NJË KAFE, JU LUTEM

Para disa vjetësh, në një lokal diku nga qendra e Tiranës, një familje me dy fëmijë nuk po gjente vend për t’u ulur. Pritja po bëhej e gjatë. Burri iu lut kamerierit që ta ndihmonte, përndryshe do të vinte nata e do të mbeteshin pa pirë kafe. Djaloshi i ri simpatik filloi të kërkonte me ngulm e bëri ç’bëri ua gjeti vendin, madje të këndshëm. Afër shatërvanit e pranë luleve.

Pas porosisë, shërbimi iu bë i shpejtë dhe i kulturuar, çka i habiti pak përderisa shumë klientë të tjerë, përfshirë mua që po shijoja skenat përreth, po e humbnin durimin për shkak të vonesës. Iu duk vetja pak si të privilegjuar, shkëmbyen disa shikime mirëkuptimi, por nuk bënë pyetje, meqë kamerierin nuk e njihnin personalisht.

Në fund të kafesë dhe akulloreve për fëmijët, i erdhi radha pagesës. Kur kaloi afër, burri i kërkoi llogarinë, me lutjen që t’ua jepte sa më shpejt. Kuponi i erdhi pas pak minutash mbi tabaka. Në shenjë vlerësimi për shërbimin e kulturuar, duke dëgjuar edhe këshillën e bashkëshortes, kryefamiljari i la diçka më shumë se çmimi i shënuar. “Ju lutem, në asnjë mënyrë”, ia refuzoi kamerieri i ri me një përskuqje të lehtë në fytyrë. Insistimit të klientit, të përzier me doza habie e moskuptimi, kamerieri iu përgjigj fare qartë: “Zotëri, ju ma dhatë bakshishin me mirësjelljen tuaj. Nuk latë asnjë fjali pa ju lutem. M’u lutët t’i gjeja vend, m’u lutët gjatë porosisë, m’u lutët për llogarinë. Nuk më ndodh shpesh. Ja shikojeni atë paedukatin atje, si bërtet. Sikur jam skllavi i tij. Ju më respektuat mua dhe profesionin tim. Ju falënderoj”. Disi i hutuar, burri i mblodhi instinktivisht monedhat e tepërta dhe u largua duke e falënderuar me buzëqeshje e ndonjë fjalë nëpër dhëmbë.

Katër tryeza më larg, dy mesoburra merrnin e jepnin me njëri tjetrin. Ndoshta miq të vjetër, ndoshta partnerë biznesi. “Mezi e gjetëm këtë vend. Pse s’po duket ky dreq kamerieri. Çuno, o çuno, hajde pak këtu!”. Tymi ngrihej ngadalë nga cigarja e ndezur ndër gishtat e nervozuar.  Dora e tjetrit valëvitej si e të mbyturit në det kur kërkon ndihmë. Kamerieri po shërbente diku më tutje. “Nuk të dëgjon vëlla. Shërbim muti”. Fishkëllima e hollë e detyroi kamerierin t’i shkonte në tryezë pothuajse me vrap. “U bë dy orë që presim, mor çun. Lëviz një çik. Na sill shpejt dy kafe, njërën makiato”. Bindjen dhe faljet e kamerierit shoku ia komentoi kështu: “E duan me të bërtitur. Po s’e ngrite zërin nuk të dëgjon kush sot”, pastaj vijoi me një shprehje që përmendte mushkën e drutë. Në fund të shërbimit, kur mori llogarinë në duar, hodhi mbi tryezë disa monedha të vogla, njëra prej të cilave u rrotullua rreth vetes derisa tjetri e ndaloi vrullshëm me pëllëmbën e dorës. U ngritën dhe ikën pa thënë asnjë fjalë. Tymi vijonte të dilte agonizues nga taketukja me cigare të fikura.

Nuk ishte i njëjti kamerier. I pari iu përgjigj mirësjelljes më shpejt se harbutërisë, i dyti bëri të kundërtën. I pari e konsideroi forcë mirësjelljen, i dyti e pa forcën tek bërtitja. Tek e fundit, klientët janë të ndryshëm, ndaj edhe kamerierët nuk mund të jenë të gjithë të barabartë. Secili u përgjigjet kodeve të komunikimeve sipas njohjeve dhe edukatës që ka. Pastaj, kamerierët kanë mbi kokë edhe pronarin e lokalit, i cili mund t’i ketë kërcënuar duke thënë se  “klienti ka gjithnjë të drejtë”; ose mund t’i ketë këshilluar se “mirësjellja është vlerë e shtuar”.

Kujtime të tilla të vinë kur lexon se në Nicë të Francës, në lokalin të quajtur La Petite Syrah, kush sillet mirë, përshëndet e porositnjoftimi-bar me fjalë kortezie, fiton një ulje interesante. Adej nga fundi i 2013-s, shtypi njoftoi se kush paraqitet në lokalin francez e thotë: “Mirëmëngjes, një kafe, ju lutem”, paguan më pak se sa ai që kërkon thjesht një kafe. Tarifat janë këto: ka tre çmime për kafen; 7€ për atë që kërkon thjesht “Një kafe”; 4,25€ për atë që porosit “Një kafe, faleminderit” dhe çmimin 1,40€, për ata që kërkojnë me mirësjellje “Mirëmëngjes, një kafe, faleminderit”.

Kemi të bëjmë me diskriminim pozitiv, apo me penalizim për kundërvajtje shoqërore? Për këtë duhen parë çmimet. Nëse favorizohet mirësjellja është një gjë, nëse ndëshkohet mungesa e edukatës është tjetër gjë. A do të kishte sukses një nismë e tillë në Shqipëri? Ndoshta. “Një kafe, ju lutem”. Kamerieri: “Jua sjell menjëherë zotëri. 100 lek. Po të më kishit thënë Mirëmëngjes, edhe më pak do t’ju kishte kushtuar”. “Herës tjetër, pa problem. Ditën e mirë”.

Bari i Nicës e ka një efekt didaktik. Ka mundësi ta ketë bërë për arsye marketingu, por mësimi qytetar mund të jepet edhe në atë mënyrë. Njerëzit që shkojnë atje e dinë se, po nuk treguan mirësjellje, rrezikojnë të paguajnë më shumë.

Si do të ishin sjellë dy tryezat e mësipërme në lokalin “Mirësjellja” në Tiranë? Familja e parë do të kishte paguar gjysmën e çmimit. Dy shokët e tjerë do të paguanin trefishin. Sipas gjasës, burri i përzemërt do të thoshte: “Ju lutem, nuk u solla mirë që të ulnit çmimin. E bëra se kështu duhet bërë. Jemi njerëz, jo kafshë”. Duhanxhiu i nevrikosur do t’i hakërrehej kamerierit: “Çfarë the? Jo vetëm që s’e çave b… kokën, e na le të presim një orë, jo vetëm që e pimë kafen e ftohtë, tani duhet ta paguaj sa frëngu pulën? Kush është pronari i lokalit këtu. Kush? Niku i Hatixhesë? Jo more pronari me letra, ai i vërteti, ai që s’del në letra. Unë e kam timin. Do ta marr në telefon”.

Nuk e mohoj, mund të jetë gjetje publicitare. Në Romë të Italisë, në zonën e njohur të Trasteveres, ekziston që nga lufta e dytë botërore një restorant me emrin “Cencio La parolaccia” (Cenço Fjala e keqe), por që njihet me emrin shkurt “La parolaccia”. Siç e thotë edhe fjala, po të hysh në restorant të presin me fjalë të këqija e sharje të ndyra. Për nga gatimi, restoranti është tipik roman, por edhe talljet nga ai dialekt vijnë. Thonë se është shumë i kërkuar, sidomos nga turistët që duan ta shijojnë edhe shpirtin gazmor e kryeneç të romanëve, të cilët dallohen edhe nga dialekti tejet simpatik. Personalisht nuk kam shkuar asnjëherë, ndoshta për arsyen se dozën e sharjeve e të talljeve që më takon, e marr rregullisht në rrugë të tjera. Ky restorant e ka impaktin e vet ekzotik, e si rrjedhim klientelën, sepse përreth ka mjedis të kulturuar. Përndryshe, në një mjedis sharjesh e me shumicën e njerëzve paedukatë nuk  do të kishte kuptim se do të humbte sensin e vet të përjashtimit. Megjithatë, restorantin e Trasteveres nuk mund ta konsiderosh si marketing i pastër, sepse romaniteti që përcillet në atë restorant shkon përtej aktit komercial.

Një lokal plot mirësjellje do të kishte kuptim edhe në Shqipëri. Jo sepse ka harbutëri gjithkund, por sepse do të vlerësohej më shumë mirësjellja. Marrëdhëniet sociale në Shqipëri vuajnë nga një farë vrazhdësie e pajustifikuar. Ka klientë që ta japin porosinë me tone të rënda, sikur kamerieri të ishte hyzmeqar i tyre, ka kamerierë që të përgjigjen harbutçe sikur ta kishin për borxh. Por vrazhdësia nuk ezaurohet vetëm në lokale, vijon drejt saj nga rruga, e nga mjedise të tjera, qoftë edhe virtuale. Kam përshtypjen se është ngjitëse, sikurse e kundërta e saj. Mirësjellja e fisnikëron njeriun. Klienti konsumon në mjedis të kulturuar, kurse kamerieri e ndjen se i vlerësohet profesionalizmi. Gjithsesi, nismat e mirësjelljes mund të shumëfishohen nëpër ofiçina, shitore, zyra shtetërore… Idealisht pa e deklaruar.

Mirëpo, çdo eksperimet ka pasojat e veta të paparashikuara. Drejtori i lokalit francez i ka rrëfyer shtypit se klientët kanë filluar të jenë më të edukuar. Mirëpo ka nga ata që e teprojnë me mirësjelljen: “Një kafe. Madhëri!” i paska thënë dikush. Më vjen ndër mend një batutë humoristike, që thoshte pak a shumë kështu. “Për festën e saj i dhurova mësueses një mollë. Në shenjë falënderimi ajo më puthi. Të nesërmen i çova një shalqi, por ajo nuk më kuptoi”. Si të thuash, nuk është se teprimi sasior çon gjithnjë në kapërcime cilësore. Përkundrazi, në rastin tonë tregon se ka një farë hipokrizie, se mirësjellja nuk është e sinqertë, e njëmendtë, xhenuine. Pastaj, mos vallë duhet t’i vemë çmim mirësisë? Apo duhet të kontrollojmë nivelin e dyfytyrësisë?

Kur kam shkuar për herë të parë në Itali, mua dhe shokëve të mi, në xhamin e një sporteli shërbimesh, na pati bërë përshtypje tabela që shkruante: La cortesia non costa nulla, ma ottiene tutto (Mirësjellja nuk kushton asgjë, por arrin gjithshka). E vërtetë banale, por e vërtetë. Megjithatë jo të gjithë e njohin, përderisa nuk e praktikojnë. Unë e vura vath në vesh që në atë kohë dhe mundohem ta zbatoj sa kam mundësi. Megjithatë, ndërsa pjesa e parë e thënies është universale, e dyta jo gjithnjë realizohet. Por mirë është ta respektojmë, pavarësisht nga kostoja e kafesë.

Nuk ka komente

  1. “Një lokal plot mirësjellje do të kishte kuptim edhe në Shqipëri. Jo sepse ka harbutëri gjithkund, por sepse do të vlerësohej më shumë mirësjellja. Marrëdhëniet sociale në Shqipëri vuajnë nga një farë vrazhdësie e pajustifikuar.”

    Pishak, falemnderit per prurjen. Me kete shkrim ke vene gishtin ne nje aspekt delikat te jetes sociale ne Shqiperi, tek miresjellja, apo me mire tek mungesa e miresjelljes ne komunikimin (ndër)qytetar. Pershtypja ime eshte, qe vrazhdesia ne komunikim dhe me gjere ne marredheniet sociale eshte mjaft e perhapur ne Shqiperi. Dhe nuk e kam fjalen ketu per komunikimin ne parlament, ku politikanet shahen me liber shtepie e ku s’lene fyerje e ndyresi pa ja hedhur ne koke kundershtarit politik. As per marredheniet shtetar – qytetar, polic – qytetar, shef – vartes. Por kam parasysh nivelin e komunikimit midis qytetareve te panjohur me njeri-tjetrin, ne rruge, ne dyqan, ne lokal, ne autobus, ne trafikun rrugor. Pa dashur qe ta pergjithesoj kete dhe t’i fus te gjithe ne nje thes, por komunikimi midis te panjohurve ne Shqiperi eshte shpesh i tendosur, provokativ ose agresiv, me tendencen per te degjeneruar shume shpejte ne vrazhdesi dhe harbuteri. Arsye per kete mund te jipen shume – varferia, ashpersia e jetes sociale ne Shqiperi, katundarlleku e deri tek kapadailleku famekeq ballkanik – por besoj se kryesore eshte qe shume ne Shqiperi thjeshte nuk njohin (nuk kane mesuar) forme tjeter komunikimi me te panjohurin, pervec kesaj menyre. Dua te them, qe ky komunikim nuk behet nga dashakeqesia, nga ligesia, por thjesht sepse shume nuk dine te komunikojne ndryshe me tjetrin. Nje pjese tjeter akoma, e dine si te sillen me miresjellje, por druhen se mos kjo u mirret per dobesi apo naivitet, sidomos te meshkujt, apo u ruhen keqkuptimeve te mundshme, sidomos te femrat (nje e njohur nga Shqiperia: Po u buzeqeshe te panjohurve ne Shqiperi ta marrin per ters, “ia ka qejfi asaj!” e ec tu gjesh anen telasheve pastaj! 🙂

    Nje lokal plot miresjellje patjeter qe do te kishte kuptim edhe ne Shqiperi, madje aty do te kishte me shume kuptim se sa ne shume vende te tjera, ku miresjellja eshte pjese e vetkuptueshme e komunikimit qytetar. Por mund dhe duhet te behet me shume kaq. Po sikur te futet “Miresjellja dhe Edukata qytetare” si lende me vete ne shkollen fillore, aty ku femijet ndikohen dhe formohen me shume? Po sikur te ndergjegjesohen/te nxiten mesuesit/-et ne shkollat e cdo niveli, qe te perdorin me shume “faleminderit”, “te lutem”, “kerkoj ndjese” apo “me fal” ne komunikimin me nxenesit dhe ta kerkojne prej nxenesve perdorimin e fjaleve te miresjelljes ne komunikim me to dhe me njeri-tjetrin?

  2. me ben pershtypje si radhiten shprehjet irrituese ne Shqiperi, dhe si ndryshon familjariteti me to ne kohe. Para disa vjetesh te perdorje “te lutem” ishte shume irrituese per shume tiranas. Tani eshte “falemnderit”. por besoj kampion irritimi eshte buzeqeshja. Nje here, duke dale, u mbajta deren dy grave qe hynin ne nje dyqan. Ato hyne, me pane me cudi pa me thene falemnderit, dhe kur une buzeqesha i thane njera-tjetres “Po kjo c’pati?!” Ndoshta edhe une keshtu kam qene dikur …

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin