KODI I DERRKUCIT

kotia-votimit-derrJehona e zgjedhjeve shqiptare nuk ka përfunduar ende, ndaj të diskutosh për kode zgjedhore në këto momente tingëllon disi e pazakontë. Mirëpo debatet në Italinë fqinje, që sillen prej vitesh rrotull ligjit elektoral, na shtyjnë të bëjmë ndonjë konsideratë që nuk mëton të futet në axhendën e politikës shqiptare, anipse mund të shërbejë për zbërthimin e saj.

Si do t’u jetë dukur vallë, atyre që nuk e ndjekin rregullisht politikën italiane, deklarata e Kryetarit të Këshillit të ministrave Enrico Letta: “Porcellum për mua është e keqja absolute, do të bëj gjithshka në mënyrë që të mos votohet më me Porcellum-in ose me ndonjë kopje të tij”? E pakuptueshme. Çfarë mendojnë ata që u hedhin ndonjë sy, herë pas here, gazetave italiane? Atje lexohen prej vitesh deklarata, analiza, komente, nisma publike, kundër Porcellum-it. E megjithatë, pak duan ta ndryshojnë në praktikë. Edhe kjo e pakuptueshme.

Porcellum është ligji zgjedhor italian (n. 270, datë 21 dhjetor 2005), që e mori këtë emër pasi u cilësua si i tillë nga politologu Giovanni Sartori, në një artikull botuar në Corriere della Sera. Nismëtari i ligjit, Roberto Calderoli i Lidhjes së Veriut (Lega Nord), në atë kohë Ministër i Reformave, menjëherë pas miratimit e quajti krijesën e vet gjatë një interviste televizive (una porcata – një punë e ndyrë, ndyrësi, fëlliqësi). Është e tepërt t’i hyjmë analizës leksikore, por duhet thënë se në italisht porcata vjen nga porco (derr), dhe ka konotacion shumë negativ. Meqë ligji i mëparshëm quhej nga pikëpamja gazetareske Mattarellum (Mattarella ishte promovuesi i ligjit pararendës), ngaqë në Itali ekziston tradita që ligjeve u jepet emri i parlamentarëve propozues, edhe në këtë rast prapashtesat ironike të latinishtes bënë që “neologjizmi” Porcellum (nga porcello – derrkuc) të kishte sukses të jashtëzakonshëm në publik.

Që një ligj të konsiderohet fëlliqësi nga nismëtari i vet duket disi ekstravagante, e pakuptueshme, sikurse mbeten të tilla deklaratat e partive, që në thelb janë të gjitha kundër ligjit zgjedhor. Faktikisht, sot në Itali, nuk gjen asnjë forcë politike, individ ose shoqatë, që ta mbështesë ligjin e vitit 2005. E megjithatë, ligji vijon t’u mbijetojë furtunave politike që mbërthejnë ciklikisht vendin fqinjë. Kur të gjithë janë dakord që ta ndryshojnë, kur gjithkush e deklaron pa mëdyshje urrejtjen ndaj ligjit elektoral, përse nuk miratohet një tjetër?

Pa hyrë në detaje sistemesh zgjedhore, nënvizojmë se akuzat më të rënda që i bëhen këtij ligji kanë të bëjnë me listat e bllokuara (zgjedhësit votojnë vetëm listat dhe kandidaturat e paraqitura nga partitë, pa shprehur preferenca), çmimin e mazhorancës si në Dhomën e deputetëve ashtu edhe në Senat, heqjen e zonave zgjedhore njëemërore, etj. Nga këto, vihet gjithnjë në plan të parë fakti që zgjedhja e parlamentarëve varet praktikisht nga zgjidhjet partiake, meqë listat përgatiten prej tyre.

Kushdo që e ndjek sadopak politikën e kupton menjëherë përse-në e jetëgjatësisë së këtij ligji; madje edhe arsyen pse partitë e liderët nuk duan ta ndryshojnë. Ky ligj u jep pushtet të jashtëzakonshëm partive dhe liderëve politikë, të cilët duke vendosur kandidaturat në zgjedhje, i mbajnë peng parlamentarët, duke i shndërruar në ushtarë të bindur, në kuaj karroce, në robotë të drejtuar me telekomandë nga qendrat e partive.

Jo rrallë parlamentarët nuk janë dakord me idetë e liderëve të tyre, por nuk mund të flasin, përndryshe dalin jashtë listave në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është edhe arsyeja e shndërrimit të politikanëve në megafona të partisë së tyre në rastin më të mirë, dhe të liderit të vetëm në rastin më të keq. Në të gjitha rastet, e me pak përjashtime, kemi të bëjmë me mungesë autonomie dhe individualizmi. Liria, si mjedis i padiskutueshëm i demokracisë, vjen e lëndohet nga një sistem që nuk ia krijon kushtet e riprodhimit. Me kalimin e kohës, politika kthehet në një shesh ku ripërsëriten sloganet e gatuara diku tjetër, kurse politikanët në tellallë pa personalitet. Përfaqësimi i vërtetë, që me shirat e para politike, përfundon në kanalet e ujërave të zeza.

Në këto kushte vetë zgjedhjet nuk kanë shumë kuptim, për sa kohë zgjedhjet e vërteta bëhen në zyrat partiake. Kur qytetari është i detyruar të zgjedhë vetëm mes dy listash, që shkruhen gjetiu, nuk mund të flitet për liri totale. P.sh. ka raste që jo të gjithë politikanët e një partie të bindin, por qytetari detyrohet të zgjedhë partinë e t’i japë votën e vet edhe atyre që nuk don t’u shohë bojën. Sidomos për partitë që bazohen tek lideri, votimet kthehen në referendum ndaj tij, çka sjell gjithsesi gjymtim të lirisë zgjedhore. Partia merr gradualisht shëmbëlltyrën e liderit. Kështu shpjegohet jo vetëm varfërimi i mendimit politik, por edhe skajëzimi gradual i ballafaqimit, duke u shndërruar shpeshherë në konflikt.

Tani, ata që shohin referime ndaj politikës shqiptare, nuk e kanë gabim, edhe për faktin se nuk janë aspak rastësore.

Nuk ka komente

  1. Pishak,
    I gjithe ky shkrim dhe sidomos fjalia e fundit me duket si vazhdim i diskutimit mbi “Katovicen” shqiptare dhe shtjellim i mekanizmit qe e ka rregulluar ate.
    Veçse i ke rene italianisht pak si nga Kina. 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin