VESHJA NË SKENË, VESHJA SI SKENË

Më kish zënë syri në shtyp, para ca kohësh, foto të këngëtarit italian Riccardo Cocciante dhe të euro-politikanit Ettore Sequi, me veshje popullore shqiptare.

Fotot ishin të Roland Tashos, i cili ka kohë që ka krijuar një profil të vetin, brenda fotografisë artistike në Shqipëri – një fushë ku lehtësinë e ekzekutimit e kundërshton vetëm vështirësia për të lënë mbresë te publiku.

Tashos ia kisha parë disa albume me portrete shqiptarësh të Francës dhe të ShBA; tani mësova edhe se po përgatit, ndër të tjera, një album me të huaj – diplomatë, por edhe artistë dhe studiues – të veshur kombëtarisht.

Sot më kish ftuar t’ia vizitoj studion, dhe me atë rast edhe bisedova me të për konceptin dhe zhanrin e fotos me kostum popullor, që më ka ngacmuar prej kohësh.

Në fotot e familjes, kam disa breza të fotografuar kështu: gjyshërit dhe gjyshet nga të dy krahët; por edhe nënën time; madje edhe veten fëmijë me qeleshe.

Që ka pasur një traditë të tillë të fotos në studio tek ne, këtë e dinë të gjithë; më e ndërlikuar është ta shpjegosh këtë traditë.

Fotoja me kostum ka gjithnjë një element skenik, të ngjashëm me teatrin dhe karnevalin ose, më tej akoma, me role playing (ky i fundit i aktualizuar tani ngutshëm nga videolojërat); subjekti sikur zbulon diçka më tepër nga vetja, duke u dukur ashtu si nuk është.

Shto pastaj edhe elementin ekzotik të veshjes popullore, e cila shpesh është e llojit ceremonial, ose ka në vetvete natyrë skenike, madje edhe në kontekste të natyrshme, jo të inskenuara.

Kur e pyeta Tashon se pse i fotografonte këta dinjitarë e mysafirë të huaj me kostum popullor, më tha – siç edhe e prisja – se i referohej Marubit dhe fotografëve të tjerë, të paktë, të traditës së fotografisë shqiptare.

Ndërkohë, vetë të huajt, që e pranonin propozimin e fotografit me entuziazëm, e bënin këtë në shenjë nderimi për vendin mikpritës, por edhe duke iu referuar, sado me ironi, traditës orientaliste të europianit, që viziton vendet e çuditshme të Lindjes dhe kërkon të futet, si të thuash, në lëkurën e vendësit.

foto

Tashoja më rrëfeu edhe si këta të huaj kishin shijuar jo vetëm aktin e fotografimit, por edhe krejt procedurën e të veshurit me këto rroba të pazakonshme, të cilat kërkojnë lëvizje të caktuara, shpesh të ndryshme nga shprehitë që i kemi marrë që fëmijë.

Tirqet dhe opingat, xhamadanet dhe jelekët, shamitë e kokës, qeleshet, xhubletat dhe përparëset, brekushet dhe dimitet – është njëlloj si të vizitosh një muze të vogël etnografik, por me pjesëmarrjen e krejt trupit, që guxon t’i banojë këto pallate misterioze nga brenda, t’ua prekë teksturat e ashpra, leshin e dhirtë, shajakun, kërpin, mëndafshin; t’ua nuhatë aromat e athëta të cohës e të lëkurës; e më në fund t’i ngrohë e t’i bëjë të vetat, qoftë edhe për një moment të vetëm.

Tradicionalisht, i huaji me kostum popullor, më parë i pikturuar dhe më pas i fotografuar, ka kërkuar ta mbartë vendin që ka vizituar duke e veshur – në këtë kuptim, poza e një të huaji në studion e fotografit vendës, të veshur tebdil dhe me kobure otomane në brez, është e barasvlershme me fotot tona të sotme, duke e mbajtur Harkun e Triumfit ose Statujën e Lirisë në sfond, si prova që kemi qenë atje; dhe sa më e pagjasë të duket vizita, aq më e vyer është fotoja.

Kostumi shërben kështu si ekuivalenti i skenës dhe i dekorit, ose një lloj autentifikuesi i realitetit, përndryshe në kontrast me qenien e përditshme të subjektit.

Tashoja më tregoi edhe se të gjitha subjektet e zgjedhura prej tij e kishin pranuar me gëzim propozimin për t’u fotografuar me kostum, madje disa edhe e kishin kërkuar vetë, në ndonjë rast edhe duke marrë poza të ngjashme me ato të portreteve të pikturës romantike të shekullit XIX ose fotove të traditës, të kompozuara në studio me kujdesin e një skenografi.

Vetëm padija, ose mosekspozimi ndaj kësaj përftese në historinë e arteve vizuale, mund të bëjë që t’u qasesh fotove të tanishme pafajësisht, ose me syrin e një Marubi të transpozuar në vite.

Subjektet e Tashos vërtet i bëjnë homazh të sinqertë vendit mikpritës; por gjithnjë duke ia shkelur syrin orientalizmit, që aq thellë e ka karakterizuar qasjen tradicionale të vizitorëve të huaj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Që kostumet janë pastaj jashtëzakonisht të bukura, kjo vetëm sa ua pasuron fotove rrafshin shenjues, duke i gatitur për lexime ironike të mëtejshme – mjafton që publiku të dojë dhe të dijë.

Shënim: falënderoj autorin, që pati mirësinë të më lejojë të përdor, si ilustrim, foton më lart.

Nuk ka komente

  1. Cfare bene, i nderuari Xha Xha!
    A mund t’na thuash, se cili eshte borxhi qe te kemi, kur kerkon te shkelim mbi rregullat qe na kane rritur dhe bere ‘kaq’, sic eshte e drejta e gjithkujt prej nesh te shfrytezojme pa me te voglin skrupul punen dhe mundin e tjetrit, por sidomos duke mos i qene aspak mirenjohes? Ju shkoni dhe e falenderoni autorin e fotos, per mundesine qe ju dha per ta botuar. Joo! Kjo eshte per te vene duart ne koke!!! Po ku qendron kenaqesia, atehere, nese merr leje per te perdorur dicka qe eshte prone e tjetrit? C’jane keto zakone te reja me te cilat kerkoni qe t’na ngaterroni, i nderuari zoteri. Na lere ne traditen tone shekullore te pervetesimit te prones se tjetrit pa na hyre as me i vogli gjemb ne kembe.. Aaaa, po! Nese mendon se kete tradite ne duhet ta shoqerojme te veshur me kostumet tona popullore, kjo tingellon shume e arsyeshme dhe eshte me te vertete per tu pershendetur…

  2. Kjo dëshira për t’i ftuar ambasadorët e për t’i veshur me kostumet tona popullore, çka është ekzotike për ta e prandaj pëlqehet, më shumë më duket si pjesë e servilizmit të përgjithshëm ndaj të huajve. Ky është leximi, ndoshta i tepruar, prej meje. Si të thuash jemi gati dhe “t’i fusim në brekë të huajt”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin