NISUR NGA E MIRA

Para ca muajsh, një i njohur më dërgoi nga Tirana dy tekste të fotokopjuara: njëri prej një libri të vjetër me përralla popullore shqiptare, tjetri prej një libri të ri fringo, gjithnjë me përralla e rrëfime, të një autori të njohur.

Meqë i dyti ishte marrë, ashiqare ose verbatim, nga i pari; ose kopjuar deri edhe në shenjat e pikësimit, i njohuri im dëshironte të dinte nëse kjo mund të quhej apo jo plagjiaturë, sa kohë që autori nuk e kish përmendur gjëkundi librin me përralla popullore ndër burimet e veprës së vet.

Mirëpo folklori nuk ka copyright – të gjithë janë të lejuar, e ndonjëherë të nxitur të marrin prej tij: poetë, përrallëtarë, kompozitorë, disenjatorë veshjesh, artizanë profesionistë. Ka qenë madje një kohë kur artistët ishin njëfarësoj të detyruar politikisht të shfrytëzonin “gurrën popullore”, për të krijuar; ndërsa në rrethana të tjera, motivi popullor do ta shpëtonte një këngë nga ndëshkimi.

Dukuria e kundërt mbetet pezull mes artificit letrar dhe falsifikimit historik – ose kur artistët krijojnë vepra, të cilat ia atribuojnë pastaj “popullit.”

E tillë ka qenë konsideruar ndonjëherë një vjershë enigmatike, me titullin “Zani i kasnecave”, që ka qarkulluar në literaturën e Rilindjes gjatë shekullit XIX, në të dy anët e Adriatikut. Pa autor, atë e patën datuar gabimisht si të shekullit XVI (për shkak të ligjërimit të pastër nga orientalizmat); por më pas është njohur si “hoax”, ose si krijim i një poeti të shekullit XIX, pas gjase Zef Jubanit – nëse nuk më tradhton kujtesa.

Në Europën perëndimore, dukuria njihet me emrin osianizëm, duke iu referuar një cikli poemash nga James MacPherson, autor skocez i shekullit XVIII, të cilat u paraqitën si krijime të një poeti të lashtë kelt, Ossian-it. MacPherson-i i botoi këto poema me titullin “Fragmente poemash të lashta, të mbledhura në malësitë e Skocisë”.

Artifici i MacPherson-it pati sukses të jashtëzakonshëm, dhe tekstet e tij u përkthyen anembanë Europës, duke pasur ndikim vendimtar në lindjen dhe lulëzimin e romantizmit në kontinent, pa përmendur rolin e tyre kritik në çfarë Hugh Trevor-Ropes e ka quajtur The Invention of Scotland – Shpikja e Skocisë.

Mes shqiptarëve, dyshohet se diçka të ngjashme u orvat të bënte De Rada me veprën Rapsodie di un poema albanese, edhe pse çështja mbetet e hapur.

Operacione të tilla letrare, në dukje të pafajshme, mund të dëmtojnë nëse i kapërcejnë kufijtë e artit; siç ndodh kur bien në duart e historianëve. Për shembull, Rapsoditë e De Radës janë përdorur si argument se arbëreshët e kanë ruajtur të gjallë kujtimin e Skënderbeut; por ky argument nuk do të vlente, sikur të provohej se këto rapsodi janë shkruar në fakt relativisht vonë, dhe kujtimi i Skënderbeut ndër arbëreshë është më tepër produkt i romantizmit.

Gjithsesi, nuk kemi gjë për të shtuar, në këtë temë kaq delikate.

Natyrisht, në rrethanat kur shumica e popullsisë është analfabete, marrëdhëniet midis një vepre letrare me autor dhe pritjes së saj nga masa e publikut nuk janë aq drejtvizore sa ç’do të dëshironim.

Kështu, Historia e Skënderbeut e Naim Frashërit dhe Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës kanë qarkulluar gjerësisht, ndër masat analfabete, të riprodhuara përmendësh; duke pasur status praktikisht të njëjtë me atë të krijimeve të folklorit gojor.

Kjo ndodhte jo vetëm për shkak të suksesit të këtyre veprave, por edhe ngaqë shkollimi i masave ishte aq i pamjaftueshëm, sa përvetësimi i mirëfilltë i poemave mund të bëhej vetëm në rrafshin oral – ose kur populli i mësonte përmendësh.

Por kjo dukuri nuk ka të bëjë me osianizmin, sepse falsifikimi nuk synohet gjë nga autorët, por thjesht ndodh për shkak të rrethanave të riprodhimit të tekstit.

As duket të ketë shumë të bëjë me osianizmin një dukuri mjaft më e vonë, dhe pikërisht krijimi masiv i teksteve folklorike me natyrë mirëfilli politike, gjatë viteve të totalitarizmit.

Sikurse dihet gjerësisht, madje edhe nuk është mbajtur ndonjëherë veçanërisht e fshehtë, regjimi mobilizonte një armatë poetësh dhe kompozitorësh profesionistë, me rastin e festivaleve folklorike të Gjirokastrës – të cilët punonin së bashku me interpretuesit popullorë, për t’i dhënë pastaj publikut xhevahire të tilla si “Katër llafe për tetë pika.”

Kështu edhe krijohej dhe mbahej gjallë miti që “populli i këndon Partisë.”

Dukuria mund të studiohet si pjesë e historisë së kulturës; por duhet parë edhe roli i saj në falsifikimin ose të paktën në retushimin e historisë.

Një pjesë e mirë e materialeve folklorike që disponohen, sidomos ato më të vjetrat dhe të tjerat e mbledhura nga gjithfarë amatorësh, kanë një status vërtetësie që varet prej profesionalizmit dhe etikës profesionale të mbledhësve; meqë ekzistojnë vetëm në trajtë të shkruar.

Nëse një mbledhës folklori frymëzohet dhe e shkruan vetë një këngë dashurie, të cilën e paraqet pastaj si “të popullit”, këtu dëmi është vetëm simbolik.

Përkundrazi, nëse një mbledhës folklori, duke e ditur se shqiptarët e Ballkanit nuk kanë ruajtur gjë kujtime kolektive për Skënderbeun dhe periudhën e tij, vendos të “sajojë” një këngë popullore për Skënderbeun dhe ta paraqitë atë si autentike, atëherë rrezikohet vetë falsifikimi i historisë.

Dhe nëse mbledhësit e folklorit, në një epokë kur nuk kishte magnetofonë, motivohen të punojnë kryesisht nga atdhedashuria dhe dëshira për t’i shërbyer “popullit”, atëherë hoax-et do të përftohen vetvetiu dhe lirshëm.

Shto këtu edhe që kënga popullore, për nga natyra e vet, nuk ka natyrë fikse dhe të stabilizuar; por veç ekziston si një mori variantesh me ndryshime të mëdha mes tyre, për të nxjerrë përfundimin që folklori i mbledhur me mjete rudimentare, joshkencore gjithnjë duhet shoshitur për autenticitet.

Parimi që duhet të udhëheqë studiuesin e tanishëm, ma merr mendja, është që nëse një krijim folklorik është too good to be true, atëherë pas gjase dikush ka vënë dorë në të – me sa mbaj mend, ky ishte argumenti me të cilin u rrëzua “lashtësia” e pretenduar e “Zanit të kasnecave.”

Një mënyrë e rëndomtë për të retushuar traditën folklorike është pikërisht “pastrimi” i teksteve nga fjalët e perceptuara si mish i huaj; meqë mbledhësit e hershëm të folklorit, që zakonisht ishin edhe Rilindës të bindur dhe të zellshëm, përnjëmend besonin që duke ua hequr teksteve popullore fjalët e huaja, sidomos orientalizmat, ua rikthenin atyre autenticitetin, njëlloj siç restaurojmë sot një pikturë të Leonardo da Vinci-t, duke ia kruar smërçin që ka zënë në sipërfaqe.

Rilindja shqiptare nuk mund të përfytyrohet pa pastrimin e gjuhës, sikurse nuk mund të kuptohet pa tundimin, madje gjakimin, për rizbulim të origjinave; kombinim ky që gjen shprehjen e vet më elokuente në trajtimin që u është bërë teksteve folklorike të mbledhura aso kohe.

Nga gjesti osianik i krijimit nga zeroja, që e gjejmë te “Zani i kasnecave” dhe që kushedi edhe te De Rada i Rapsodive, te transkriptimi i sotëm i materialeve të regjistruara në magnetofon dhe krahasimi i varianteve, ekziston një hapësirë relativisht e pakontrollueshme ku autenticiteti vihet në rrezik, prej synimeve, shpesh fisnike, të mbledhësit.

Një hije dyshimi bie kështu edhe ndaj disa materialeve të mbledhura herët të Ciklit të Kreshnikëve, të cilat mund të duken si tepër të rafinuara, për të qenë produkt i oralitetit.

Sfida e ankthshme që i del studiuesit, në raste të tilla, është se sa duhet t’u zërë besë këngëve që ka përpara; dhe nëse ka ai vetë të drejtë, si studiues, të dyshojë për autenticitetin e tyre.

Implikimet janë, për fat të keq, dëmtuese deri në kufi të përdorshmërisë; meqë vënia dorë në tekstet, sidomos pastrimi i tyre sipas normave të kozmetikës gjuhësore kombëtariste, i nxjerr ato nga konteksti historik, duke i kthyer në hoax-e.

Gjithnjë për fat të keq, studimi i historisë dhe i kulturës popullore ndër ne kanë qenë kaq rregullisht të motivuara ideologjikisht, sa askush të mos ketë dëshirë që t’u futet ndërmarrjeve përgënjeshtruese dhe të rrezikojë, në përgënjeshtrim e sipër, reputacionin e vet moral.

Nuk ka komente

  1. Eshtë e vërtetë. Shumë nga kryeveprat botërore janë mbështetur te folklori i vendeve përkatës. Në prozë a muzikë qoftë. Megjithatë ka disa kritere të përvojës shekullore që i kanë qartësuar kufijtë në këtë fushë. Kjo ka ndodhur edhe me artin shqiptar. Përdorimi më brilant i folklorit në letërsinë shqipe mbetet Kush e solli Doruntinën, e Kadaresë. Folklori aty është sublimuar (por edhe pak politizuar).
    Në shkrimin e mësipërm thuhet se nuk ka as ndryshime të vendit të presjeve në rastin e përrallës në fjalë.
    Këtu ka një problem, gjithsesi. Të paktën moralisht, se nuk është fjala për të hedhur ndokënd në gjyq.
    E bëj këtë ndërhyrje sepse në shkrim thuhet se është fjala për një autor “të njohur”, ndryshe nuk ia vlente.
    Diçka edhe e marr me mend. Vite më parë dikush botoi një a dy vëllime me përralla të “përpunuara”, por në shumicën e rasteve origjinali ishte më tërheqës me naivitetin dhe spontanitetin e tij. Duke mos kuptuar si duhet thelbin e asaj gjinie aq ma gjike e delikate, “përpunuesi” kishte futur duart mu aty ku nuk duhej.
    Nuk eshte se e shpeton nderin edhe duke vene emrin tend e duke mos i ndryshuar asnje presje.
    Kur nuk ke këllqe a ide ta ngresh më lart folklorin, kij kurajën dhe mos e prek, se ka mundësi të jetë më cilësor ashtu siç është.

  2. “Parimi që duhet të udhëheqë studiuesin e tanishëm, ma merr mendja, është që nëse një krijim folklorik është too good to be true, atëherë pas gjase dikush ka vënë dorë në të – me sa mbaj mend, ky ishte argumenti me të cilin u rrëzua “lashtësia” e pretenduar e “Zanit të kasnecave”

    Xhaxha, me mire thuaj “too bad to be true”. De Rada eshte pa dyshim nje nder poetet me te mire te gjuhes sone dhe ndoshta edhe te Italise, por poemat e krijuara prej tij, qendrojne dite larg atyre te mbledhura ne malesite e veriut. E njejta, vlen per Zanin e Kasnecevet. (mund te shkarkohet ne Google Books. Raccolta Di Canti Popolari E Rapsodie Di Poemi Albanesi )

    Kenget e kreshnikeve jane krijuar prej nje shoqerie te tere pre shekuj me rradhe, e njekohesisht edhe na kane formuar e krijuar, ndaj per kete arsye e kemi te pamundur qe ti krahasojme me çdo veper letrare tjeter; Une ne te vertete nuk jam ndonje ekspert i artit te poezise, por vargje si ato te Marteses se Halilit me duken, me aq sa kuptoj, me te bukurat qe jane shkruar ndonjehere. Per shembull;

    Aj asht Halil Aga i zi,
    Mbarë Kotorret me ta qi po qeshen.
    Mbet e i foli Krajle Kapedani:
    – A p’e shef, Halil, dekën me sy?
    Kurr ma ngusht, Halil, a thue, je kanë?
    Sa kuvend burrash djali paska shtrue:
    – Pa nigjo, more Krajle Kapedane!
    S’â ngusht njeri deri n’ditë të dekës,
    Deka vjen mbas mikut t’pre,
    Deka vjen mbas besës s’thyeme,
    A ‘i kue bukë mos t’kesh për mik.

    Françeskanet shkodrane thjesht nuk kane pasur asnje mundesi qe ti modifikonin. Gjithsesi nese do ta benin, atehere kuptohen menjehere elementet ne te cilat do te kishin nderhyre se pari. Rapsodet nuk mendonin ti emertonin kenget, ndaj titujt ju jane vene prej franceskaneve, dhe ndihet aty deshira e tyre per ti zvendesuar emrat myslimane me te krishtere.
    Ne ndonje titull, lexon “Gjergj Alez Alia” apo Gega Ymer Beg” ndersa brenda vijohet me historine e Gjergj Elezit ose Begut Ymer Beg, çka deshmon edhe per mosguximin per prekjen e kenges vete. Nese do te kishin vepruar sipas deshires se tyre, atehere besoj se do te kishin ndryshuar menjehere emrat e heronjve.
    Gjithashtu; nje modifikim i dyte do te kishte qene ai i zvendesimit te fjales “turk” me “shqiptar” fakt qe verehet ne variante te te njejtave kenge, te mbledhura prej kerkuesve te tjere.
    Nderkohe poeti i madh arberesh, i ka modifikuar disa, dhe disa te tjera i ka krijuar me siguri; (besoj); sidomos ne poemat rreth “Skenderbeut”, ky hero ka zvendesuar ose nje personazh te quajtur “Konstandin” apo “mbret”, – siç kuptohet prej varianteve te tjere, – ose perndryshe e gjithe poema eshte krijuar prej tij. Megjithate, te gjithe lahutaret apo te gjithe transmetuasit e kengeve, ndryshonin ndonje detaj, dhe per kete shkak faji mbetet kolektiv, nese ka ndonje faj ketu.

  3. Edhe diçka tjeter; Nje kriter i mire i dallimit mes tekstit te transmetuar oralisht dhe atij te shkruar, eshte permbajtja formulaike,; Nese ne kenge jane vendosur ne nje mase relativisht te madhe, epitete, gjysem vargje e vargje stereotipe, qe riperseriten, apo qe i hasim shpesh ne kenge te tjera orale te bashkesise, atehere mund te thuhet se teksti eshte transmetuar. Kjo, sipas perfundimeve te Parry dhe Lord

    1. Zbulimi I Perry-t ishte trondites dhe transformoi vizionin qe ishte krijuar: rapsodi popullor si epitoma e gjenise poetike, apo per vete bartin e famshem te lashtesise, Homerin.

      Vet fjala rapsodi prej greqishtes “rhapso-idein”, do te thote “te ngjisesh kenget sebashku”, dhe ai, Perry, provoi pikerisht kete, qe pavarsisht se Homeri nuk ishte nje poet dosido, ai punonte me material te parafabrikuar. Sic mund te shprehet vet Perry, ai, vet Homeri, nuk ishte nje krijues i mirefillte, por nje punetor me eksperience ne linjen e automatizuar te materialit raposidik, ku bashkoheshin parafabrikatet per te ndertuar rapsodine prej mijra vargjesh.

      Po kur krahasohet gjenialiteti popullor i rapsodise orale kundrejt gjenialitetit te nje poeti te mirefillte te letersise se shkruar? Poetet e shkrimit nuk mund te perdorin klishete, ashtu sic haset shpesh ne poetet orale dhe rapsodite e tyre, qofshin ato homerike.

      Poeti i mire sot duhet te jete si nje lloj Zoti, vete Muza e Krijimit, duhet te krijoje “ex nihilo”, te rrezoje, te mos kopjoje asgje dhe gjithshka te krijuar para tij, duke deshmuar per origjinalitet. Madheshtia e krijimit te tij eshte pikerisht tek e papritura, pamundesia per ta parashikuar se cfare e si do ta thote e shprehe frymezimin, mendimin, ndjenjen ne vargun tjeter apo ne poemen pasuese.

      Poetet e vertete nuk perdorin materiale te parafabrikuara. Nese De Rada apo dikush tjeter do te konsiderohet poet i madh, nuk mund te krahasohet me rapsodin popullor e parafabrikatet e tij, por me befasine e vargut qe te ofron ne krijimtarine e vet.

      Kur poetet, qofte edhe ato modernet mbeten brenda standartit, ata nuk bejne poezi por rapsodi, jane skllever te “Gradus ad Parnassum”, njelloj sic jemi perpjekur te gjithe ne ne momente te caktuara te jetes, te ndjehemi poete, qofte edhe fare pak, ne tetevjecare apo shkolle te mesme, duke bere “poezi”, si versione, klishe te poeteve tane me te dashur, … ndoshta Kadare apo Agolli. 🙂

      1. Read Me, ke te drejte; vetem do te shtoja per “parafabrikatet” per te mos pasur keqkuptime; se “bashkoheshin ” ne kuptimin qe” vendoseshin edhe ato mes elementeve te tjere” si detaje qe permiresonin apo mundesonin rrefimin me te mire te nje historie te caktuar, dhe te veçante. Parafabrikatet, ndodhen me se shumti, ne mos gabohem, ne epitetet, pershkrimet; e ndonje skene dyluftimi, ndonje rrugetimi, te bukurise se nje vajze, qyteti, ne formulat hyrëse e mbyllese te kenges e te tjera qe s’po me vijne ne mend.
        Eshte e vertete, nje shkrues i mire, aq me teper nje poet, duhet te jete gjithnje origjinal, ai perpiqet te mos veteperseritet apo te kopjoje, ndersa rapsodi perkundrazi, i duhej ti referohet traditës; dhe duhet te rikendoje pjesëza te thëna para pak kohe, ndoshta per tu siguruar se dëgjuesit po e ndjekin, ose per te pushuar përpara se te rimare fillin e historisë.
        Gjithsesi e rendesishme eshte se te gjithe keto klishe, ne fakt ndihmojne per te kuptuar nese teksti eshte i transmetuar oralisht apo eshte shkruar nga nje poet me i kujdeshsem.

        1. Gjergj, kjo teme ne lidhje me oralen dhe literacy-ne ka vend per tu zgjeruar.

          Perry mbrojti doktoraturen dhe iu perkushtua tradites orale dhe arriti ne disa konkluzione interesante. E lidhur me temen tone dhe komentet tona vlen te permendet roli i metrikes te perdorur.

          Nje nga figurat udheheqese, qe ka studiuar metriken shqiptare, Ramadan Sokoli, duke e lidhur me lashtesine e orales, shpjegon ne nje linje me Perry-n se metrika shqiptare (psh dhjeterrokeshi) apo hekzametri homerik nuk eshte nje perzgjedhje kot. Lidhet me nevojen e “te mbajturit mend te mijra vargjeve orale”, jo vetem epike. E them keshtu sepse e njejta rapsodi nuk kendohej/kendohet dy here njesoj.

          Metrika eshte e imponuar nga nevoja per te qene ne gjendje te ritregosh 15-20 mije vargje me nevojen e parafabrikateve, strukturave perseritese, qe zene vendin tyre lehtesisht duke ndjekur logjiken dhe strukturen gjuhesore te nje gjuhe te caktuar. Kjo tradite duke qene e lashte ka mbijetuar ne nje shoqeri orale si ajo shqiptare.

          Perdorimi i sinonimeve, leksikut, idiomatikes, aksionit foljor, figuracionit artistik, respekton kallupin, kemishen e nje metrike te caktuar. Vetem keshtu ishin ne gjendje te kendoheshin vazhdimisht duke modifikuar elementet e mesiperm, njelloj si pjese kembimi qe zevendesonim njera-tjetren.

          Per gjuhet indo-evropiane, metrikat nuk distancoheshin shume nga njera-tjetra. Pjese e ketij ansambli eshte edhe shqipja.

          Edhe Kadareja eshte perpjekur te shpjegoje misterin e rapsodise, por duke qene jo i profesionit, na ka dhene vetem nje shpjegim jo shkencor, aspak plauzibel, duke izoluar nje fenomen shume te perhapur ne trevat shqiptare dhe duke na e veshur me nje vello misteri e konspiracioni te panevojshem domosdoshmerine e metrikes lehtesisht te kuptueshme te rapsodise shqiptare.

          Besoj se misionin e Perry-t ka pasur ndermend kur ka shkruar Dosjen H.

          1. Në fakt e kisha fjalën vetëm për proçesin e krijimit; në kuptimin që për te shprehur nje ide ose veprim të caktuar; per nje pjesë, përdornin dhjetrroksha të marë prej repertorit të poemave që zotëronin, (per formulimet me te pergjithshme) ndersa per pjesen tjeter, natyrisht shumicen e vargjeve, duhet ti krijonin vete, duke respektuar kriteret metrike. Pasi vetekuptohet; historitë, tiparet e heronjve etj jane të ndryshme. Këtë kanë vërejtur gjatë kompozimit të këngëve serbe në fillimin e shekullit XIX. Nje nga pyetjet qe mund te ngrihet ketu; eshte sesi kishin mundesi te krijonin qindra e mijera vargje prej hiçit? Kishin teknikat e tyre me sa kam lexuar; diku edhe i shkruanin, ndersa ne Magreb (ne mos gabohem), rapsodi ua transmetonte nje pjese nxenesve te tij, keta i mbanin mend dhe ia riperserisnin me pas. Ne nje rast tjeter nje rapsodi sllavojugor, tregonte se imagjinonte nje ndertese dhe vendoste çdo pjese te kenges qe krijonte ne nje dhome te caktuar e pastaj ne fund kur duhet ti rikujtonte, riniste te njejtin udhetim. Por per sa i perket transmetimit, pa dyshim që është ashtu, ndërsa informacioni mbi epikën shqiptare, është mjaft interesant, faleminderit. Do shikoj mbase e gjej punimin e z. Ramadani

      2. Po përpiqem ta ndjek diskutimin tuaj, të nderuar, por nuk e kuptoj mirë se ku doni të dilni – meqë dallimet mes krijimeve orale dhe atyre të poetëve (ose letrare) ishin premisa e shkrimit tim, ose – për ta thënë më troç – gjëra të mirëditura.

        Çështja që ngrija unë ishte tjetër – dhe pikërisht: nëse dikush përpiqet të imitojë teknikën e poezisë orale, a mund t’ia dalë të “shesë” një krijim të vetin për krijim popullor?

        Dhe kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me falsifikimin. Unë kam përshtypjen se një person që e njeh mirë teknikën folklorike, mund edhe ta imitojë në perfeksion – që nga ritmi, metri, formulat, etj. E bëri në kohën e vet MacPherson-i dhe praktikisht të gjithë i besuan. Kushedi e ka bërë edhe De Rada dhe ndonjë tjetër. Dihet botërisht që e kanë bërë disa poetë tanët minorë, me këngët folklorike të paraqitura në Festivalin e Gjirokastrës në vitet e diktaturës.

        Tani, nëse është kështu, atëherë shqetësimi im është se ç’garanci kemi ne sot, që të gjitha ato krijime të mbledhura dje në mënyrë amatoriale, ose nga dashamirës, entuziastë dhe patriotë, nuk janë ndrequr prej tyre, rregulluar, pastruar, ose më mirë, disiplinuar, sipas bindjeve ideologjike dhe mitologjike të mbledhësve?

        Kriteret thjesht teknike, që u përmendën këtu, nuk pinë ujë – sepse ato kritere i ka zbatuar edhe falsifikuesi (le ta quajmë kështu) me rreptësi të madhe. Madje kushedi i ka zbatuar aq mirë, sa ta bëjë produktin e vet më folklorik edhe se origjinalët.

        Edhe prova se një këngë e caktuar, sidomos e mirënjohur, dëgjohet sot e kësaj dite në popull nuk vlen dhe aq; meqë mirënjihen rastet kur një këngë e mbledhur të themi në shekullin XIX të ketë përfunduar në një libër dhe që andej të jetë kthyer në kujtesën popullore – pra ta ketë bërë kërcimin nga libri në oralitet.

        Po sjell një shembull nga familja ime: gjyshja ime, që kish bërë pak shkollë në Gjirokastër, dinte përmendësh vjershën “Erveheja” (në versionin e Jani Vretos), të cilën ua kishin mësuar në shkollë; por nuk dinte se kush e kish shkruar; për atë ajo vjershë thjesht ekzistonte, pa ndonjë lidhje me autorin përkatës.

        I vetmi kriter do të ishte, besoj unë, që e njëjta këngë të regjistrohet në variante të ndryshme dhe të krahasueshme: ndonjë antropolog ose specialist folklori mund të më ndihmojë në këtë mes.

        1. “Çështja që ngrija unë ishte tjetër – dhe pikërisht: nëse dikush përpiqet të imitojë teknikën e poezisë orale, a mund t’ia dalë të “shesë” një krijim të vetin për krijim popullor?”

          Me njohjen time nuk e kam te lehte te mendoj qe nje grumbullues folklori te hedh mundin e tij, krijimtarine e tij, nen anonimitetin e nje krijimtarie popullore.

          Perse mund ta beje dikush dicka te tille?

          Ai ose mendon se nuk ka talent te mjaftueshem si autor/kompozitor dhe do te mbese ne histori si thjesht nje hulumtues, grumbullues i famshem folklori, duke futur duart ne traditen folklorike dhe e nakatosur ate, ose rrethanat politike ia kane hequr mundesine qe t’i permendet emri perbri krijimit te tij.

          Jam ne dijeni te te dyjave, por sidomos te kesaj te fundit, qe kenge apo kompozime, krijime “popullore” qe perbejne sot maja te muzikes shqiptare, dhe qe mund te provohet e te deshmohet qe kane autore te mirefillte ne periudha te caktuara, nuk i permendej fare autoresia per arsye politike/ideologjike dhe keshtu ktheheshin ne anonimatin popull dhe shumica sot nuk e di autorin e vertete dhe autorit apo trashegimtareve te tij, i kane mbetur pak shanse per te rivendikuar autoresine.

          Me vine ndermend shume vepra nga bota si vellezerit Grimm, kompozime muzikore si Debyssy dhe Ravel te influencuar nga muzika etnike, Hermann Hesse, Frank Stockton, Carlo Collodi, Frank Baum, Hans Christian Andersen, etj qe molen traditen folklorike dhe ku brenda vepreve se tyre shkrihet mjeshterisht tradita, folklori me kontributin e autorit. Te gjithe futen duart rendshem ne tradite, por dolen dhe njihen sot si autore.

          Nje luks i tille i mungonte historikisht nje pjese te autoreve te mirefillte shqiptare.

          1. Shkruan në lidhje me futjen e duarve në folklor:

            Perse mund ta beje dikush dicka te tille?

            Ai ose mendon se nuk ka talent te mjaftueshem si autor/kompozitor dhe do te mbese ne histori si thjesht nje hulumtues, grumbullues i famshem folklori, duke futur duart ne traditen folklorike dhe e nakatosur ate, ose rrethanat politike ia kane hequr mundesine qe t’i permendet emri perbri krijimit te tij.

            Pikërisht kjo ishte tema e shkrimit tim – më bëhet qejfi që po e prekim, më në fund, pas disa ekskursioneve me natyrë thjesht didaktike.

            Arsyet që sjell ti qëndrojnë, por janë të parëndësishme. Kështu, pa e vrarë fare mendjen, unë mund të sjell ca të tjera, shumë më reale dhe shqetësuese:

            1. Thimi Mitkoja (Bleta shqiptare): pse i futi ky duart në folklor? Ngaqë kishte dëshirë që ta “gdhendte” materialin folklorik në mënyrë të tillë, që ky t’i shërbente Rilindjes kombëtare. Pra, kemi rastin kur një agjent e modifikon materialin e mbledhur, duke sakrifikuar besnikërinë faktike për hir të një ideali, një ideologjie, një bindjeje supreme.

            2. Poetët që shkruanin tekstet e këngëve të Festivalit të Gjirokastrës në vitet 1970-1980: thjesht ishin urdhëruar nga lart që ta bënin – pra falsifikimi si rezultat i një koercioni nga lart. Përndryshe, kjo arsye nuk dallon shumë nga e para.

            3. Dukuria e osianizmit – MacPherson ishte i bindur se, duke e paraqitur veprën e vet si krijim popullor, po krijonte diçka artistike sublime; përndryshe, nuk ishte gjë poet minor dhe inferior, as ia kish hequr kush të drejtën e përdorimit të emrit.

            Nga këto tre arsye, mua më shqetëson e para.

            Përndryshe, nga përvoja ime si leksikograf, mund të shtoj se kur punonim me materialet e sjella në Institut nga mbledhësit e fjalëve në terren (zakonisht mësues fshati ose amatorë të tjerë) një nga shqetësimet ishte se mos fjalët “e bukura” që silleshin ishin, në fakt, sajime të mbledhësve. Në përgjithësi, një fjalë e pakonfirmuar, ose e mbledhur vetëm një herë, do të konsiderohej vetvetiu si e dyshimtë.

        2. Nëse tema merr rrugën drejt kengëve të shkurtra popullore; thënë me shaka; kur ka kaq vështirësi, atëherë ato më shumë duhet të shërbejnë për tu kënduar sesa për t’ju dhënë dhimbje koke studiuesve.
          Natyrisht besoj se me anë të analizave formulaike, mund të dallohen; si këngët e De Radës dhe të Jubanit, por më tej përderisa këto studime nuk janë kryer, është e vështirë të flitet me siguri, dhe përderisa ti shkruan se ata kanë pasur një intuitë kaq të fortë, atëherë na ngelet vetëm shpresa se brezat e rinj, do jenë më të zgjuar se poetët e mëdhenj të shekullit XIX.
          Për të folur në përgjithësi; Meqë kemi të bëjmë me një lëndë ku shumë ngelet për tu zbuluar, atëherë gjithnjë, pas njëfarë kohe, dallohen veçori të reja të teksteve të transmetuara oralisht, dhe falsifikimet më të vjetra kuptohen; Në veçanti; meqë De Rada dhe Jubani, kanë shkruar apo mbledhur, në shekullin XIX, duke pasur parasysh progresin e studimeve, nëse ka interes atëherë, mund të dallohet besoj pa ndonje vështirësi, origjina e vonë e disa këngëve të dyshuara të tyre. Per arsye se ekzistojne karakteristika te veçanta te perftuara gjate krijimit dhe transmetimit oral, ndonjë prej të cilave u përmend, dhe per arsye se çdo falsifikim ka veçoritë apo gabimet e tij.
          Gjëra llogjike dhe të thëna natyrisht, por nuk duket se ka mundësi tjetër përveç studimit te çdo kënge në veçanti
          Vetë kënga e Jubanit me sa po kuptoj, nuk ka asnje lidhje, në aspektin e formulave, me kenget e tjera te zones, dhe duhet të ketë mjaftuar ky fakt për ata që e kanë studiuar.
          Për rapsoditë e de Radës meqë ndoshta nuk ekzistojnë shumë këngë të tjera arbëreshe ku të bazohesh atëherë mbetet ajo “too good to be true”; Në fakt asnjë këngë epike ballkanike që rrëfen ngjarje të ndodhura në mesjetën paraosmane, nuk korespondon krejtësisht me historinë, madje shpesh korespondojnë vetëm në shumë pak detaje. Natyrisht secila eshte influencuar prej poemave më të reja e më të vjetra, dhe eshte modifikuar, dhe çështë më e rëndësishme; i janë harruar pjesë të tëra, i janë prerë vargje e grupvargje ndërsa pjesët paraprirëse e pasuese janë lidhur si është mundur. Vetë ato ndonjëherë janë pjesë të caktuara të një poeme më të madhe. Çka bën që përgjithësisht në ndonjë element janë të pakuptimta; shpesh nuk merret vesh ç’farë ndodh, kush prej heronjve flet, disa fjalë nuk dihet se çfarë kuptimi kanë, duket se vijnë, ose vijnë, prej gjuhëve të tjera” përmendet në ndonjë varg një personazh që në dukje është krejt I parëndësishëm e i panevojshëm, e që me siguri në fillim ka qenë një personazh i rëndësishëm I narrativës së saj. Për mendimin tim; kënga epike ballkanase nuk është një rrëfim i shkurtër enciklopedik i një ngjarje të rëndësishme siç janë ato të krijuara prej De Radës, por është; bashkim pjesëzash të shpëtuara nga harresa (apo pjesëz) e një rrëfimi fillestar shumë të gjatë e të detajuar. Shtoji kësaj edhe pjesëza rrëfimesh të huaja që janë bashkangjitur rrugës për arsye se kanë ndonjë lidhje apo afërsi me historinë.
          Përderisa disa këngë të De Radës janë tepër korrekte historikisht, janë të kuptueshme, nuk përmbajnë klishe, atëherë nuk është e zakontë, dhe nuk duhej të ishte kështu nëse do të ishin transmetuar oralisht. Kaq mjafton besoj për të pasur vetëm një ide, e sigurisht duhen të flasin studiuesë të mirfilltë, ose duhet kohë për të humbur, për të konsultuar studime të mëparshme të ngjashme dhe kështu për të shkruar me më shumë kompetencë e më gjatë. Në anën tjetër një arsye për mosinteresmin mbi këto studime është edhe fakti, se ka me të vërtetë në epikë elementë më të rëndësishëm që kanë prioritet, në kuptimin që shumica e këngëve është e sigurtë se nuk janë modifikuar prej mbledhësve, edhe pse janë modifikuar prej rapsodëve vetë, përgjithësisht 2 – 3 shekujt e fundit, dhe ndaj për këtë arsye ato kërkojnë kete perparesi.
          Nëse pyetja është se si mund të kihet siguri në këto të fundit; besoj që mund të kihet siguri, pikërisht se nëse lexohen me kujdes dallohet për arsye të ndryshme, që janë mbetëza të vjetra, permbajne nje numer te madh formulash, edhe pasi përndryshe patriotët që I kanë mbledhur do të përpiqeshin të rrëfenin një histori të njohur, të kuptueshme.

          1. P.S. Flas si dashamires,i kesaj fushe pa u thelluar shume. Per ty Xhaxha dhe studiuesit e vertete; e di qe eshte shume me e veshtire per te nxjerre perfundime, pasi ato detyrimisht duhet te jene me konkrete

          2. “Pra, kemi rastin kur një agjent e modifikon materialin e mbledhur, duke sakrifikuar besnikërinë faktike për hir të një ideali, një ideologjie, një bindjeje supreme.”

            U permend didaktizmi, ia vlen te theksohet se nderhyrjet e mepareshme, flas per vete dhe mendoj se perfshihen edhe ato te Gjergjit, ishin me teper te natyres teknike-informative, pavarsisht se une nuk jam teknikisht i fushes, por kam endur ne korridoret e kultures folklorike.

            Shembulli i Thimi Mitkos dhe i festivaleve folklorike jane shembuj tipike te perdorimit dhe modifikimit te tradites, folklorit ne sherbimin e ideologjise: jane moralizues, didaktike.

            Nese mund te vihet shenja e barazise midis misionit rilindas dhe patriotizmit socialist, kjo eshte tjeter gje.

            Por folklori gjithmone, pervec rolit si aktivitet celebrator, entertainment, gjithmone ka mision didaktik, jep mesime, moralizon.

            Te gjitha shembujt qe permenda nga thesari i kulturave te tjera pervec kenaqesise artistike, letrare, muzikore, kane karakter moralizues, didaktik, duke filluar nga fabulat e Ezopit e deri tek aventurat e Pinokios apo Pipit corapegjata.

  4. ”’Gjithnjë për fat të keq, studimi i historisë dhe i kulturës popullore ndër ne kanë qenë kaq rregullisht të motivuara ideologjikisht, sa askush të mos ketë dëshirë që t’u futet ndërmarrjeve përgënjeshtruese dhe të rrezikojë, në përgënjeshtrim e sipër, reputacionin e vet moral.”’

    Natyrisht, qe edhe pergenjeshtrimi eshte produkt i studimit te historise e kultures popullore (perndryshe do ishte arrogance e padijes) dhe meqe studimi i ketille supozon (nder ne – por edhe kudo e kurdo) si rregull motivimin ideologjik, atehere logjikisht pergenjeshtrimi, pavaresisht se eshte nisur nga e mira perfundon ne qarkun e shkurter te luftes ideologjike.

    Ne te vertete edhe studiuesit qe rrezikojne pergenjeshtrimin, kane qene pergenjeshtues ne kohe te tyre, ashtu sikunder edhe ata para tyre e deri ne fillesa.
    Sot rrezikohet reputacioni moral, te paret e atyre me pare – e keshtu me radhe deri ne fillesa – rrezikonin koken ne luften ideologjike, e megjithate kishin guxim te çartur dhe durim derri.

    Sot, ketyre te sotmeve, ne dallim nga te djeshmit, u mungojne dy arme esenciale, te djeshmit luftonin kunder te pardjeshmeve me armen e re te shkences (si me qene bomba atomike kunder asaj konvencionale), ndersa arma e dyte e shkaterrimit ne mase ishte ardhja e nihilizmit e transvalutimi i vlerave.

    Por, ç’eshte me e rendesishme ne luften e sotme, ku shkenca eshte arme e te dy paleve (dmth varet nga kush e perdor me mire), te djeshmit kane ende superiorietin e armes se dyte, nihilizmin e transvalutimin e vlerave. Esenca antifetare e kesaj arme e gjeti mire veten ne veçantine shqiptare (nacionalizem antifetar), aq sa ne u beme pararoja boterore e nihilizmit dhe transvalutimit te vlerave.

    Ndersa morali perendimor pati nje rikthim te tematikave moralo-historike fetare (akuza niçeane ndaj Vagnerit te fundit), tek ne nacionalizmi luftoi per spastrimin e plote, keshtu qe nje rikthim i vlerave fetare (kristiane) nepermjet moralit perendimor, has ne nihilizmin me te plote shqiptar -i perforcuar nga nacionalizmi antifetar-.

    Pra, terreni i transvalutimit te vlerave eshte me gropa per pergenjeshtruesit e rinj, rrjedhimisht lufta ideologjike behet jashte mase e veshtire per ta, aq e veshtire sa e pamundur.

    Edhe PS-ja me Ramen ka per te thyer hundet ne qeverisje, perballe ketij nihilizmi nacional e nacionalist qe eshte burimi i vlerave prej vdekjes se Zotit.
    Vetem nacionalistet nihiliste (ne kuptimin antifetare) kane kapacitetin e modifikimit te vlerave supreme ekzistuese, nepermjet kontrollit simbiotik te nihilizmit shqiptar, i cili do te jete burimi suprem, derisa te vije nje Zot i ri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin