FJALË NË AKULL

Gazetat përcollën një incident kurioz gjatë summit-it të Prizrenit – kryeministri Thaçi iu drejtua homologut të vet Rama, për ta pyetur: “A nirthte?” (“A nirdhte?” sipas disa burimeve të tjera), duke përdorur një fjalë që Ramës do t’i jetë dëgjuar e panjohur.

Citoj nga Gazeta Shqiptare:

Rama e ka parë pak i çuditur, por këtë e ka kapur shpejt Thaçi, që e ka shqipëruar pak pyetjen. “A pate të ftohtë?”, e përsërit pyetjen Thaçi, ndërsa atëherë Rama ia ktheu “Jo, jo në rregull ishte”.

Kryeministri i Shqipërisë nuk arrin ta deshifrojë pyetjen, shkruante ResPublica që në titull.

Ndërsa gazeta Express:

[Rama] i ka kërkuar [Thaçit] me shikim që ta përsëriste batutën. Por Thaçi ia përsëriti në një formë të shqipes standarde: “A pate ftohtë”? “Jo, jo, në rregull ishte”, ia prêt Rama, i kënaqur që pyetja i erdhi në një formë të kuptueshme.

Pështjellim i padëshiruar, pra – midis dy kryeministrave dhe në komentet e mediave.

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, dhe si qëlloi që këta dy burra shteti u morën vesh për shumë gjëra të mëdha, duke filluar nga “bashkimi tashmë ka ndodhur”, por jo aq sa për të shkëmbyer dy fjalë të rëndomta mes tyre, le të shohim foljen nirdhte, që ka përdorur Thaçi.

Edhe unë, besoj njëlloj si Rama, s’e kisha dëgjuar më parë. Më thanë që përdorej rëndom në Kosovë, me kuptimin “kam ftohtë, mërdhij”; më thanë që ndeshet edhe në të folmet gegërishte të Shqipërisë. Ngaqë nuk e gjeta dot në fjalorët që kam këtu, pyeta mikun tim, prof. Bardh Demiraj në Mynih, se mos më ndriçonte së paku me të dhëna leksikografike. M’u përgjigj se fjala del te fjalori i Bashkimit, madje edhe te Kristoforidhi, i cili shënon se “përdoret në malësinë gegë; del edhe te Fjalori i 1954-ës; dhe më në fund, edhe tek arbëreshët e Italisë, ku e ka regjistruar Giordano (1963), narth-enj, me kuptimin “far intirizzare”.

Në fakt Fjalorin e 1954-ës e kisha konsultuar edhe unë, por më kishte shpëtuar fjala – e pashë edhe një herë, dhe ja ku paskësh qenë, si NERTH, me kuptimin “mërdhij”, sëbashku me NERDHËT, I, “i ftohtë”, me një renditje më shumë morfologjike se alfabetike.

Të gjitha këto forma nardh, nerdh, nirdh, me ndryshimin e zanores tematike, të bëjnë menjëherë të mendosh për një folje të trashëguar në shqipen; çka ma konfirmoi edhe B. Demiraj; folje e cila, kushedi për shkak se e ka humbur luftën me mardh/mërdhij (një tjetër folje e konfirmuar si e fondit indo-europian në shqipe), kam ftohtë, ngrij, thaj (së ftohti) etj., është kufizuar tashmë gjeografikisht vetëm në disa krahina të shqipes.

Thaçi folka, kështu, në shqipen e vjetër?

Pyetja nuk ka kuptim. Më mirë është të kërkojmë nëse kryeministri i Kosovës ia njeh statusin kësaj forme, a nirdhte? të cilën e ka përdorur kaq lirshëm, me homologun e vet; pra, nëse e di apo jo se ajo përdoret sot kryesisht në Kosovë, madje duke funksionuar edhe si shenjë e kosovarishtes.

Në fakt, të flasësh shqip në nivelin e një takimi kryeministror, do të thotë edhe të jesh në gjendje të dallosh mes regjistrave të ligjërimit, të cilat ndryshojnë sipas kontekstit social ku kryhet komunikimi.

Le të nisim me Thaçin, meqë ai e përdori fjalën. Mund të pyesim nëse kryeministri i Kosovës e ka të qartë që kjo nardh/nerdh është me përdorim të kufizuar vetëm në disa zona të gegërishtes; dhe nuk është pjesë e leksikut standard të shqipes. Gjasat janë që të mos e ketë dhe aq të qartë; ose ta shoqërojë mendërisht me regjistrin informal, ose familjar të shqipes, të cilin ka dashur ta përdorë me mysafirin, por edhe mikun Rama. Miqësia, në këtë kontekst, sjell në tryezë dialektin – por vetëm me kusht që Thaçi, si shumë kosovarë dhe gjithashtu shumë shqiptarë, ta identifikojnë regjistrin bisedor të shqipes me format dialektore dhe nëndialektore – gjë që nuk është e domosdoshme.

Mund të pyesim, gjithashtu, nëse kryeministri i Kosovës e ka të qartë që miku dhe kolegu i tij, Rama, nuk e njeh këtë fjalë, nardh/nerdh; dhe këtu do të përgjigjemi se, pas gjase, nuk e ka të qartë ose nuk e ka menduar në atë moment – çka do të thotë se, së paku në kontekste familjariteti, Thaçi nuk është në gjendje ose refuzon të dallojë midis dialektit të vet dhe asaj forme të shqipes – standardit – që duhet të garantojë komunikimin mes shqiptarëve jo analfabetë, pavarësisht nga prejardhja krahinore.

Ka edhe një mundësi tjetër: që Thaçi të ketë qenë i vetëdijshëm se nardh/nerdh nuk është nga ato fjalë që një shqiptar nga Tirana, si Rama, për më tepër i kultivuar në standard, do t’i dijë; dhe që e ka përdorur atë formë për t’u paraqitur qëllimisht si i ndryshëm, ose si kosovar, përballë kolegut të vet jokosovar. Kështu, ai e paraqit veten si ai që përdor nardh/nerdh, përballë atij tjetrit, që këtë folje nuk e përdor; duke përftuar këtu një situatë të ngjashme me çka kemi trajtuar, kur kemi folur për shibboleth-in.

Në gojën e Thaçit, pra, a nirdhte do të shërbente si shibboleth, për të përcaktuar afërsinë ose distancën e kryeministrit Rama me Kosovën.

E çuditshme, sidoqoftë, që i njëjti gjest gjuhësor – ose përdorimi i një fjale dialektore – të shërbejë njëkohësisht edhe si një reaching out nga ana e përdoruesit, ose si përfshirje simbolike e tjetrit në grupin e brendshëm; edhe si një ekskluzion, meqë dialekti i përdorur jashtë kontekstit të vet vjen e shndërrohet në zhargon, ose në një shenjë kufizuese të grupit ne që e flasim me grupin ata që nuk e flasin.

Tani, gjithnjë probabilisht, Rama nuk e kish dëgjuar ndonjëherë këtë fjalë – çka do të thotë se ose Thaçi, ose Rama vetë, nuk i kaluan testet përkatëse: Thaçi testin e përkatësisë mbarë-shqiptare, Rama të përkatësisë kosovare, si nënbashkësi e shqiptarisë. Megjithatë, raporti nuk është simetrik; meqë, sa kohë që nardh/nerdh mbetet fjalë krahinore dhe periferike, pavarësisht nga statusi në leksikun standard (tek e fundit, Fjalori mund edhe ta kish përfshirë, pa ndryshuar kjo gjë në statusin e fjalës në ligjërim), atëherë Thaçi, duke e përdorur, identifikohet si përfaqësues i periferisë, përballë Ramës, që përfaqëson vetvetiu qendrën.

Dhe kjo, dua ta përsërit, nuk ka të bëjë me faktin që një shqiptar prej Tirane, Rama, nuk e njeh një fjalë të gegërishtes verilindore; pse të jesh shqiptar dhe të përfaqësosh shqiptarinë, në nivelin zyrtar, nuk do të thotë se duhet edhe të kesh ekspertizë dialektologjike. Çfarë kërkohet, përkundrazi, është të dish si të identifikohesh nëpërmjet origjinës; dhe mes origjinave të mundshme, të zgjedhësh atë që i përshtatet situatës konkrete.

Mund të ketë ndodhur, teorikisht, edhe që Rama ta ketë dëgjuar shprehjen a nirdhte? më parë – por të ketë refuzuar të tregojë se e njeh, me arsyen se ashtu do t’i bënte një koncesion të fortë Thaçit, duke e “toleruar” që t’i drejtohet në dialekt dhe duke e njohur kështu, de facto, natyrën si me thënë “dialektore” të shtetit të Kosovës; në një kohë që summit-i i Prizrenit themelohej mbi të përbashkëtën midis dy shteteve, jo mbi pluralitetin folklorik dhe gjeografik të shqipes dhe të shqiptarëve – edhe pse unë këtë nuk e besoj, meqë është në natyrën e një komunikimi mes miqsh, që dikush të tregojë bashkëfajësi ligjërimore, në qoftë se arrin ta kuptojë diferencimin që bën Tjetri.

Kushdo që e ka shkruar lajmin, te Gazeta Shqiptare, e ka ngatërruar punën, duke u shprehur se Thaçi, i ndodhur përballë kërkesës së Ramës për “ri-transmetim”, e ka shqipëruar pyetjen; a thua se a nirdhte nuk ka qenë mjaft shqip – dhe duke ushqyer kështu, dashur pa dashur, orekset, mëritë dhe frustrimet e të gjithë atyre që pretendojnë se standardi i shqipes është përjashtues, madje edhe në nivelin e identifikimit të shqipes përballë joshqipes.

Gabim! Forma nirdhte është krejt shqipe; çfarë e bën të pazakonshme është statusi i saj social, jo identiteti i saj gjuhësor. Vetë Thaçi, duke kaluar nga a nirdhtea patët ftohtë, tregon se është në gjendje të “përkthejë” brendagjuhësisht, duke iu drejtuar për ndihmë një forme stilistikisht neutrale, të tillë që ta kuptojë partneri i tij në bisedë; madje, në momentin e këtij “përkthimi”, ose modulimi të ligjëratës sipas kontekstit social, ai tregon edhe një farë “thellësie” të kompetencës sociolinguistike, meqë i dëshmon Ramës – dhe të tjerëve që e dëgjonin bisedën – se është në gjendje të kalojë nga një regjistër në tjetrin, pa çka se me vonesë. Kështu shmangia e tij do të mund të interpretohej si e lëmit të etiketës së komunikimit ose të identifikimit të gabuar të tjetrit gjatë shkëmbimit gjuhësor, jo e lëmit të kompetencës diskursive të mirëfilltë, ose aftësisë për të zotëruar dhe zgjedhur regjistrat sipas konteksteve.

Në fakt, për shumë kosovarë, të pamësuar mirë me kontakte gjuhësore dhe sociale me shqiptarë nga krahina të tjera dhe sidomos me shqiptarë të Toskërisë, kalimi nga regjistri bisedor në regjistrin formal ose të standardit kërkon një përpjekje të vetëdijshme ri-organizimi diskursiv, e cila i heq energji, vëmendje dhe përkushtim objektit të komunikimit. Thaçi ka studiuar në qendrën e arsimit të mesëm Ramiz Sadiku në “Skënderaj” dhe pastaj është diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 1993, “me sukses të lartë”; prandaj nuk ka arsye të dyshohet për kompetencën e tij në shqipen standard; sikurse nuk ka arsye të dyshohet as edhe se format periferike dialektore që ndeshen në ligjëratën e tij, përfshi edhe këtë a nirdhte?, shprehin ndonjë përpjekje të tijën për ta ngjyrosur figurën publike të kryeministrit të Kosovës me identitetin kosovar, si të dallueshëm nga ai shqipëritar, edhe në nivelin e regjistrit formal të gjuhës.

Në çdo rast, ky keqkuptim gjuhësor fare minor mes dy kryeministrave emblematizon, nëse mund të shprehem kështu, problematikën e komunikimit midis Kosovës dhe Shqipërisë në rrafshin institucional – sepse në këtë komunikim pala shqipëritare flet shqipen e përbashkët ose standarde; ndërsa pala kosovare flet, të paktën ndonjëherë, shqipen e vet, partikulare, sepse aty ndihet si në shtëpinë e vet, për ta thënë me metaforën e Heidegger-it.

Njëra palë kërkon kështu të pozicionohet si interpretuese e vetvetishme e bashkimit edhe duke konfirmuar faktin që bashkimi tashmë është realizuar në rrafshin gjuhësor (shqipja standarde); pala tjetër kërkon të ruajë autonominë e vet, madje edhe politike, duke veshur uniformën krahinore të dialektit, ose – në një plan më të gjerë – të një krahine shqiptare që nuk është gati të ballafaqohet me krahinat e tjera të Shqipërisë, edhe pse është gati të ballafaqohet me Shqipërinë vetë. Këtu dialektika e pjesës me të tërën vjen e bëhet marramendëse, dhe jo vetëm për analistët politikë.

Nuk ka komente

  1. Kur lexova per “incidentin gjuhesor” mes dy kryeministrave mendova menjehere kete qe thua ne kete paragraf:
    “Ka edhe një mundësi tjetër: që Thaçi të ketë qenë i vetëdijshëm se nardh/nerdh nuk është nga ato fjalë që një shqiptar nga Tirana, si Rama, për më tepër i kultivuar në standard, do t’i dijë; dhe që e ka përdorur atë formë për t’u paraqitur qëllimisht si i ndryshëm, ose si kosovar, përballë kolegut të vet jokosovar. Kështu, ai e paraqit veten si ai që përdor nardh/nerdh, përballë atij tjetrit, që këtë folje nuk e përdor; duke përftuar këtu një situatë të ngjashme me çka kemi trajtuar, kur kemi folur për shibboleth-in.”
    Kosovaret e dine mire qe ajo fjale nuk perdoret nga ne te Shqiperise; ne jemi me pak te vetedijshem per cfare perdoret ne shqipen “tone” por qe s’ka perdorim ne Kosove. Mendova edhe se kish nje tjeter qellim te perzier me kete me siper. Pergjithesisht fshataret tane (eshte keshtu me gjithe provincen, jo vec me ate shqiptare) kane tendencen te te vene ne siklet me dashamiresi, nje lloj ngacmimi te gjerave qe ti “si qytetar i sapo dale nga veza” nuk i di, qe i ben te ndihen mire. Eshte dicka mes talljes dhe shakase qe sipas tyre shpreh loje dhe marredhenie konfidenciale. Keshtu mund te te vene ne loje qe s’di kuptimin e nje fjale, qe s’di emrin e nje bime, qe s’di si tehollen petat, qe s’di te lash rroba me dore, qe s’di te vraposh pa u rrezuar ne nje te tatepjete me zhavorr… ose shkurt: qe s’di nga lidhet gomari. Normalisht evidentimi i mosnjohjes sate, ndiqet nga nje e qeshur dashamire. Dhe aq! Personi nga provinca ne kete pike eshte fitimtar, dhe marredhenia mund te vazhdoje normalisht.

  2. Tue u nisë prej respektit të madh që kanë politikanët e Kosovës për klasën politike nga Shqipnia, prej idealizimit që ua bajnë këtyne të fundit, e pjesërisht edhe prej ndjenjës së inferioritetit që del në pah si rrjedhojë e kësaj, mua nuk ma merr mendja fort që Thaçi e ka ba këtë punë me qëllim, në çfarëdo niveli, pra as për me u tallë me dashamirësi me Ramën.

    Folja “narth” asht aq e përhapun në të folmen e Kosovës, saqë Thaçit kjo i ka rrëshqitë automatikisht – ose ngase nuk ia ka marrë mendja që Rama s’e kupton (me thanë të drejtën, edhe unë veç këtu në blog e mora vesh që “narth” qenka regjionalizëm dhe që s’qenka në fjalor), ose ngase e ka artikulue në nji çast ku i ka ra përqëndrimi, gjegjësisht kur i ka mungue sforcimi i nevojshëm për me kalue në regjistrin e gjuhës letrare, sforcim ky i cili i duhet çdo kosovari për me u kuptue nga nji “tirons”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin