TRIPTIK

Andi M., me të cilin u ndesha mbrëmë natën – Tirana gjithnjë t’i dhuron këto takime të rastit – më tregoi për një fshat në Jug të Shqipërisë, të ndërtuar mu në zgrip të humnerës, ku fëmijët i lidhin pas një peme ose një shtylle kur janë fare të mitur, ose derisa të mësohen të mos i afrohen buzës. Metoda e provës dhe gabimit (trial and error) nuk do të kish vlejtur shumë, në atë farë gjeografie.

Ky muhabet më çoi te një episod nga fëmijëria – në vitet kur stërgjyshes sime i hipi në kokë të mbante pula, në oborrin e shtëpisë. I donte shumë këta shpesë, madje u kishte vënë emra – mbaj mend një “larushe”, të zezë me pika të bardha; sikurse mbaj mend procedurën e mahnitshme të kontrollit të pulës për vezë. Oborrin tim e ndanin, me oborret e fqinjëve, mure të ulëta qerpiçi; dhe që pulat të mos fluturonin përtej mureve, u duheshin prerë krahët me gërshërë të rënda hekuri. Mua më vinte keq kur i dëgjoja pulat të ankoheshin me të madhe gjatë ndërhyrjes (diçka midis prerjes së thonjve dhe amputimit të një gjymtyre), dhe e pyesja Anenë nëse u dhimbte atyre e gjithë kjo kirurgji fushore; por merrja përgjigje qetësuese. Derisa, një ditë prej ditësh, pashë i tmerruar si puplat e prera të njërës prej pulave ishin gjakosur pak, në skajet. U dhembin, Ane, u dhembin, i thashë – ja, shikoje gjakun. Por Aneja s’dëgjonte nga ai vesh, dhe më shpjegonte se pulat gjithnjë bëjnë zhurmë, kur nuk u pëlqen ndonjë gjë; ose edhe kot.

(Kushedi pulat mund t’i mendosh si pupla, të cilave ua kanë prerë një p).

Një ditë prej ditësh, ia behu tek ne një pulë e arratisur nga një oborr tjetër – kësaj me siguri nuk ia kishin prerë krahët mirë, ose kishin harruar, ose ajo kish kohë që zhvendosej kështu, oborr më oborr, duke çuar një jetë kaçaku e duke u vjedhur ushqim simotrave të saj të burgosura. Krenare, e zhurmshme dhe arrogante, ajo eci me mospërfillje rrotull kolegeve të saj të urta, madje trembi edhe macet që lëpinin, në heshtje, ca lëvozhga në plehrat, të mbetura nga mëngjesi im me vezë të rrahur. Vetësigurinë dhe dinjitetin shurdhues ia kish dhënë doemos fluturimi.

boundfeet1Edhe një imazh i tretë gjen vend në këtë kolazh: këmbët e lidhura, të grave elegante në Kinë. Pas një tradite të njohur në anglishte si foot binding, vajzave kineze dikur ua lidhnin fort këmbët me fasho, të ngjashme me jakinë, që kur ishin fare fëmijë, pesë-shtatë vjeçe e shumta. Procedura fillonte me thyerjen paraprake të gishtave, njërin pas tjetrit, me përjashtim të gishtit të madh; dhe pastaj lidhjen me një fasho të lyer me barna medicinale dhe lëndë të tjera. Kështu, fëmija rritej dhe bëhej grua, por këmbët i mbeteshin të vogla si thundra kafshësh barngrënëse, jo më shumë se dhjetë cm të gjata. Kjo karakteristikë këqyrej si shenjë hijeshie dhe elegance te femra; dhe ecja me hapa të shkurtër dhe të paqëndrueshëm, e këtyre qenieve të gjymtuara, mbahej si tepër erotike nga meshkujt; pa llogaritur sigurinë praktike që rrezatonte ajo grua, e cila kurrë nuk do të mund të largohej shumë nga shtëpia, të paktën duke ecur me këmbët e veta.

Nuk ka komente

  1. Kjo puna e këtyre këmbëve të vashave kineze, shumë e dhimbshme, përveçse gjymtim dhe e shëmtuar, sa për pulat…eh, çna ktheve vite mbrapsht në kohë, atëhere kur kishim shtëpinë tonë e rrisnim edhe pula! Ishte një mënyrë për të ndihmuar ekonominë e familjes në ato vite të vështira të ekonomisë së përqëndruar socialiste.. Prerja e pendëve të pulave për të mos marrë arratinë e fluturuar “matanë”, njësoj e dhimbshme si prerje e shpresës për jetën…mbaj mend kur nga ajo shtëpi e madhe na nxorrën me polici e dhunë, e cila sa herë kthehet në kujtesë, më shkakton një ndjesi shumë të keqe! Mbijetonim, nuk jetonim, për fat të keq…!!!!

  2. njerezit i formesojne (ose deformojne) me te dobetit t’u pershtaten shijeve te tyre pa menduar dy here c’i ndodh tjetrit apo si e ndien ai veten. Kur keto behen edhe tradite, aq me pak analizohet veprimi. Po lexoja kete sot: http://www.huffingtonpost.com/2013/11/17/deformed-skull-dark-ages-france_n_4292207.html Dukuria nuk eshte ne Kine dhe eshte shume me e hershme. Artikulli s’eshte fort i qarte dhe ka elemente kontradiktore, por thelbi i deformimit te qellimshem te formave natyrore mbetet.

    Ndoshta ka nje element eksperimental dhe nje tjeter estetik (madje, edhe nje tjeter aktrues apo skenik) brenda shtysave qe i bejne njerezit te kene deshire te ndryshojne format natyrore ne kete menyre; keto lloj shtysash, kuptuar si veti inherente te qenies. Keshtu njeriu duket si nje perbindesh i marre, si “freak of nature”; por eshte brenda njeriut qe te doje te luaje me veten dhe me krijuesin, qofte edhe pa qellim praktik te drejtperdrejte.

    1. @ presja: “njerezit i formesojne (ose deformojne) me te dobetit t’u pershtaten shijeve te tyre pa menduar dy here c’i ndodh tjetrit apo si e ndien ai veten”

      Në fakt, presje, këta popuj që kryenin deformime të tilla ishin e madej janë të idesë se ajo e lartëson individin që, sipas nesh, i pëson. Është e kotë të flitet këtu, por kulturat dhe substrati se nga lindin këto janë aq i të larmishme.
      Psh. imagjinoni sa banale do t’i dukej një Neandertal, bie llafi apo pse jo, le të spekullokjmë pak, një njeriu të së ardhmes, pra sa banal do t’u dukej truku që përdorin femrat-njeri këto kohë (por edhe më parë)… Do të mendojnë: “këta trukohen akoma, kur truku rrezik është një atavizëm kulturor i kohëve kur njeriu përpiqej t’u ngjante zotërve të vet, imagjinarë apo realë që të kenë qenë.” Sepse tek e fundit edhe trukimi, një deformim është, një deformim i kthyeshëm i ngjyrës së lëkurës së vetë. Por ndonjë që është më i aftë se unë e që mbase ka lexuar më shumë mund të na shpjegoi më tej se cdmth nga ana sociologjike, si mund tëinterpretohet ky deformin i fytyrës së femrës nëpërmejt trukimit…

      Kështu edhe ne me punën e thëmbrave dhe të deformimit të kafkave. Atyre, sikundër neve me fytyrën e trukuar, kjo kafka e zgjatur do t’u jetë dukur e bukur. (Edhe mua ashtu më duket. Po unë jam i njëanshëm këtu, si fan i filmave të Indiana Xhonsit, në një prej të cilëve tregohen disa kafka “të zgjatura”.)

      Sa për këto kafkat: mua më surprizon fakti se janë zbuluar në Europë; ngase për këtë fenomen kisha lexuar vetëm për popujt e vjetër të të sotmes Amerikë Latine, ku fenomeni njihej prej kohësh dhe madje ishin hedhur hipoteza se përse bëhej kjo gjë; një nga këto është ajo e ngjasimit me perënditë përkatëse. (Fëmijët eshtrat e kokës i kanë akoma “të njoma” e nëse u aplikohet një fasho apo diç tjetër që shërben si model, kockat gjatë rritjes marrin formën e modelit.)

      Jam kurioz, ku qëndron kontradikta tek artkulli që ke sjellë, sipas teje?

      1. edhe une ate them, Rinstinkt: riformimet e njerezve jane me komplekse se sa duken nga jashte. Por ne shume prej tyre, sidomos kur kryhen masivisht ne raport me nje grup te caktuar seksual ose klasor, nuk eshte veshtire te dallohet dora e grupit me te fuqishem ose te pushtetshem qe e do (per interesa nga me te ndryshmet perfshire edhe kenaqesi estetike apo fizike) grupin tjeter “te duket ndryshe” ose “te sillet ndryshe”. I tille eshte rasti i grave kineze ne Mesjete e deri vone ne zona te ndryshme. Ka nje shpjegim te ngjashem edhe pyetja jote per trukimin e grave, sido qe ketu puna kulturore e burrit ka qene me e terthorte dhe eshte harruar neper mijevjecare, dhe sot agjencia e gruas shprehur ne ekzagjerimin e makiazh-berjes sipas cfare ia do qejfi asaj vete, eshte menyra me e mire e nje pergjigjeje te emancipuar dhe barazuese.

        sa per artikullin, qe sillja, ai ishte shkruar perciptazi, dhe sikur shkruesi i kishte germat te numeruara. Argumentet ishin te paqarte dhe te lena ne ajer. Por ajo qe kish rendesi dhe per te cilen une e solla, ishin kafkat e gjetura ne Europe (ku s’pritej): kafka te bukura dhe te dhimbshme.

  3. Kjo foto e kembeve te lidhura eshte shume e dhimbshme, dhe aq me teper pershkrimi i pulave te gjakosura e ben kete shkrim jo estetik per thelbin e vete pulave.
    Pula te gjakosura. Sa trishtim. Por ka edhe me shume, duke ecur ne Tirane heret ne mengjes perballe me hotel Dajtin pashe femije te vegjel shtrire ne trotuar siper nje kartoni qe qanin me deshperim. Femije te ndrydhur ne fatin e tyre pa shpetim. Te pakten pulat e kishin nje qellim edhe pse te gjakosura, po keta femije te braktisur ne mes te rruges?

  4. Une per vete, qe sot e tutje nuk do te qahem me per fatin e hidhur te te qenurit prej Ballkani. Cfare fati o motrani, cfare fati, qe nuk paskemi lindur me ne lindje te Lindjes!

    Thene mes nesh ketu, nuk ma mbushi mendjen hic as arsyetimi i keyre palo burrave, i sjelle tek Wiki, se medemek keta dythundrake kesisoj te gjymtuar, na qenkeshin qenie me erotike se, bie fjala, ne qe e kemi kemben 39 a 40.

    Pune muskujsh, thone. Te jete e vertete? Shyqyr qe nuk i gjymtojne kesisoj edhe sot, se do e kishim te humbur perfundimisht sfiden me aziatiket! Sic dhe e kemi ne fakt…

  5. Kujtime te ngjshe kam pasur edhe une ne pikerisht kete zone.
    Ndryshimi i vetem eshte tek gjeli i kudondodhur qe ne momentin e desantimit te pules se huaj, merrte pozat e duhura per te!
    Macet rrinin ne pritje te perfundimit te “mosmarrveshjes diplomatike”
    Ne fund te episodit, pula “e huaj” shkonte tek bashta djathtas, pula e shtepise bente vezen e rradhes (5 veze ne 7 dite), macja punen e saj prej maceje….

  6. Xha xha me kujtove feminine. Edhe gjyshja ime, Mome – i therrisja une – riste pula kryesisht per veze dhe i kishte vendosur edhe emra. Secila prej tyre, cuditerisht, kishte vendin qe kishte zgjedhur vete neper cepat e oborrit (si bicim furiku) per te leshuar vezen. Kur ndonje nga pulat vononte te nxirte vezen (zakonisht e benin nje here ne dy dite) Moma me dergonte per ta kontrolluar. Kur une ju afroja nuk me largoheshin, ndoshta ngaqe ndonjehere edhe i ushqeja me qull buke dhe kishin besim. Per fat te keq, pulat nuk jetonin shume, pasi semureshin nga epidemi te ndryshme dhe Moma detyrohej ti therte me nje thike jo shume te madhe por e mprehte si te ishte brisk. Edhe tani kur i kujtoj ato skena dridhem, pasi ndonjehere pula pa koke i shpetonte nga dora dhe ashtu pa kurrefare orjentimi ikte kuturu ne oborr duke u perpelitur dhe shpernadare cirkla gjaku.
    Ne ate kohe, Moma kishte edhe nje foshnje per tu kujdesur ,djalin e njeres nga vajzat e saj, te cilin mbasi e pastronte nga jashteqitjet dhe pudrosjen me puder talk, e fashonte me nape nga mesi e poshte duke ja shternguar edhe kembet deri poshte tek kycet. Foshnja i shkrete, djali i tezes, duhet te rinte keshtu me kembet te bashkuar ne pamundesi totale per ti levizur apo dhe qofte perthyer deri sa te vinte larja dhe nderimi i pecetave te radhes (ne ate kohe pampersat nuk i kishim as ne imagjinate). Me kujtohet se kur e pyeta pse ja lidh keshtu edhe kembet, mu pergjigj se keshtu duhet, perndryshe i behen kembet e shtremberta. Ne fakt kjo metode ishte e kote pasi foshnja kur me vone u rrit nuk eshte se kembet i dolen edhe shume te drejta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin