TEKNOLOGJIA MIMETIZUESE

celular-stili-mimetizuesTeknologjia përbën progres për njerëzimin? Aparaturat moderne janë vetëm zgjatime shqisore? Mjetet teknologjike na bëjnë njerëz më të mirë? Teknologjia konsiderohet jashtë qëllimeve të përdorimit? A mund të konceptohet teknologjia pa përdorimin etikisht të përgjegjshëm? Frika dhe entuziazmi ndaj arritjeve moderne janë faqe të së njëjtës medalje?

Këto pyetje po ua lë filozofëve. Mua më intereson diçka tjetër, shumë konkrete, banale, e përditshme. Teknologjia moderne po na e kthjellon dhe pështjellon njëkohësisht perceptimin e tjetrit.

Cili është budallai i fshatit? Vështirë për ta shpjeguar, e lehtë për ta kuptuar. E cili prej nesh nuk e ka pasur një të tillë në lagje, qytet apo fshat? Të gjithë. E shikoni atë tipin atje në mes të rrugës? Fliste gjithnjë me vete. Ne çunat e lagjes e shikonim me kërshëri, por kishte edhe nga ata mizorë që e tallnin. E imitonin tek fliste me duar e me këmbë. Askush nuk merrte vesh çfarë thoshte, por dukej që fliste me pasion. Nuk kishte asgjë të shtirur e nuk lodhej asnjëherë. Fliste në asfaltin e ngrirë gjatë dimrit, llomotiste mbi ziftin e butë gjatë verës. Megjithë kureshtjen tonë, kurrë nuk ia kuptuam fjalët, mendimet, shqetësimet, dëshirat.

Sa të tillë ka sot lagjja jonë? Sa vetë shikojmë në rrugë, në sheshe, në makinë, në bar, që flasin me po aq pasion? Me qindra e mijëra. Flasin jo vetëm me fjalë, por edhe me gjeste. Mua më duket sikur shoh mikun e vjetër të lagjes që fliste me vete me orë të tëra. Mirëpo ai ishte vetëm, këtu jemi të rrethuar. Shikojeni atë tipin në makinë. Po bërtet i nevrikosur, pështymë nga goja i del, lëviz si i ndërkryer, fjalë të rënda i nxjerr goja, megjithatë nuk ka askënd në automjet. Po flet me vete? I shkreti, duket djalë i mirë… Po ajo vajza bionde fosforeshente, me flokë dredha-dredha? Kur më kaloi afër tha: “Je si shpirt! Mirupafshim”. Sikur të mos ia njihja sex appeal-in vetes, do të mendoja se e kishte me mua. Por me siguri fliste me vete. Gjynah, vajzë e lezetshme…

Vonë e kuptova që komunikonin me telefon celular, nëpërmjet teknologjisë bluetooth. Po si ta dallosh telin e hollë që shkon nga xhepi tek koka, ose kufjet e vogla që fshihen në vrimën e veshit? Edhe brenda makinës gjërat kanë ndryshuar. Dikur për të folur me dikë mezi ulje xhamin nëpërmjet dorezës së fortë. Tani, falë sistemit të mikrofonit të jashtëm, mund ta shash tjetrin para e mbrapa pa u dëgjuar nga njerëzia në rrugë.

E njëjta gjë mund të thuhet për atë djalin e gjatë veshllapush. Më parë na vinte keq për familjen. Ishte bërë problem se kishte vesin e lojës. Kumarxhi i thekur, luante kryesisht me letra me shokë të rangut të vet. Paratë nuk i bënte rrushe e kumbulla, por pluhur e hi në bixhoz. Tani, thonë, ka ndryshuar. Edhe unë e pashë para kompjuterit tek pika e internetit të lagjes. Në mos blogje e analiza, me siguri po lexon postën e vet elektronike, mendova. Mirëpo, më rrëfejnë se vesin e vjetër e ka përditësuar teknologjikisht. Luan poker online. Familja është ende e dëshpëruar, por kësaj radhe edhe fëmijët, se është martuar qyqari.

Nga larg nuk e dalloj dot nëse është tablet apo iPad, por di që gruaja bullafiqe që po e zotëron në dorë ka qenë llafazane e madhe. Mbushte mëhallën me thashetheme. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse lagjja ime nuk ka pasur asnjë organ informativ lokal. Ishte ajo që përcillte çdo lajm për gëzime e hidhërime, për martesa e tradhti, për lindje e vdekje. Madje bënte edhe parashikime. Thonë që tani flet shumë më pak. Rri shumë përballë kompjuterit e para tabletit. Mirëpo, më treguan se faqja e vet në facebook vlon nga informacioni. Ka rubrikën e telefonit më të pasur në qytet. Ka mbetur qendër zëri e thashethemeve, por tani përdor mjete të tjera.

Nuk ndodh shpesh, por mua më ka ndodhur. Ai mesoburrë me makinë luksoze, më është mburrur se nuk ka mbaruar kurrë në jetë një libër. Kjo botë është si ylberi, ka lloj-lloj njerëzish, ndaj është e bukur. Mirëpo tani e pashë që po shikon me vëmendje ekranin e iPad-it me kapak të personalizuar. Ndonjëherë e prek me gishta ngadalë. Me siguri lexon libra të blerë në Amazon, ose komenton blogje kulturore. Mirëpo më tregojnë se është ende i pasionuar për filma action dhe kur komenton e bën thjesht për t’u thënë atyre që merren me shkronja se kanë mbetur mbrapa. Ndonjëherë me fjalë të pista.

Ngado që të kthesh kokën, duket sikur njerëzit i përdorin mjetet teknologjike si veshje kamuflazhi, si uniformat ushtarake të zbulimit, harta harta, njolla njolla, për t’u mimetizuar sa më mirë në pyllin e gjelbër të shoqërisë. Ndoshta është pylli që ka marrë formën e disa drurëve. Në kuptimin që edhe mjedisi e ndihmon kameleonin të maskohet, pa pasur nevojë ta përdorë artin e vet të kamuflimit. Apo është vetëm iluzion? Sepse teknologjia përdoret edhe për t’u dalluar nga të tjerët, në cilësinë e status symbol-it, por edhe për t’u dukur e për të qenë në qendër të vëmendjes. Sidoqoftë, magjitë teknologjike nuk e fshehin dot thelbin njerëzor. Të paktën shpresoj, përndryshe nuk di ç’të bëj me gjithë djallëzitë me bateri dhe ekrane që më rrethojnë çdo ditë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin