MARIONETA

marionetaTeoritë konspirative ndoshta kanë lindur së bashku me njeriun, edhe pse emërtimin si dukuri mund t’ia kemi vënë së fundi. Por çfarë janë teoritë e komplotit (konspirative) dhe mbi të gjitha përse na pëlqejnë kaq shumë? Faqe të panumërta janë shkruar për të shpjeguar arsyet që i shtyjnë njerëzit të imagjinojnë komplote nga më të çuditshmet, por pak është hulumtuar se përse ne shqiptarët mahnitemi pas teorive konspirative.

Le ta themi që të fillim se komplotet kanë ekzistuar gjithnjë. Nga më të famshmit është pa dyshim komploti kundër Cezarit në idet e marsit, kur në shkallët e Senatit u gjakos për vdekje nga një grup komplotistësh, ku bënte pjesë edhe djali i birësuar Marcus Brutus. Tu quoque, Brute, fili mi? Komplotet e reja natyrisht nuk mungojnë, historia është e mbushur me intriga e kurthe, ndoshta më të pasura se vetë veprat e Shekspirit.

Mirëpo teoritë konspirative janë ato që rreken t’i shpjegojnë ngjarjet politike, shoqërore e natyrore nëpërmjet komploteve (si shkaqe) të thurura nga subjekte të caktuara. Në këtë kuptim, komploti si akt real nuk ka shumë lidhje me teoritë konspirative, përveçse përvetësimit të modelit komplotist për t’ia zbatuar më pas botës mbanë. Studiuesit janë të bindur se teoritë e komplotit janë shprehje e vizionit kompleksiv të botës me anë të prapaskenave; ato nuk anojnë të zgjidhin këtë apo atë mister të vetëm, ose thjesht të dëshifrojnë një element enigmatik e të panjohur. Në një farë kuptimi, teoritë konspirative i afrohen ideologjisë, për sa kohë i sistemojnë ngjarjet sipas skemës së paracaktuar. Në fakt, teoritë konspirative janë totalizuese, çka do të thotë se nuk mjaftohen për të lexuar të kaluarën, por mëtojnë të interpretojnë edhe të ardhmen.

Po përse ne shqiptarëve na pëlqejnë teoritë e komplotit? Interesin e shqiptarëve për komplotizmin po e marr të mirëqenë, ngaqë teori nga më të ndryshmet qarkullojnë jo vetëm në internet, por edhe nëpër kafene, ku njerëzit janë argëtuar me përfytyrime gjithfarësoj që para demokracisë. Rasti i fundit, sa për të dhënë një shembull të freskët, është ai i Katovicës. Meqenëse nuk jemi aq të ndryshëm nga të tjerët, duhet thënë se teoritë konspirative janë të thjeshta e thjeshtëzuese, ndaj edhe të lehta e të pëlqyeshme. Realiteti që na rrethon paraqitet aq i ngatërruar e i pazbërthyeshëm, saqë na vjen natyrshëm dëshira për t’i renditur disa gjëra. Teoritë e mësipërme i qasen realitetit me disiplinë të hekurt, e vënë në rresht dhe i bëjnë zbor me hap ushtarak, sa për ta thënë me terma të dikurshme. Përdorin formula edhe në mungesë ekuacionesh.

Teoritë e komplotit mund t’i konsiderojmë edhe si qetësues i shpirtrave të trazuar. Tek e fundit, janë një lloj besëtytnish, që na ndihmojnë të shpjegojmë të pashpjegueshmen, atë që na turbullon mendjen. Që këtej edhe teoritë e Ufo-ve, udhëtimi imagjinar në Hënë, atentatet ndaj Kullave Binjake, helmimi i Napolonit, origjina kroate e Titos, Enver Hoxha biri i bimbashit, e kështu me radhë. Ka edhe teori folklorike, nga ato që qarkullojnë në kulturat suburbane, që kanë diçka zbavitëse, si p.sh. Elvis Presley është ende gjallë, Michael Jackson nuk ka vdekur, Paul McCartney është sozi (dytëshor).

Ka nga ata që prapa teorive konspirative shohin komplote të tjera. Kujt i shërbejnë zërat e ndryshme që përhapen me shpejtësinë e vetëtimës për konspiracione të reja? Ndoshta atyre që duan t’i imponojnë publikut vështrime të caktuara ndaj realitetit. Shpeshherë teoritë e komplotit i denigrojnë dhe i delegjitimojnë kundërshtarët, ose ata që mendohen të jetë lëvizësit e kukullave që ne shohim. Kjo hipotezë rrëzon poshtë idenë se konspiracistët janë në thelb naivë, dhe i vendos ata në planin e vepruesve të qëllimshëm.

Masmediat dhe interneti kanë qenë humusi më i mirë i teorive të mësipërme, në mënyrë direkte, sepse në cilësinë e megafonit japin mundësi komunikimi të jashtëzakonshme, e në mënyrë indirekte, ngaqë vetë sasia e madhe e informacionit që qarkullon në infosferë e detyron individin të kërkojë një farë rregulli në kaosin informativ që e trullos përditë.

Nuk e di sa të bazuara janë studimet që i nxjerrin konspiracistët si individë cinikë ndaj botës dhe klasës politike. Ndërkohë që nuk më bind deri në fund shpjegimi se këta njerëz kanë zakonisht vetëvlerësim të ulët, ose forma të lehta psikopatologjike, sikurse mund të jetë pjesërisht e vërtetë se ithtarët e komplotizmit e ndjejnë se nuk kanë mundësi ta ndryshojnë botën. Si rrjedhim, u referohen teorive të atilla, që shpjegojnë deri në imtësi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen bashkë, duke shpallur de facto dorëzimin ndaj pushteteve të panjohura e misterioze.

Më bindëse rezultojnë analizat që i shikojnë teoritë e komplotit si shenjë të plogështisë intelektuale, madje edhe si shprehje e injorancës. T’i drejtohesh menjëherë skemës konspirative do të thotë t’i ngresh duart lart, t’i dorëzohesh dembelizmit, klisheve, indiferencës. Duke shkuar fill drejt humbjes së përgjegjësisë. Kërkimi i së vërtetës, qoftë si rrugëtim, qoftë si metodologji, kërkon mund, dije, përkushtim. Kërkon edhe skepticizëm të shëndoshë, por në të gjitha drejtimet, edhe ndaj vetë teorive gjithëshpjeguese. Nuk duhet harruar gjithashtu, se mania për të parë gjithkund konspiracione shfuqizon idenë reale të komploteve, që nuk mungojnë në shoqërinë tonë. Kush thërret kot ujku, ujku, dihet që një ditë nuk do të dëgjohet më.

Problemi është se teoritë konspirative kanë formën e kutive kineze, ose më mirë të kutisë së Pandorës në formë kineze. Enver Hoxha pati iluzionin se me teoritë e veta tek libri Titistët, ku e akuzonte Mehmet Shehun si poliagjent, do t’i jepte fund zërave dhe thashethemnajës që pasuan vetëvrasjen e ish Kryeministrit shqiptar. Mirëpo kjo nuk ndodhi, edhe pse në vetvete, faqet e fundit të librit e kishin një fare koherence teorike. Në fakt, teoritë konspirative janë fitila të teorive të tjera, kapsolla që ndizen në seri, ndaj shumë shqiptarë nuk janë aspak të bindur për çka ndodhi atë vit të mbrapshtë. Nëpër kafene, edhe sot e kësaj dite, hamendjet ushtrohen me teori gjithfarësh për të hedhur dritë mbi zbarkimin enigmatik të Xhevdet Mustafës në Divjakë.

Këtu hyn pa dyshim edhe kriza e historiografisë shqiptare dhe qasja kolektive ndaj historisë kombëtare. Siç pohon edhe Elidor Mëhilli, nga një anë vihet re injorancë e historisë botërore, nga tjetra nuk kemi ndonjë zhvillim të studimeve historike shqiptare, të cilave u ka mbetur ora disi prapa. Kjo lidhet gjithashtu, me izolimin e mendimit shqiptar, pavarësisht nga mundësitë e ofruara nga mjetet moderne të komunikimit.

Teoritë konspirative si seancat e psikanalizës? Edhe mundet, por duhet imagjinatë e fortë. Pasiguria që kthehet në siguri, neurozat që shërohen, e thella që del në sipërfaqe, e panjohura që ndriçohet. Me ndryshimin se në sipërfaqe del diçka tjetër, jo e vërteta. Ndoshta me erë më të keqe.

Totalitarizmi, si hapësirë ideologjikisht dhe gjeografikisht e kufizuar, ishte mjedis i shkëlqyer për teoritë konspirative. Tek e fundit, edhe vetë regjimit i duheshin armiqtë dhe komplotistët për të mbijetuar. Ideja se dikush i lëviz fijet nga larg, ose nga sipër, ishte ngado e pranishme. Madje e instrumentalizuar nga vetë regjimi. I dobishëm rezultonte edhe retushimi i vazhdueshëm i historisë. Por thelbi i mekanizmit ka mbetur gjallë deri më sot. Pritej ndoshta që pluralizmi dhe liria ta asgjësonin, por kjo nuk ndodhi. Mund të supozohet se vërshimi i anomisë, informacioni kaotik, ndjenja e pafuqisë, hapja ndaj botës, kolapsi ideologjik, pasiguria, lëvizshmëria, madje edhe vetëperceptimi si periferi e globit, kanë krijuar kushtet për rigjallërimin e teorive konspirative në Shqipëri.

Ndodhitë historike vijnë shpeshherë si barrë e rëndë për ndërgjegjen personale e kolektive. Në këtë kuptim, teoritë konspirative, si në rastin e Katovicës për shqiptarët, e projektojnë hijen e fajit drejt entiteteve të huaja, duke e shfajësuar politikën, elitën dhe gjithë popullin. Si rrjedhojë e lehtësojnë peshën e përgjegjësisë. Teoritë e prapaskenave janë përdorur rëndom në politikën shqiptare, çka nuk do të thotë se nuk ka komplote. Por publiku shqiptar rrezikon t’i shohë ngjarjet e vendit të vet si spektator, nga shkallët e stadiumit, ose karriget e kinemasë, meqë trajnerët ose regjizorët që vendosin fatet e lojës janë gjithnjë të tjerët.

Në këtë kuadër edhe ankthi i vendit të vogël, sindroma e Liliputit, që i kaplon ndonjëherë vendet si Shqipëria, vjen e fashitet, sepse i jep iluzionin se është në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, mu në mes uraganesh konspirative, në dylbitë e strategëve, në mes hartash botërore. Këtu ngjashmëria me vetminë e njeriut në univers, që nga dëshpërimi i moskuptimit sheh Ufo gjithkund, del pa ndonjë sforcim të madh.

Që teoritë e komplotit ushqejnë njëra tjetrën nuk ka dyshim. Po sikur t’i riprodhojnë edhe kushtet negative nga të cilat kanë lindur? Edhe për këtë dikush ka gisht, do të thoshte teoriku i komploteve, duke ndërtuar skenën perfekte me kukulla, marioneta, fije e kukulltarë. Duke i larë përfundimisht duart si Ponc Pilati. Por çfarë ngushëllimi do të ishte, sikur edhe ata vetë të dilnin marioneta në duart e dikujt tjetër?

Nuk ka komente

  1. bukuria e teorive konspiracioni eshte pikerisht se ofron pergjigje per gjithcka. nese nje shpjegim racional mund te kete mangesi apo nje perqindje hamendjeje, teoria konspirative nuk ka te tilla. gjer ne detajen me te vogel jepen pergjigje. si nje flow chart i pafund ku pas cdo pyetje ka nje pergjigje deri sa te dalim atje qe dalin te gjithe, cifutet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin