NJË ORË KAFE

ore me filxhanShqiptarët e postotalitarizmit kanë importuar çdo gjë nga jashtë: veshmbathje, ide, mënyra jetese, ligje, bashkëshortë, programe kompjuterikë, muzikë, art, domate, kuzhinë, ëmbëlsira, vese, verë, virtyte, e kështu me radhë deri në hollësi. Krejt normale. Të gjitha vendet që hapen ndaj botës, sidomos kur janë të vegjël, sillen në këtë mënyrë. Është e pashmangshme. Por a mund të importohet çdo gjë? Edhe mundet, por ndonjëherë mallrat, ose idetë që hidhen në treg e që vijnë nga jashtë, jo gjithnjë përputhen me mendësinë vendase. Herë kanë vështirësi për t’u afrirmuar, herë imponohen me autoritet, herë përvetësohen sikur të ishin traditë.

Deri pak pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës, nëpër bare mbijetonte edhe kafja turke. Tani kjo po bëhet gjithnjë e më rrallë. Duhet kërkuar në vende të posaçme dhe nuk e gjen kudo. Tregun e ka zaptuar kafja ekspres me origjinë italiane. Në qytet e në fshat. E mrekullueshme, e di, por cilësia nuk ka të bëjë shumë me suksesin e saj të jashtëzakonshëm. Mirëpo, në qoftë se kafja turke u shfaros nga ekspresi, sikundër e pësojnë ndonjëherë në biologji organizmat vendas ndaj të ardhurve më të evoluar, kjo nuk do të thotë se objekti mori me vete edhe ritualin përshoqërues. Ky ka mbijetuar pikërisht në kohën e gjatë që njerëzit kalojnë në Shqipëri nëpër tryezat e bareve, gjithnjë përballë filxhanit.

Kafja mbetet sebepi për të qëndruar në shoqërinë e dikujt e për të shkëmbyer dy fjalë, që mund të jetë lidhja e dashurisë, ashtu siç mund të jetë formimi i qeverisë. Ndërsa koha e përgatitjes së kafes është shkurtuar relativisht (kafja turke kërkon më shumë kohë), ajo e pirjes nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh. Kafja mbetet lubrifikuesi i marrëdhënieve shoqërore shqiptare, gjeneratori i lidhjeve njerëzore, vendi gjeometrik i bashkësisë, antagonistja e rrjeteve virtuale.

Sa kuptime ka fjalia “Kur do të pimë një kafe?”. Të pafundme. E thonë Don Zhuanët, e thonë politikanët, e thonë njerëzit e thjeshtë, e thonë ata që marrin ryshfete, e thonë të papunët. E themi të gjithë, të nisur nga qëllime të ndryshme; ftesa përcaktohet kryesisht nga dëshira e koha që duam të kalojmë me personin nga ana tjetër e tavolinës.

Mirëpo koha është parà, thotë një maksimë në thelb kapitaliste, të cilën e ka kuptuar më së miri pronarja e bar-kafenesë në Wiesbaden (Gjermani) ku nuk paguhet kafja, por koha që kalohet atje. Sipas mediave, në Slow Time Cafe klientët mund të marrin kafe sa të duan por paguajnë kohën (2.00 €uro për gjysmën e parë të orës, pastaj shtohet 0.05 € për minutë, ose 3.00 € për një orë të plotë). Në barin e veçantë gjerman mund të sjellësh edhe ushqime nga shtëpia. Paguan gjithnjë kohën. A mund të ketë sukses në Shqipëri një bar i tillë?

Verën e kaluar, vëllai im, nga fundi i drekës në një lokal të Tiranës i kërkoi kamarierit një kafe. “Nuk kemi” ishte përgjigjja. Habisë se si një drekë e mirë nuk e ka epilogun e këndshëm të kafes, pronari i lokalit iu përgjigj me pragmatizëm: “Më vjen keq. E kishim aparatin ekspres, por e hoqëm. Njerëzit vinin për një kafe, ose diçka më shumë, dhe na zinin tavolinat me orë të tëra”. Mirëpo në këtë rast, vlera e kohës shihet nga pikëpamja e pronarit, e biznesit, jo nga ajo e klientëve.

Kur nuk kisha internet në shtëpi, shkoja në një bar ku jepej falas lidhja me internet. Shumë lokale në Tiranë e ofrojnë këtë shërbim. Merrja një kafe dhe kaloja orë të tëra duke punuar, ose thjesht duke lundruar në internet. Kërkoja ndonjë gjë tjetër ndërkohë, ujë, pije freskuese, ose kafe të dytë, sa për ta justifikuar qëndrimin e zgjatur. Nuk paguaja kohën, as internetin, por çfarë konsumoja. Lokali do t’i ketë bërë llogaritë e veta, po kështu edhe ai gjerman do t’i ketë rënë lapsit.

Kafeneja gjermane përbën pa dyshim risi. Jo më kot u tërheqi vëmendjen mediave anembanë botës. Le ta përsërisim pyetjen: A mund të ketë sukses një nismë e tillë në Shqipëri? Për pensionistët hapja eventuale nuk do të përbënte lajm pozitiv. Pensionistët shqiptarë, kudo qofshin, kalojnë orë të gjata në bar, duke rrufullitur avash avash kafen e vetme. Flasin me kolegë e miq, lexojnë shtypin, shkëmbejnë mendime, kalojnë kohën. Pikërisht këtu qëndron problemi. Tek koha. Kur e ke me bollëk e nuk di si ta vrasësh, nuk të shkon mendja ta paguash. Koha jote nuk ka asnjë vlerë.

Në galerinë e pasur të personazheve që frekuentojnë baret shqiptare më kishte shpëtuar ai që mund ta quajmë “vetmitari”. Me siguri e keni parë. Është zakonisht një tip që rri ulur për kohë të gjatë në bar, me filxhanin e kafesë përpara, e me cigaren e ndezur në dorën e djathtë. Rri në heshtje, tymos herë pas here, shikon nga rruga, e tërheq kafenë si terjaqi i thekur. Por duket që nuk e shijon. Shikimin nuk e ka si i zhyturi në mendime. E ka të përhumbur, pa pika referimi, pa vëmendje, pa gjallëri. As ai vetë nuk e di ku e hedh vështrimin. Është dhe nuk është prezent në kafene. Gjendet e nuk gjendet diku tjetër. Ritualin e kafesë e ka kthyer në lëvizje mekanike. Karakteri automatik i tyre ia ka fshirë gjurmët e kuptimit origjinal të kafes. Në fakt, ardhja e dikujt e çorienton, e sjell në vete, gjithsesi nuk e ngazëllen.

Kafja mund të pihet fare mirë edhe në vetmi, sidomos kur është mëngjes dhe aroma të gudulis flegrat e hundëve, por kjo s’do të thotë se në mendjen tënde nuk dialogojnë me dhjetëra bashkëbisedues. Natyrisht mund të shijohet edhe në zbrazëti cerebrale, si ilaç zgjimi, por këtu ndryshorja kohë e ka një domethënie. Edhe kafja ka rol tjetër.

Në barin imagjinar “Avash Avash”, a nuk do të dukej koha si shpata e Damokleut mbi kokë? Për realitetin shqiptar e kam fjalën. “Eja të ikim, se pas dy minutash fillon tarifa tjetër”. “Pse e shikon vazhdimisht orën? Ke nxitim? Që të mos paguajmë shumë”. “Dalim, ta vazhdojmë muhabetin në rrugë”. Por nga ana tjetër kafja do të derdhej lumë. “E do edhe një kafe tjetër? Jo se kam pirë gjashtë deri tani”. “Po pije edhe një tjetër se qyl është; ne kohën paguajmë jo kafen”. Në vend të sherrit për çmimin e kafes do të dëgjoheshin klithma për kohën: “Ndreqe orën zotëri se nuk e ke mirë! Kam vetëm njëzet minuta këtu. Erdha me burrin. Fol more ti, derdimen!”.

Po në kafenenë tjetër, “Speedy Gonzales”, gjithashtu imagjinare, a nuk do të mblidheshin të gjithë ata që e urrejnë kohën e humbur? Burrat në kafene, lozin kuvendojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë. Kafja duhet pirë shpejt e shpejt, duhet energji, lëvizje, dinamizëm. Ka edhe më. Do të gëzoheshin të gjithë ata që janë dashuruar me kafen italiane, në kuptimin e pirjes së saj. Siç dihet, në pjesën më të madhe të bareve në Itali, kryesisht në qendrat e mëdha, kafja pihet në këmbë, tek banaku. Ka nga ata që e rrufisin me një frymë. Sidomos atë të mëngjesit. Edhe emigrantët shqiptarë e kanë bërë zakon. Tek e fundit, në mëngjes kohë të tepërt nuk ke, në mos puna të pret shkolla e fëmijës, prandaj kafja shijohet taze dhe shpejt. Pastaj, ta pish ulur, kur ka hapësirë natyrisht, rrezikon ta paguash shtrenjtë.

Skena më e konsumuar në baret shqiptare është ajo e pagesës. Në çastin kur kamerieri sjell kuponin, ndizet gara se kush do të paguajë. “Kësaj radhe më takon mua”. “Në asnjë mënyrë! Ti pagove dje! Lëre se kam të holla”. “Edhe unë kam të holla. Çuno, mos ia merr lekët!”. “Të lutem mos më ofendo. Një kafe është!”… Dialogu teatral zhvillohet para syve të çakërdisur të  kamerierit, i cili pret me tabaka në dorë, e cila po të kishte gojë do t’i kërkonte me insistim që t’u vërvitej mbi kokë kafexhinjve grindavecë. Bashkë me gotat sipër, me rrapëllimë. Një skeç i tillë nuk do ta kishte të gjatë në baret imagjinare avash avash, ose do të zhvillohej krejt ndryshe. “Ma lë ta paguaj unë orën”. “Mos e fol, të thirra unë!”. “Po lëre a derëbardhë se një orë është. Pastaj, dje ti pagove dy orë”. Por bashkëbisedimi, pikërisht për arsye kohe, mund të ishte shumë më i shkurtër. “Paguaje shpejt e shpejt se na skadon ora! Hajde ikim”.

Dikush mund ta shohë si fyese pagesën e kohës. Sa kushton një orë me shokun e ngushtë, që nuk e takon prej dhjetë vjetësh? Nuk ka çmim. Po një kafe me të dashurën? Kur ti varesh nga fjalët, buzëqeshja e buzët e saj, e jo nga kafja që pi? Aty dallohet me gjithë mend karakteri subjektiv i kohës. Sa kanë kaluar kamerier? Vetëm katër orë? Çudi më duket sikur sapo erdha. Kjo vajzë më humbet sensin e kohës. Kompliment i parezistueshëm. Ajo të sheh me sy sorkadheje e të bën shenjë se kafja ka mbaruar. Ti paguan shpejt e shpejt dhe kuponi që të jep kamerieri të duket si biletë për në parajsë.

Por çdo medalje ka dy faqe. Si t’ia bësh atij “mikut” që të thërret nga tryeza e kafes, ndërsa je duke ecur në trotuar? “Po ku je more? Eja të pimë një kafe! Si the? Ke punë? Mos ma prish, le të kujtojmë kohët e vjetra”. Ai nuk e di që ti ke një bllokim mendor e nuk të kujtohet as emri. Pastaj ato kohët e vjetra nuk i kujton aq këndshëm, sidomos kur kanë lidhje me të. Por kur nis intervista, sepse e tillë duket nga pyetjet, kafja nuk shtyhet që nuk shtyhet, ndërsa gjysma e orës të duket një shekull. Sidomos kur ia nis të tregojë sukseset e veta në biznes. Në atë moment, ti fillon të kërkosh si i mbyturi salvaxhenten, ndonjë fytyrë të njohur në lokal, sa për ta thirrur në tryezë e për të ndarë vuajtjet.

Nejse, duke shkruar për kafen, më duket sikur po ia ndjej aromën. Po iki të pi një kafe. Sa do të zgjasë? Varet…

Nuk ka komente

  1. “Zeitcafe” në Wiesbaden që citon Pishak është një fenomen i ardhur nga Rusia dhe pronarja është me origjinë ruse. Në Rusi ky koncept është mjaft i sukseshëm: nuk di në funksionon njëlloj në Gjermani, pasi njerëzit “nuk kanë kohë”, të cilën, me sa duket, rusët e kanë më me tepricë.
    Në Shqipëri ky koncept a priori nuk do të ecte mirë – e them pa bindje këtë – pasi njerëzit kanë shuuumë kohë e konsumojnë relativisht pak. Nëse tani mund të rrish dy-tre orë me një kafe, po t’u matej qëndrimi klientëve, këta të fundit i bie që të paguanin tre-katërfishin.
    Për më tepër (nëse kupton gjermanisht) këtu gjen një artikull, që e shtjellon këtë temë nga këndvështrimi i “nemces”:
    http://www.spiegel.de/reise/deutschland/slow-time-cafe-in-wiesbaden-jede-minute-zaehlt-a-901782.html

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin