ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: KRYE

krye n., m., tosk. jugore, kolonitë e Greqisë e t’Italisë etj. krie. Fjalë me eti­mo­logji të diskutuar. Shumica e dije­ta­rëve i mbahen mendimit të G. Meyerit që fjala është e burimit latin. Ky dijetar në fillim (f. 206) krye krie, nga një *krier-, e spiegonte nga lat. *crebrum për cerebrum, duke afru­ar për krahasim rum. creieri “tru”; po në AS IV 65 pas hullisë së Weigandit pra­non për fjalën shqipe e rumune si bazë të për­bashkët një lat. *cerebellum *crevel­lum. Bazës cerebrum *crebrum i mba­hen Meyer­-Lübke Gr Gr I2 1055, REW 1827; Puşcariu EW 413, DLR 1 I 894v, Pederseni Rom. Jber. IX I 214vv., Weigandi 40, Jokli IF 36, 157; 44, 47; sëfundi Barić Hŷmje 65 kundër një me­ndi­mi të vet të mëparmë (I 81) për ta marrë si një fjalë thjesht shqipe, e afër me irl. cerm kymr. perm “krye”. Me­ndimi për të parë te krye një fjalë vendi nis me Ka­mar­dën (I 158, 186), i cili e afron fjalën me gr. κρᾶς κάρα “krye, kokë”. Pokështu Die­fen­ba­chu (Völker­kunde Osteuropas I 63). Me gr. κέρας “bri, krah lumi, krah ushtrie”, κρανίον “kafkë”, lat. cervix cerebrum e ba­shkon La Piana SLA I 65. Më parë Treimeri MRIW 360vv. krye nga një bazë *kreusnom e krahasonte me rus. kruh “ashkël, thërmiqe, copë, plis dheu, rrotull”, kra­hasim që e kundërshtojnë Jokli e Ta­glia­vini (f. 160; sh. dhe IJ XXV VII 143).

Fjalë e gjuhës mbarë që përdoret me tri gjini: krye-t n., krye kreu e krei m., krē‑ja f., kjo e fundit vetëm me kuptimin konkret të kokës. Buzuku (LXXXVI/2 = CVI/2, Libri i Urtës 7, 15) përse aj anshtë kryetë e urtësë e të ṇdishkuomitë e t urtëvet “quo­niam ipse sapientiae dux est, et sapientium emendator”; Budi (DC 17, 18, 27, 29, 37; SC 275) u kallëzuo dërejt përmbī krye të tī, 318 rreth krēsë, 90 kryetë e gjāsë “ka­pi­tali”, tosk. sot krerët, sh. edhe RR 15. Bardhi krye “caput”, Bogdani (I 40, 3) gjithë ari tue u pervum krēsë “sub­or­di­na­ndo­si tutti al capo”. Fem. kre-ja ësht’ edhe e toskë­ri­shtes, te Mitko 54 (Nr. 32) do t’i bjerë lesht’ e kresë. Duket të jetë një formë re­tro­­grade, nga shm. krenë krena krerë. Për rrjedhesat e kompozitet e shuma po­pu­­llore e letrare, formuar me këtë fjalë, sh. FGS; khs. dhe i ndërkryer, i ndërkryem “i shkalluar, i çmendur” bashkë me verbin përkatës ndërkrehem, përkrenoj “mbledh fijet e avlëmendit krye më krye”, përkrés m., përkresë f., “jastek” (hipostazë). Sh. edhe kezë, krejcë, krenár, krejt, kryeártëzë.

Për etimologjinë do vënë re se krye është produkti i diftongimit të një forme bazë kren-, poashtu siç është ftua ifton, krua i kron. Mendimi që kren- të ketë dalë nga një bazë *krer- paragege dhe shqipe e për­bashkët, nuk mbështetet në ndonjë analogji të sigurtë. Gjithçka dëshmon për një temë nazale.

Prandaj krye shm. krenë afrohet me gr. κρανίον “kafkë”, κιό‑κρανον “kapital” (khs. kryet e gjâsë, kryegjâ-ja); ose me gr. κάρ ose κάρα “krye”, shm. κάρηνα “krenë, maja malesh”, at. dor. κάρανον “krye”. Edhe gjinia asnjanëse e afron krye-t me fjalët greke, që janë të gjitha asnjanëse.

Nuk ka komente

  1. Te kjo etimologji e Çabejt, do të doja të tërhiqja vëmendjen te një aspekt tjetër i metodës së tij – puna me burimet.

    Burimet janë të trefishta: vetë shqipja, çfarë ka ruajtur dhe çfarë ka zhvilluar më tej; shqipja e teksteve të vjetra, e cila fotografon një fazë më të hershme të gjuhës; dhe, më në fund, hipotezat etimologjike të sjella deri më sot nga autorë të tjerë, të cilat duan parë si burime bibliografike.

    Duke parë çfarë na jep shqipja, në kombinim edhe me çfarë gjejmë tek autorët e vjetër, Çabej përpiqet të izolojë, mes larmisë së formave të fjalës krye, atë që i afrohet më shumë trajtës së vjetër të fjalës. Kjo ka rëndësi, sepse për të filluar me krahasime etimologjike të jashtme, mirë është që të kemi në dispozicion formën më të vjetër të fjalës dhe, mundësisht, edhe kuptimin më të vjetër të saj.

    Në mënyrën si i analizon dhe i vlerëson Çabej këto forma, gjuhëtari do të shohë dinamikën e gjuhës në shekuj: zhvillimet formale dhe kuptimore, ndërthurjen e gramatikës (format e shumësit, etj.) me fonetikën (nazaliteti, diftongimi, etj.).

    Këtu etimologut i duhet të veprojë në dy rrafshe: nga njëra anë, të shohë realitetin e fjalës, në lidhjet e saj të shumta me fjalë të tjera, dhe në format e saj të shumta në gjeografi dhe në tekste; nga ana tjetër, të shohë si e kanë interpretuar të tjerët etimologjinë e fjalës, aq më tepër që kemi të bëjmë me një fjalë të fondit indo-europian të shqipes, jo huazim nga ndonjë gjuhë tjetër.

    Përfundimi që arrin Çabej, për ta afruar krye, si fjalë vendëse, me greqishten κρανίον, është në thelb i njëjtë me atë të Marco La Piana-s; edhe pse ai lë të hapur edhe mundësinë e afrisë (kujdes: jo të prejardhjes, por vetëm të afrisë) me fjalë të tjera të greqishtes: κάρ, κάρα (shm. κάρηνα) dhe κάρανον.

    Ndërkohë, në fjalorin e vet etimologjik, të hartuar shumë kohë më pas studimeve të Çabejt, Oreli e bashkon krye me greqishten κρανίον edhe ai, por pa iu referuar Çabejt as La Piana-s.

  2. http://www.etimo.it/?term=cranio&find=Cerca

    Pavaresisht se ky fjalor ka shume gabime, ka njefare vlere per te marre vesh afersite e mundshme, ose te kesh nje ide (qofte edhe hipoteze te gabuar).
    Cranio e italishtes vjen nga ”kranion” e greqishtes, nepermjet latinishtes cranium, mirepo rrenja indoeuropiane nga ka ardhur kranion e greqishtes supozohet e njejte me ate te latinishtes cer-ebrum dhe cer-vix.
    Edhe ne kete rast, kerkimi etimologjik duhet te kompletohet nga rrenja e supozuar indoeuropiane, meqenese nga ligjet fonetike mund te vertetohet nese vjen nga fondi indoeuropian , eshte huazim nga greqishtja apo latinishtja.
    Duke pare qe rrenjet ne shume gjuhe jane cer-ebrum, kar-a e kar-enon, kvair, hir-ni, cir-as, car-a, mendoj se forma kren- eshte per t’u hulumtuar, nqs vjen nga nje kre-, ker- indoeuropiane me nje -n fjaleformuese apo nga greqishtja.
    k ne fjale (kw) nuk eshte nga ato qe satemizohen, keshtu qe kam pershtypjen se afersite me latinishten apo greqishten (te dyja gjuhe kentum) jane marre ca si teper lehte ne kuptimin e prejardhjes.

    Besoj se ligjet fonetike te kalimit indoeuropianisht-shqip duhet te jene te ndryshme nga huazimet greqisht-shqip apo latinisht-shqip, pasi ato indoeuropianisht-shqip jane shume shekuj me te hershem (pak a shume si ndodh me dallimet ne huazimet nga latinishtja dhe italishtja apo greqishtja e vjeter dhe ajo e re).
    Kjo njohje besoj do jepte sigurine etimologjike.

    1. Nga pikëpamja metodologjike, Çabej nuk u zinte shumë besë rrënjëve indo-europiane, ose rindërtimeve abstrakte, pothuajse algjebrike, të përkimeve leksikore si mjete të hulumtimit etimologjik; por zakonisht mjaftohej të vinte në dukje afëritë mes fjalëve ekzistuese ose të rindërtuara në këtë apo atë gjuhë. Këtë e ka pohuar vetë disa herë, haptazi – nëse nuk më gënjen kujtesa.

  3. p.s bera nje kerkim te rrenjes ker-, e cila ne fakt del qe ka nje k te satemizuar, rrjedhimisht opsioni i huazimit prej greqishtes behet shume i arsyeshem. Meqe shqipja paraqet nje veçori ne satemizim, nga profesionistet duhet pare nese eshte rasti qe kjo veçori hyn ne pune ne kete rast apo jo. Nese jo, huazimi eshte i sigurte.

  4. Ka disa autorë që u janë qasur rrënjëve të lashta të shqipes më “algjebrikisht”, tani në kohët moderne – për shembull, Hamp dhe Huld kanë disa kontribute solide, sikurse edhe B. Demiraj që u ka kushtuar disa etimologjive problematike të shqipes një vëllim të tërë; dhe më në fund Oreli, me fjalorin e vet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin