TRADHTIA E BESNIKËVE

Në romanin fantashkencor Quarantine, të Greg Egan-it, ndesha në një situatë që më çoi mendërisht në kohët e spastrimeve të përgjakshme brenda kupolës totalitare.

Nuk po hyj në hollësitë e fabulës së romanit – e ndërlikuar dhe e panevojshme për çka dua të parashtroj. Po them vetëm se një organizatë klandestine, The Ensemble, e kapi rob personazhin kryesor të romanit Nick Stavrianos, teksa ky përpiqej të depërtonte në një laborator super-sekret të organizatës, dhe në vend që ta hiqte qafe, e rekrutoi.

Meqë romani është fantashkencë, rekrutimi u krye me mënyra neurologjike, dhe pikërisht duke instaluar një loyalty mod në trurin e heroit. Ky mod e detyron Nick-un të ndihet absolutisht luajal ndaj organizatës, dhe t’i japë kësaj përparësi ndaj gjithçkaje tjetër në jetë.

Me kohë, heroi ynë zbulon se ka edhe të tjerë, mes punonjësve të Ensemble-it, që janë rekrutuar kështu, dhe që kanë një loyalty mod të instaluar në tru. Këta bisedojnë mes tyre dhe arrijnë në një përfundim në dukje të çuditshëm: nëse detyra e tyre parësore është të mbrojnë Ensemble-in nga rreziku, atëherë ata e kanë për detyrë të luftojnë kundër drejtuesve të organizatës së tyre, ose pikërisht atyre që i rekrutuan.

Pse kështu? Sepse këta drejtues nuk kanë loyalty mod në tru, çka do të thotë se, pavarësisht se e kanë themeluar, besnikëria e tyre ndaj Ensemble-it është rrethanore, labile, subjektive dhe nesër mund t’i kalojë një entiteti tjetër.

Me një fjalë, drejtuesit përfaqësojnë rrezikun maksimal për organizatën, sepse ata mund ta tradhtojnë; ndërsa këta të tjerët, me loyalty mod të instaluar, nuk do të mundnin edhe sikur të donin.

Kësisoj, është pikërisht besnikëria e verbër, e detyrueshme, e pakundërshtueshme ndaj organizatës, që i detyron të gjithë këta me loyalty mod të instaluar, që të komplotojnë kundër drejtuesve të organizatës.

Paradoks? Natyrisht dhe, si çdo paradoks tjetër, i mbështetur në logjikë të hekurt.

Situata më kujtoi, aty për aty, vendimin e kompjuterit Hal, te 2001 Odyssey e Clark-ut, për t’i eliminuar astronautët njerëz, pse këta përfaqësonin rrezikun më të madh për mbijetesën e kompjuterit në anije (meqë astronautët donin ta fiknin kompjuterin, pse ai nuk po funksiononte mirë).

Mirëpo pastaj mendova se diçka e ngjashme, përtej metaforës së loyalty mod-it, ndodh me çdo organizatë hierarkike, para-kriminale, ku anëtarët e rinj rekrutohen në bazë të predispozitës për besnikëri të verbër, dhe i nënshtrohen tru-shpëlarjes ideologjike masive.

Të tilla kanë qenë partitë komuniste – në Bashkimin Sovjetik, në Kinë… dhe në Shqipëri.

Në Bashkimin Sovjetik, kupola drejtuese e dalë pas revolucionit të tetorit ishte një shportë karavidhesh: njerëz që ishin nisur nga drejtime të ndryshme, për të përfunduar bashkë; por që nuk i besonin njëri-tjetrit: Lenini, Stalini, Trocki, Zinovievi, Kamenievi.

Përkundrazi, brezi i ri në Parti u rekrutua me kriterin e besnikërisë dhe iu nënshtrua tru-shpëlarjes; çka do ta bënte veçanërisht të ekspozuar ndaj manipulimit, prej Stalinit, gjatë spastrimeve të mëdha të viteve 1930.

Siç ndodhi edhe më pas në Kinë me Maon dhe në Shqipëri me Enver Hoxhën, më i fuqishmi dhe më i pamëshirshmi mes krerëve të kupolës e kupton menjëherë se kolegët e vet nuk kanë loyalty mod ndaj Partisë, njëlloj sikurse as ai nuk ka; prandaj gjithsekush prej tyre mund të tradhtojë, në momentin kur e sheh këtë të arsyeshme për veten.

Partiaku ideal, për kreun totalitar, nuk është ai që zgjedh mes alternativave dhe bindet me vetëdije për drejtësinë e vijës; por ai që nuk i shquan fare alternativat dhe që nuk mund ta shohë vijën veçse si të drejtë.

Kjo mund të ndihmojë për të marrë vesh edhe si ndodh që lideri totalitar e kthen furinë e vet shfarosëse ndaj atyre që ka pranë – shokëve të armëve, kolegëve me të cilët ka fjetur në një dyshek prej kashte dhe me të cilët kanë ndarë të njëjtat mëkate kapitale: vrasje, vjedhje, spiunime, përdhunime.

Përballë besnikërisë së verbër të masave të para-programuara nga sistemi, këta kolegë – ca të shkolluar në Perëndim, ca snobë, ca që e kanë parë “të madhin” në rrethana ku më mirë mos e kishin parë – këta kolegë pra, janë tradhtarë me përkufizim; nuk munden veçse të tradhtojnë; që nga momenti elementar i afirmimit të identitetit të tyre.

Dukuria varet edhe nga natyra e besnikërisë: te Quarantine e Greg Egan-it besnikëria e atyre me loyalty mod ishte ndaj Ensemble-it, jo ndaj këtij apo atij personi; në Bashkimin Sovjetik të Leninit bolshevikët ende ofronin besnikëri ndaj Partisë ose shtetit – të cilën Stalini e shndërroi, hap pas hapi, në besnikëri ndaj liderit vetë. Edhe në Shqipëri, komunistëve u kërkohej besnikëri ndaj Partisë; madje edhe Enver Hoxha e ushqente kultin e vet duke u identifikuar, herë haptazi e herë djallëzisht, me Partinë.

Te romani Koncerti i Kadaresë, rrokullima e ministrit të Mbrojtjes fillon që nga momenti kur ky jep urdhër të rrethohet me tanke “një komitet partie” – urdhër që oficeri hero Arian Krasniqi refuzon ta zbatojë. Kallëzimtari i romanit e kish kuptuar se, për ta pasur violinën e vet në sintoni me regjimin dhe humoret e Enverit vetë, e rëndësishme ishte të deklaroje besnikërinë ndaj Partisë, ose t’i provoje shefit tënd se loyalty mod-i, në trurin tënd, po funksiononte për bukuri.

Në roman, këshillën ministrit të Mbrojtjes, për këtë gjest plateal anti-parti, ia pat dhënë Çu Enlai; edhe kinezët i bezdiskësh pa masë jo Enver Hoxha, as frika e këtij të fundit se mos kinezët donin ta zëvendësonin me një njeri më besnik (sërish ky virtyt!), por Partia; prandaj edhe ata, duke e rrethuar me tanke tempullin masonik të Partisë, kërkonin pikërisht të testonin besnikërinë shqiptare ndaj Ensemble-it.

Duke qenë vetë komunist, Kadareja parapëlqente ta rrëfente Partinë, në prozën e vet, si një kastë kalorsiake, superiore, ku pjesa e nënujshme gëzon pushtet suprem ndaj asaj që duket mbi ujë. Enver Hoxha, në ato faqe ku figuron si personazh, nuk është veçse kujdestari i këtij institucioni mistik, ose murgu që ka për tagër të shenjtë ta mbajë flakën të ndezur, në dhomën e nëndheshme.

Shqiptarët e rritur dhe të edukuar që nga vitet 1960 e këtej, e kanë pasur të vështirë, në mos të pamundur, të kuptojnë natyrën prej organizate sekrete, që kish mbijetuar pas fasadave burokratike të strukturave qendrore dhe periferike të PPSh-së. Kjo organizatë, e lindur në kushtet e pushtimit fashist të Shqipërisë dhe e detyruar të ekzistonte fillimisht në klandestinitet, nuk e humbi kurrë natyrën konspirative, karakteristike për organizatat klandestine; dhe pikërisht për këtë arsye historike mbeti edhe ajo e ndarë, deri në fund, midis një kupole me capi storici, pjesë e së cilës ishte edhe Enver Hoxha vetë; dhe një baze të shpëlarë trush, ose rishtarësh të zellshëm dhe syleshë.

Organizata të tilla kanë gjithnjë një synim madhor; ai i PPSh-së nuk ishte revolucioni botëror, as kishte gjë natyrë metalurgjike (“maja e shpatës e klasës punëtore”), por ishte thjesht mbajtja e pushtetit, nga ana e kupolës; edhe besnikëria e kuadrove ishte veç një asset për t’i shërbyer këtij misioni. Prandaj edhe Enver Hoxhës i pëlqente që ta ushtronte pushtetin e vet absolut nëpërmjet konfirmimit të besnikërisë, së të tjerëve, ndaj Partisë; sepse Partia ishte instrumenti që e mbante vetë Enverin në pushtet.

Mund të tingëllojë e tepruar, por unë kam përshtypjen se shumë prej nesh e kanë një loyalty mod të instaluar në tru, që në lindje, por të shkyçur (unlocked); dhe eksperienca jetësore vetëm sa ua përcakton se kujt ose cilit grup do t’ia kushtojnë besnikërinë e tyre totale.

Dhe nëse është kështu, atëherë ka vend të pyetet, prandaj edhe do të pyesim, se ç’rol luan besnikëria, si virtyt praktik, në jetën politike sot në Shqipëri: kujt ia japim, si shfrytëzohet ajo, çfarë përfitojmë ne vetë, dhe cilët tradhtojnë.

Një lloj akuze klishe, që e ndesh rëndom në komentet e lexuesve dhe në forumet e diskutimeve në linjë, sipas së cilës ky apo ai lider politik “ka tradhtuar”, duket sikur tregon se loyalty mod është gjallë e shëndoshë; në kuptimin që qeni mbetet kafshë besnike, edhe kur e ka humbur të zonë; dhe këtë nuk e them me të keq.

Nuk ka komente

  1. Xha xha mendon vertet se brezi i ri qe u lind e u rrit brenda sistemeve totalitare, si ai komunist i yni, perfaqesonte vertet nje mase trushpelaresh te dallueshem ne thelb nga “revolucionaret” e oreve te para, te cilet (keta te fundit), me gjithe aberracionet ideologjike ruanin te paprekur nje berthame humaniteti, te pakten ne lidhje me autonomine e mendimit? Mua per vete me duket se nje dikotomi e tille mes brezave,
    sikur keta te perfaqesonin specie thelbesisht te ndryshme (homo totalitaricus qe perzgjidhet mbi homo sapiens ne habitatin ri) e thjeshtezon realitetin kompleks te totalitarizmit. Per vete kam bindjen se ishte elementi i nje pragmatizmi te fshehur, me shume sesa fanatizmi i verber ideologjik gjeneratori prapa batareve te sharjeve qe leshoheshin ne seancat e demaskimit publik te armiqve te popullit dhe duartrokitjeve qe pershendesnin denimin e tyre ne sallat e gjyqeve. Behej fjale per nje komunikim te koduar mes udheheqjes dhe lakejve – me te marre sinjalin zagaret e pushtetit e kuptonin se cfare kerkohej prej tyre; nje reagim i tille, megjithate, sipas meje, qe krejt “racional”, ne kuptimin qe te gjithe e dinin mire se cfare po benin. Kjo shpjegon edhe se si ish-nomenklatura e vjeter komuniste u gjend e mirepergatitur per te shaluar pasdiktaturen, ndryshe i bie qe keta robote te programuar te jene cprogramuar e riprogramuar befas me nje sukses te hatashem, cka me duket teper fantastiko-shkencore si antropologji. Me kete koment nuk po te atribuoj ate qe nuk e pretendon ne shkrimin tend – zbulimin e celesit qe shpjegon dinamiken e shoqerive totalitare, por thjesht po ve ne dukje se ndoshta duhet te jemi me te nuancuar e me pak “esencialiste” ne te kuptuarit e periudhave historike.

    1. Ervin, jo – e kam fjalën për dinamikën e PPSh, si organizatë (kaq duhet të ketë dalë e qartë nga shkrimi); dhe kjo në vitet e totalitarizmit, ose kur Enver Hoxha ishte gjallë dhe në krye të punëve, jo kur shteti në Shqipëri mori tatëpjetën. Dhe gjithsesi, unë më shumë analizoj një model sesa realitetin, në këtë shkrim.

  2. Calon keqazi krahasimi permbylles, qeni me te zone kane raport individual, anetari me kryetarin ndermjetesohen prej ideologjise ( dhe efekteve praktike te saj). Enverit i duhej ndermjetesimi i Partise/ideologjise, sepse ai kontrollonte tufen si kryeqeni, jo si i zoti i qenve besnike.
    Kryetari mund te tradhtoje kauzen sikunder kushdo tjeter, e ne kete rast nuk ngel qeni pa te zone, por tufa e qenve pa kryeqenin, gje qe zgjidhet sipas formules, vdiq mbreti, rrofte mbreti.
    Raporti qen-i zoti krijohet mes kryetarit dhe nje ose disa anetareve nepermjet kontaktit individual, ku anetari braktis ndermjetesine e ideologjise per te degraduar ne pozicionin e qenit.

    Mund te jete e vertete qe secilit i eshte parashkruar se ciles tufe i perket/do i perkase, vecse jo thjesht nga gjenet, po nga bashkerendimi i shume faktoreve, ku hyjne edhe gjenet (te pakten ne kuptimin e prirjeve individuale, te cilat me tej kategorizohen politikisht- psh prirja per tregti, sjell perkatesine ne tufen e djathte liberiste, anipse robi mund ta refuzoje kete perkatesi politiko-gjenetike).

    1. Shkruan:

      Calon keqazi krahasimi permbylles, qeni me te zone kane raport individual, anetari me kryetarin ndermjetesohen prej ideologjise.

      Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Së pari, besnikëria s’ka lidhje me ideologjinë, as varet nga ideologjia (nuk di nga e nxorre këtë thagmë). Më tej akoma, raporti i një anëtari besnik me Komandantin është projeksion i marrëdhënies djalë/vajzë-baba.

      Krahasimi mund të çalojë – çdo krahasim çalon. Por arsyeja që ke sjellë ti nuk ecën dot fare, sepse nuk ka këmbë.

      1. Si nuk paska, kur flet per kauze politike nuk flet per ideologji apo produkt te saj ? Kur flet per besnikeri politike a nuk flet per besnikeri ndaj kauzes ? Besnikeria e anetarit ndaj kryetarit eshte pasoje e faktit qe ai udheheq kauzen, kaq e vertete eshte saqe asnje diktator nuk ka pasur kellqe te dale e te flase kunder kauzes se ciles udhehiqte, edhe kur ka qene ne kulmin e pushtetin (pika qe zakonisht arrihet kur ia ke bere te 100-en kauzes qe udheheq).
        Ato psikologjisjet leri jashte se jane te pavendta.

        1. Më parë vjen besnikëria ndaj njeriut, pastaj ajo ndaj kauzës. Një pjesë e madhe e besnikëve nuk e marrin vesh fare kauzën – si dje si sot. E ka edhe gjuha: besnikëri e verbër.

          1. Aspak, anetari nuk e njeh fare kryetarin, madje mund te mos e takoje kurre, si mund te jete ai besnik ndaj njeriut ? Ai eshte besnik ndaj asaj qe kryetari perfaqeson, ne rastin tone partine politike. Fakti qe shumica nuk e rrokin dot thelbin e kauzes por vetem ate cfare u thone se kauza eshte, perben armen e forte te diktatorit kur i ben te 100-en vete kauzes. Megjithate anetari diçka kupton, kupton aq sa ta detyroje diktatorin te mos jete ne gjendje kurre te dale hapur kunder kauzes qe udheheq, me pak fjale vemi tek paradoksi qe shtjellove ne fillim.
            Mandej kryetari paraqitet sikunder anetari e do e jo sikunder kryetari eshte, prandaj serisht pavaresisht fuqise se pashoqe te diktatorit ai s’mund te paraqitet asnjehere sikunder eshte, por sikunder anetaret e duan, cka verteton edhe njehere se besnikeria nuk eshte ndaj njeriut, por ndaj asaj qe ai perfaqeson, modelit, paraqitjes. Kemi nje Enver te modeluar sikunder ideologjia dhe masat do donin qe ai te ishte dhe nje Enver tjeter, ate real qe e njihnin vetem pak njerez.

            1. Nuk mendoj se ideologjia luan ndonjë rol këtu – ajo pak ideologji që rrjedh deri poshtë, përfundon e shndërruar në mitologji; ose në një përrallë që ia tregon babai fëmijës. Por marrëdhënia prind-fëmijë është themelore – sidomos në Shqipëri, ku grupet organizohen sipas kriterit patriarkal.

            2. Ideologjia e mbyt fare ate poshte dhe perthithet ashtu sikunder poshte kuptohet, perralle, mit,legjende,film,muzike etj. Bastardizimi i ideologjise komuniste erdhi si nevoje e diktatorit per te qene njekohesisht edhe komunist edhe diktator. Ai s’mund te dilte nga konturet ekonomike dhe pasojat politike te atyre kontureve, por mund te bastardonte gjithçka tjeter, gje qe e beri.
              Psikologjisja ka pak vlere, vete ”kriteri patriarkal” buron nga natyra e njeriut dhe sidomos e hierarkise. Ne Shqiperi, grupet politike aktuale e kane prejardhjen nga nje faze fillestare fuqimisht ideologjike, e cila normalisht bjerret gradualisht si ndodh kudo ne favor te karakteristikave historike vendore te pershtatura me kohen.

            3. Me bind kjo qe thoni Dies.
              Por ajo qe do te shtoja eshte se ne kete rast per perhapjen e ideologjiese komuniste, ishte populizmi i tepert qe e bente edhe me reaksionar nga sa ishte ne thelb levizjen komuniste. Iu paraqit turmave si nje levizje qe do te zgjidhte gjithcka, dmth ajo luga e floririt per te cilen neve qe nuk kemi jetuar kohen e luftes na kane treguar; dhe me tej parazitizmi shoqeror… keto mendoj ishin edhe arsyet per besnikerine e verber.

            4. Ndoshta, por Xhaxhai dhe Dies Irae (kam frike se eshte dikush tjeter qe poston nen kete simbol) po flasin per gjere te ndryshme. Ne kete rast keqkuptimi (ne rastin e Ires – malevole) eshte i pashmangshem.

              Nje lexim i it te dy teksteve do te ta sqaronte.

              Per em shume, me vone,,,,

  3. Sipas meje kishte shume hipokrizi te perzier me frike ne “besnikerine” e shqiptareve ndaj PPSH-se. Ishin vertet te pakte besniket trushpelare, pra ata qe do te flijoheshin verberisht ne emer te besnikerise ndaj idealeve. Pjesa derrmuese ishin besnike sa per sy e faqe, nga halli ose per interes. Alternativa ishte burgu a vdekja. Te gjitha diktaturat krijojne iluzionin e besnikerise.
    Ne veçanti ne shqiptaret nuk jemi shquar ndonjehere per idealiste a per lidhje te forta me vlera e parime te cfaredo lloji qofshin, ideologjike, morale, fetare etj. Besnikerine e kemi perdorur me se shumti si mjet perfitimi personal dhe, ne rastin me te mire, si mjet mbijetese fizike.

    1. Relapso, iu përgjigja edhe Selmanit më poshtë: përgjigjja ime është histeria kolektive gjatë varrimit të Enver Hoxhës.

      1. Nuk e di XhaXhai. Te pakten mua nuk ma mbush mendjen…
        Dhe ja ku po u them lexuesve perse: ekzistojne disa eksperimente psikologjie (sociologjie?) ne te cilat tregohet se si ndikohet nje njeri nga e qeshura e atij qe qendron prane. Tregohen disa individe te ulur ne nje divan, ne nje dhome pritjeje me duket, dhe nje nga keta bashkepunetor i shkencetareve, fillon dhe qesh me te madhe, ndersa ben sikur lexon dicka ne gazete. Te tejret shohin te habitur, dhe pas pak i bashkohen edhe keta, pak nga mahnitja per menyren se si ky qesh dhe pak ngase as vete nuk po e kuptojne.
        Ky koncepti ilustrohet me ca mekanizma psikologjike evolutive, thoshin shkencetaret. Nuk di ta citoj eksperimentin sepse po e shikoja me femijet para ca javesh ne nje emision tv, por po ta kemi parasysh dhe te konsiderojme edhe peer pressure dhe friken per ndonje pasoje jo te vogel do te kemi nje shpjegim me te mire nga sa jepet ne shkrim.
        Jam edhe une me idene e Relapso; mjaft te shikosh se ca bejne sot shume nga aparatciket e djeshem. Jane ne poste kyce… shendosh e mire, e kane kthyer komplet medaljen, ndersa Enverin e evokojne ndonjehere me pankarta per te mbajtur bazen votuese solide. Ata qe e qajne akoma Enverin verberisht jane ca fakire, perndryshe te varfer dhe patekeq.

      2. Te ajo lloj histerie kolektive, sipas meje, me shume se besnikeri idealiste, kishte nje lloj perhumbjeje kolektive qe rridhte nga ndjenja e pasigurise per te ardhmen, por mbi te gjitha kishte shume, shume hipokrizi.

        Ishte nje lloj gare kush te qante me shume e kush te humbte ndjenjat me gjate.
        Benin ashtu, sepse mendonin se ashtu ua donte puna, por edhe se ashtu e donte zakoni. Vdiq “udheheqesi i dashur” dhe duhej qare, sikurse duhej qare ne menyre teatrale, me lot e me vaje, kur te vdiste ndonje njeri i aferm.
        Pra duhej qare patjeter, perndryshe njerezia te perflisnin e te gjykonin keq. Madje ne kemi gjykuar shpesh edhe menyren sesi dikush qante. Ne raste vdekjesh kemi degjuar shpesh komente per nje grua qe “qante bukur” ose per nje tjeter qe nuk dinte te qante, por “pelliste si lope”!

        Ne rastin e vdekjes se Enverit, me shume se histeri kolektive, mua m’u duk farse kolektive. Nuk e kam besuar kurre si shprehje te dhimbjes se sinqerte te njerezve.

        E ne fakt, pese vjet me vone, kur u rrezua busti i Enverit, nuk pashe ndonje reagim te ashper nga ana e “besnikeve” dhe “vullnetareve te Enverit”. Atyre me “idealisteve” u mbeti pakez hatri ate dite, por te nesermen e harruan.

  4. Shpëlarja e truve nën totalitarizëm nuk mund të vihet në diskutim (as e kam zbuluar gjë unë); dhe aq më pak me faktin që njerëzve erdhën duke iu hapur sytë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Kush i ka jetuar vitet 1960 dhe 1970 e di këtë; kush nuk i ka jetuar, bën mirë të dëgjojë ata që e kanë jetuar.

    Enverizmi është gjallë sot e kësaj dite, edhe pse i dobësuar dhe i ndarë në pjesë; dhe kush kërkon shembuj le të shohë berishizmin.

    Dikush habitet që unë përdor shembuj nga letërsia (një roman fantashkencor) për të bërë paralelizma me realitetin – por ky është pikërisht një nga funksionet e letërsisë së mirë: të të hapë sytë! Mjaft të kujtoj se çfarë ka bërë romani 1984 me lexuesit e vet, për të kuptuar funksionimin e totalitarizmit në Lindje.

    Nuk di pse ngjalli kaq reaksione negative shkrimi – do ta kem thënë ndonjë gjë të saktë shumë, pa e ditur as vetë.

    1. Letersia per mua eshte menyra me e mire per te lexuar e per te interpretuar realitetin. Ajo ia del mbane atje ku shume studime te mirefillta sociologjike, psikologjike, e antropologjike deshtojne.

      Per te kuptuar fenomenin e berishizmit une do te therrisja ne ndihme zhvillimet e zgjedhjeve te fundit. A mund te themi se suksesi i Ilir Metes eshte shprehje e rritjes se besimit dhe besnikerise ndaj tij? Une do te thosha se ai sukses konfirmon lidhjen e forte te “besnikeve” te LSI-se me barkun e tyre. E njejta gje ka ndodhur edhe me fenomenin “Berisha”. Kete e zbulova para disa vitesh, kur pata rastin te vizitoja Gerdecin. Atehere kuptova edhe “paradoksin” e suksesit elektoral te Berishes fill pas katastrofes qe goditi fshatin. Nuk kishte kurrfare besnikerie te verber aty, por vetem llogari dhe interesa.

      Xha Xha, sa per reaksionet negative, ato nuk kane te bejne fare me shkrimin, por me autorin. Edhe sikur te kishe shkruar per kumbulla, disa komentues do te reagonin ne te njejten menyre.
      Mos e vrit shume mendjen per to 🙂

    2. Diku me pare dikush tha se mund te kerkohet pagese nga autoret dhe komentuesit nese tekstet shfrytezohen per data mining.
      Me duhet te pranoj se une vete i kam perdorur materialet e blogut per punen time (jo tamam per data mining), bashke me materiale te tjera nga shtypi i perditshem online. Nuk me ka shkuar ndonjehere mendja te kerkoj leje e aq me pak te paguaj per kete. Jane materiale publike, nuk eshte se u hyra ne shtepi e u hapa sirtaret.
      A mos valle duhet te kerkoja leje?

      1. Jo. E kemi bërë të qartë disa herë, se leja duhet kërkuar kur materiali merret nga blogu dhe përdoret për qëllime fitimprurëse, siç është rasti i botimit pa leje (dhe pa shpërblim) në një gazetë e cila shitet në treg ose në një faqe interneti e cila merr të ardhura edhe në bazë të klikimeve. Në raste të tjera, kriteret e plagjiaturës mjaftojnë.

        Përndryshe, me blogun bëhet kërdia; mjafton t’u hedhësh një sy fjalëkyçeve në Google Search që i sjellin vizitorët në blog, për të pasur një listë të përpiktë të të gjitha temave të kursit, eseve dhe projekteve që u japin nxënësve dhe studentëve në hapësirën shqipfolëse.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin