BALETI NË HESHTJE

thamsanqa-jantjieShumë prej nesh e kanë marrë vesh tani, madje edhe ata që nuk humbën kohë me funeralin e Mandelës, për incidentin – ose skandalin – e përkthyesit pseudo për shurdhmemecët, Thamsanqa Jantjie, që u shfaq përbri presidentit amerikan Obama dhe dinjitarëve të tjerë, teksa këta mbanin fjalimet e radhës; për t’i “përkthyer” fjalët e të mëdhenjve në gjuhën e shenjave.

Ekspertë të tjerë që e ndoqën shfaqjen live të këtij përkthyesi të sajuar, e vunë re menjëherë që shenjat e tij nuk kishin ndonjë kuptim; edhe pse, që ta dalloje këtë, duhet ta njihje kodin që përdoret për të komunikuar me shurdhmemecët. Për ne të tjerët, performanca e një përkthyesi me shenja nuk është veçse një lloj pantomime ose baleti; dhe para së gjithash ajo vetë shenjë, siç e vërejti edhe Zhizheku sot në The Guardian, se ceremonia e varrimit të Mandelës ishte inkluzive, ndër të tjera, edhe për shurdhmemecët.

Në fakt, mua ky farë “skandali” më solli në mend një moment kyç nga filmi Intervista, i Anri Salës, kur nëna e autorit, e vënë përballë video-regjistrimit pa zë të një takimi të saj të dikurshëm me Enver Hoxhën, nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë është duke thënë; madje edhe kur Sala mobilizon lexues buzësh, të cilët i “përkthejnë” – edhe ata – lëvizjet e heshtura të buzëve në shqip. Fjalët janë aty, shqipja është aty, por ligjërata e rindërtuar nuk ka kuptim.

Çfarë i bashkon ligjëratat në funeralin e Mandelës dhe bisedën e vjetër të Valdete Salës me Enverin? Të qenët bullshit, ose një lukuni fjalësh të qëndisura së bashku për të impresionuar, por përndryshe pa lidhje me të vërtetën. Zhizheku ka pa dyshim të drejtë, kur vëren se gjestet e Thamsanqa-s përbri leader-ëve planetarë, tani do të mbahen mend edhe për dekodimin që ia bënë boshllëkut të fjalëve që u thanë gjatë ceremonisë – ku shurdhmemec ishte publiku.

Çfarë e bën të veçantë, këtë operacion dekodimi ironik, është se të gjithë ne, me përjashtim të pak specialistëve dhe të shurdhmemecëve vetë, e kapëm të vërtetën me vonesë, ose pas kryerjes së aktit; njëlloj si nëna e Anri Salës, tek Intervista, që vetëm pas disa dekadash e kuptoi se, në takimin me Enver Hoxhën, kish thënë gjëra të padeshifrueshme, ose të tilla që jashtë kontekstit nuk mund të kuptoheshin më.

Gjithsesi, nuk mund të kesh veçse mirënjohje, për këtë Thamsanqa Jantjie-në, interpret i rremë dhe skizofren nga halli në mos nga kartela, që na kujtoi të gjithëve se mbreti paska qenë, në fakt, edhe atë herë lakuriq.

Nuk ka komente

  1. apo qe mbreti ka veshe cjapi..
    Eshte nje perralle e bukur ballkanike, qe tregon se si gjithe berberet e mbretit, qe i pohonin mbretit se ai kishte “veshe cjapi”, gjenin denimin me vdekje. I vetmi, qe i shpetoi denimit me vdekje ishte nje berber i cili sa here qe mbreti i bente pyetjen – kurth, cfare shikon ketu, i pergjigjej “Asgje Imzot” dhe vazhdonte punen e tij. Ngaqe se mbante dot sekretin, hapi nje grope ne dhe dhe therriti tre here “Mbret Trojani ka veshe cjapi”. Por pas pak kohesh, aty mbiu nje peme dhe barinjte e vendit bene fyej me deget e pemes dhe kur i rane fyellit, u degjua anembane, qe mbreti kishte veshe cjapi. Mbreti e fali berberin, pas rrefimit te sinqerte te berberit, se ai s’ia kishte thene askujt.

    Ne rastin e interpretuesit afrikan, “interpret i rreme dhe skizofren nga halli apo nga kartela”, apologjia e tij e rreme apo e vertete, na rrefeu se si gjithe sistemi organizativ i ceremonise ka “veshe cjapi”, vecse askush nuk ishte i vetedijshem per kete.

  2. Kam pershtypjen se krahasimi i rastit te Thamsanqa’s me nenen e Anri Sales qe sheh videon shurdhmemece pas gjithe atyre viteve te kohes se xhaxhit, mund te jete pak “stretched”. Me aq sa e mbaj mend une, ajo e veren qe ato qe ka folur, doemos kane qene BS, megjithate jo aq BS sa c’e ben xhaxhai. Sepse ne kontekstin e 97, kur videoja eshte xhiruar, shpresat e nje te perditshmeje sado pak te sigurt paten humbur fare, keshtuqe ajo– me aq sa e kuptoj une, sugjeron qe sado diktatoriale te kete qene ajo periudhe, gjithsesi asaj vete i la nje dinjitet human minimal. Per ate personalisht flas, se per shume te tjere as qe behej fjale per dinjitet. Gje qe ajo ne asnje menyre nuk e sheh ne ’97.

  3. PS: Ndoshta mund te kete qene dhe nje dinjitet i rreme, i bazuar ne te paverteta, por prape ne krahasim me periudhen e 97es gjithsesi me i pranueshem si i “vertete” sesa kordinatat njerezore te sheshuara nga dhuna “raw” e rruges.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin