KRIME E PERCEPTIME

Kohët e fundit mediat shqiptare po e bombardojnë publikun me lajme për bomba me celularë, vrasje makabre, tritol në banesa e automjete, trafiqe droge, vrasje për motive të dobëta, grabitje bankash, aksidente rrugore, përdhunime, e kështu me radhë. Kronika e zezë po i nxin faqet e para të gazetave. Nuk vihet në dyshim vërtetësia e informacionit, aq më tepër kur, përveç pamjeve e dëshmive, shoqërohen nga deklaratat e pashmangshme të Ministrisë së Brendshme që informon rregullisht qytetarët për aksionet e policisë. Në këtë rast mediat nuk tregojnë të pavërteta, por vala e krimeve të raportuara e rrit detyrimisht e me të drejtë shqetësimin e publikut.

Mirëpo, siç dihet prej kohësh nga studimet sociale, krimi jo gjithnjë ka lidhje me perceptimin e sigurisë. Me fjalë të tjera rritja ose ulja e krimeve nuk ka raport të drejtpërdrejt me rritjen ose uljen e shqetësimit të qytetarëve për sigurinë publike. Ka raste që lakorja e grafikut të krimeve rezulton në ulje, kurse ajo e perceptimit të rrezikut ndaj krimeve ndjek kahun e kundërt. Studime të hollësishme në shumë vende të botës kanë vërtetuar se emocionet e publikut nuk varen nga numrat e krimeve të kryera. Ka krime që e tronditin aq shumë publikun dhe ua tërheqin aq shumë vëmendjen mediave, saqë ndryshojnë edhe perceptimin e sigurisë.

Për të vërtetuar lidhjen ose mungesën e saj midis numrit real të veprave penale dhe shqetësimin e qytetarëve lipsen studime të dyanshme. Nga një anë duhen përpunuar dhe studiuar të dhënat statistikore të krimeve në kohë, duke i ndarë ato sipas tipologjive të ndryshme; nga tjetra duhet analizuar reagimi i publikut ndaj krimeve dhe lajmeve që kanë lidhje me to. Në mes, qëndron studimi i mediave dhe i përfaqësimit mediatik të realitetit, sepse jo rrallë organet e informacionit i emfatizojnë ngjarjet e kronikës duke ndjekur logjika të tjera. Disa studime serioze në Itali, sa për shembull, vërtetuan se gjatë viteve 2000 ndodhi diçka e çuditshme: ndërsa veprat penale rezultonin në ulje nga viti në vit, numri i artikujve dhe i emisioneve dedikuar kriminalitetit ishin në rritje.

Vetëm duke pasur në dispozicion të dhëna e studime të tilla mund ta shuajmë dilemën nëse kemi të bëjmë me rritje të vërtetë të kriminalitetit në Shqipëri, apo kemi të bëjmë thjesht me prezantim mediatik alarmant. Studimet në këtë fushë nuk mungojnë, mirëpo nuk janë konstante, çka shkon ndesh me kërkesën urgjente për t’i bërë analizë të shpejtë realitetit, sikurse me nevojën për t’i pasur të dhënat e përditësuara, çka mundëson krahasimin e rregullt nga viti në vit.

Disa muaj më parë, saktësisht në shtator 2013, u dhanë informacione interesante për këtë temë. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) botoi raportin “Tendencat e Krimit në Shqipëri 2012”, i bazuar mbi të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit. Ky raport mund të konsultohet i plotë në faqen e posaçmeInstitute for Democracy and Mediation (IDM). Të dhënat ishin të hollësishme e mbresëlënëse. Lajmin e dhanë shumë media shqiptare, natyrisht në mënyra të ndryshme. Studimi: Në Shqipëri ndodh 1 vrasje çdo 72 orë; Zbardhet raporti vjetor: Në Shqipëri, mori krimesh në çdo orë; IDM: Mesatarisht, gjatë vitit 2012 në çdo 40 minuta ka ndodhur një krim; Shifra alarmante të krimit, raporti i IDN: Vrasje çdo 72 orë, vjedhje çdo 13 orë; Statistikat e krimit në Shqipëri, në çdo tre ditë vritet 1 person; Niveli i krimit në shifra alarmante. Në vitin 2012, çdo ditë krime kundër jetës

Porse studimi i mësipërm u referohet të dhënave të vitit 2012. Edhe pse të vlefshme, statistikat e raportit nuk janë të dobishme për ta lexuar realitetin alarmant të kohëve të fundit. P.sh. do të ishte interesante të dinim se sa vepra penale janë kryer kohët e fundit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si po shkon tendenca? Numri i krimeve, sipas tipologjive, është në rritje apo në ulje? Krimet spektakolare që kanë ndodhur kohët e fundit në Shqipëri janë të veçuara, apo duhen parë në një kontekst më të gjerë? Përveç këtyre, do të ishte me dobi të njiheshin edhe përmasat indikative të veprave penale që nuk denoncohen, meqë ka shumë qytetarë që, për një arsye ose tjetër, preferojnë të mos i denoncojnë krimet e pësuara. Këto të fundit, edhe pse nuk evidentohen nga statistikat, e ndikojnë rëndë perceptimin e rrezikut dhe e zmadhojnë frikën e qytetarit.

Domosdoshmëria e këtyre studimeve, mundësisht me karakter krahasues e duke shfrytëzuar burime të ndryshme, nuk diktohet vetëm nga njohja e realitetit, por edhe nga nevoja e institucioneve shtetërore për të marrë masat e duhura dhe për të programuar politikat përkatëse. Kjo do ta rriste edhe besimin tek institucionet, sepse ka plot qytetarë që nuk binden nga të dhënat e organeve kompetente, ngaqë ushqejnë paragjykime për vërtetësinë e informacionit. Dyshime të tilla ka hedhur në vite çdo opozitë, duke shprehur mosbesim në informacionin e ofruar. Vetë politika do të ishte e interesuar ta hiqte temën nga fusha e propagandës e të luftës partiake, për ta çuar në hapësirën institucionale, çka kërkon në radhë të parë objektivitet në trajtimin e të dhënave. Kjo mund të bëhet duke financuar institutet studimore për të hulumtuar statistikat e krimit, përfaqësimin mediatik dhe opinionin publik. Në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo do të ndikonte edhe mbi mediat, të cilat do të viheshin përballë fakteve të pamohueshme, në rast se do të kishte mospërputhje midis prezantimit të realitetit dhe këtij vetë; përndryshe përgjegjësia do të ishte vetëm politike për mungesën e masave ndaj krimit.

Së fundi, kjo qasje do të na ndihmonte si komunitet për të konsoliduar kulturën e përmbajtjes dhe të arsyes, meqë tema e sigurisë publike nuk është çështje partiake por e të gjithë qytetarëve.

Nuk ka komente

  1. Qe ngarendja mediatike per te raportuar minute pas minute cdo ngjarje te kronikes ka dicka perverse, kjo me duket se tashme eshte bere teper evidente. Kujtoj si nje rast te skajshem mbulimin mediatik te operacionit policor per gjetjen e kokes se prere te Liljana Arapit (e vrare dhe e prere kasapce prej te dashurit te saj 84 vjecar), ku pas lajmit te mire se ishin gjetur qime flokesh diku ne nje thes, vinte ai i keqi sipas te cilit koka mund te qe perlare nga qente e rruges. Pra, jo lajme por pornografi e mirefillte.
    Sa i takon raportit mes kriminalitetit faktik dhe perceptimit te publikut mbi te me interes te vecante do te ishte te studiohej nese ka ndonje lidhje shkakesore mes te dytit dhe te parit, sic ka ne rastin e vetevrasjeve per shembull (sa me shume flitet per vetevrasje ne media aq me shume vetevrasje ndodhin ne realitet).

  2. Lajmet, diskutimet (zhurma, për disa) për ngjarjet e raportuara periudhën e fundit më janë dukur më tepër si një fushë diskutimi, sesa një shqetësim i ndjerë; duket sikur shumica e komentuesve (që mund ti marrim edhe si përcjellës të perceptimit publik) më tepër merren me trajtimin ironik apo tallës, të strukturave të shtetit, sesa të ulërasin për rrezikun që mund të ndjenin. Mbase edhe tipi i krimeve që ka sunduar periudhën është pak më jashtë prekshmërisë së shtresave të gjera të qytetarëve – psh krimi në familje jep efektin e debatit, por nuk imponon frikë për sigurinë personale; pa cinizëm them se edhe krimet tipike mafioze të egzekutimeve, apo dëmtimeve të pronave, kanë goditur në fasha jo popullore. Efektshmëri të ndjeshme japin krime të përhapura në ambjente publike, pa përzgjedhje paraprake si vrasjet nga sherri i momentit apo grabitje çantash, varësesh, shtëpish.
    Më pëlqeu këndvështrimi tek skifterat dhe pëllumbat, dhe më duket interpretim që qëndron në masë të madhe. Kuptohet që ulja e turmës së skifterëve arrihet më logjikshëm me rritje ekonomike dhe ushqim kulturor, por nuk di se si do ja bëjmë asaj pjesës së aparatit të drejtësisë, që më duket sikur janë shqiponja fare… Realiteti dhe niveli pasuror i një pjese të tyre po krijon një hendek tronditës, dhe një perceptim dëshpërues. Ata janë edhe çelsi kryesor i një pjese të madhe të krimit, që motivohet nga mungesa e zgjidhjeve normale të tensioneve mes njerëzve. Pres me padurim shenja drite, nëse do ketë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin