tekst të mos jetë nevoja e përdorimit të shkronjës /ë/.
    Mua vetem ne nje fjali m’u desh dhjete here…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin