PARABUZUKU (II)

Spekulimet për libra shqip para Mesharit të Buzukut nuk rreshtin – është një patologji e kulturës kombëtariste që të rrëshqasë gjithnjë drejt një pike përtej, ose atje ku të njohurën ta zëvendësojë e panjohura; dhe realen, që na kundërshton me kryeneçësinë e vet, ta zëvendësojë fantazia, e cila ka natyrë plasteline.

Historianët e gjuhës dhe filologët, ndërkohë, kanë shpjeguar logjikën e fillimeve të librit shqip dikur në shekullin XVI, ose në kohën e Kundërreformës; dhe pikërisht kur Vatikani filloi të tolerojë, madje të nxitë përdorimin e gjuhëve vendëse në liturgjitë katolike në Ballkan, në rrethanat e kërcënimit të dyfishtë: Reformës nga njëra anë, Islamit nga ana tjetër.

Shqipja në kapërcyell, Çabej vëren se, edhe pse vetë mënyra si e shkruan shqipen Buzuku dëshmon për një traditë të shkrimit shqip, kjo traditë nuk do të ketë përfshirë vepra madhore, por “formula lutjesh e uratash, copla biblike më vete e të tjera si këto, shkurt pra, shkrime liturgjike me përmasa të vogla të caktuara për përdorim të përditshëm.”

Çabej nuk lë dhe aq shteg për dyshime, me përfundimin që nxjerr:

Nuk do të jemi gabim po të mendojmë që te libri i Buzukut kemi jo vetëm më të vjetrin monument të gjuhës shqipe që ne dimë, por përgjithësisht më të vjetrin monument të madh të kësaj gjuhe.

Sikurse dihet dhe sikurse e tregon edhe titulli (përshkrues) i librit, Meshari i Buzukut është një “libër feje” (Çabej), që përmban “oficen e vogël të Zonjës, të shtatë psalmet pendestare, litanitë e shenjtvet, disa copë nga të ritualit e të katekizmit dhe meshët e së kremteve kryesore të vitit,” që zënë rreth tre të katërtat e veprës.

Këto pjesë janë përgjithësisht të përkthyera nga italishtja dhe latinishtja; dhe vetë libri ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre.

Meshari, sikurse çdo libër tjetër i asaj kohe, ishte i destinuar për një numër të vogël përdoruesish profesionistë, këtë mund ta deduktojmë edhe thjesht duke arsyetuar se, që të përdorësh një libër, duhet të dish të lexosh; dhe njerëzit që dinin të lexonin, mes shqiptarëve të shekullit XVI, do të vinin kryesisht nga kleri (shtresat e mesme qytetare, si tregtarët etj., ishin zhdukur e shpërndarë, aso kohe).

Pak është folur, në mos asfare, për natyrën e këtij libri; në kontekstin historik dhe në përqasje me libra të tjerë bashkëkohorë, që i përmendim në historinë e letërsisë shqipe – të tilla si Historia e Skënderbeut, e Barletit.

Barleti shkruante latinisht dhe vepra e tij ishte pjesë e letërsisë humaniste të Rilindjes, që ndiqte modelet klasike (p.sh. Plutarkun); Historia e Skënderbeut ishte një vepër e destinuar për t’u lexuar nga një publik i kultivuar, në Itali dhe gjetiu në Europën ende të folur kulturalisht nga latinishtja.

Përkundrazi, Meshari i Buzukut ka natyrë krejt tjetër; pse nuk ka qenë aq i destinuar të lexohet, sa të përdoret si doracak, mjet ndihmës, ose vegël mnemoteknike, për aktet gjuhësore të liturgjisë katolike.

Tekstet në librin e Buzukut synojnë, para së gjithash, t’i ofrojnë meshtarit një bazë, një përkujtesë, një ndihmë solide teksa ky ushtron detyrat e veta, të komunikimit me besimtarët. Çka do të thotë edhe se përdorimi i shqipes së shkruar, te Meshari, i përket ende fazës mnemoteknike të shkrimit të një gjuhe.

Të gjitha kulturat e shkruara kalojnë në këtë fazë; para se, të paktën disa prej tyre, të bëjnë kapërcimin drejt tekstit të shkruar, si formë të mëvetësishme të ligjëratës.

Një tekst i hartuar për synime mnemoteknike nuk është i tillë që të lexohet, në mënyrë të pavarur, dhe të komunikojë lirisht me lexuesin; kërkon gjithnjë praninë ndërmjetësuese të kujt është në gjendje ta interpretojë për Tjetrin; në rastin tonë, të meshtarit, që do ta interpretojë tekstin e Buzukut për besimtarët.

Edhe ato instanca, reale dhe hipotetike, të shkrimit të shqipes para Buzukut që përmend Çabej – formulat e lutjeve, copëzat nga Bibla etj.; përfshi këtu edhe të mirënjohurën Formulë të pagëzimit – kanë qenë para së gjithash vegla ndihmëse të kujtesës, të ngjashme me nyjet në shami, vizat e të burgosurve në mur, llogaritë e tregtarëve dhe shenja të tjera përkujtuese.

Me Formulën e Pagëzimit, të datuar si e një shekulli para Buzukut, Pal Engjëlli u tregonte priftërinjve se çfarë të thoshin, kur të pagëzonin një fëmijë në gjuhën shqipe; teksti nga njëra anë përkujtonte, nga ana tjetër sanksiononte formulën e saktë, duke e legjitimuar.

Në fakt, këtë konsakrim ose legjitimim do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë edhe te Meshari i Buzukut; nëse tekstet e atjeshme, falë funksionit mnemoteknik, i tregojnë priftit përdorues se çfarë të thotë gjatë liturgjisë, formulimet e shkruara i tregojnë, po atij prifti përdorues, se çfarë duhet të thotë, në mënyrë që ligjërata fetare në shqip të ketë efektin e duhur.

Kjo edhe ngaqë ligjërata e përdorur në liturgjitë ka qenë gjithnjë e rregulluar aq rreptë, nga autoritetet (Vatikani), në nivelin tekstologjik dhe pragmatik, sa metaforikisht, mund ta përafronim, për nga shkalla e rregullimit, me ligjëratën juridike.

Kjo do të thotë edhe se, ekzistenca e librave si Meshari na provon se shqipja përdorej në liturgjinë katolike të kohës, por nuk provon se shqipja lexohej, përtej një qarku të kufizuar priftërinjsh që leximin e teksteve të shkruara e bënin vetëm gjatë procesit të ndërmjetësimit liturgjik me besimtarët – ose për të ditur se çfarë t’u thoshin atyre pikërisht në gjuhën amtare.

E kotë të shtoj se një funksion i tillë i të lexuarit nuk afrohet shumë me atë të sotmin; sikurse nuk afrohet me çfarë ndodhte, bie fjala, me Historinë e Barletit ose vepra të tjera të humanistëve të Rilindjes, të cilat përndryshe i kanë lidhur njëfarësoj me kulturën shqiptare.

Veç kësaj, Meshari ishte edhe tekst i përkthyer; dhe gjatë përkthimit ndodh, siç edhe ka ndodhur me këtë të Buzukut, që të vihen përballë njëra-tjetrës dy kultura të pabarabarta, ndonjëherë edhe të pabashkëmatshme.

Në kulturën katolike të Europës perëndimore, të bazuar në latinishten; ose edhe në atë italianen, statusi i tekstit të shkruar, i cilitdo teksti, ka qenë pa tjetër i ndryshëm nga ai në kulturën katolike të shqiptarëve në Ballkan, shumica dërrmuese e të cilëve ishin analfabetë.

Kjo do të thotë se Mesharit të Buzukut, në kontekstin shqipfolës dhe shqipshkrues – nëse na lejohet ta quajmë kështu – i mungonte intertekstualiteti, ose marrëdhëniet referuese me tekste të mëparshme, të paktën me tekste të ngjashme me të.

Për shembull, disa tipare të tekstit të shkruar, si mëvetësia, ose aftësia për ta konstituuar autorin brenda tekstit, nuk mund të përcillen, as të përkthehen, në një gjuhë dhe një kulturë që tekstin e shkruar praktikisht nuk e përdor fare. Kjo vlen edhe për njësi aq banale, sa edhe fjalia (në kundërvënie me thënien), ose kodet për të dalluar mes ligjëratës së drejtë dhe asaj të zhdrejtë, të cilat përdoruesit e librit do të mund t’i njihnin vetëm në atë masë që ishin të familjarizuar me gjuhë ku tradita tekstuale ishte konsoliduar tashmë.

Kjo përsiatje na detyron, njëfarësoj, t’i qasemi ndryshe enigmës së përdorimit që do t’i bënin Mesharit priftërinjtë katolikë në Shqipëri; si dhe enigmës tjetër, se cilës kulturë i përkiste pikërisht ky libër, në qoftë se e pranojmë se kultura e shkrimit shqip praktikisht nuk ishte aq e zhvilluar në atë kohë, sa ta përmbante të plotë; dhe e njëjta vërejtje vlen edhe për kulturën e komunikimit me shkrim në përgjithësi.

Havelock, që ka studiuar tranzicionin nga greqishtja e vjetër gojore në atë të shkruar, vëren se shkrimet më të hershme këqyreshin, prej përdoruesve të tyre, si “diçka e thënë me zë të lartë, jo si diçka e pohuar ose e mbajtur shënim në heshtje” dhe se ato “kanë cilësinë e një njoftimi gojor (oral announcement) që lidhet me një rrethanë të caktuar ose me një person të veçantë.”

Kjo duhet kuptuar kështu: në kulturat gojore, siç ka qenë edhe ajo e shqiptarëve në fillimet e shkrimit shqip, teksti i shkruar u “fliste me zë” atyre që e shihnin (lexuesve); dhe Meshari nuk do të ketë qenë, për priftërinjtë që duhej ta përdornin, asgjë më shumë se një sëndyk me ligjërata të gatshme.

Aq më e vërtetë është kjo, po të kemi parasysh edhe se librat liturgjikë nuk kishin, në fakt autor (Buzuku është ai që e ka “shkruar” librin, ose që ia ka renditur fjalët së bashku; por jo autori i teksteve që përmbahen aty, në kuptimin modern të fjalës; ose edhe thjesht në kuptimin që Barleti është autor i Historisë së Skënderbeut).

Tekstet e historisë së shqipes gjithnjë përmendin një citat të murgut Brokard (Brocardus) të vitit 1332, sipas të cilit shqiptarët përdornin shkronjat latine në librat e tyre; më pak e më rrallë të qëllon të lexosh një thënie të ngjashme të kalorësit gjerman Arnold von Harf, të vitit 1497, se shqiptarët “kanë një gjuhë më vete, e cila ndërkaq nuk mund të shkruhet, meqë nuk kanë një shkrim (një alfabet) të vetin, në vendin e tyre” (cituar këtu sipas Çabejt).

E megjithatë, afërsia gjeografike dhe kulturore e Shqipërisë katolike me Italinë e bën të logjikshme hipotezën që shqiptarët e Veriut ta kenë shkruar shqipen, kur u është dashur dhe për qëllime kryesisht mnemoteknike, me alfabetin latin; sikurse që shqiptarët e sferës së Ortodoksisë, në Lindje e në Jug të kenë përdorur për të njëjtin qëllim alfabetet përkatësisht sllave dhe greke.

Një shekull e gjysmë pas Buzukut, një alfabet tjetër – ai arab i ardhur përmes osmanishtes – do të përdorej nga një elitë tjetër kulturore, ajo myslimane, për shkrime të njohura si poezi “e bejtexhinjve”; dhe këtu gjithnjë duhet theksuar, se dorëshkrimet e bejtexhinjve kanë pasur dhe ato synime mnemoteknike, ose për t’i ndihmuar deklamimit; dhe nuk kanë qenë vepra poetike të shkruara, në kuptimin që i japim ne sot këtij termi; as kanë qarkulluar ndonjëherë, në atë kohë, në trajtë librash të shtypur.

Edhe një herë, shkrimi shqip me alfabet arab ishte fund e krye në funksion të oralitetit, si mjet ndihmës ose mbështetës, pa mëvetësinë që sot e konsiderojmë si tipar konstitutiv të teksteve.

Tani, sa për mundësinë që shqipja të jetë shkruar, në formë dorëshkrimesh të gjata, para Buzukut (dhe para teknologjisë së shtypshkrimit), këtë e kemi përsiatur gjetiu, duke arritur në përfundimin se dorëshkrime të plota në shqipe, në rrethanat specifike të shqiptarëve në Ballkan, nuk mund të kenë ekzistuar, veçse si vepra heretike, sa kohë që kisha, qoftë e Lindjes qoftë e Perëndimit, nuk e lejonte përdorimin e gjuhëve lokale në liturgjitë.

Hipoteza e herezisë do të shpjegonte edhe pse vepra të tilla nuk gjenden – meqë do të jenë djegur e shkatërruar; dhe ruajtur në kaq pak kopje, sa kjo t’ua ketë komprometuar përfundimisht mbijetesën deri në kohët moderne.

Ata që supozojnë, ose më mirë ëndërrojnë, për një vepër shqipe me natyrë letrare – p.sh. një poemë si ato të Dantes, duhet të marrin parasysh faktin se tekstet e shkruara, në një gjuhë, nuk lindin të armatosura deri në dhëmbë, si Athina nga koka e Zeusit; por përftohen gradualisht, nga fillime modeste; se ndër shqiptarët nuk ekzistonin ato kushte kulturore që çuan, përndryshe, në “Komedinë Hyjnore” te bregu përtej i Adriatikut, dhe ndihmuan në kapërcimin prej Mesjetës në Rilindje; dhe se tekstet e hershme shqipe, ato që kemi dhe ato që mund të kishim, nuk mund të kenë, veçse natyrë liturgjike-mnemoteknike; çka do të thotë edhe se libri i parë shqip nuk mund të ketë qenë veçse një “meshar”, sikurse edhe është në fakt.

Bibliografi minimale

1. Çabej, E. Shqipja në kapërcyell, Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, (c) 2006, Botime Çabej, Tiranë.

2. Peizazhe të fjalës: Shkrime & Mistifikime.

Shënim: për prakticitet, në këtë ese e kam quajtur gjuhën shqipe dhe folësit e saj shqiptarë; edhe pse termat më të saktë do të kishin qenë arbërishte dhe arbër.

Nuk ka komente

  1. Me fal, xhaxha, se nuk pata kohë të thellohem aq shumë, por nuk është e thënë që shkrimi i një gjuhe të fillojë patjetër me shkrime fetare. P. sh. rumanishtja fillon, sipas njohurive që kemi deri tani, me një letër të thjeshtë. Bile kjo duket rruga më e natyrshme para se të arrijmë në libra, të cilët pavarësisht se kujt i drejtohen janë në fund të fundit libra!

    Edhe paragrafin e meposhtëm s’e kuptoj:
    Veç kësaj, Meshari ishte edhe tekst i përkthyer; dhe gjatë përkthimit ndodh, siç edhe ka ndodhur me këtë të Buzukut, që të vihen përballë njëra-tjetrës dy kultura të pabarabarta, ndonjëherë edhe të pabashkëmatshme.

    Liturgjia katolike është e njëjtë për të gjithë. Pak më lart u tha bile se ky libër qe i destinuar për rrethin e ngushtë të priftërinjve. Atëhere del që priftërinjtë e këtejshëm paskan qenë më të prapambetur në kulturë?

    A. von Harff-i është burim fare i pasigurt. Aq shumë veta janë marrë me të kohët e fundit (Hetzer, Matzinger, nje amerikane, emri i së cilës s’më kujtohet tani etj.) pa arritur në kurrfarë perfundimi. Ai vetë ka përdorur një sistem të tillë shkrimi që nuk na lejon të lexojmë në mënyrë të sigurt as ato pak fjalë shqipe që i ka shkruar vetë. Bile për të mendohet se ai nuk e ka kryer kurrë udhëtimin e pretenduar, por i ka marrë informatat nga folës të ndryshëm të gjuhëve amtare.

    1. Ina, e falur qofsh, por kush më mirë se ti mund të thellohet për këto punë?

      Shkruan:

      nuk është e thënë që shkrimi i një gjuhe të fillojë patjetër me shkrime fetare. P. sh. rumanishtja fillon, sipas njohurive që kemi deri tani, me një letër të thjeshtë. Bile kjo duket rruga më e natyrshme para se të arrijmë në libra, të cilët pavarësisht se kujt i drejtohen janë në fund të fundit libra!

      Kjo nuk diskutohet në shkrimin e mësipërm, i cili merret me librin e parë shqip, jo me shkrimin e parë shqip. Për të tillë mbajnë Formulën e pagëzimit, e cila mund të karahasohet, për nga lloji i tekstit, me letrën e rumanishtes.

      Vërejtjen time se gjatë përkthimit, të nevojshëm për Mesharin, vihen përballë dy kultura të pabarabarta, ti e komenton:

      Liturgjia katolike është e njëjtë për të gjithë. Pak më lart u tha bile se ky libër qe i destinuar për rrethin e ngushtë të priftërinjve. Atëhere del që priftërinjtë e këtejshëm paskan qenë më të prapambetur në kulturë?

      Liturgjia vërtet është e njëjtë, por shqipja e shkruar nuk i ka pasur të njëjtat karakteristika as të njëjtin nivel zhvillimi me gjuhët burimore, sa kohë që Mesharit të Buzukut i mungonte një traditë e shkruar e konsoliduar, e cila, përkundrazi, nuk u mungonte burimeve.

      Përndryshe, do të themi se Meshari nuk i përket kulturës shqipe, një pohim që e sjell paradoksin me vete.

      Shkruan:

      A. von Harff-i është burim fare i pasigurt. Aq shumë veta janë marrë me të kohët e fundit (Hetzer, Matzinger, nje amerikane, emri i së cilës s’më kujtohet tani etj.) pa arritur në kurrfarë perfundimi.

      Nuk të kundërshtoj – por edhe Brocardi nuk mbetet mbrapa; aq më tepër që na del edhe me dy emra (Brochard/Guillelmus Adam)! Për të mos shtuar, pastaj, se pohimin e tij aq të shumëcituar, se “licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in usu et in omnibus suis libris” e kanë interpretuar ndryshe – dhe pikërisht se litteram latinam i referohet latinishtes si gjuhë, jo shkronjave latine; ose që Brocardi thjesht thotë se shqiptarët përdorin latinishten në librat e tyre (këtu kalimi nga linguamlitteram, brenda së njëjtës fjali, do të shpjegohej me nevojën retorike për të shmangur përsëritjen.

      Ai vetë ka përdorur një sistem të tillë shkrimi që nuk na lejon të lexojmë në mënyrë të sigurt as ato pak fjalë shqipe që i ka shkruar vetë.

      Sërish nuk të kundërshtoj – por kjo sërish konfirmon se ai nuk gjeti modele të shqipes së shkruar, që t’i merrte për bazë.

  2. xhaxhai shkruan:

    ” Në Shqipja në kapërcyell, Çabej vëren se, edhe pse vetë mënyra si e shkruan shqipen Buzuku dëshmon për një traditë të shkrimit shqip, kjo traditë nuk do të ketë përfshirë vepra madhore, por “formula lutjesh e uratash, copla biblike më vete e të tjera si këto, shkurt pra, shkrime liturgjike me përmasa të vogla të caktuara për përdorim të përditshëm.”

    Çabej nuk lë dhe aq shteg për dyshime, me përfundimin që nxjerr:

    Nuk do të jemi gabim po të mendojmë që te libri i Buzukut kemi jo vetëm më të vjetrin monument të gjuhës shqipe që ne dimë, por përgjithësisht më të vjetrin monument të madh të kësaj gjuhe.”

    Cuditerisht (per mua) ne paragrafin pasues Cabej shkruan se :

    “Me paraardhesit e tij anonime duket ta lidhe karakteri i pergjithshem i gjuhes se tij . Kjo,me formen e saj te zhvilluar, si dhe me formulat stereotipe , e te formuara gati,te uratave e te tjera shprehje liturgjike,ta afron mendimin qe ky shkrimtar ne mos disa gjedhe te caktuara,ndoqi megjithate nje tradite letrare te themeluar qe me pare e te gjalle ende ne kohe ne kohe te tij,qe ai ne cdo rast nuk punoi ne nje fushe krejt te palevruar me perpara -….”

    Ketu flitet per “forme te zhvilluar [te gjuhes]”,” nje tradite letrare [te meparshme]”, ” nje fushe jo krejt te palevruar..”.

    Shkruajta ‘cuditerisht’ sepse e kam te veshtire t’i pajtoj plotesisht keta dy paragrafe, qe ndjekin njeri tjetrin.

    Sepse, a eshte e mundur qe nje gjuhe te zhvillohet e levrohet e te krijohet nje tradite mbeshtetur vetem ne formula uratash e copla biblike?
    Vetem nese keto copeza kane qene kaq te shumta e te shpeshta( ne kuptimin e shume autoreve), sa te ishte kthyer ne nje hobby per shume njerez (apo prifterinj) dhe qe njekohesisht Buzuku te kishte mundesine te binte ne kontakt me to.
    Nese keshtu krijohet nje tjeter perfytyrim per levrimin e e gjuhes ne periudhen kohore te Buzukut. E thene shpejt e shpejt : shume shkrimtare te vegjel dhe nje i madh , Buzuku. Dhe mbi te gjitha , ne kontakt. Shkrimi i shqipes pra ka qene nje praktike e rendomte , qe coi ne levrimin e saj e ne kulme si Buzuku.

    Fakti qe kemi shkrime edhe ne toskerishte, Ungjilli i Pashkeve,bile me te vjeter ne kohe se vete Meshari Buzukut, bie ne ujdi me kete perfytyrim, qe do te thote se shkrimi i gjuhes nuk ishte i kufizuar vetem ne fshatin apo kishen e Buzukut.

    Bile , mund te mos merret per sakrilegj, te pandehesh se pervec copezave te zbuluara e qe kemi sot ne dore, mund te kene qene shume te tjera sot te humbura a te pazbuluara dhe , sidomos,qe mund te mos kene qene vetem copeza por edhe kapituj te tere.

    Ndofta Cabej i ka rene fare shkurt ketu , qe me ve ne veshtiresi per te kuptuar.

    ps- mund te me thote ndokush se me cfare alfabeti eshte shkruar dokumenti i toskerishtes?

  3. Në shekullin e XVI, kur u shkrua “Meshari” i Buzukut, kemi një fenomen në Greqi, në zonat ku kemi element vendas katolik dhe kolonë perëndimorë (nga shtetet italiane, katallanë, francezë etj), si në Kretë, ishujt e Jonit dhe ato të Egjeut, ku greqishtja fillon të shkruhet me gërma latine. Popularisht njihen këto tekste si “φραγκοχιώτικα” (ngaqë janë përdorur me shumicë në ishullin e Hios). Këto tekste, ashtu si “Meshari” janë kryesisht të natyrës fetare, copëza liturgjikë, ndonjë fjalorth, urata e falje dhe më vonë nga shekulli i XVII edhe vepra të mirëfillta letrare.

    Unë nuk e gjej të rastit që në të njëjtën perjudhë që fillon të shkruhet shqipja, madje me tekste të kësaj natyre, në një ambient katolik, të kemi edhe në Greqi, në po të njëjtat ambiente, një shkrim të greqishtes në këtë formë, pa u përdorur pra alfabeti i greqishtes (që të paktën ishte gati dhe kishte edhe traditë shkrimi).

    Do ma përforconin dyshimin-hipotezë, nëse në po të njëjtin perjudhë kemi edhe nga popujt e tjerë ballkanikë shkrime në gjuhët vendase në alfabetin latin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin