KOHË PIKSELËSH

U bënë muaj që shoh, në një nga faqet e sajtit të MOMA-s (Muzeut të Artit Modern, NYC), një ilustrim të çuditshëm: foton e një personi që po fotografon një pikturë të Monet-së.

moma christmas

Se çfarë kërkon të më thotë MOMA, mua shfletuesit të faqes, me këtë foto të fotografuesit të një vepre të muzeut, këtë do të përpiqem ta ftilloj në vijim.

Muzeu është vend ku veprat e artit jo vetëm ruhen, por edhe ku publiku lejohet të vijë në kontakt me to, pa ndërmjetësinë e mediave.

Megjithatë, me përhapjen masive të aparatit fotografik, më parë me film celuloidi dhe tani dixhital, të shumtë janë vizitorët, kudo në muzeume dhe në ekspozita, që i fotografojnë veprat e artit që kanë përpara.

Nuk ndalen të vendosin një lidhje me veprën a të komunikojnë me të; por menjëherë e dyzojnë konsumin vizual, për ta shndërruar një është në një ka qenë.

Ka muze që nuk e lejojnë këtë, për arsye të ndryshme; ka të tjerë që e lejojnë. E megjithatë, nuk besoj se ilustrimi në fjalë synon të njoftojë botën se te MOMA mund të fotografosh pa merak.

Prej entuziastëve që fotografojnë vepra arti në muze, ca e bëjnë këtë në mënyrë që t’i shohin ato vepra prapë, në qetësinë dhe rehatinë e shtëpisë së tyre.

Zakoni më kujton një qen që kam pasur dikur; dhe që kur i hidhnim ndonjë copë mish, vraponte ta groposte diku në bahçe, për ta shijuar më vonë.

Përndryshe, unë jam rritur duke i parë veprat e artit botëror përmes riprodhimeve – ndonjëherë të mira, si ato të albumeve për muzetë sovjetikë, p.sh. Hermitage-it; ndonjëherë tjetër të vogla si pulla poste, si ato të Larousse-it; dhe më rrallë akoma, në kontekst të kritikës marksiste-leniniste, si ato në veprat e estetit Uçi.

Më pas, ato vepra që më kanë tërhequr të konsumuara kështu, në forma vikare, kam kërkuar t’i shoh edhe nga afër, kur kam mundur.

Kështu, një Magritte ilustrim në një libër për modernizmin, më ka shtyrë të shkoj te një retrospektivë me piktura të Magritte-it.

Fotografuesit e artit në muze duket sikur ndjekin një rrugë të kundërt: nisen nga realiteti, për të shkuar drejt përfaqësimit ikonik. Kontakti me veprën atyre u shërben vetëm e vetëm për të vendosur kamerën midis, thua se përndryshe do t’u digjeshin retinat, siç ndodh kur shohim diellin.

Natyrisht, kush fotografon në muze zakonisht nuk e bën këtë ngaqë i pëlqen t’i admirojë veprat në qetësi, ose në krevat. Në epokën e sotme të kitsch-it kulturor, muzetë janë konvertuar në vende pelegrinazhi, stacione të detyruara të turistit në këtë via crucis të turizmit masiv bashkëkohor.

Që këtej, fotografimi i Gioconda-s, Pietà-së ose Maya Desnuda-s shërben, para së gjithash, për të provuar se edhe ti ke qenë atje, pelegrin mes pelegrinëve; dhe asgjë nuk mund ta kryejë këtë rol të së kryerës më mirë se fotografia.

Jetojmë në epokën e Narcisit – ku çdo gjest e merr kuptimin përkatës në atë masë që na vlen për të kremtuar vetveten.

E keqja me foto të tilla është se aty fotográfi mungon; rrugës së mundimeve i mungon mundimtari; ose edhe lector-i in fabula, nëse duam.

Dhe nëse është kështu, ilustrimi i MOMA-s, me fotografin e fotografuar, e çliron vizitorin fotograf nga faji; ti vërtet nuk je aq i trashë sa të dalësh në resme pranë një Picasso-je ose një Max Ernst-i, por nga ana tjetër nuk ke nga ta dish se dikush po të fotografon pas shpine.

Dhe vizitori i fotografuar në muze nuk është thjesht vizitor i fotografuar; por pjesë e muzeut – thotë ilustrimi. Synimi i pelegrinazhit, si pasurim shpirtëror nëpërmjet përbashkimit të eksperiencës, shndërrohet kështu në mesazh publicitar.

Pa llogaritur këtu veprën vetë, që përfundon e fotografuar dy herë njëkohësisht.

Nuk ka komente

  1. Do të shtoja:
    më së shumti, nuk janë parizianë ata që fotografojnë Gioconda-n, nuk janë romanë ata të Pieta-s: më së shumti janë japonezë, që nuk fotografojnë Kioto-n, gjë të cilën e bëjnë parizianët dhe romanët e lartpërmendur.
    Fotografët janë më së shumti “të ardhur”, të ardhur nga larg, të cilët shtohen në përpjestim të zhdrejtë me shkurtimin e distancave.
    Herën e fundit që u ndodha në Romë hasa veç italianë të konvertuar në budizëm dhe shumë japonezë të krishterë. Të parët ëndërrojnë Tibetin dhe resort-et e meditimit, të dytët Vatikan-in dhe Mikelanxhelon.
    Në qytetin pranë të cilit banoj gjendet një katedrale madhështore, e ndërtuar nga Karli i Madh. Në të e përreth saj zakonisht lëvrijnë turistë, të ardhur prej së largu, për ta vizituar (fotografuar). Ndërsa për banorët e qytetit katedralja, të cilën ndoshta nuk e kanë parë kurrë nga brenda, është veç një shenjë, diç’ si Kulla e Sahatit në Tiranë, gjithnjë aty dhe e vizitueshme në çdo kohë; ndaj, ndoshta, nuk e bëjnë kurrë. Ama, kur kthehen nga pushimet në Itali, Tailandë, Turqi, Spanjë etj., e kanë të faktuar qenien e tyre atje, qenien tjetërkund, pasi a nuk ëndërrojnë shumica ikjen, të lënit e gjërave “këtu”, për të gjetur më së fundi amshimin, vetveten gjëkund tjetër? A nuk e dimë më mirë se kushdo tjetër ne, të mërguarit, se si është të ikësh nga sytë këmbët e sa ndryshon pritshmëria nga ç’na pret vërtet atje?

  2. Herën e fundit që u ndodha në Romë hasa veç italianë të konvertuar në budizëm dhe shumë japonezë të krishterë. Të parët ëndërrojnë Tibetin dhe resort-et e meditimit, të dytët Vatikan-in dhe Mikelanxhelon.

    Pikerisht turistet reklamojne lumturine materiale, duke shperndare fotot, ose dhe kerkojne te fitojne kohen e humbur duke fiksuar kameren. Por kjo nuk ka shume te beje me shkrimin e mesiperm, qe mesa kuptoj une fotot e marra ne muzeume jane nje minute fame. Kohe e shkurter por infinite per disa. Persa I perket muzeumit qe reklamon site te tilla, ndoshta vetem mundohet ti flase pikerisht njerezve qe deshirojne te fotografohen per mundesine e marries se fotove brenda ne muzeum, duke perfituar keshtu me shume vizitore.

    1. Shkruan:

      Persa I perket muzeumit qe reklamon site te tilla, ndoshta vetem mundohet ti flase pikerisht njerezve qe deshirojne te fotografohen per mundesine e marries se fotove brenda ne muzeum, duke perfituar keshtu me shume vizitore.

      Jo, nuk besoj të jetë kështu, as kam parë ndonjëherë një shërbim të tillë te MOMA. Fotoja që ka përdorur muzeu për sajtin është marrë nga Flickr.

  3. Xha Xhai me te drejte thote:

    “Dhe vizitori i fotografuar në muze nuk është thjesht vizitor i fotografuar; por pjesë e muzeut…”

    Nese eshte keshtu, pra nese eshte veper arti, pikerisht ne MOMA pyetje te tipit:

    Xha Xhai: “çfarë kërkon të më thotë MOMA, mua shfletuesit të faqes, me këtë foto të fotografuesit të një vepre të muzeut,…”

    duhet t’i leme jashte deres, sepse “all art is quite useless” (O. Wilde).

    Çeshtja eshte, a kemi te bejme me nje veper arti, pra pjese te muzeut, apo me nje mesazh publicitar? Ndoshta thjesht me shperdorimin e nje vepre arti per qellime publicitare 🙁

  4. Në një pikë të shkrimit të mësipërm thuhet:

    “Jetojmë në epokën e Narcisit – ku çdo gjest e merr kuptimin përkatës në atë masë që na vlen për të kremtuar vetveten.”

    Ky është një pohim për të cilin ia vlen të shkruhet një postim më vete, e mbase duhen shkruar dhe volume të tëra mbi këtë temë.

    Mendoj se jemi në fillesat e përjetimit masiv të kësaj filozofie jete dhe nuk i kuptojmë mirë ende të gjitha përfitimet, nga njëra anë, dhe pasojat negative, nga ana tjetër, që sjell një adhurim i tillë i unit-t. Diçka më thotë se është një stil jetese i kalbur në thelb, por e njoh aq mirë konservatizmin e vetes sa për të mos ta shpallur këtë me nxitim si e vërteta thelbësore apo si gjykim përfundimtar (me sa vlerë mund të ketë gjykimi i një lexuesi të thjeshtë anonim). Veçse fillimshekulli i kaluar, me revolucionin modernist në fotografi dhe arte, duhet të na mësojë diçka. Narcisi u shqyrtua gjerë e gjatë atëhere, që nga Dorian Grey e deri tek Jay Gatsby, dhe gjithmonë me një sens tragjizmi brenda. Është ky sens tragjizmi që i mungon narcisizmit sot, gjë që mua personalisht më bën dyshues për euforinë e brezit digjital.

  5. Logjika te thote se departamenti i marketing te muzeumit mundohet te fiksoje vemendjen e te gjithe niveleve te turisteve. Dhe po te shikosh ne faqen e pare tek MOMA, nje nga reklamat i drejtohet atyre qe pelqejne te bejne dhurata nga muzeumi, apo atyre qe duan te kene antarsim ne kete muzeum.

    Atehere pse jo mos te fokusohet edhe tek turistet qe duan aq shume te fotografojne, dhe jo vetem aq por edhe te levdohen ? Sa me shume vizitore aq edhe me shume fitim per MOMA, perndryshe si mund te mbijetojne muzeumet ne New York nese nuk gjejne forma te ndryshme per te terhequr me shume vizitore.

    Fare mire mund te jem gabim dhe fotoja e personit qe fotografon Monet ne museum mund te jete e dlire si dhe vete piktura e Monet, por zor te mendosh qe lista e meposhtme e muzeumeve dhe qendrave kulturore ne New York te vazhdojne te ekzistojne pa pak iluzione marketingu.

    http://en.wikipedia.org/wiki/List_of_museums_and_cultural_institutions_in_New_York_City

    1. Kjo është e drejtë dhe në, thelb, përsërit ato që kam thënë unë në shkrimin kryesor (me përjashtim të aspektit ekonomik). Që një faqe Interneti e MOMA-s, kushtuar vizitorëve, të përpiqet të reklamojë muzeun, kjo është gjithashtu e logjikshme.

      Megjithatë, komenti yt tani ndryshon nga çfarë the pak më lart – meqë përmende një shërbim fotografimi për vizitorët në muzeum (të kam cituar), i cili, me aq sa di unë, nuk ekziston. Këtë shërbim e gjen në Disneyland, ose në Six Flags – por jo në MOMA. Më korrigjo po ta kem gabim – por të lutem, mos iu përgjigj replikës sime, duke e nxjerrë muhabetin gjetiu.

      P.S. Me sa po shoh rrotull, MOMA nxjerr vetëm 15% të të ardhurave (revenue) nga shitja e biletave.

  6. Duke e rilexuar veten shoh qe jam shprehur gabim, dhe nuk e shtjellova mendimin me tej, por i rashe fare shkurt, megjthese ideja ishte e njejte, te pakten per mua.

    Duhet te kisha thene:
    ..1.njerzve qe deshirojne te fotografojne, dhe 2. mundesine e marries se fotove brenda ne museum, prandaj dhe duke perfituar me = shume vizitore.

    Perndryshe, nuk do te merrja guximin kurre, ti pergjigjesha nje replike tjeter per tjeter.

      1. Komunikimi që bëjmë mes nesh në komentet, më kujton një situatë me të cilën përballem shpesh këtu ku banoj.

        Përdor zakonisht syze për larg, por jo për afër; prandaj në shtëpi nuk mbaj syze. Dhe meqë përtoj t’i vë syzet kur shkoj të derdh plehrat, të kontrolloj postën, ose të bëj ndonjë punë tjetër të vogël brenda në pallat, e marr “në sy” (pun intended) dhe dal nga shtëpia duke u orientuar në një botë së cilës i mungojnë detajet, sidomos në gjysmerrësirën e korridoreve.

        Natyrisht, shoh aq sa për t’u orientuar normalisht, por njerëzit në distancë nuk i njoh menjëherë.

        Ka një kategori banorësh, në pallat, që do ta merrnin vërtet ters, sikur të mos i përshëndetje, madje edhe në distancë; dhe për mua do të ishte e komplikuar, në mos absurde, të rrija e të shpjegoja se “kur nuk mbaj syze, nuk shikoj mirë larg, veçanërisht në gjysmerrësirë, etj.”; do të ishte njëlloj sikur të mbaja një karton të varur në qafë: Caution: this man does not recognize people at a certain distance, when he is not wearing his glasses.

        Zgjidhja? I përshëndes të gjithë, siç bëjnë në fshat. Të njohur e të panjohur, të larë e të palarë. I vetmi rrezik këtu do të ishte që të përshëndetja ftohtë ndonjë mik të afërt – por është rrezik teorik, sepse miq të afërt në pallat unë nuk kam.

  7. Me kete krahasim me duket sikur degradoi pak edhe biseda per shkrimin e mesiperm. Por mund te jem edhe gabim, perndryshe nuk komentoj ketu, ne shtepine tende, per t’u pershendetur, vec te lexoj prej kaq vitesh dhe natyrshem dua te shpreh ate qe mendoj. Por te siguroj qe syte me kane lene nga afer dhe pa syze nuk shkruaj apo lexoj dot me. Dhe mund te vazhdoj me nje poezi te Fan Nolit, qe me duket sikur edhe i vjen per shtat krahasimit tend:

    Ku e lam’ e ku na mbeti
    Vaj-vatani e mjer-mileti
    Anës detit i palarë,
    Anës dritës i paparë,
    Pranë sofrës i pangrënë,
    Pranë dijes i panxënë,
    Lakuriq dhe i dregosur,
    Trup e shpirt i sakatosur?

    Perndryshe, me vjen keq per moskuptimin, sepse nuk ishte kurre qellimi im te fyej, aq me teper qe me shume do te kisha fyer veteveten ne nje rast te tille.

    1. Shkruan:

      nuk komentoj ketu, ne shtepine tende, per t’u pershendetur

      Kam frikë se e ke keqkuptuar shembullin që solla. Nuk ka të bëjë me përshëndetjen, por me faktin që tjetri të gjykon nga ai pak informacion që i jep ti, jo nga çfarë ke ti në mendje. Çështja më përshëndeti/s’më përshëndeti nuk shndërrohet vetvetiu në çështjen sheh mirë nga sytë/nuk sheh mirë nga sytë.

  8. “Përndryshe, unë jam rritur duke i parë veprat e artit botëror përmes riprodhimeve – ndonjëherë të mira, si ato të albumeve për muzetë sovjetikë, p.sh. Hermitage-it; ndonjëherë tjetër të vogla si pulla poste, si ato të Larousse-it; dhe më rrallë akoma, në kontekst të kritikës marksiste-leniniste, si ato në veprat e estetit Uçi.
    Më pas, ato vepra që më kanë tërhequr të konsumuara kështu, në forma vikare, kam kërkuar t’i shoh edhe nga afër, kur kam mundur.
    Kështu, një Magritte ilustrim në një libër për modernizmin, më ka shtyrë të shkoj te një retrospektivë me piktura të Magritte-it.”

    Pasi kisha pare per vite te tera te tilla riprodhime, ne Vjene nuk i rezistova dot tundimit te Muzeut te Historise se Artit, doja te shihja per se gjalli c’kisha pare ne leter. Me kujtohet qe m’u mbushen syte me lot kur pashe Rubensin nga afer. Akoma me vijne para syve pelicet, tylet, piklat e ujit me delikate dhe me te verteta se vete realiteti. I shijova pa bere foto, madje edhe nje kartoline qe bleva, nuk ma rikujton ate ndjesi, ato flene vec ne syte e mendjes. Para disa ditesh lexova nje artikull ku pak a shume thuhej: “Mos beni foto kur shikoni nje veper arti, sepse berja e fotos nuk i lejon shqisat ta perthithin gjithe informacionin. Ne bejme foto se mendojme se ajo do na kujtoje c’kemi pare, por ajo ben te kunderten, nuk na le ta shijojme e per pasoje ta ruajme ne kujtese. Foton zor se do ta shohim prape me nge”.
    Mua me thote shoqeria se kam kujtese elefanti, kujtesa e tille vjen nga perjetimet emocionale te nje casti. Une dikur nuk mbaja aparat se harroja, nuk kisha kohe, doja t’i perjetoja castet jo te beja poza; sot nuk mbaj qellimisht, e kam mesuar mesimin: kujtesa emocionale eshte fotoja me e mire, asaj i do bere yzmeti 😉

    1. Ka edhe një aspekt tjetër të fotografimit në muze, që ia vlen të vihet në dukje, dhe që lidhet drejtpërdrejt me vështirësinë e komunikimit, që praktikisht të gjithë ne përjetojmë, kur ndeshemi ballë për ballë një vepre e cila na imponohet si e madhe.

      Ndryshe nga ç’ndodh gjatë një eksperience estetike të pakushtëzuar, kur artin e vlerësojmë në bazë të përjetimit, dhe nuk e përjetojmë në bazë të vlerësimit që ia kanë bërë të tjerët, në një muze me prestigj, si MOMA, ne nuk guxojmë të refuzojmë gjë, por vetëm të konfirmojmë përkatësinë tonë në bashkësinë e të prekurve nga aura e veprës.

      Ndryshe edhe nga një ekspozitë e drojtur, e një të panjohuri në një galeri private, muzeu të thotë: këto vepra janë të mëdha thjesht ngaqë janë ekspozuar këtu; madje, madje, është hapësira e ekspozimit që i bën të tilla, ose i nxjerr nga errësira e anonimitetit.

      Tani, turisti që shkon në muze ngaqë atje shkojnë të gjithë, ose ngaqë i kanë thënë të shkojë, ose ngaqë duke shkuar fiton disa kredite në resumenë e vet kulturore, shpesh ndodhet para veprave që nuk i vlerëson dot; dhe ngaqë këto vepra i kanë vlerësuar të tjerë dhe i kanë gjetur të çmuara nga ana artistike, atëherë nuk mundet veçse ta përjetojë eksperiencën e moskomunikimit si zhvlerësim të vetvetes.

      Kështu vizita në muze sjell stres të madh; meqë vizitori anonim njëlloj qesharak do të ishte, edhe sikur të deklaronte se i pëlqen kjo apo ajo vepër (“s’mbeti puna që ta vlerësosh ti”), edhe sikur të deklaronte se kjo apo ajo vepër nuk i pëlqen (“po ku merr vesh ti?”).

      Aparati fotografik e çliron vizitorin nga ky tension, meqë futet midis subjektit dhe veprës, duke e shtyrë në kohë përjetimin, duke e arkivuar, duke e prenotuar për konsum në të ardhmen. Por asnjë vlerë intrinseke nuk ka fotografia që ia ke bërë ti një pikture të Edward Hopper-it, meqë riprodhimet e mira gjenden kaq lehtë, online ose në librari ose në bibliotekë.

      Prandaj fotografimi yt mund edhe thjesht të jetë një shmangie e ballafaqimit, ose një deklarim sipërfaqësor i kompetencës sate artistike, që mund të kompensojë, sado pak, për inkompetencën, të cilën vetëm ti e përjeton, në poshtërimin introspektiv të momentit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin