KODI I DERRKUCIT (II)

kotia-votimit-derrRreth një muaj më parë, i kushtova vëmendje ligjit zgjedhor italian, i quajtur ndryshe Porcellum. Shpjegova pak historikun, duke filluar nga emri deri tek nismëtari që e çoi në parlament, e pastaj u ndala në disa tipare të tij. Pasi u përpoqa të argumentoj të këqijat që vinin nga ky ligj, e mbylla shkrimin duke thënë se “ata që shohin referime ndaj politikës shqiptare, nuk e kanë gabim, edhe për faktin se nuk janë aspak rastësore”.

Në fakt, as rikthimi i vëmendjes mbi këtë ligj nuk është rastësor. Për ata që janë të interesuar të ndjekin telenovelën e politikës italiane, kujtoj se më 4 dhjetor 2013 Gjykata Kushtetuese italiane e hodhi poshtë ligjin zgjedhor të quajtur Porcellum në dy pikat për të cilat ishte kërkuar mendimi i saj. Gjykata Kushtetuese deklaroi paligjshmërinë kushtetuese të normave të ligjit n. 270/2005 që parashikojnë dhënien e çmimit të mazhorancës (si për Dhomën e Deputetëve ashtu edhe për Senatin e Republikës) listës ose koalicionit të listave që kanë marrë numrin më të madh të votave. Gjykata i deklaroi të paligjshme nga pikëpamja kushtetuese edhe normat që përcaktojnë paraqitjen e listave zgjedhore të bllokuara, në pjesën që nuk e lejojnë zgjedhësin që ta shprehë preferencën e vet.

Vendimi i Gjykatës ishte tërmet i vërtetë për politikën italiane. Motivimet më të hollësishme do të dalin më vonë, por u kuptua menjëherë se Gjykata Kushtetuese u dha zë atyre që mendonin se ligji e përçudnonte vullnetin e qytetarëve, ndaj ishte antikushtetues. Ky ligj praktikisht e manipulon dëshirën e elektoratit, ngaqë zgjedhja e parlamentarëve varet nga vendimet partiake, sepse janë partitë ato që i përgatisin listat e bllokuara, jo nga stilolapsi i zgjedhësit në kabinën elektorale.

Për ta bërë më të qartë, po japim një shembull të thjeshtë. Ta zëmë se në listën proporcionale të paraqitur nga partia ka kandidatë që të pëlqejnë e të tjerë që nuk të pëlqejnë. Mund të jetë që të pëlqen lideri, por jo të tjerët, ose e kundërta, të pëlqejnë dy kandidatë të caktuar, por jo lideri. Mirëpo, ti nuk e voton dot kandidaturën që të pëlqen sepse duhet të votosh listën, duke i dhënë votën tënde të parit, të dytit, të tretit, që nuk ia sheh dot surratin, e kështu me radhë; pa pasur mundësi që t’i vësh shenjën kandidatit që ta mbush mendjen. Mund të qëllojë që nuk të pëlqen fare partia Filan, por atje ka hedhur kandidaturën një njeri i ndershëm që ti e njeh shumë mirë. Me këtë sistem nuk e voton dot njeriun, duhet të votosh të gjithë partinë, me soj e sorollop.

Ky sistem zgjedhor ia kufizonte gjithashtu lirinë parlamentarëve vetë, sepse gjatë viteve të deputetllëkut askujt nuk ia mbante që të dilte kundër liderit partiak, sepse ky nuk e fuste në listë zgjedhjet e ardhshme. Që këtej edhe shndërrimi i parlamentarëve në altoparlantë të liderit, ose personalitete të telekomanduara nga selia qendrore, pa kurrfarë autonomie mendimi. Kandidatëve nuk u interesonte lidhja me zgjedhësit, sepse nuk ishin ata që e vendosnin rizgjedhjen e tyre. Futjen në listë e vendoste dikush tjetër. Një nga arsyet që të gjithë flisnin keq për këtë ligj, por askujt nuk i interesonte ta ndryshonte, varej pikërisht nga efektet e tij. Gjithsesi, ky sistem e varfëron politikën dhe dialektikën e ballafaqimit, duke e atrofizuar mendimin politik dhe përfaqësimin e interesave në parlament.

Tani, me të drejtë, Gjykata kushtetuese italiane vendosi ta hedhë poshtë ligjin Porcellum. Për arsyet e mësipërme, përfshirë çmimin e mazhorancës. Po i lëmë mënjanë reagimet konfuze e plot panik të politikës italiane, e cila dëshmoi edhe një herë impotencën e vet, duke ia deleguar detyrat e veta një organi tjetër shtetëror. Së shpejti skena politike italiane do të transformohet krejtësisht, sepse forcat politike duhet të miratojnë një ligj ndryshe nga i mëparshmi, çka do të sjellë detyrimisht forca të reja politike e me siguri ekuilibër të ri forcash në Parlament. Por ky nuk do të jetë rezultati më pozitiv. Më së fundi, gjithnjë në rast se aprovohet një ligj i arsyeshëm elektoral, do të kemi përfaqësim më të drejtë e lidhje më të fortë me elektoratin. Fuqia e elektoratit do të rritet, e në mënyrë të përpjesshme do të bjerë ajo e liderit, që deri dje kishte pushtet absolut mbi partinë dhe parlamentarët e vet.

Të gjithë këtë histori nuk e tregova vetëm për të apasionuarit e politikës italiane. Për këta nuk thashë asgjë të re, sepse i ndjekin vetë peripecitë e fqinjit. Por ndoshta nuk e kanë bërë ende lidhjen me politikën shqiptare, sepse aty këtu ka ndonjë ngjashmëri që duhet hulumtuar. Përsëri referimet nuk janë të rastit, sikurse shpresat për të ardhmen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin