LIBRA NË FARMACI

libri me stetoskopKa nga ata që e shikojnë letërsinë si një lloj psikoterapie. Ideja nuk është e re. Por në qoftë se ky konceptim është i vërtetë, atëherë sipas skemës tradicionale e të thjeshtuar “pacienti” është lexuesi, autori ka bluzën e bardhë të mjekut, kurse libri përbën barin e recetës, ilaçin përkatës për shërimin e sëmundjes. Natyrisht, kjo skemë është shumë e brishtë, sepse rolet në procesin e leximit ngatërrohen e shkëmbehen rregullisht. Kështu, vetë shkrimi mund të shihet si terapi për autorin që hedh fjalët mbi letër, kurse për lexuesin autori mund të jetë vetë vepra, çka do të thotë se lexuesi shndërrohet në një farë doktori për vetveten, por edhe libri mund të përfytyrohet me stetoskop në duar. Pa hyrë në labirintet e interpretimeve letrare dhe dinamikave të pasura shkrimtar/vepër/lexues, desha të them që në fillim se më intereson krahasimi i librave me barnat, për të dalë diku tjetër. Prandaj po e marr si të mirëqenë.

Në një shkrim të vetin, gazetari F. Camon propozonte në shtypin italian që librat, nga ana e shtetit, të konsideroheshin si barna, pra me taksa të ulëta e në disa raste të jepeshin falas, sikurse bëhet për diagnoza të rënda ose kronike. Që ka diçka utopike në këtë propozim, autori nuk e mohon, megjithatë ideja mbetet e bukur. Shembulli i të sëmurit nga racizmi, që i rekomandohen libra për vëllazërinë njerëzore, ose shembulli i sëmundjes së fanatikëve fetarë që u këshillohen libra për jetën e misionarëve të krishterë që shkojnë në vende të largëta për t’i ndihmuar, ose vetë shembulli se të internuarit në kampet naziste kërkonin bukë dhe libra njëkohësisht, janë vërtet domethënëse për krahasimin.

Më vijnë ndër mend dy raste gjatë periudhës totalitare. Visar Zhiti, shkrimtar i mirënjohur, dikur viktimë e burgjeve totalitare, ka thënë diku se nëpërmjet librave që lexonin në burg ata kultivonin lirinë. Me sa duket, leximi ishte një lloj “arratisjeje” nga qelitë e burgut, një ilaç kundër trishtimit, pezmatimit, klaustrofobisë… Librat në këtë mënyrë mund të imagjinohen si tableta, por edhe si bombola me oksigjen kundër asfiksisë totalitare.

Kujtoj qartë se në ushtri, ose gjatë zboreve, lexohej shumë libri Ushtari i mirë Shvejk. Unë vetë në atë kohë nuk e kuptoja mirë përse para e gjatë zboreve më gjendej nëpër duar libri i njohur i Jarosllav Hashekut. Të njëjtën gjë bënin miq e shokë, aq sa kur na vinte ndonjë oficer për të na vënë në rresht, fillonin thumbat me batutat e Shvejkut. Sa për kuriozitet, në një periudhë të caktuar flitej se ky libër ishte ndaluar për arsye se denigronte ushtrinë e ushtarakët. Flitej, por nuk besoj se ka pasur ndonjë dekret të hapur. Megjithatë me siguri organet e posaçme e kanë diskutuar si opsion. Gjithsesi, libri qarkullonte me diskrecion nga një dorë në tjetrën. Edhe pse fliste për Luftën e Parë botërore, gjithmonë më ka habitur fakti si e kanë lejuar të botohej, sepse referimet për regjimin, kontrollin policor, ushtarakët, luftën, psikozën e konfliktit, propagandën, etj. ishin lehtësisht të kalueshme në realitetin shqiptar. Nejse, për ne Ushtari i mirë Shvejk ishte përnjimend bar shërues. Ai na ndihmonte t’i kalonim vështirësitë e zboreve dhe egërsinë e sistemit. Me një fjalë: të mbijetonim.

Librat pra, janë barna për sëmundje të ndryshme. Shoqëria shqiptare është e shëndoshë, apo ka nevojë për mjekim? Pyetja është retorike. Shqiptarët, më shumë se kombet e tjera, kanë nevojë të kurohen masivisht me lloj lloj librash. Këto mund të shihen si ilaçe të mjekësisë klasike, por edhe si barna natyrale, me bimë mjekësore, që veprojnë ngadalë por pa efekte anësore. Në fakt, shpeshherë vetë ushqimet janë barna dhe librat hyjnë në kategorinë e ushqimit shpirtëror me veti shëruese. Sëmundjet tipike të shoqërisë shqiptare si egoizmi, korrupsioni, egocentrizmi, amoraliteti, cinizmi, hipokrizia, materializmi, mosrespektimi i Tjetrit, traumat e trashëguara, e kështu me radhë, mund të kuroheshin fare mirë me libra.

Krahasimi i librave me barnat ta nxit imagjinatën. Mendoni për një çast. Librarive u mungojnë vetëm kryqet e gjelbërta dhe simboli i Asklepit. Bibliotekarët e librashitësit nuk janë veçse farmacistë që i këshillojnë qytetarit barin e duhur, por edhe dozat për t’u respektuar. “Jeni i vetmuar? I mërzitur?  Ju këshillojmë librin Tre vetë në një barkë (pa llogaritur qenin) me autor Jerom K. Jerom. Duhet ta lexoni dy herë në ditë, më mirë pas buke”. “Jeni i plogështuar? Ju dhemb pak koka? Nuk keni dëshirë për të dalë? Atëherë filloni terapinë me disa vepra të Emilio Salgarit e Zhyl Vernit. Pastaj ejani përsëri”. “Për moshën tuaj të re do t’ju këshilloja Princi i vogël i Antoine de Saint-Exupéry. Por më pas vijoni me romanin 1984 i George Orwell. Keni për ta parë se ajo ndjenja e konfuzionit, e çorientimit, do t’ju kalojë. Do ta kuptoni të tashmen nga e kaluara. Ose e kundërta”. Çdo të gjenim në kapakun e ndonjë libri të vështirë për t’u kuptuar, ose të papërshtatshëm për moshën, ose përgatitjen? “Nuk jepet pa rekomandimin përkatës”, ose “Mos e tejkaloni dozën e këshilluar”.

E si mund t’i shpëtosh zinxhirit logjik të krahasimit? Në farmaci ka edhe ilaçe të falsifikuara, të bëra keq, të kaluara pa doganë, me doza të gabuara. Ka libra të tillë plot: përkthime të këqija, libra të shëmtuar, krejt të paefektshëm, ose të dëmshëm. Shtriganë që sillen si mjek, manipulues që sillen si shkrimtarë. Megjithësie liria është bujare e ka vend për të gjithë. Por bibliotekarja e ndershme, në ndonjë rast të skajshëm, do të sugjeronte: “Mein Kampf-in mund edhe ta merrni, nuk ju ndaloj, por është helm i gjallë. Duhet të pini menjëherë antidot, merrni këtë librin tjetër, ose ndoshta jeni imunizuar prej tij nga librat e mëparshëm”. Ka edhe raste më “të rënda”: “I nderuar pacient, ju vuani nga Dementia Pelasgica”, ju këshilloj të mos lexoni librat e mëposhtëm, mos kaloni për ca kohë nga libraria. Merrni në bibliotekë klasikët e gjuhësisë shqiptare, ose për ajrim lexoni material të arsyeshëm e qetësues, p.sh. Peizazhe të fjalës, e gjeni falas online“.

Edhe pse i lezetshëm, nuk duhet të kalamendemi pas krahasimit, i cili u bë fillimisht për trajtimin që shteti duhet t’u bëjë librave. Jam mëse i bindur se në Shqipëri librat duhet të konsiderohen si barnat mjekësore. Nga pikëpamja e konsumatorit (lexuesit/pacientit) librat duhet të jenë të lirë e cilësorë. Kjo do të thotë se taksa mbi vlerën e shtuar, ose angari të tjera shtetërore, duhet të zbresin në minimum, ose të hiqen fare, sikurse bëhet me barnat. Për kategori të tëra sociale ato duhet të jepen falas, madje të bëhen fushata intensive profilaktike. Sikurse ilaçet, botimet cilësore kërkojnë paraprakisht studime e kërkime shkencore, çka do të thotë se shtetit i bie barra, pardon shteti ka nderin, madje largpamësinë, që t’i subvencionojë autorët e botuesit bashkë. E kërkon “shëndeti” publik i shqiptarëve. Në këtë mënyrë, kultura do të bëhet jetëgjatë e do të riprodhohet e shëndetshme. Si rrjedhim, e tërë bashkësia do të jetojë cilësisht më mirë.

Tani të më falni, por më duhet të lexoj kapitullin e darkës. Ma kanë dhënë me recetë.

Nuk ka komente

  1. Edhe pse nuk kam lexuar asnjë nga këto më sipër, e nuk është në intencionin tim t’i bëj apologji njërit apo tjetrit, do të doja të më lejonit të sinjalizoja edhe një tjetër libër-toksik për kulturën e popullit shqiptar, të cilin fatmirësisht e kam lexuar (duke patur praprakisht një bazë mbi mesateren, mbi fushën e influencës së autorit).
    Libri titullohet “Lacan: Mesimet e mia”, dhe sikundër ai i Hitlerit është i përkthyer. Përkthyer për të na kujtuar histori nga të kaluarat…

    E rezervoj “review-n” për librin në fjalë, për një moment të dytë, eventualisht… meqë as zoti Zhgaba nuk na ka dhënë ndonjë fill ku neve si lexues të kapemi për të kuptuar nëse veprat në fjalë janë toksike sepse 1- (Pa argument), sepse 2-(pa argument) etj apo janë toksike për kulturën e brishtë të popullit shqiptar thjeshtë sepse njëra ka si autor Hitlerin e të tjerat janë toksike sepse të një cilësie të dobët, bie llafi.

    Natyrisht e kuptoj se z Zhgaba nuk është për djegien e librave, po ashtu as lexuesit e nderuar të këtij logu. Ajo që do të doja të kuptoja është se mbi cilat baza diçka konsiderohet e mirë e mi cilat ajo nuk konsiderohet e tillë. Në këtë rast, për të lënë larg ndonjë logjik-kalama, po stresoj sërisht se nuk dua të bëj krahasimin mes Hitlerit dhe Lacanit, por të kuptoj se mbi cilat baza, përveç asaj të vrasjes së njerzve, apo patëkeq-sisë së veprës duhet gjykuar kontributi i një libri në kulturën tonë, specifikisht?

    1. Shkruan:

      Libri titullohet “Lacan: Mesimet e mia”, dhe sikundër ai i Hitlerit është i përkthyer. Përkthyer për të na kujtuar histori nga të kaluarat…

      Si përkthyesi i veprës në fjalë (të Lacan-it), jam palë e interesuar në këtë debat (edhe pse nisma e botimit nuk ka ardhur prej meje; por mua më është dukur gjithsesi me vlerë për kulturën shqiptare). Megjithatë, ju siguroj se arsyeja që sillni ju: “përkthyer për të na kujtuar histori nga të kaluarat…”, nuk qëndron – veç në mos qoftë e fshehur e vërteta pas atyre tre pikave përmbyllëse.

      1. Nuk e kam lexuar librin ne fjale dhe nuk e di se ç’histori te kaluara kujton. Po sidoqofte, ç’te keqe ka te lexosh nje liber qe kujton histori te kaluara? Aq me teper qe une deri me sot nuk kam lexuar ndonje liber qe kujton histori te ardhme!

        Librin e Hitlerit e kam lexuar. I merzitshem, i shkruar keq sa me s’behet, por gjithsesi edhe ai i dobishem, sepse na jep mundesine ta njohim e ta kuptojme me mire te keqen.

    2. Mangon shkruan:

      “Edhe pse nuk kam lexuar asnjë nga këto më sipër, …”

      Mangon, nuk e kuptoj se ku e ke hallin, por nëse vërtetë nuk ke lexuar asnjë nga librat e mësipërm, pse hyn në muhabet?

      Më kujtove një herë një grua që më për një sekondë më bëri të merrja vrapin kur më tha: “unë filma nuk shikoj”.

      Megjithatë, nëse vërtetë je aq i pa-lëçitur, fillo me tre “Tre vetë në një barkë (pa llogaritur qenin)” me autor Jerom K. Jerom, se vërtetë i bën shërbim të madh vetes.

  2. Thotë z xhaXhai: “veç në mos qoftë e fshehur e vërteta pas atyre tre pikave përmbyllëse. ”
    Çfarë kam shkruar unë më sipër gjendet akoma aty. Unë nuk e mbaroj komentin tim me trepikësha siç do ta shtrembërosh ti z xhaXhai, por e mbaroj me pikëpyetje, meqë shtrova një pyetje që intelektualët “e vërtetë” i shqetëson. Ndërsa sharlatanët nga ana tjetër, jo, meqë këta zakonisht janë dashakeq në qasje dhe kulturën priren ta shtrembërojnë sipas nevojave të veta të llojllojshme – të paktën këtë kam mësuar unë nga historia.

    Citimi i Lakanit është tërësisht rastësor, aq më tepër që vet i konsideroj debila e censurorë ata që duan të imponojnë,në forma të ndryshme, se çfarë duhet e çfarë nuk duhet të përkthehet. Na ana tjetër përkthyesi nuk mban ndonjë faj për përmbajtjen e veprës, qoftë kur përkthen Lacanin qoftë kur përkthen Hitlerin, Stalinin apo Marksin. (Përkundrazi, një autor, padyshim mban përgjegjsi nëse në krijimi e tij “origjinal” flet broçkulla, apo sharlatanizma, siç kompetentët gjykojnë mbi Lacanin – për Hitlerin nuk flas dot meqë nuk e kam lexuar e nuk di se ça komeptence duhet)

    Supozimet e tjera tuajat dhe të komentuesve të tjerë, flasin për mënyrën se si e perceptoni ju blogun dhe kërkesën e lexuesve për ndërveprim, meqënëse doja të ndërveproja me z Zhgaba (sipas mundësive të tija natyrisht).

    Ça kulture doni të përhapni ju, kur shtrembëroni dashje pa dashje atë që tjetri ulet dhe shkruan? Mos vallë unë të akuzova ty z Xhaxhai se bën gabim që përkthen? Nuk më duket.
    Thjeshtë thash se edhe unë, si lexues, do të shtoja diçka në listën e librave toksik, dhe isha i gatshëm që pa sndërveprimit eventual me z Zhgaba, duke dalë në sipërfaqe ndonjë kriter, të shkruaja edhe një review të vogël për iidiotësinë e teorive të Lacanianëve..

    Dhe këtu qëndron shqetësimi im si lexues; kush e bën kulturën, kush e formëson këtë? Mos vallë vetëm konsideratat që ka vetëm z Zhgaba, apo unë apo ti z Vehbiu, për librat? Apo duhen përfshirë edhe konsideratat që ka edhe filan fistëku mbi librat? Apo mos vallë vetëm konsideratat e Ministrit apo Qeverritarit të radhës?

    Të mundohem edhe njëherë: dua të kuptoj, a mund të reduktohet kultura në një çështje influence, apo vetëm klani e përkatësie?

    P.S: z Pifto, kam frikë se ju nuk i keni kapacitete e duhura për të “lexuar”. Unë e kam shkruar qartë, në komentin tim të parë: “nuk është në intencionin tim t’i bëj apologji njërit apo tjetrit, ”. Ju konfirmoni ata që thonë se leximin nuk ka të bëj vetëm me kalimin e syve mbi germa. Përkundrazi, jam i bindur se ndonjë lexues di t’i lexojë edhe këto tre replika bosh përkundrejt thelbit të komentit tim të parë…

    1. Magnon, teksa më akuzon mua se kam shtrembëruar fjalët e tua, ti vetë po i shtrembëron fjalët e tua.

      Unë nuk pashë ndonjë pikëpyetje në fund të fjalisë sate për Lacanin; pikëpyetja qëndron, në fakt, në fund të komentit, i cili merret edhe me punë të tjera.

      Dhe meqë komenti i drejtohej kështu në tërësi Pishakut, unë nuk mora përsipër t’i përgjigjesha – Pishaku është gjallë e shëndoshë dhe i këndon pena në dorë, nëse ma lejon këtë shprehje; por u mora vetëm me atë pjesë që më cenonte drejtpërdrejt.

      Dhe ku pikëpyetje nuk kishte.

      Citimi i Lacan-it mund të ketë qenë rastësor në momentin që ti e zgjodhe (mund të përmendje Nostradamusin, ose edhe Nastradinin); por që nga momenti kur Lacan-i u bë një nga dy autorët e vetëm në një argument tëndin për librat, atëherë ai e humbi këtë rastësorësi, për t’u shndërruar në qendror.

      Unë vërtet përgjegjësi nuk mbaj nëse ndokush nesër lexon librin tim për Lacan-in dhe shkon dhe ia vë zjarrin stendës së Onufrit në panair (ku është botuar Lacan-i); por unë i zgjedh me kujdes ofertat që më vijnë për përkthime të këtij profili, dhe Lacan-i është nga të paktët që kam pranuar.

      Dhe meqë e hapëm këtë muhabet, pyetjes sate se “kush e bën kulturën”, do t’i përgjigjesha fare thjesht: ata që arrijnë t’i përçojnë mesazhet e tyre, aq sa të ndikojnë dot në mendjet e marrësve – kjo është edhe çështje numrash të mëdhenj, sa kohë që një përkthim i botuar i Lacan-it lexohet më shumë se një përkthim i pabotuar i Platonit dhe simfonia festive e Nikolla Zoraqit dëgjohet më shumë se simfonia jofestive që mban prej 40 vjetësh Nikoll Zorzi në sirtar; por edhe çështje elitash, sepse numri i atyre që mund të sekretojnë vërtet produkte të kulturueshme është fare i vogël.

    2. Magnon, të them të vërtetën nuk t’i mora vesh mirë komentet. Megjithatë, po të informoj se nuk ishte qëllimi im të merresha me idenë e librit toksik. Po ndiqja natyrshëm rrjedhën e krahasimit të librit me barnat. Kështu që mos prit nga një shkrim i tillë argumente për temën që kërkoje. Referencën për Mein Kampf e dhashë për t’i sugjeruar lexuesit se e kemi trajtuar në blog. Ty të paska bërë aq përshtypje togfjalëshi “libri toksik” sa na dhe menjëherë një shembull të ri, për të cilin nuk ka pasur asnjë debat a mendim në këtë drejtim. Gjithsesi, mendimi im është se “Mësimet e mia” e Lacan-it në shqip, nuk është aspak toksik. Përkundrazi e pasuron kulturën shqiptare.
      Siç e ke kuptuar edhe vetë, unë nuk jam për djegien e librave. Libri ka nevojë vetëm për liri. Mund ta lemë për një herë tjetër diskutimin, por mendoj se efekti toksik ka të bëjë shumë me përdorimin e tekstit. Tek e fundit, edhe libri i shkruar keq na mëson se si nuk duhet të shkruajmë. Por kush na i jep instrumentet për ta kuptuar këtë? Në mungesë të tyre, pra të përgatitjes kulturore e të vlerave, edhe libri më i keq mund të na dukej më i miri. Tjetër: duke e marrë helmin nga pak krijojmë imunitet ndaj tij. Por nga pak ama, e në trup të shëndoshë. Këtu më vjen ndër mend romani i fundit i Umberto Eco-s “Varrezat e Pragës”.

      P.S. Xha Xhai nuk ta shtrembëroi aspak mendimin e shkruar. Ashtu e kuptova edhe unë.

      1. Që “nuk ka pasur asnjë debat apo mendim në këtë drejtim”, nuk do të thotë me patjetër se libri apo një pjesë e mirë e ideve të Lacanit nuk janë të “kalbura” apo kanë influencë të keqe mbi shoqërinë aktuale shqiptare.

        Ndjesë për shqetësimin… e një Vit të Ri të gëzuar për Lexuesit!

        1. Magnon, po kjo që thua, për influencën e keqe të Lacan-it në shoqërinë shqiptare, është shumë me interes. Pse nuk shkruan diçka – edhe 500 fjalë vetëm, por që t’i ketë ë-të dhe ç-të – dhe e nxjerr unë si shkrim kryesor, që pastaj ta diskutojmë aty? Se nuk lidhet tamam me temën e Pishakut, them.

        2. Mesa mbaj mend Xhaxhai ka dhene disa “personal insights” te sinqerta se cfare e ka motivuar, shtyre per te perkthyer Lacan-in ne shqip. Si e gjykoj une kete pune, sic edhe mund te thuhet ne nje rast te tille se “as vete Zoti”, nuk mund t’i thote perkthyesit (pavaresisht motiveve qe mund te gjeje njeri apo tjetri) qe ke bere gabim apo mire duke e perkthyer kete veper.

          Por me duket me vend propozimi i Xhaxhait dhe teper i balacuar(fair), qe dikush, si ju pershembull, te marre persiper te shkrua,j (edhe per dobine ose jo te nje ndermarrje te tille), se si(cfare) do te kontribonte nje perkthim i tille ne shqip, duke patur parasysh konsideratat dhe kritiken qe i behet kontributit te vete Lacan-it.

          Pershembull, ashtu si Lacan-in dhe idhulli i tij, Froidin, kritika shkencore ka kohe, qe i kane “zhveshur” nga cdo substance shkencore. Bile nje nga kritiket me me ze eshte vete Comski, i cili e ka quajtur deri edhe “sharlatan te ndergjegjshem”. Comski e ka kritikuar duke u mbeshtetur ne inkoherencat e tij(Lacan-it) shkencore qe lidhen me permbajtjen(hyrjen dhe huazimet) linguistike ne psikologjine e Lacani-it.

          Nuk jane te pakte ato qe kontributin e Lacan-it e quajne pseudo-shkence, konfuzionin e tij (te konsideruar pa substance shkencore) duke ngaterruar, rrezuar veteveten me kembet e veta, me konkluzione dhe inkoherenca qe ne thelb kondershtojne vete idhullin e tij, Froidin.

          Lacan-i, si shume te ngjashem te tij(perfshire Froidin) aq shume ishin te thithur ne narcizizmin e teorive te tyre, – nen vullnetet e tyre te hekurta – sa qe krijuan edhe kritiket (kritiken) me te ashper dhe te kualifikuar, te dale pikerisht nga rradhet e atyre qe iu futen me themel njohjes se vepres, kontributit se tyre dhe diktuan, nxorren ne pah edhe kundershtine, zgavren e madhe, boshllekun shkencor(gjithnje kjo sipas kritikes) te zellit te tyre prej Zotash, qe sic thote Jung-u(per Froidin) eshte vecse nje lloj dogme, dogmatizem.

          1. Realisht Read Me është pikërisht ashtu, siç thua ti. Por jam pak i habitur të themi, se ku e ke gjetur këtë informacion, disi të detajuar, duke supozuar se jeton në SHBA, meqë aty Lacanin e njohin fare pak. Jo se imperializmi amerikan është i pa-kulturë, përkundrazi ka prodhuar e prodhon me tonelata, por sepse nuk vlen.

            Nuk vlen së pari në terma të teorisë shkencore, meqë një teori që të fillojë të konsiderohet shkencore duhet me pasë një bazë shkencore, faktuale. Për shembull, sot dihet se natyra njerëzore nuk është e tillë sikundër ajo që ka postuluar Freudi e të cilën mëpastaj Lacani duke futur ca konjektura prej sharlatani të mirëfilltë (me topologjinë etj) e tjetërsoi edhe më natyrën e veprës origjinale, e cila edhe ajo kishte mangësi të mëdha – tek e fundit duhet kuptuar, ajo ishte koha, Darvini nuk njihej mirë, edhe për shkak të shtrembërimeve letraro-filozifike të konceptit “evolucion”.

            Nuk vlen, së dyti, në terma të psikanalizës, apo psikoterapisë, pra terapisë së të sëmurëve (meqë CBT e lë në klasë)*. E kjo, gjykoj, është pjesa më kritike, meqë duket se Ndonjë një gjysmë ide, për aplikime praktike e ka patur, përndryshe nuk do të llapej kaq shumë, në media vizive e më gjerë.
            Shqipëria në këtë aspekt është totalisht e pambrojtur, meqënëse metabolizmi i lexuesit nuk arrin të mbijetojë ndaj një mësymjeje të organizuar të pseudoshkencës Lacaniane.
            (*Nuk vlen, sepse nuk jep rezultate. E vetjma mënyrë për të futur këtë pseudo-terapi në sistemin shëndetësor është ose nëpërmjet tarafeve ose nëpërmjet keqinformimit të publikut. Që të dyja plotësisht të realizueshme në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë, thjeshtë për një “teori”, ë! të kuptohemi… Flitet për mirëmenaxhim, për të kryer disa zgjidhje racionale, të arsyetuara, për të shërbyer me sa më shumë efektshmëri dhe më pak shpenzime. 🙂 )

            Së treti, nuk vlen as në terma të filozofisë, meqënëse të bësh filozofi duhet, edhe këtu, të nisesh nga një bazë reale, nga ku mëpastaj edhe të spekulosh, sipas një mënyre racionale, në gjykimin tim.
            Nga kjo pikë do të dilte një diskutim më i gjerë, psh mbi ata që vet-quhen postmodernistë, e të cilin grupim në Shqipëri e keqkuptojnë. Janë të ashpra vërtet kritikat ndaj postmodernistëve, të cilët tentojnë hera herës të bëjnë edhe kritika konstuktive ndaj modernizmit – të cilat nga leximet e mia, kam parë: janë të mirëpritura – por që në pjesën më të madhe të tyre veprat, që nga Lacani, Deleuze e tek më i patëkeqi nga këta Derrida, janë të përcipta, të mbushura me fjalë të mëdha (pordhë thotë populli), lojra fjalësh. Jo më kot, në pjesën më të madhe të vet (përjashto Derridën) janë të pakuptueshëm; sepse nuk thonë asgjë. Ajnshtajni thonë se ka thën(perifrazim), se nëse një gjë e ke kuptuar, atëherë duhet të jesh në gjendje t’ia shpjegosh edhe gjyshes.
            Postmodernistët, e kot të them, reagojnë duke thënë se modernizmi, alias shkanca dhe metoda shkencore, është e keqe, dhe injorante, e nuk e kupton post-in, dmth avantgardën (modestia në kulm lol). Pale kur avancojnë disa ide se shkenca qenka edhe kapitaliste (kur në të vërtetë, edhe pse kërkon para, është një konstrukt shoqëror. Tek e fundit si vetë kapitalizmi, çdonjë fenomen tjetër, përfshirë shkencën, është një pasuri e njerëzimit dhe përfaqëson motorin e zhvillimit dhe të avancimit, jo vetëm ekonomik por edhe të dijeve, meqë konkurrencën e ka përvetësuar edhe procesi i evolucionit).

            Pastaj, se sa vlen e sa mund të influencojë në terma të letërsisë, nuk më intereson edhe aq shumë, deri në pikën kur thotë se njeriu mund të trajtohet si tekst. (Sepse, dreqi ta marrë, mezi po merremi me racizmin dhe tabula rasën… nuk na duhet një tjetër. 😀 )

            1. Phaino pak humor te trishtuar: Mao ne 1957, ne nje fjalim qe mbajti ne Pekin nder te tjera tha: “Te lejojme te lulezojne njeqind lule dhe njeqind shkolla mendimi eshte politika per te nxitur progresin ne arte dhe ne shkence; le te lulezoje keshtu kultura socialiste ne token tone.” Ishte e qellimshme ose jo, megjithese gojet e keqija thone se ishte e qellimshme (i ngjashem ishte edhe fjalimin dhe fushata e mevonshme e EH), por mbetet si nje fakt kokeforte, se te gjithe ata qe guxuan te shprehen ndryshe nga Mao, me vone shumica u ekzekutuan.

              Mendoj se ekziston nje pershtypje(vecanerisht tek ata qe nuk e jetojne te perditeshmen ne US) e cila nuk perputhet me realitetin kulturor te Amerikes. Fjalet jo origjinale te Maos, jane realiteti kulturor dhe edukativ i Amerikes. Ka nje literature maramendese qe ve perballe dhe analizon shkollat e ndryshme, perfshire ketu, edhe ndeshjen midis filozofise kontinentale dhe analitike.

              Sartre, Marcuse, Derrida, Foucault, Lacan, Deleuze, Cavell, Taylor, Levinas, Benjamin, Adorna, Habermas, Agamben, Bataille, Baudrillard, Žižek, etj, jane kaq te ekspozuar rafteve te librarive dhe bibliotekave amerikane, duke u “bere telef” prej analizave dhe (mbi)leximeve te botes akademike(dhe ne pergjithesi te lexuesit te kulturuar) amerikane.

              Te gjithe, ku cuditerisht shumica jane edhe me origjine hebreje, konsiderohen si “Heidegger’s children”, nje pjese studente te auditoreve te tij, djem plangeprishes. kokeforte, si ata femijet qe te rritur ne hijen e babait te tyre te famshem, kerkojne te kene monumentin e tyre te perjetesise, t’i largohen medoemos hijes se rende dhe lavdise te babait te tyre te famshem
              .
              Ironia eshte se babai i tyre akuzohet si nje nicean nazist i mirefillte, adhurues i kamufluar i superman-it(Fyhrerit). Pra nje baba nazist, qe shumica e djemve te tij perqafuan marksizmin, ose e pane boten dhe fushat perkatese qe ata analizuan, nen syzet e filozofise te majte.

              Ka nje djalog interesant midis Jung-ut dhe Froidit rreth kompleksit te Edipit, qe ndoshta duhet sjelle ketu ne nje moment tjeter.

  3. I dashur Pishak. Eshte krejtesishte real shkrimi yt. Me ben pershtypje se ne pergjithesi brezi i ri nuk ka deshire te lexoje letersi artistike. Kufizohet thjesht me informacione te marra nga interneti, ose nepermjet filmave, duke marre nje kulture te percipte. Pra proferojne qe gjithçka ta marrin te gateshme, pa “konsumuar” shume kohe. A mund te krahasohet leximi i nje libri me shikimin e nje filmi ?
    Kam pare disa filma, si “Te Mjeret” “Harku i Triumfit”, ku interpretojne aktore te famshem, si Zhan Gaben, Entoni Hopkins, dhe nuk me kane shijuar, sepse kisha lexuar si libra. Ka nje ndryshim te pakrahasushem ndermjet filmit dhe leximit. Libri te rremben, te perfshin ne boten e tij, padashur behesh vete personazh. Dhe jane disa libra qe nuk duhet te mungojne ne biblioteke, si Hygoi, Balzaku, Remarku, Zola, Markes, Cvajk, Drajzeri, Stendal,Tolstoi, Pushkin, Dostojevski, Turgenievi, Lermontovi, Shollohovi etj.

    Vëj re se pak promo behet per librin, dhe shpesh perkthehet nga persona, qe thjesht bejne nje perkthim, “korrekt”, pa asnje pershtatje, sa humbet qoftë kuptimi, ose dhe bukuria artistike.
    Meqe me kujtove Shvejkun, eshte i paperseritshem. Sa here e lexon gjen batuta te reja qe mun te te kene kaluar. Si eshte e mundur qe ne zbore kemi gjetur gjithnje personazhe analoge !? Shvejku ishte gjithnje ne çanten e shpines, dhe gjithnje flisnim me batutat e tij.

    Te pershendes dhe te uroj suksese dhe Gezuar vitin e ri.

    1. Eshte me se e verete qe per nje mase njerzish jeximi i nje libri te mire (kryesisht klasiket qe permendi Naimi) mund te klasifikohet si nje psikoterapi. Ashtu dhe e kunderta (do na thoshte Servantesi) per libra te “keqij”. Nuk ka asnje kontradikte ne keto dy rezultate (psikoterapia mund te permiresoje apo te shkaterroje kur kryhet me synime kriminale). Mund te tingelloje si shabllonizem por kur thuhet se libri eshte ushqim per shpirtin thuhet nje e vertete e madhe.
      Eshte per te ardhur keq qe rinia e sotme nuk e ka te njejten deshire per te lexuar qe ka karakterizuar nje pjese te rinise se viteve 60-80.
      C’eshte me e keqja rreziku i marrjes se koncepteve historike parafabrikate nga Holliwudi mbart rrezikun e manipulimit (imagjinoni nje person qe njohurite e tij per Aleksandrin e Madh i importon nga nje film-pacavure te bere kohet e fundit).

    2. Naim, faleminderit për fjalët e mira. Jam shumë dakord me ç’ka shkruan e sidomos që na kujton të gjithëve se si Shvejku, gjatë zborit, ishte gjithnjë në çantë të shpinës, si ilaç shpëtimtar. Kur kishte etje trupi, na ndihmonte paguri, kur kishte etje shpirti na ndihmonte libri.

      Për habinë time të madhe, e të këndshme njëkohësisht, lexoj sot në shtypin italian se në Angli, e ashtuquajtura “Terapi e librit” (Book therapy), që bazohet në studimet e psikiatrit Neil Frude, njihet zyrtarisht nga Shërbimi shëndetësor kombëtar i vendit. Në dy muaj janë dhënë rreth 100 mijë libra me recetë.

      Mësoj gjithashtu, se në Itali del së shpejti libri “Si të kurohemi me libra. Barna letrare për çdo sëmundje”, një lloj përmbledhje “recetash” me romane, poezi e novela.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin