FJALË NDËR VITE

Abstract speaker silhouette with lettersFundi i vitit po afron. Bashkë me festat vijnë edhe bilancet. Si çdo fundviti, ose fillimviti, merren në shqyrtim edhe fjalët. Cila është fjala e vitit? Çfarë fjalësh kanë kërkuar në internet përdoruesit? Po neologjizmi më i përdorur? Statistikat dhe analizat që ofrohen nga burime të shumta duken si lojë, shpeshherë janë të tilla, por pas lojërave fshihen jo rrallë gjëra tejet serioze.

Ndoshta është banale ta kujtojmë, por fjalët përjetësojnë jetën e përditshme të bashkësisë. Aty kondensohen aspektet e përditshmërisë, por edhe të politikës, mediave, kulturës, artit, shkencës… Sikurse maten vitet dhe kushtet klimatike nëpërmjet rrathëve të drurit, ashtu mund të studiohet shoqëria dhe historia nga fjalët e përdorura. Ka fjalë që i fiksojnë më mirë se çdo studim sociologjik, ose analizë politologjike, tendencat e shoqërisë dhe të politikës. Çfarë do të mendojnë shqiptarët pas 100 vjetësh kur do të shohin në gazetat e tanishme fjalët: armë kimike, plehra, korrupsioni, kriza, reforma, etj.? A nuk përbëjnë pika referimi për hartën e shoqërisë së sotme? Po fjala “bunga bunga” a nuk na rrëfen shumë për shoqërinë e politikën italiane?

Mjetet e reja informatike mundësojnë gjetjen e fjalëve më të përdorura, sikurse monitorojnë përhapjen e fjalëve të reja dhe modat e kohës në lëmin leksikor. Vite më parë kjo veprimtari as që mund të imagjinohej. Për shembull, Oxford Dictionary, para ca ditësh, bëri të ditur fjalët e vitit në vijim. Në vend të parë ishte “selfie“, autofotografia që bëhet me celular e që botohet më pas në rrjetet sociale. Por ka edhe fjalë të tjera si bitcoin, twerk ose showrooming. Sa interesante aq edhe të dobishme.

Në një studim të vetin për faktet e vitit 2013, Yahoo! botoi edhe fjalët e shumëkërkuara nga italianët. Në vend të parë ishte “Meteo” (moti), por edhe “Facebook” e “Calciomercato” (tregu i futbollit), çka përmbledh më së miri traditën dhe modernitetin e shoqërisë italiane. Tek dhjetëshja e parë hynin edhe fjalët “Përkthyes” e “Fjalor”, që s’kanë nevojë për traktate për të na treguar globalizimin, hapjen e shoqërisë ndaj botës. Motori i njohur i kërkimit jepte gjithashtu listën e personazheve më të klikuara gjatë vitit. Arsyet për t’u argëtuar nuk mungonin.

Së shpejti do të flitet edhe për Shqipërinë dhe fjalët më të përdorura gjatë këtij viti. Megjithatë, shumëkush mezi pret që statistika si ato të mësipërmet, të jepen edhe për vendet e vogla si Shqipëria. Tani për tani mungojnë.

Përderisa flitet për fjalë të vitit, përse nuk mund të flitet për fjalët e dhjetëvjeçarit? Me siguri për arsye studimore. Nuk është e thjeshtë natyrisht. Duhen bërë vjelje leksikore të jashtëzakonshme. Cilat kanë qenë fjalët kryesore të dhjetëvjeçarit 1990 – 2000? Po deri në vitin 2010? Gjithsesi, një përpjekje, në formë loje, edhe mund ta bëjmë.

Vitet nëntëdhjetë ndoshta janë më të thjeshtit, gjithnjë nga këndvështrimi i leksikut. Ato vite përkojnë me rënien e totalitarizmit dhe ardhjen e demokracisë, ndaj të gjitha fjalët që kanë të bëjnë me sistemin politik mund të aspirojnë të hipin në podiumin leksikor. Fjalë si demokraci, pluralizëm, monizëm, diktaturë, i persekutuar politik, ish i dënuar, ekonomia e tregut, bllokmen, refugjat, viza, tranzicion, skafist, korrupsion, Europë, etj. kanë qenë nga më të përdorurat. Megjithatë, kishte syresh me të cilat abuzohej. Si të thuash, bëheshin të modës e më pas inflacionoheshin. E kam fjalën për: foltore, t’i hapin dritën jeshile, gjithpërfshirje, e kështu me radhë. Ka fjalë që e kanë shënuar trungun e shoqërisë shqiptare më shumë se kushdo tjetër: firmat piramidale. I keni harruar vallë të ashtuquajturat piramida? Pak kohë më pas u përmend shumë Kosova dhe lufta për çlirimin e saj.

Po vitet dymijë nga cilat fjalë u shënuan? Cilat janë ato fjalë që janë përdorur më tepër në media e në shoqëri? Integrim, prona, emigrant, ish-pronar, Nato, korrupsion, mazhorancë, minorancë, ambasador, etj. Edhe ky dhjetëvjeçar u karakterizua nga shprehje të modës me të cilat u abuzua shumë. Një nga këto është edhe: zbardhja e çështjes”, në trajtat “u zbardh skema”, “policia zbardh ngjarjen”…. Pikërisht për të zbardhur historinë totalitare vërshuan në media me mijëra kujtime, citime e dëshmi për ato kohë të zymta. Po të bënim një kinse analizë psikosociale, do të pohonim se nëse vitet nëntëdhjetë ankthi shoqëror kishte të bënte me hapësirat e lirisë (t’i hapet dritë jeshile), dhjetë vjet më vonë, problemi qëndronte në sqarimin e çështjeve të errëta ose të perceptuara si të tilla (zbardhet më së fundi…). Po shprehja e lodhur nga përdorimi (kryesisht në të folur) “I dolën pronat” a nuk kërkon përsiatje politike, administrative e sociologjike?

Studimi i fjalëve të përdorura në vite e ndihmon bashkësinë ta rindërtojë kujtesën e vet kolektive. Por kjo duhet bërë seriozisht, sepse gjatë rindërtimit qytetarët kanë mundësi edhe të reflektojnë për çka ndodhur vitet e kaluara, duke kaluar nga fjala në fjalë e nga shprehja në shprehje. P.sh. nëse fjala korrupsion mbetet ndër hitet kryesore të dhjetëvjeçarëve të fundit, kjo nuk duhet të mbesë në heshtje, por duhet hulumtuar më tej për të kuptuar arsyet e qëndresës.

Sa për orvatjen time hokatare, shumë shumë do të më dëftojë se kam probleme me kujtesën. Por kjo duhet vërtetuar me diskutime e duke rrëmuar në memorien tonë të përbashkët. Çka do të na ndihmojë të gjithëve të heqim disa vija për të formuar yjësitë e kupës sonë qiellore.

Nuk ka komente

  1. Në fakt, Pishak, shumë nga këto fjalë nuk i cilëson dot si “më të përdorurat” pa ua specifikuar edhe kontekstin: më të përdorurat KU? Kështu, fjalët armë kimike, korrupsioni, kriza, reforma etj., që përmend ti në shkrim, duken si nga më të përdorurat në mediat; dhe kur matim okurrencat e fjalëve në mediat jemi duke studiuar sa fjalët, aq edhe vetë mediat. Përndryshe, shumëçka varet nga penetrimi i mediave në shoqërinë që e flet gjuhën (dhe që flitet prej saj); dhe meqë metrika leksikore mbështetet kryesisht mbi të dhënat e nxjerra nga Interneti, nga penetrimi i mediave elektronike në shoqëri. Vetvetiu, nëse flasim për shqipen, kemi përjashtuar këtu shtresat e emargjinuara dhe moshat më të vjetra.

    Veç kësaj, kam përshtypjen se edhe gjetiu në botë vëmendje nuk u kushtohet aq fjalëve më të përdorura, sesa fjalëve të cilave u ka ndryshuar më shumë denduria e përdorimit – siç ishte rasti me fjalën selfie tani së fundi. Natyrisht, në anglishte, madje edhe në atë të Internetit, ka fjalë të tjera që përdoren shumë më shpesh se kjo; por selfie me sa duket ka pasur një rritje përdorimi të pakrahasueshme.

    Fjalë të tilla u ngjajnë pak veshjeve të modës së fundit: ato bien në sy, por jo aq ngaqë përdoren shpesh, sesa ngaqë përdoren shpesh në një kohë që priteshin të përdoreshin rrallë; përndryshe, pjesa tjetër e njerëzve do të vazhdojë të vishet normalisht me xhinse dhe atlete. Madje po të shkojmë e të shohim sot disa nga fjalët e gjykuara si “të vitit” para ca vjetësh, do t’i gjejmë të rëna nga përdorimi, të vjetruara që pa u rritur, të kapura peng të famës së tyre të atëhershme; njëlloj si ca rroba të modës që tani na vjen turp edhe t’i ruajmë në garderobë.

    Përndryshe, secili nga ne përdor më shumë ato fjalë që i duhen. Për bariun, fjala më e përdorshme është delja; për lopën, jonxha. Mediat flasin për armë kimike, korrupsion, minorancë, kryeparlamentare etj., sepse pa këto koncepte, nuk u mbetet gjë për të thënë. Ca shprehje të tjera, si ajo e dritës jeshile, janë klishe, të cilat konfirmohen si klishe sa herë që përdoren rishtas, por nuk kanë ndonjë kuptim të madh, as domethënie.

    Jam dakord me ty, që këto fjalë të përdorura shpesh nuk i ndan dot, si dukuri, nga aktualiteti i dukurive të cilave u referohen – p.sh. fjala Amerika është përdorur më shpesh se fjala Volta e Sipërme, në mediat, ngaqë Amerika është më e rëndësishme se Volta e Sipërme, për shqiptarët. Kjo vlen sidomos për emrat – e përveçëm dhe të përgjithshëm; ne vazhdojmë të apasionohemi pas personave të veçantë, Saliut, Edit, Ilirit, Jozefinës, Lulit; duke e mbajtur diskursin politik në nivelin më të ulët, falë edhe kontributit bujar të mediave – që kurrë nuk zhgënjejnë, kur është fjala për të zhgënjyer. Por edhe emrat e përgjithshëm thonë diçka: p.sh., fjala selfie, e zgjedhur së fundi si fjala e vitit, nga fjalorët Oxford, i referohet një gjesti aq domethënës për epokën e tanishme narcisike – fotografinë që ia bëjmë vetes; gjesti është më interesant se fjala, meqë kjo e fundit thjesht përmbush një nevojë.

    Dhe meqë flasim për jetën e fjalëve, ndoshta më me interes do të ishte të ndiqnim fjalët që nuk u përdorën; fjalët që u harruan, u lanë të mbulohen me pluhur; fjalët që u dëbuan prej gjuhës, pse me biografi të keqe, ose falë vigjilencës së pedantëve; fjalët që u pastruan, që u dezinfektuan, që u shfarosën. Ashtu edhe do të merrnim pjesë në paradoksin leksikor të vitit – sepse do të risillnim në përdorim, duke e përmendur, pikërisht fjalën e ndaluar ose edhe thjesht të vyshkur.

    1. Natyrisht, fjalët e përdorura kanë nevojë për kontekstualizim, çka nënkupton edhe mjedisin ku janë përdorur: media, internet, familje, shoqëri, etj. Fjalë të tilla, që na shfaqen si hite leksikore, më duken ndonjëherë si fjalë kyçe (keyword), ose si tag (etiketë) e një periudhe të caktuar historike. Për shembull, në vetvete fjala korrupsion nuk do të thotë shumë, porse përdorimi i saj në vite tregon diçka më shumë për shoqërinë. Meqë ra fjala, gjatë totalitarizmit fjala kishte një kuptim të caktuar, gjatë demokracisë mori përmasa të tjera. Edhe fjala tranzicion, në harresë gjatë kohës totalitare, është përdorur me dendësi të ndryshme në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Ku-ja ka rëndësi, jam shumë dakord. Por në vartësi të konteksit ku është përdorur, fjala na ndihmon ta shikojmë veten në kohë.

      Në këto klasifikime, shpeshherë nuk ka asgjë shkencore. Është një farë loje, siç thashë. Fjalë të modës, ikin e vijnë si pantallonat kauboj. Por dendësia e tyre bëhet shkas, pretekst, për të shkuar më tej. Qoftë në studimin e mediave. Ka raste që shkohet përtej modës. Në qoftë se dikush do të më thoshte se në vitet nëntëdhjetë e dymijë fjala viza hynte në dhjetë më të përdorurat, do të përgjigjesha me intuitë se në vitet nëntëdhjetë bëhej fjalë për gjetjen, falsifikimin, ose blerjen e ndonjë vize, në vitet dymijë për heqjen e vizave në Europë. Sipas gjasës, e para përdorej në të folur, e dyta më shumë në media e politikë.

      Kam përshtypjen se togfjalëshi armë kimike u përdor së fundi si në media, ashtu edhe në kafene, ose në rrjete sociale. Ndoshta edhe përballë lopës duke ngrënë jonxhë. Ndoshta kanë folur edhe lopët mes tyre 🙂 Ishte shqetësim mbarëkombëtar.

      Sa për fjalët e papërdorura, them se më intrigon shumë si çështje. Edhe në këtë rast, do të merrja shkas për të shpjeguar arsyet e mospërdorimit, ose të harrimit.

    2. Xha Xha,

      Nese e kam kuptuar drejt Pishakun, kam pershtypjen se ai nuk ka dashur te theksoje vetem aspektin statistikor, frekuencen numerike te fjales, por mbi te gjitha peshen specifike te nje fjale ne nje periudhe te caktuar, pertej kuptimeve ngushtesisht leksikografike te saj.

      Fjale si “korrupsion”, “kthimi i pronave”, “viza”, “skafist”, “tranzicion” gjate ketyre njezet viteve te fundit, apo fjale si “bllokade”, “shfaqje te huaja”, “qafelesh”, “i deklasuar”, “vigjilence” etj. gjate diktatures komuniste, jane te tilla qe nuk mund te shpjegohen vetem me nje perkufizim leksikografik, madje shpesh kuptimet leksikografike nuk perkojne me kuptimin e vertete dhe peshen tyre performative (ne kuptimin e ngushte gjuhesor te fjales, ne ate te Austin-it ne “How to do things with words”.) Duhen shkruar faqe te tera per t’ua zberthyer kuptimin dhe rolin qe kane luajtur fjale te tilla ne ate kontekst te caktuar.

      Keto jane fjale qe bartin shpirtin e epokes, fjale qe jo vetem “thone”, por mbi te gjitha “bejne”.

      Ndryshe qendron puna me fjale si “selfie” qe shprehin nje prirje a mode te çastit, marrin dhene per ca kohe e pastaj harrohen. Edhe te tilla ne kemi plot. Mbaj mend qe dikur, p.sh., perdorej dendur fjala “garip”. Tani nuk e degjoj me.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin