MINISTRA PA MANDAT

Nga Zampanò

half-faceKëtë punën e dorëheqjes së Ministrave si deputetë ende nuk e kam kuptuar mirë. Ose nuk ma kanë shpjeguar akoma siç duhet. Mediat njoftojnë se këto ditë edhe pesë ministra të tjerë kanë dorëzuar mandatin e deputetit. Partia Socialiste, thuhet nga shumë anë, e pati premtuar para dhe pas zgjedhjeve.

Koherenca që tregon Partia Socialiste në mbajtjen e premtimeve nuk tregon automatikisht se çka bën janë të drejta. Lexoj se lënia e mandatit të ligjvënësit bëhet me qëllim ndarjen e postit të deputetit nga ai i ministrit. Mirëpo, ky është efekt i aktit të dorëheqjes. Cila është arsyeja? Thonë se bëhet për t’iu përkushtuar plotësisht detyrës së Ministrit. Diku tjetër kam lexuar se ka edhe praktika botërore që ndjekin këtë procedurë. Për postin e Ministrit lihet mandati i deputetit.

Instinktivisht mua nuk më bind kjo zgjidhje. Ka një diçka që nuk shkon. Duke filluar nga shenja e barazisë që vihet midis postit e mandatit. Pavarësisht se çfarë prestigji social kanë këto vende, në qeveri e në parlament, duhet thënë se nuk janë njëlloj. Ministri nuk përfaqëson detyrimisht dikë, ose një zonë. Në fakt, ministër mund të bëhet kushdo: profesor, punëtor, fshatar, filatelist… Propozohet nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, i ngarkuar posaçërisht nga Presidenti, dhe pasi qeveria merr votëbesimin, Ministri shkon e merr çelësat e dikasterit që do të drejtojë. Mandati i deputetit është krejt tjetër. Deputeti është ai person që është zgjedhur shprehimisht për të përfaqësuar një zonë të caktuar, ose brenda partisë së caktuar. Qytetarët e kanë votuar që ai t’ua përfaqësojë interesat në Parlament.

Nuk e kuptoj mirë se përse ka konflikt midis rolit të deputetit dhe atij ministror. Po të ishte diçka thelbësore duhej bërë me ligj. Kush emërohet Ministër duhet ta japë dorëheqjen nga deputetllëku medoemos. Sepse pengesa është reale, pavarësisht nga premtimet në fushatën zgjedhore. Le të shpjegohet me mungesë kohe, me konflikte interesi, e argumente të vërteta ose me gjepura të shpikura.

Po kush është më i rëndësishëm, Ministri apo Deputeti? Varet. Në pamje të parë Ministri, se ka vendimmarrjen, është më i fuqishëm, kurse deputeti është një nga të njëqind e dyzetë parlamentarët e tjerë. Kjo është e vërtetë, por një deputet që nuk ka ndër mend të bëhet ministër e që dëshiron të përfaqësojë vetëm zonën e vet, rëndësi ka të jetë në Parlament e të flasë për rrugët e fshatit të vet, jo të interesohet për projektligje të përgjithshme.

Ndarja e mandatit nga postit i Ministrit ka edhe kleçka të tjera. Ministri pa mandat deputeti mbetet pa parashutë. Nesër mund të ketë konflikt me kryeministrin dhe ky i fundit e flak me torbë në krah. Mbetet pa post e pa vend në parlament. Ministri pa mandat bëhet më i prekshëm nga pushteti i kryeministrit, ndaj mund të merret peng në çdo rast. “Rri urtë se të nxora jashtë”. Nga kjo pikëpamje duket se liria e Ministrit për t’u distancuar nga vendimet e qeverisë reduktohet shumë.

Punën e parashutës e di fare mirë, madje shumë më mirë, Ministri. I cili nuk e lë mandatin aq kollaj, se e di që nesër mund të gjendet në mes katër rrugëve. Ka nga ata që thonë se mjafton gjashtë muaj Ministër dhe rregullohet gjashtë mandate deputeti. Domethënë si fitime. Por këtu jemi në fushën e akuzave pa prova, janë hamendje dhe supozime. Sipas gjasës, Ministri që po lë mandatin, e ka bërë marrëveshjen me kryeministrin, sepse do sigurinë e vet mbi të gjitha. Por edhe kjo e ul hapësirën e lirisë së ministrit.

Nuk e di. Ndoshta kjo ndarje është bërë me qëllim prerjen e tortës pushtetore. Duke futur të tjerë njerëz në parlament, zgjerohet torta e pushtetit, mund të hanë të gjithë, ose më shumë se më parë. Sa ministra ka, aq edhe deputetë të rinj futen. Në këtë mënyrë edhe votat në parlament nuk është se mungojnë. Ministrat mund të shkojnë me shërbim sa herë t’i teket.

Opsioni i ndarjes së mandateve legjislative nga ato ekzekutive, ka ithtarët e vet edhe në krahun tjetër. Ja ç’tregonte Aleksandër Biberaj, ish- deputet i Partisë Demokratike:

Pas fitores së PD-së dhe aleatëve të djathtë në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së në shtator 2005, me cilësinë e deputetit dhe të anëtarit të kryesisë së PD-së, i kam propozuar kryeministrit Berisha (njëkohësisht edhe kryetar i PD-së në atë kohë) që të bëjmë ndarjen e mandateve legjislative nga ato ekzekutive, me këto argument:

1. Të mos kemi përqendrim të pushtetit tek një grup i vogël njerëzish.

2. Të mos kemi një qeveri të pakontrollueshme.

3. Të kemi njerëz qe do të mbajnë partinë hapur, do të vazhdojnë të punojnë për PD-në dhe të drejtojnë PD-në duke mbajtur kontaktet me demokratët dhe elektoratin dhe

4. Të kemi mundësi të motivojmë sa më shumë politikanë nga ndarja e mandateve, sidomos të rinj.

Propozimi im u mirëprit dhe u përkrah formalisht nga z. Berisha, por fatkeqësisht nuk u realizua asnjëherë.

Argumentet ka mundësi të jenë të njëjtat që përdoren sot nga Ps-ja. Por nuk qëndrojnë tërësisht. Përqendrimi i pushtetit nuk bëhet për shkak të qeveritarëve me mandat. Ka përqendrim edhe me ministra pa mandat. Madje përqendrim në pak duar të pushtetit. Qeveria është gjithnjë e kontrollueshme nga parlamenti, në qoftë se hallkat e demokracisë funksionojnë siç duhet. Vendimet e ligjet nga vota e deputetëve kalon. Partia duhet të mbetet hapur pavarësisht nga ministrat pa mandat. Madje nuk ka lidhje fare. Pika e fundit mund të na kujtojë punën e tortës, por të zbukuruar me qershi.

Ai që lë mandatin për postin e Ministrit është pak tradhtar, sepse parapëlqen pushtetin më shumë se përfaqësimin. Tradhtar ndaj atyre që ka marrë përsipër t’i përfaqësojë. Pavarësisht nga veçoritë e sistemit zgjedhor shqiptar. Zona ku ai është zgjedhur, ose zona nga vjen, është gëzuar vetëm si fillim, se tani lidhja që kishte me territorin, nuk ka më vlerë. Nuk e ka me detyrim të përfaqësojë kërkesat e elektoratit.

Kjo ndarja, pra, ngjan me një veprim propagandistik. Që ta bëjnë punën më mirë, po i heqim një angazhim më shumë. A thua se është punë kohe. Po në vendet ku Ministrat janë edhe deputetë, do të thotë se nuk e bëjnë mirë punën e Ministrit? Po sikur dikush t’i akuzonte se kështu po shkëputen nga realiteti? Si do të përgjigjeshin? Se do të zbresin herë pas here në terren?

Së fundi, kjo ndarje e tanishme sikur i bllokon që tani ndryshimet në qeveri. Edhe për këtë arsye nuk të bind. Po sikur nesër të kërkohen ndryshime në qeveri për shkak të aleancave, ose problemeve të tjera politike, ose qoftë edhe personale? Si do t’ia bëjë Kryeministri? Do t’u japë ish Ministrave një post si Drejtor në Ministrinë që drejtonte? Apo do ta hapë nga fillimi pazarin.

Koha do ta tregojë, por një fakt kemi përpara syve. Politika e vërtetë sikur po shuhet në Shqipëri.

Nuk ka komente

  1. Ndarja e mandateve mund te perligjet vetem nga nje arsye parimore:

    Ne nje sistem demokratik normal duhet respektuar parimi i ndarjes dhe pavaresisise se tri pushteteve: legjislativit, gjyqesorit dhe ekzekutivit. Prania e te njejtit person ne dy pushtete njeheresh do t’i binte ndesh ketij parimi.

    Sa per ate punen e perfaqesimit, ne nuk kemi nje sistem elektoral te paster mazhoritar. Deputeti nuk e zgjedh zonen, nuk vetekandidohet, as propozohet nga baza, por e cakton kryetari i partise me nje liste te paravendosur. Ai nuk ka ndonje lidhje personale me elektoratin qe e ka zgjedhur, sepse votohet jo sepse eshte burre i mire, por thjesht si perfaqesues i partise se tij. Pra ne thelb votohet per partine, jo per kandidatin.
    Iken nje deputet, i vjen radha tjetrit, sipas listes.

    1. Ne qofte se eshte arsye parimore, domethene ndarje pushtetesh, atehere le ta fusin ne Kushtetute. Kush behet minister del nga parlamenti. Bashke me Kryeministrin.
      Po te ishte e vertete kjo perligjje, them se shume demokraci te konsoliduara perendimore, ku deputetet behen ministra pa lenie mandati, duhet te konsiderohen te çala. Me demokraci, i bie, te jete Shqiperia.
      Pika e dyte e juaja eshte shume e vertete. Por nuk mund te jete justifikimi i pikes se pare. Po ta korrigjonin sistemin elektoral, duhet te rishikojne edhe ndarjen e mandateve?

  2. Meqe i hyre kesaj pune me argumenta e shtjellime, do te beje mire sikur te na thoje se ne cilat shtete perdoret kjo lloj metode drejtimi. Dhe me siguri edhe keto shtete qe zbatojne nje praktike te tille duhet te kene argumentat perkatese.
    Gjithsesi, mendoj qe sistemi elektoral qe po perdoret aktualisht hedh poshte argumentin “me te fort” qe ju reklamoni, ate te “beses” qe deputeti i zgjedhur/emeruar ka me elektoratin e tij. Ne rastin konkret, besa i jepet partise dhe deputetet jane vecse ushtar te partise.

  3. Zampano’. Vertet nuk e kupton apo’ do te hapesh debat per kendveshtrime dhe interpretime.

    Fare thjesht. Kur Kryeministri ti kerkoj celesat ministrit (per mosarritje objektivash ose me keq per fjale aferash) ai nuk ka me mundesi qe ti kujtoj te meparshmit kartonin kunder ne sallen e Kuvendit. Per me teper ky ishte nje vendim i mare qe gjate fushates dhe te gjithe ata qe pranuan portofolin e ministrit e kishin mare parasysh qe do ti duhej te linin mandatin e deputetit. Cfare ka ketu per te mos u kuptuar? Ajo qe do te deshiroja une eshte qe ky vendim te jete mare nga nje qellim i mire i Kryeministrit dhe jo lenien dore te lire per te formuluar nje kabinet sa here qe performanca e Qeverise te fillonte te binte ere.

    1. Sipas kesaj qe thua ti, praktikisht kemi perqendrim te pushtetit vetem ne duart e Kryeministrit. Qellimin e mire nuk mund t’ia vesh ne dyshim askujt. Me perkufizim.

  4. Perseri. Nese vete do isha deputet dhe njekohesisht minister, ministrine do ta kisha pune me kohe te pjesshme dhe ne krevat do shkoja me mendjen se si do rizgjidhesha deputet per te mu dhene ndoshta edhe nje here mundesia per tu bere minister.

    1. Pse jo te kunderten? Pune me kohe te pjesshme te kishe rolin e deputetit, mandati i te cilit nuk ka asnje vlere. Apo duhet si shkalle per te arritur ate te Ministrit? Thone qe posti i Ministrit eshte me i leverdisshem… Nga pikepamja e fames.

  5. Ehe. Tani e pashe komentin tend.

    Po te citoj. …….Po te ishte e vertete kjo perligjje, them se shume demokraci te konsoliduara perendimore, ku deputetet behen ministra pa lenie mandati, duhet te konsiderohen te çala. Me demokraci, i bie, te jete Shqiperia…..

    Ne demokracite e konsoliduara minstrat deputetete mund ta cojne te mend aferen korruptive dhe mund edhe ta bejne. Por njekohesisht mendojne se po te kapen i humbasin te gjitha menjehere. Nderkohe qe ne kete vend vjedh, vret njezetegjashte veta, jep vetem dorheqjen, vazhdon deputet dhe rizgjidhesh deputet pa i bere syri drite fare. Pastaj deputetet e vendeve me demokraci te konsoliduara te qenurit pjese e kabineteve qeveritare e kane pjese te karieres se tyre politike. Sa here shikonim qe deputete italiane te futeshin ne kabinete te ndryshme jo vetem ne nje ministri por ne te ndryshme?

    Per futjen ne kushtetute them se nuk e ke drejt pasi ky eshte kusht qe e vendos nje Kryeminister per te mos ndikuar ecurine e kabinetit me mandatin e deputetit.

      1. Nje rruge e dy pune. Ministri pa mandat deputeti e ndjen veten te zbuluar dhe te dedikuar per barren e detyres qe ka mare. Rames ja kane thene kete dhe ka bere shume mire qe i ka degjuar nese do qe te beje nje gje per te qene ne kete vend. Te presim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin