HISTORINË PO E LËMË PRAPA

U bënë ditë, në mos javë, që gazeta Dita boton materiale të gjyqit të vitit 1977 kundër “grupit armiqësor” të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit dhe të tjerëve, të cilët akuzohen se kanë vepruar, në mënyrë të organizuar, për të “sabotuar” ekonominë socialiste.

Është fjala për ministra dhe zyrtarë të lartë të administratës, të cilët pas këtij gjyqi do të përfundonin para skuadrës së pushkatimit, ose të dënuar me burgim të gjatë.

Si edhe në raste të tjera të ngjashme, gazeta mjaftohet të përcjellë materialet arkivore të gjyqit, pa kurrfarë analize kritike, kontekstualizimi ose kritike.

Herë pas here përmenden në materialet edhe deklaratat e të pandehurve, të cilat mbështetin pikat e akt-akuzës, teksa të gjithë këta ish-hierarkë të regjimit Hoxha pranojnë se kanë kryer krime nga më absurdet, për të minuar bazat e një regjimi i të cilit ishin vetë krijues, pjesë, shprehje dhe promotorët kryesorë.

Nuk dua të spekuloj për motivet e botimit të materialeve të tilla, që kapin çdo ditë disa faqe të gazetës; me sa duket, “Dita” beson se ka një kategori lexuesish që i konsumojnë ato me ëndje.

Shumë qytetarë shqiptarë e dinë prej kohësh se gjyqet e viteve 1970 nuk ishin veçse farsa të një procesi spastrimesh dhe terrori në kuadrin e një larjeje hesapesh brenda kupolës komuniste, por që gjymtoi ekonominë, ushtrinë dhe kulturën shqiptare; duke përgatitur pastaj katastrofën e madhe të viteve 1980 dhe ekzodet biblike të fillimviteve 1990.

Nga ana tjetër, brezat e rinj nuk janë të informuar mirë për këto zhvillime; dhe nga leximi i materialeve të botuara në “Dita” do të dalin edhe më pak të informuar se ç’hynë; sa kohë që një dokument, edhe kur paraqitet si i mirëfilltë dhe autentik, me të gjitha firmat dhe vulat e nevojshme, ka nevojë për kontekstualizim, që t’i shërbejë së vërtetës, jo mashtrimit.

Çfarë më bën përshtypje, në këtë mes, është edhe përqasja mes këtyre materialeve të gjyqit farsë dhe dokumentit të ashtuquajtur të “Katovicës”, të cilin gjithashtu u kujdes ta botonte “Dita”; meqë dokumenti i “Katovicës” pas gjase është i rremë (forgery), pa çka se flet për zhvillime të cilat mund t’i konsiderojmë edhe të mirëqena; ndërsa këto të gjyqit të 1977-ës janë tërësisht autentike, edhe pse me përmbajtje fund e krye të manipuluar.

“Katovica” si dokument dhe zhurma që e ka përcjellë duhen marrë si një mënyrë metaforike për të mbrojtur hipotezën se përmbysjet politike në Shqipërinë e fillimviteve 1990 ishin njëfarësoj të projektuara në tavolinë; por me kalimin e kohës, metafora ka marrë konsistencën e një realiteti alternativ.

Këtij realiteti alternativ i përket, tashmë, edhe ai ku Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati dhe kolegët e tyre ishin angazhuar në veprimtari sistematike sabotimi, me synimin që të shkatërrojnë ekonominë socialiste.

Kultura jonë e qasjes ndaj historisë lëngon ende, teksa detyrohemi të mësojmë për çfarë ka ndodhur jo nëpërmjet hipotezave dhe analizave, por sendërgjive të mëdha, të sajuara me të vërteta të vogla.

Nuk ka komente

  1. Une do beja dallim mes tyre, tek Katovica kemi ujkun perballe dhe s’po i gjejme dot gjurmet se s’na ngjajne si gjurme ujku, prandaj themi se nuk eshte ujk, kurse tek gjyqi ne fjale kemi gjurmet e ujkut po s’kemi ujk, se gjurmet jane te manipuluara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin