TAKIM NË ARLES

CaptureKur vdiq, më 4 gusht 1997, francezja Jeanne Louise Calment ishte plot 122 vjeç (dhe 164 ditë); dhe mbante rekordin e njeriut më jetëgjatë në planet.

Calment kish lindur në Arles dhe asnjëherë nuk u largua që andej; por Arles nuk kish nevojë për një “plakë jete” si ajo, për t’u shquar në hartën e botës.

Në fakt, shumëve prej nesh Arles do t’ju kujtojë Vincent van Gogh-un, i cili jetoi aty për dy vjet (1888-1890); dhe ky dyvjeçar la gjurmë të pashlyeshme në famën e tij të mëpasme si artist – për të mos përmendur gjurmët që ia la në trup (ose veshin e prerë).

Falë një koincidence të majme në kuptime, Jeanne Calment e mbante mend ta kish takuar disa herë Van Gogh-un, kur ai shkonte në dyqanin e të ungjit të saj, për të blerë kanavacë dhe lapsa me bojëra.

“Pisanjos, të veshur keq dhe të gërditshëm,” ashtu e ka përshkruar Calment piktorin e madh; madje jo vetëm, por edhe “shumë të përçmuar, të pahijshëm, të pasjellshëm dhe të shpifur.”

Dhe meqë koincidencat nuk janë veçse një trajtë kohore e pasqyrave, edhe Van Gogh-u do ta përshkruante Arles-in, në një nga letrat e tij, si ekzotik dhe të qelbur (filthy), duke shtuar: “ushtarët zuavë, bordellot, arlezianet e vogla, aq të lezetshme, që shkojnë në komunionin e parë, prifti i veshur për meshë, që duket tamam si një rinoceront i rrezikshëm, mileti që pi absinth – të gjithë këta më duken si krijesa nga një botë tjetër.”

E megjithatë, këtë takim mes dy jetëgjatësish nuk e shpërfillim dot si të rastit.

Calment do të jetonte edhe 100 vjet të tjera pas atij takimi; prej të cilëve më të shumtat prej pleqërie. Van Gogh-u, përkundrazi, do ta fitonte jetëgjatësinë pas vdekjes së tij në 1890; dhe pavdekësinë më pas.

Takimi atëherë, në një dyqan çerturinash në Arles, vuri përballë dy forma të ndryshme, madje të kundërta, të sfidës që i bëjmë kohës.

Kur flasim për jetëgjatësi fizike, në mos pavdekësi, kemi parasysh moshën e re; më shumë se të kundërshtojmë vdekjen, duam të kundërshtojmë plakjen – edhe pse shpesh këto janë e njëjta gjë.

Këtij gjakimi parazitar ia dha një përgjigje të trishtuar Swift-i, tek Udhëtimet e Guliverit – kur përshkruan shtetin e Luggnagg-ut, ku jetojnë, të shpërndarë, një kategori njerëzish të pavdekshëm, ose struldbrug-ët, siç i quan autori.

Struldbrug-ët nuk vdesin, por gjithnjë vazhdojnë të plaken. Për këtë arsye, ata i konsiderojnë si ligjërisht të vdekur pasi mbushin të tetëdhjetat; dhe u hiqen të gjitha të drejtat civile.

Përndryshe, shkruan Swift-i, “sa kohë që kopracia është pasojë e pashmangshme e moshës së shtyrë, këta të pavdekshëm dalë nga dalë do të hidhnin në dorë krejt shtetin dhe do të gëllabëronin pushtetin civil, çka – për shkak të paaftësisë së tyre për të drejtuar – do ta rënonte jetën publike.”

Jeanne Calment, edhe pse jetoi gjatë, nuk rrezikoi gjë, megjithatë, që të hidhte në dorë pushtetin në Francë ose edhe atë lokal, në Arles. E megjithatë, pakkush do të kundërshtojë rolin ripërtëritës që luan vdekja, sidomos në strukturat sociale.

Struldbrug-ët i kanosen edhe jetës mendore, si autoritete që ia zënë frymën progresit; të themi Aristoteli për skolastikën mesjetare. Por vështirë ta konsiderosh të tillë Van Gogh-un e shkretë, pavarësisht nga përdorimi i pamëshirshëm, prej viçi të florinjtë, që duan t’ia bëjnë të paditurit.

E gjithë kjo përsiatje më kujton edhe një pasazh te Fedo i Platonit (apo te Fedri?), ku një nga biseduesit – tani nuk po më vjen mend kush – përmend mundësinë që shpirti vërtet nuk ka pse të vdesë së bashku me trupin; por kushedi edhe shpirtit i vjen një ditë vdekja, siç i vjen fundi një xhakete, që mund ta kenë kaluar dorë më dorë disa breza, derisa të jetë shkatërruar krejt.

Sa kanë qenë të pavdekshëm si Van Gogh-u sot, për t’u harruar pastaj e për t’u bërë po aq të pluhurt, sa edhe eshtrat që u janë tretur?

Calment-i e jetoi jetën e saj vetë, ashtu siç mundi (thonë se hante 2 kg çokollatë në javë); madje edhe atë pak pavdekësi që e fitoi, e fitoi thjesht ngaqë vdiq shumë vonë.

Van Gogh-u, përkundrazi, e pati jetën të shkurtër dhe të keqe, ish vetëm 37 vjeç kur vdiq; pa çka se me artin e tij ua zbukuroi jetët admiruesve.

Por le të ngushëllohemi me Henry Louis Mencken, i cili vëren se “I pavdekshëm është i vdekuri që nuk e beson se ka vdekur.”

Nuk ka komente

  1. Besoj se eshte tek Faidon i Platonit, mbasi atje Sokrati perpiqet te binde bashkebiseduesin e tij per pavdekshmerine e shpirtit dhe idene, qe nese shpirti do vdiste njekohesisht me trupin, atehere te vdekurit e ligj do ndiheshin shume fatlume, qe me vdekjen e tyre, vdes trupi, ligesia dhe shpirti i tyre. Por, sipas Sokratit nuk ndodh keshtu, mbasi clirimi nga vdekja, nuk presupozon dhe clirimin nga shpirti. Shpirtrat zbresin ne Had me dy gjera te vetme: edukimin e marre dhe menyren e jeteses, qe kishin para vdekjes. Ne baze te ketyre do kene dhe qoshezen e tyre ne Had. Ndaj ne te gjalle njerezit duhet te perkujdesen per shpirtin e tyre, mbasi as vdekja si shpeton.
    Ndersa tek Faidros, ka nje paraqitje me interesante. Shpirti konceptohet si trialitet, jeton ne koke, ne gjoks dhe ne bark. Perleshja mes tyre duhet te perfundoje me fitoren e arsyes. Kjo i siguron shpirtit ne boten e pertejme nje pavdekesi te mire dhe te mencur.
    Van Gogh-u me artin e tij, fitoi pavdekesine e tij per per te tjeret dhe vdekshmerine e tij per veten.

  2. Kërkoj falje për ndërhyrjen anësore: A nuk i thonë komunionit shqip kungim? Apo është fjala për dy koncepte të ndryshme?

  3. “Pisanjos, të veshur keq dhe të gërditshëm,” ashtu e ka përshkruar Calment piktorin e madh; madje jo vetëm, por edhe “shumë të përçmuar, të pahijshëm, të pasjellshëm dhe të shpifur.”

    Me poshte po perkthej nje pjese te artikullit nga the Guardian i cili edhe qarteson sesi mendjet me brillante kane pothuajse te njejtat ritual ditore, shpeshhere akoma me te percmueshme, apo akoma me te aferta me te gjithe ne te tjeret. Pikerisht deshira per ti afruar ata me ne, na ngushellon disi, perndryshe per se do te harxhonim kohen te lexonim si e pinte kafen Beethoven.

    “This was all in an effort to adopt the rituals of some great artists and thinkers: the rising-at-dawn bit came from Ernest Hemingway, who was up at around 5.30am, even if he’d been drinking the night before; the strong coffee was borrowed from Beethoven, who personally counted out the 60 beans his morning cup required. Benjamin Franklin swore by “air baths”, which was his term for sitting around naked in the morning, whatever the weather. And the midday cocktail was a favourite of VS Pritchett (among many others). I couldn’t try every trick I discovered in a new book, Daily Rituals: How Great Minds Make Time, Find Inspiration And Get To Work; oddly, my girlfriend was unwilling to play the role of Freud’s wife, who put toothpaste on his toothbrush each day to save him time. Still, I learned a lot. For example: did you know that lunchtime martinis aren’t conducive to productivity?”

    Kjo ishte e gjitha një përpjekje për të adoptuar ritualet e disa artistëve dhe mendimtarë të medhenj: zgjimi ne mengjes heret erdhi nga Ernest Hemingway, i cili zgjohej rreth 05:30am, edhe në qoftë se ai kishte qenë duke pirë një natë më parë; kafeja e fortë eshte huazuar nga Beethoven, i cili personalisht numëronte 60 kokrra kafeje e tij per mëngjes detyrimisht. Benjamin Franklin betohej per “banjot e ajrit”, te cilat ishin mandati i tij për tu sorrollatur lakuriq në mëngjes, pavarësisht nga moti. Dhe koktej mesdita ishte një e preferuar i VS Pritchett (në mes te shumë të tjerave). Unë nuk mund të provoj te gjitha zakonet qe kam zbuluar në një libër të ri, ritualet e përditshme: Daily Rituals: How Great Minds Make Time, Find Inspiration And Get To Work; cuditerisht, e dashura ime ishte e gatshëme për të luajtur rolin e gruas së Frojdit, e cila vinte në furçën dhëmbëve te tij çdo ditë pasten për ti shpëtuar atij kohë. Megjithatë, kam mësuar shumë. Për shembull: a e dini se Martini ne mesditë nuk eshtei favorshem për produktivitet “?

    http://www.theguardian.com/science/2013/oct/05/daily-rituals-creative-minds-mason-currey

    1. s’e di pse njerëzit e harxhojnë kështu kohën. Shpresoj për kureshtje dhe jo për t’u njësuar me më shumë se vetja. Megjithatë. Të zgjuarit në agim është një zgjidhje për të mirëmbajtur ritmin circadian (~ditor), ama të flesh vetëm tre orë nën alkol s’lë gjë nga kjo mirëmbajtje. Kafja ashtu si grumbullimi i kapitalit në kapitalizëm ndihmon prodhimin, ama varet ç’ndodh në pjesën tjetër. Po ashtu e ftohta është tonike sepse rrit elasticitetin vaskular. Shkurt. Informacioni është i vlefshëm, por i ngushtuar nga shembujt. Ndërkohë, më vjen mirë që Frojdit i paska prirë Platoni me ndarjen e shpirtit në tre

  4. Shkrim i shkurtër që vë në qendër rolin e artit dhe krijuesit e tij që kanë fituar pavdekësinë pikërisht prej veprës që lanë pas.

    A i jetuan jetët e tyre (a)estetikisht?

    Oscar Wilde jepte leksione ne auditorët e Amerikës mbi principet e (a)estetikës; predikonte l’art pour l’art (Ars gratia artis), arti si qëllim në vetvete, jo moralizes apo shoqerisht / politikisht ndergjegjesues.

    Sekreti i jetës gjendet në art thoshte ai.

    Wilde ishte e kundërta e Van Gogut. Vishej me shume kujdes, gjera te zgjedhura, aristokrat ne shije, pinte cigare opiumi egjyptiane, mbante kapele te shtrenjta, shume fluid seksualisht, kalonte seksualisht lehtesisht nga nje gjini ne tjetrën, etj.

    Kur ne nje auditor studentet per ta perqeshur e imituan edhe me ekzagjerueshem ne veshjen ekstravagante, ai qetesisht iu kthye: Karikatura eshte tributi qe mediokriteti i paguan gjenise.

    Sugjeroj nje liber interesant që mund te lexohet per me pak se dy ore duke lepire, lene thonjte e kersherise dhe lust-it per jetet tokesore te disa prej artberesve te pavdekshem, Literary Rogues nga Andrew Shaffer.

    Jete njerezore kontroverse krijuesish arti qe fituan pavdekshmerine(a vertete… ?).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin