SHËNIME PËR BANJËN

nga Eleana Zhako

WCIdeja e një shkrimi për banjën mund të duket e pazakontë, por rrugëtimi i kësaj ideje ka nisur tinëzisht në mars të këtij viti, në “Netët e Kulturës Arabe”, që u zhvilluan në Teatrin e Operas dhe Baletit në kryeqytet. U desh një interval pushimi midis dy pjesëve, që të vizitoja për herë të parë në jetën time, “zonën e rreptësisë”, në katin e poshtëm të ndërtesës. Por “spektakli”, që më priste aty poshtë, ishte përtej çdo përfytyrimi. Një radhë banjash alla turka, ku s’ekzistonin kushtet minimale të higjenës sanitare, mungesë uji totale dhe kurrfarë gjurme letre higjenike. Edhe sikur të mos mjaftonte, “pellgu i verdhë ” rrëshkiste përtej dyerve të nevojtoreve në korridor, duke lëshuar një erë mbytëse. Mu desh njëfarë kohe, që të merrja veten nga shoku i beftë dhe për të mos dhënë përshtypjen e snobes, mezi përmbajta turfullimin tim nëpër dhëmbë, gati për të lëshuar shprehjen e radhës “shqiptarët nuk do bëhen kurrë njerëz”.

Shokimi im nuk lidhej me atë çka hasa, fenomen aspak i pazakontë dhe që haset dendur në Shqipëri, sesa me faktin, që e vetmja ndërtesë, që zotëron Shqipëria në lidhje me kulturën, operan dhe baletin, kundërmonte aciditet dhe amoniak. Pas mbarimit të shfaqjes, ndërsa shikoja fytyrat e lumtura dhe festive të Drejtorit Artistik Zhani Ciko dhe ish Ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi, se si kremtonin bashkë me Sauditët mbylljen e “Netëve të Kulturës Arabe”, më kaloi nëpër mend: Vallë i ka shpënë rruga ndonjëherë në katin e poshtëm? Apo fondet e Ministrisë së Kulturës, nuk parashikojnë “rehabilitimin” e këtyre qendrave fiktive infeksioni? Si mund një vend të aspirojë integrimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që nuk përkujdeset për integrimin e kulturës së WC-së në edukimin higjenik të shqiptarëve?

Historiku i banjave në Shqipëri më ka shkaktuar gjithmonë një lloj kureshtjeje përzier me habi dhe komizëm. Gjatë sistemit të komunizmit, banja në familjen e mesme shqiptare, kishte rol shumëfunksional. Fare mirë, banja mund shërbente në të njëjtën kohë si qendër gatimi, si lavanderi, si vend izolimi për fëmijët çamarrokë, si vend llomotitjesh me fqinjët e dritareve përballë, si altar flijimi pulash deti në prag Viti të Ri dhe më pak si “shower room”. Për shqiptarin/en e asaj kohe, s’ishte aspak paradoksal fakti, që ndërkohë që përkujdesja për veshjet dhe çarçafët, bëhej me një mani sterile duke i zjerë e i stërzjerë këto të fundit në një garë bardhësie me shoshoqen, higjena trupore përbënte një komoditet, që konsumohej 1-2 herë në javë. Ndërsa, në zonat rurale banja nuk kishte të njëjtin funksion, pasi banjat ishin në distancë të largët nga pjesa e brendshme e shtëpisë dhe gjithë funksionet e sipërpërmendura kryheshin në një vend të posaçëm, që s’komunikonte direkt me pjesën e WC-së.

Përkujdesja, që i kushtohej banjës në hapësirat private të asaj kohe, nuk ishte e njëjtë me atë që i kushtohet tani. Shumica e amviseve sot, kujdesen për higjenën e banjës së shtëpisë me një devotshmëri për tu admiruar. Filozofia e banjës e post-komunizmit, i ngjan asaj teorisë së këpucëve. Këpucët bëjnë të zotin, ashtu sikurse mirëmbajtja primare e banjës të zonjën e shtëpisë. Por në kundërshti, me kujdesin që tregohet për sferën private të banjës, kujdesi për banjat publike është më i vogël. Ndërsa në shumicën e lokaleve dhe restoranteve të kryeqytetit dhe rretheve, ka një higjenë të konsiderueshme, hapësira e shkollave, universiteteve dhe konvikteve lë shumë për të dëshiruar. Dyshoj, në inspektorëve higjeno-santitarë u ka rënë ndonjëherë rruga në vendet e mësipërme. Përveçse, që Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në gjithë bllokun e ish vendeve të Lindjes, ku defiçitet në dy nga shërbimet bazë, rrymë elektrike dhe ujë, janë në gjendje të mjerueshme, mungesa e kushteve higjeno – santitare në banjot e shkollave dhe universiteteve, përveç indiferencës së shtetit, lidhet edhe me kulturën e shqiptarëve për banjot publike.

Banja publike, perceptohet në shumicën e rasteve, si diçka e huaj, që ndodhet jashtë pragut të shtëpisë. Madje disa vite të shkuara, edhe letrat e banjos në banjot private të shtëpive, perceptoheshin si element i jashtëm. Për të mos zënë vend në koshin e banjës, disa «pastërtorë» i fluturonin nga ballkonet e shtëpisë së tyre dhe letrat, porsi aeroplanë te vegjël nisnin rrugëtimin e tyre në hapësirën e lagjes. Një kategori tjetër banjash gjysmë –publike janë dhe banjat e lokaleve në akset qendrore rrugore, siç është psh, aksi Kakavijë – Tiranë. Banjat e lokaleve që ndodhen buzë rrugës, kryesisht në zonën e Mallakastrës, të ashtuquajturat “lokale të shoferëve”, janë një burim i vërtetë kolere dhe gjithfarë sëmundjeve. Të zotët e lokaleve kujdesen për të mbushur stomakët e klientëve – pasagjerë me pilaf me kos, por as që u shkon ndërmend të bëjnë diçka për banjot e tyre. Në rrezik e në nevojë, këta klientë detyrimisht do u drejtohen këtyre banjave dhe në rastin më të mirë, protesta e tyre e shurdhër do bjerë në vorbullën e banjës.

 

Nuk mund të harroj momentin, kur një i huaj italian, të cilit 3-4 vite të shkruara, i kishte rënë rasti të kalonte disa ditë me bashkëshorten në Shqipëri, më përshkroi mrekullinë e “mbidetit” shqiptar dhe tmerrin e eksplorimit të “nëndetit” shqiptar me maskë. Përshkrimi i “nëndetit”, ngjasonte më tepër me përshkrimin për banjën. Rrëfimi i tij, nuk kishte asnjë tendencë nënvleftësuese, ishte më tepër një sinjal alarmi, që shqiptarët duhet t’i japin më shumë rëndësi edukatës ekologjike.

Edukata ekologjike dhe ajo higjeno – santitare janë të lidhura ngushtësisht mes tyre dhe shkojnë dora-dorazi. Nëse shqiptarët nuk mund te heqin lehtazi dorë nga çapaçulizmi dhe abuzimi i tyre në lidhje me rëndësinë e higjenës dhe të ambientit, institucionet përkatëse duhet të sensibilizohen më shumë për informimin e publikut dhe rreziqet që mbart ky degradim. Nuk mjafton futja e disa lëndëve mësimore në nivel elementar dhe aktivitetet sporadike rreth informimit mbi ambientin higjeno – sanitar dhe atë ekologjik. Qeveria duhet të vërë më shumë fonde për përmirësimin e kushteve higjenike në institucionet mësimore dhe akademike dhe në ambientet e tjera publike, si dhe të kujdeset për zbatimin e sanksionimeve përkatëse. Zbatimi i sanksionimeve higjeno-santitare në gjithë hapësirën e veprimtarive publike dhe atyre private përgjatë gjithë territorit shqiptar, do jetë mënyra më efektive për implementimin e “kulturës së banjës”.

Sigurisht, që “nisma për një banjë më njerëzore”, duhet të fillojë së pari nga Teatri i Operas dhe Baletit. Në rast të kundërt, do ishte më mirë të quhej Teatri “Ku thërret qameti”. Integrimi i Shqipërisë në BE, duhet të nisë fillimisht me integrimin e banjave në një ambient më higjenik, më komod, më modern, më njerëzor, më dinjitoz. Përndryshe, “ferma e kafshëve” është destinacioni final i shqiptarëve.

Nuk ka komente

  1. Banja publike është në këtë rast shembulli më i mirë i trajtimit të hapësirës publike në Shqipëri. Që dje banjat shqiptare ishin shumëfunksionale, si rrjedhojë në qendër të vëmendjes familjare, nuk ka pikë dyshimi; edhe sot mund ta admirojmë përkushtimin e amvisave në pastrimin e tyre. Mirëpo, në thelb, nga pikëpamja sociale, nuk ka ndryshuar asgjë. Hapësira private e djeshme me atë të sotmen ngjasojnë, po të përjashtojmë estetikën e pllakave majolike dhe hapësirat më komode në shtëpi.

    Shqiptarët as dje, as sot, nuk dinë të përkujdesen për hapësirat e përbashkëta. Në këtë pikë do të ishte me vlerë të ballafaqonim banjat publike të dikurshme me ato aktuale. Nuk ka ndryshime rrënjësore, me ndonjë përjashtim krejt pa rëndësi.

    Nuk e mohoj se reagimi nëpërmjet habisë del natyrshëm kur bëhet fjalë për banjat e Teatrit të Operës dhe Baletit. Në një mjedis kulture, pritet mjedis i denjë edhe për higjienën. Por ç’duhet të them unë që kësaj vere pashë banjat e spitalit kardiologjik në Tiranë në gjendje absolutisht të mjerë? Këtu kultura hyn deri në një farë pike, se pastaj higjiena përbën prerogativë të spitalit. Por jemi përsëri tek hapësira publike dhe qëndrimi ynë ndaj saj. Edhe deti duhet parë në këtë prizëm. Si diçka e përbashkët, që tregon më shumë për bashkësinë që e rrethon se sa për veten.

  2. Kujdesi për mjediset publike vetëkupton ndërgjegje kolektive dhe qytetare. As njëra dhe as tjetra nuk ekzistojnë në masë të gjërë ne Shqipëri me qëllim që të bëhet i dukshëm ndryshimi në sjelljen kundrejt gjërave jo personale. Temë e goditur dhe e shtruar bukur nën efektin kamzhik dhe karrotë.

  3. @Pishak
    Ideja e krahasimit te banjes private gjate kohes se komunizmit dhe periudhes post-komuniste, kishte si qellim ekspozimin e funksionalitetit te banjes ne dy periudha te ndryshme. Padyshim, qe ne te dyja periudhat perkujdesja ndaj banjes se shtepise behej me merak, por ne periudhen post-komuniste vemendja qe i kushtohet aspektit higjenik te banjes eshte me e madhe dhe arrin majat e sterilitetit. Ngjason me teper me nje vitrine te shkelqyeshme. Nuk eshte me shumefunksionale, mbasi tashme eshte e pakonceptueshme te gatuhet ne banje, rralle funksionon si “therrtore shpezesh” dhe shume prej banjave “moderne” nuk kane dritare natyrale. Per me teper, rituali i larjes 1-2 here ne jave i parakomunizmit, sot ngjan i paperfytyrueshem, Gjithashtu, sot nuk ndeshen me familje te ndryshme, qe jane te detyruara te ndajne nje apartament te perbashket dhe detyrimisht nje banje te perbashket. Keshtu qe, besoj se ndyshimi nuk qendron vetem ne planin estetik.

    Faleminderit, per faktin qe permendet banjat e spitaleve. Nuk i trajtova ne shkrimin tim, se kam shume kohe qe s’kam shkuar ne spitalet shqiptare dhe me nje “mendjelehtesi naive” harrova, qe banjat e spitaleve kane qene dhe jane ne meshire te fatit. Tingellon qesharake te flitet per higjenen e ndertesave te tjera publike, nderkohe, qe banjat e spitaleve jane ne gjendje skandaloze.

    Nuk kam ikone shume te qarte te banjave publike te kohes se komunizmit, Por, sidoqofte, vullnetarizmi i detyruar dhe pastrimi kolektiv te djelave kishte impakt pozitiv ne mirembajten e ambienteve te perbashketa, sic ishte pastrimi i pallatit dhe i pjeses rreth pallatit. Pas renies se komunizmit, ndergjegjia artificiale kolektive, u tret brenda nje nate, per t’ia lene vendin barbarizmit dhe vandalizmit te hapesirave te perbashketa publike.

    @Vrana
    Jam dakord, ndergjegjia kolektive ne Shqiperi eshte ne nivel embrional. Kjo duket ne cdo sfere te jetes sociale te shqiptareve….Arsyet, kane te bejne me mungesen e kultivimit shumevjecar te edukates qytetare dhe arsimin siperfaqesor..

    1. Shkrimi më pëlqeu. Natyrisht nuk mund të trajtonte të gjitha tipologjitë e banjave publike në Shqipëri. Unë i përmenda banjat e spitaleve për të nënvizuar paralelizmin me hapësirën publike, nëpërmjet skajëzimit të paradoksit. Eshtë paradoks që banja në Teatrin e Operës e Baletit të jetë për faqe të zezë, por edhe më paradoks po të jetë e tillë në spital. E para ka lidhje me kulturën, të dytës i shtohet shëndeti.

      Jam shumë dakord me ndryshimin e banjave sot. Janë më të bukura, më komode, më të pastra. Por kam frikë se kjo vjen ngaqë u shtuan si mirëqenia, ashtu edhe mundësia për të gjetur produkte pastërtie. Pa folur për rolin e reklamës që shpeshherë e shndërron banjën në status simbol. Në thelb nuk ka shumë ndryshim. Dje përkushtim ndaj banjës personale me mjetet e djeshme, sot me mjetet e sotme. Banjat publike janë po në pikë të hallit. Ndoshta me ndonjë lavaman më shumë.

      Këto shënime për banjën, sidomos pjesa që flet për dushin, më kujtuan një shkrimin tim të vjetër po në PTF. “Kur nuk laheshim“, titullohej.

  4. @Pishak

    Faleminderit. Edhe qellimi im nuk ishte te trajtoja te gjitha tipologjite e banjave, por te nxirrja ne pah shemtine e kesaj ane te patrajtuar dhe te keqkujdesur te shoqerise dhe shtetit shqiptar: banjen publike si metafore e veprimtarise biologjike te njeriut social, konkretisht te shoqerise shqiptare dhe te “instikteve te saj te banjes”, qe ende ndodhen ne faze primitive. Antiteteza me banjat private ishte ne funksion te hipokrizise banale te “homo tualetus” shqiptar. Banjat publike jane anonime, nuk stimulojne manine histerike-higjenike te “homo tualetus privatus”. Anonimati i perket te gjitheve, por ne te njejten kohe askujt. Persa kohe, “homo tualetus publicus” mund te shfreje gjithe instiktet e tij primitive nen masken e anonimitetit, ai gezon imunitet te plote nga ligjet e nje shteti anemik. Vetedija kolektive, u ngjan atyre frazave te shumta, qe hasen rendom, te gervishtura ne dyert dhe muret e piste te banjave.

    Do e kerkoj shkrimin “kur nuk laheshim” 🙂

  5. Ritualet e jashtëqitjes ndër shqiptarë – ja një temë e mirë për PhD në antropologji!

    Shumë prej nesh, për shkak të origjinës rurale, vijnë nga tradita që shumë vonë e kanë kryer kapërcimin nga jashtëqitja në natyrë, te jashtëqitja në një kthinë të mbyllur si nevojtorja.

    Shto pastaj edhe që, në shumë fshatra dhe qytete, nevojtorja mbetet jashtë hapësirës së shtëpisë (outhouse); ose më mirë e përjashtuar nga hapësira e banimit. Për arsye higjienike, por edhe ngaqë ekskrementi është tabu.

    Kjo traditë gati e natyrshme e refuzimit të ekskrementit, të jashtëqitjes dhe të hapësirës të specializuar për këtë akt (që mund të jetë një nevojtore jashtë shtëpisë, sikurse mund të jetë një shpellë ose një vend në mes të shkurreve), bie ndesh me traditën e re, të përvijuar në vitet e komunizmit; kur urbanizimi dhe zhvendosja e njerëzve nga shtëpitë në apartamente, u shoqërua me adaptim të banjave edhe për gatim.

    Paradoksi i ka rrënjët që në faktin që e njëjta hapësirë – banja – është e destinuar të përdoret, në apartamentet, edhe për jashtëqitje, edhe për t’u larë (pastruar). Megjithatë, të gatuarit në banjë kërkon shpjegim më vete.

    Kur bisedonim mbrëmë për këtë punë, shoqja ime vërejti se të gatuarit në banjë është në thelb pasojë e manisë sonë për t’i mbajtur shumë të pastra hapësirat e banimit; meqë edhe gatimi, njëfarësoj, bën pis – me cirka vaji, me avull, me gjithfarë erërash, përfshi këtu edhe atë të vajgurit.

    Për shkak se apartamentet tona kanë qenë gjithnjë të vogla, atëherë njerëzit i kanë përdorur kuzhinat si dhoma ndenjeje, duke e zhvendosur gatimin në hapësira të tjera: banjë ose, më rrallë, ballkon.

    Shto këtu edhe shumë familje gatuanin në sobë; por soba mund të përdorej vetëm për pak muaj të vitit.

    Më në fund, po të mendosh zhvendosjen nga dhomë ndenjjeje në dhomë për miqtë (praktikisht dhomë e mbyllur), nga kuzhinë në dhomë ndenjjeje dhe pastaj nga banjë në kuzhinë, kjo të kujton dukuri të ngjashme që ndodhin në gjuhë (shifts).

    Tani, gatimi në nevojtore mund të jetë bërë për ta mbajtur kuzhinën pastër; por kjo nuk është se e rehabiliton vendin e ri të gatimit: nevojtorja mbetet nevojtore.

    Këtu mund të diskutohet: p.sh. vallë ta kemi konsideruar gatimin si diçka të pistë, ose si diçka të përafrueshme me jashtëqitjen; në kuptimin që si njëri ashtu edhe tjetra duheshin konsumuar larg syve të familjes?

    Apo vallë e kemi vendosur gatimin në kundërvënie me ngrënien (ose konsumin e gatesave), dhe prandaj e kemi zhvendosur drejt një hapësire të ndryshme nga ajo ku hamë?

    Apo, më në fund, shtëpitë ose hapësirat private i kemi mbajtur obsesivisht të pastra jo për t’u mbrojtur nga mikrobet dhe papastërtitë, por për sytë e të tjerëve, ose në emër të dukjes?

    Kjo mundësi e fundit nuk mund të likuidohet si formë vaniteti. Në komunitete të ngushta, dukja është faktor rregullues më i fortë se impulset morale individuale; deri atje sa edhe të interiorizohet, në super-ego, duke marrë forma imperativash gjithfarësh.

    Por teoria vjen e rrëzohet, në momentin kur mysafiri i radhës kërkon të shkojë në nevojtore (por ti nevojtoren mund ta mbash akull të pastër, edhe pse praktika e të gatuarit në nevojtore mbetet, në vetvete, e pistë).

    E megjithatë, edhe gatimin njëlloj sikurse jashtëqitjen nuk ua kemi treguar të tjerëve – por i kemi konsumuar privatisht, ose larg syve të botës.

  6. Une besoj, se shpikja e gatimit ne banje, perkon me ate cka shkruhet me siper, “qe eshte pasoje e manise sone per ti mbajtur shume te pastra hapesirat e banimit”. Mbasi kur furnelat e vajgurit u zevendesuan me furnelat me korrent, gatimi u zhvendos ne te ashtuquajturen “kuzhine”. Vertet, qe ky perversitet “fecalpheliac” i kohes se komunizmit, do ishte nje teme shume interesante per phd

    1. E mo se per keq ka ndryshuar cdo gje: dikur keto amvisat, qe lum ne qe i patem e i kemi, partia, i detyronte nje here ne muaj, te zbrisnin shkallet e t’i fusnin nje pastrim perimetrit te pallatit. Se keshtu me kete rast edhe shkembenin ndonje muhabet, i qaseshin njera-tjetres ne frymen e aksionit te rinise, ndoshta plot kujtime, po edhe sikur me ate veshjen e improvizuar sportive te fshesaxheshes “vullnetare”, coc edhe merrnin nje pamje pak seksi. Qilizem i benin lagjes, uleshe me qejf i fusje nje dore letra. Tani partia e beri te veten per mjedisin, pse keto pastaj na bene te hame aty ku dhjesim, kjo per mendimin tim eshte nje ceshtje qe do pare mire edhe si forme e qeverisjes paralele: maskilizmi jashte e feminizmi brenda. Plus qe erdhen furnellat me vajguri, po ato shetisnin ne ballkon, ndonjehere ne katin e siperm te pallateve dhe me shpesh ne banje, ku per te mos u treguar fare i ashper me mamate halleshume te asaj kohe, fundja vetem sa valonte gjella. Ndonje thekje buke e ndonje cope djathi hidhej mbi soben e drurit(per hir te se vertetes me shume nga femije camaroke dhe nepsqare, se te rriturit shqiptare perbejne nje popull serioz) qe zakonisht qendronte ne Aneks, se ne Kuzhine behej muhabet dhe medemek rrihej. Ceshtja eshte a mund te behej ndryshe? Une them po, po aq dinin aq edhe benin. Te pallati ku jetoj eshte nje grua me origjine serbe qe banon prej 40 vjetesh, dhe se ne kohen atehershme, ne lagje i doli nami se qe e cmendur ngaqe lahej dy here ne dite. Dhe imagjino qe quhet Pallati i Grave, ngaqe u be me kontribut vullnetar te grave. E forte ka qene them une, qe lahej, jo qe perballoi ironine vetedenoncuese te shumices qe lavazhohej nje here ne jave me rregullin: te shtunen vete, e te djelen femijet.

  7. Tymi i zi
    Ne prizmin antropologjik, banjat private te asaj kohe jane me interesante, me artistike, me teatrale, me kinematografike. Nje dokumentar apo nje film rreth banjave te atehershme, do perbente nje skenar tundues per nje regjisor disi allosoj. Personalisht, e keqja me e madhe per mua nuk qendron tek funksionimi i banjes si kuzhine apo e kunderta. Nenvizimi i ketij elementi kishte me teper efekt dekorativ. Thelbi i ketij shkrimi jane ambjentet e perbashketa, sic jane banjot publike dhe perceptimi i tyre nga shoqeria shqiptare si vrima jashteqitjesh te cfaredolloji, jo aq ne aspektin biologjik sesa ne ate social.

    1. Duket sikur temat s’kanë shumë lidhje – por edhe pa lidhje nuk janë.

      E thamë që nevojtorja lidhet me jashtëqitjen, që është veprimtari e pistë dhe tabu; prandaj edhe duhet konsumuar “larg syve.”

      Tani, për arsye kushedi të tjera, edhe gatimi ka përfunduar në bashkësinë e “larg syve” – era e përbërësve, mishi para se të gatuhet, mizat, avulli, rropullitë, qepa që djeg sytë, etj.; prandaj edhe shpesh është internuar në të njëjtën kthinë si edhe jashtëqitja.

      E thamë edhe që amvisa e mban nevojtoren akull të pastër, por kjo bëhet, sikurse për pjesën tjetër të shtëpisë, për “syrin e botës”; ose që të tjerët mos t’ia shohin të pistë dhe të thonë: sa pis që ia gjetëm nevojtoren!

      Kështu, ngado që të rrotullohemi, vijmë te faktori “sy” – ose perceptimi që na bën Tjetri.

      Tani, kur vjen puna për nevojtoret publike, faktori në fjalë nuk vepron më aq fort, sepse zor se do të thotë njeri se “si i ka lënë nevojtoret Zhani Ciko kaq të pista”; sepse nuk mendohet si punë e drejtorit që të mbajë nevojtoret pastër dhe sidomos sepse drejtori, në imagjinatën kolektive, është mashkull; ndërsa pastërtia e nevojtores shihet si detyrë e femrës.

      Me një fjalë, hapësirat publike përfundojnë të abuzuara jo aq sepse nuk kanë zot, sa ngaqë nuk kanë zonjë.

      Tradicionalisht, ne e kemi të vështirë t’ia njohim aspektet femërore publikes si të tillë.

      Kjo sugjeron edhe një hipotezë të re, që ka të bëjë me dyzimin e pronarit: në mashkull dhe femër; meqë dëlirësia e pronës është karakteristikë femërore (sa kohë që është femra ajo që pastron); madje, në rastin e një familjeje tradicionale, mashkulli e ruan pronën, ndërsa femra kujdeset për të.

      Tradicionalisht, në shoqëritë patriarkale, punën e pastrueses e kanë bërë femrat (gratë) – edhe në shkollat që kam bërë, edhe kudo ku kam punuar në Shqipëri, pastrueset kanë qenë femra, asnjëherë meshkuj; përfshi këtu edhe pastrueset e nevojtoreve të burrave.

      Kjo më kujton edhe refuzimin tonë për të pastruar nevojtoret në aksion dhe në zbor; për çfarë na frymëzonte edhe fraza lapidare e kadetit Marek, nga “Ushtari i mirë Shvejk”: Unë nuk i pastroj nevojtoret! Refuzimi, në këtë rast, ishte refuzim për t’u poshtëruar, meqë pastrimi i nevojtoreve konsiderohej si punë veçanërisht poshtëruese.

  8. Evolimi drejt higjenes tek ne me ngjan si te gjitha evolimet ne standart qe kane ndodhur, drejt atyre te vendeve te zhvilluara; kjo ne lidhje me higjenen neper hapesirat private. Ne ato publike, edhe pas kollajllekut prej teknologjise dhe tregut, ka me teper probleme. Por me duket se ka dy pozicione per te gjykuar higjenen publike; shihet shpesh si mungese kontributi apo perkujdesjeje prej individit anonim (patjeter qe individi anonim shpesh kete prirje ka), nderkohe qe per shumicen e ambjenteve qe jane per konsum publik ka njerez te identifikueshem (autoriteti institucional) qe jane pergjegjes per sherbimin. Mungesa e higjenes ne keto raste, pervecse mund te na shpjere ne paragjykimin per konceptin personal te higjenes, te individeve te autoritetit, me teper duhet te na tregoje per konceptet e tyre pa respekt (deri perbuzese) ndaj qytetareve te cileve u sherbejne. Mbase edhe pastertia e shume ambjenteve te bizneseve te sherbimeve private, ne kete kendveshtrim na shpie ;konsumatori ndjen respektin, por edhe perfytyron sherbimin, ne aspektet e veta te padukshme, prej ketyre shenjave “anesore”.
    Thuhet qe qyteterimi pati hop cilesor kur mbetjet organike “i kaloi” ne rruge te padukshme (te nendheshme). Kjo prirje higjenizuese vijoi pa kthim. Megjithate, per nje kendveshtrim tjeter (aspak me synim per te justifikuar qelbesirllekun primitv qe trajtuam), ngacmohem te them se dekadat e fundit higjenizimi “ekstrem” dhe kozmetika e industrializuar, kane krijuar momente regresi ndaj cilesise se jetes. Eshte shprehur prej shume studiuesve shqetesim per dobesimin e sistemit e imunitar tek njeriu, shkaktuar nga “izolimi” i tij prej mikrobeve dhe baktereve, prej higjenizimit te tepert. Gjithashtu degjohen rendom informacione per efekte te padeshirueshme prej trajtimit te shpeshte te trupit me produkte higjene apo kosmetike, jo vetem si regim i natyrshem i nje organizmi, por edhe prej dinamizmit industrial qe le pak kohe per kuptimin e qarte te efekteve te produkteve, ne trup. Efektet ndotese mund te jene me te rrezikshme prej shisheve dhe ambalazheve plastike (perfshire shishet e shampos), apo prej tymrave (moderne) te automjeteve. Duket ndonjehere sikur ne hapat e zhvillimit mundohemi ti shpetojme pavionit infektiv, duke zene rradhe nderkohe tek ai onkologjik.

  9. ne tirane lokalet duhen zgjedhur nga banjot, por pakkush e bene kete, ndoshta ndonjeri qe e perdor banjon per momente te gjata qetesie e vetmie apo leximi … sic thote edhe xhaxhai qe perceptimi modern I banjos nuk ka penetruar ende ne shoqerine tone, e ndoshta duhet te filloje nga institucionet e cultures kjo sipermarrje, sic edhe propozohet ne shkrim

    problemi eshte se arkitektet apo ndertuesit nuk merren me kesi gjerash.. banja eshte nje rastesi ne draftin e projektit…uu e paskemi harruar… le ta fusim ketu.. jo rastesisht neper locale jane qoshe te dala me gips ose shtesa me teneqe .. edhe ne lokalet moderne ato jane zakonisht nje per te dyja gjinite ose nga nje (kjo edhe per shkak te shnderrimit te banesave ne lokale) .. sherbyesit merren me cfare ata mund te sherbejne… dhe banja nuk hyn ne ate lloj sherbimi

    ne hotel Tirana p.sh. banjat jane shume te mira, dhe nga nje ne cdo kat per t’i sherbyer tre-kater sallave te konferencave, me nje shperndarje efikase pra, por se i kane burimet financiare dhe njerezore per mirembatje ..

    ndersa ne OBT ka shume banja duke menduar se njerezit (sidomos moshat e medha) do te rendin njekohesisht ne castin e pushimit, ne mos gaboje jane rrjesht sikur ne repart ushtarak nga 6 cope e asnje shurrtore per meshkujt … ne nje fare menyre sherbimi eshte, por problemi i vetem eshte te investimi.. nga ana tjeter eshte e veshtire te menaxhohen banjo masive alla-frenge, edhe per pastertine, duke ditur se jo gjithmone verdalle gjen njerez te kulturuar (per shkak te eventeve te tjera pervec operave) e me 500 leke biletat (ve bast se vetem 20% paguajne e te tjere vijne me ftesa) eshte shume e kushtueshme te mirembahen me letra, solucione etj.. mendoni se ka pasur raste qe jane fikur dritat ne mes te shfaqjes e nuk ka pasur nafte per gjeneratorin e OBT-es … nga ana tjeter kjo eshte kokecarja me e vogel per cdo drejtor te OBT-s, mendoni se duhen menaxhuar artistet, egot e ambiciet e tyre, krefur bishti i ministrit te cultures per fonde, lajkatuar ndonje biznesmen e te tjera veprimtari qe cdo Zh. Ciko do ‘ti kishte paresore…

  10. Xha Xhai, po sikur Zhani te quhej Zhaneta dhe drejtoresha te ishte femer? 🙂 Do i shkonte pjeses maskuliste te vendit ndermend, qe drejtoresha e TOB-it eshte ne njefare menyre edhe drejtoreshe e banjove te TOB? :)))) Besoj, qe jo, mbasi femrat ne nje pozicion te larte, konceptohen me teper si burra ne kuptimin autoritar dhe per me teper drejtuesit ne Shqiperi dhe gjetke, pa dallim gjinie, konsiderohen me teper si drejtues te veprimtarise qe perfaqeson institucioni perkates. Eh banjat..cikerrima..Nese ndodh qe “Zhan Valzhani” yne shqiptar i TOB-it te lexoje problematiken e shkrimit per banjen e institucionit te tij dhe vazhden e komenteve interesante te komentuesve, ndoshta do justifikohej me mosinteresimin e qeverise dhe ministrive perkatese per te vene ne disponim fonde extra, qe parashikojne dhe transformimin e hapesires se banjes se TOB-it. Ndoshta edhe Zhani yne, ashtu si Shvejk, rrefuzon te merret me banjat..

    Kapedani, une mendoj se hapesira gjeometrike e banjes nuk eshte ne raport te drejtperdrejte me higjenen. Shumica e shteteve te evropes qendrore dhe perendimore kane banja (pjesa e wc-se) gati ne permasat e njeriut, por kane nje higjene normale. Kam pare dhe banja turke ne shtete te tjera te Ballkanit, psh, ne stacionin e autobuzave te Janines, por edhe nga pikepamja estetike, edhe ajo higjenike, s’kishte asgje per tu pasur zili nga banjat alla frenga.

    Shteti duhet te plotesoje, pikerisht ate qe i mungon shoqerise shqiptare: kujdesin per ambjentet e perbashketa, duke filluar nga banjat e perbashketa.

    kerkesa jone per higjenizim, nuk eshte kerkesa per higjenizim steril, sikurse thote dhe skelari migrues, as kerkesa per ti bere banjat si banjat-show te hoteleve nderkombetare te Tiranes. Eshte kerkesa per ti bere banjat shqiptare me te arsyeshme dhe “me te banueshme”..

    1. Tani që po shkruaj, superintendenti i pallatit përballë ka dalë para pallatit dhe po “pastron” gjethet me një pajisje infernale, të quajtur leaf blower, e cila zukat si një milion grenxa të ndërkryera.

      Përfytyroj sikur vetëm ky zgjatim i fallusit të tij imagjinar e ngushëllon për punën ingrate të pastrimit – përndryshe, një grua në vend të tij, thjesht do t’i kish fshirë gjethet me fshesë, në vend që të luante mendsh mëhallën.

      Në fakt, dikotomia gjinore mund të ndihmojë për të kuptuar shumë paradokse të publikes. Për shembull, gjithnjë brenda temës, mund të mendojmë se hapësira publike është mashkullore, ndërsa ajo private femërore; çka do të thotë se për një mendësi të caktuar – le ta quajmë patriarkale – femra duhet mbajtur jashtë hapësirës publike.

      Sipas kësaj mendësie patriarkale, femra është njëkohësisht edhe “e pistë” në vetvete, prandaj edhe duhet mbajtur larg hapësirës ku riprodhohen rolet publike të burrave, ose e izoluar; edhe agjente e pastërtisë, brenda hapësirës tjetër, asaj private.

      Shto këtu edhe se meshkujt – jo vetëm njerëz – e përdorin jashtëqitjen për të shënjuar hapësirën (territorin); çka shtrihet pastaj edhe në mbishkrimet në muret e nevojtoreve – dhe në përgjithësi, në përshtypjen se një nevojtore e pistë mund të mbajë erë të keqe, por nuk ia cenon primatin mashkullores në hapësirën përkatëse.

      Sa për Zhanetën tonë imagjinare, ajo do të hyjë në rol mashkullor sapo të marrë detyrën; nuk ka rrugë tjetër. Kjo më kujton, ironikisht, një propozim të bërë dikur në një vend nordik, që meshkujt të inkurajohen të urinojnë ulur, si femrat; propozim qesharak, por domethënës për diskutimin tonë.

      Jo më kot, tradicionalisht femrat janë shkëshilluar që të përdorin nevojtoret publike – si vende të jashtëqitjes, por edhe, për metonimi, edhe të furrëqive, prostitucionit, pederastisë dhe korrupsionit të trupit.

      1. Per sa kujtove xha, ne lidhje me “gardhin” e krijuar me jashteqitje, mbase edhe deshira per higjene lind nga pretendimi yne per ta perdorur te qete hapesiren publike, e jo fshehurazi, si ne toke “te xanun”. Ndersa per shfrytezimin erotik kembengul; nuk ka gje me seksi sesa higjena.

        Uroj qe ai tipi me ate makinerine te kete mbaruar pune, te pakten per ca dite (dhe mbase jo te henen, here tjeter).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin