ZELL PËR VARRËMIHJE

Azem Hajdari – figurë pa diskutim me peshë për PD-në, pluralizmin në Shqipërinë paskomuniste, kushedi edhe për hyrjen e vrullshme të Veriut në sheshet dhe më pas në korridoret politike të Tiranës.

Këtë trashëgimi duhet t’ia mbledhin dhe t’ia studiojnë, në mos e kanë bërë tashmë; edhe sikur i ndjeri të mos ketë lënë gjë të gatshme nga vetja, meqë si militant dhe lider ka qenë më shumë i veprimit se i penës.

Çfarë ka mbetur gjallë nga Azemi i përket historisë dhe kujtesës së politikës shqiptare.

Kjo nuk ka të bëjë dhe aq, doemos, me nismën e tanishme për t’ia ndërruar varrin të ndjerit, dhe për ta çuar në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Edhe një herë, turma mijëra vetësh do të mblidhen rreth një sasie të vogël mbeturinash organike, kryesisht kockore, në pritje që këto të bëjnë mrekullinë (politike) të radhës.

Nuk është hera e parë që PD-ja dhe politika shqiptare kërkon të përdorë trupin e Azemit, jo personin dhe idetë e tij: herën e parë, pati njerëz që u munduan, me arkivolin e liderit të vrarë, të shpërthejnë dyert e selisë së qeverisë në Tiranë.

U tha atëherë se disave Azemi po u vlente më shumë i vdekur se i gjallë – në kontekstin kur lideri i dikurshëm i dhjetorit dhe i demokracisë shqiptare kish rënë nga favori, në hierarkitë brenda PD-së.

Edhe tani, kuptimi politik i gjestit të zhvarrim-rivarrimit errëson një nevojë kushedi kulturore, për shqiptarët, që ta shohin liderin e tyre më në fund mes martirëve të Kombit; ose atyre që, të paktën me përkufizim, kanë dhënë jetën duke luftuar për atdheun.

Që Azemin e vranë për motive me sa duket banale, kjo nuk duket të ndikojë në logjikën e krejt operacionit me natyrë mistike që është planëzuar.

Zhvarrim-rivarrimi nyjëtohet në tri faza: gërmimi, ose nxjerrja e eshtrave; transporti i tyre në një gropë të re; mbulimi i gropës dhe ndërtimi i varrit.

Faza e parë, e gërmimit, simbolizon etjen e politikës dhe të kulturës shqiptare për të gjetur vlera nëpërmjet zhgroposjes së tyre; çfarë është bazuar në bindjen elementare se nëntoka jonë ruan thesare të paçmuara.

Faza e dytë rimerr (duke zhvarruar gjithashtu) ritualin e një procesioni fetar mesjetar – të organizuar rreth shëtitjes së një relikeje kalcio-fosfatike nëpër rrugët e polis-it.

Faza e tretë, e rivarrimit, i tregon sovranit se kush është Papa i politikës në Shqipëri; ose kush është përnjëmend i autorizuar të krijojë dhe të sanksionojë shenjtorët.

Tek e fundit, Varrezat e Dëshmorëve nuk janë veçse një resort të vdekurish, ku të pranuarit rishtas stërviten për t’u përfshirë në historinë e amshuar, në shoqëri të varruarish sa të mirënjohur, aq edhe të stabilizuar.

Teknikën e rishpërndarjes së dhomave, në këto resort-e, sikurse edhe të gjitha teknikat e tjera politike që funksionojnë në Shqipëri, e pat inauguruar PPSh-ja dje; jo vetëm duke manipuluar të shkuarën, por edhe duke lejuar bujtjen në varreza të personave vërtet të shquar, por që në luftra kishin mbetur gjallë – duke filluar nga Enver Hoxha vetë.

Nëse në kultura të tjera varri përfytyrohet si stacion i prehjes, në Tiranë e vlerësojnë lart energjinë potenciale politike, që mund të shtrydhet ende prej të vdekurve historikë, ose të atyre që kanë fatin (e mirë/e keq?) t’u ketë mbetur emri gjallë pasi janë larguar vetë nga skena.

I vdekuri i nxjerrë kështu pazarit nuk është veçse një zombie, i zhvdekur por pa gojë; që nuk flet dot as përgjigjet as falënderon dot për nderimet që i bëhen, as i refuzon dot ato që i kërkohen; as i përgënjeshtron dot ato që thuhen për të.

Asgjë nuk mund të vijë prej pranisë së eshtrave të tij mes të gjallëve, veç histerisë dhe farsës së legjitimimit, të cilën e kërkojnë pothuajse haptazi zhvarruesit.

Azemit do t’i garantohet, edhe këtë herë, se ka mbetur gjallë dhe vijon të drejtojë “mendjet dhe zemrat” e demokratëve shqiptarë.

Përndryshe Berisha dhe PD-ja në pushtet kanë treguar një obsesion të çuditshëm për të vendosur rregull në varret dhe në varrimet, siç duket edhe nga dëshirat e shprehura lirshëm për të sjellë gjithfarë eshtrash në Shqipëri, nga Sami Frashëri te Gonxhe Bojaxhiu; ose për t’ua marrë të tjerëve të vdekurit.

Në dukje, kjo nekrofili kaq e kalkuluar bie ndesh me obsesionin tjetër, të regjimit të shkuar, për t’ua zhdukur varret dhe eshtrat kundërshtarëve, ose të gjithë atyre faktorëve që nuk i përfshinin ekuacionet historike të komunistëve; pa çka se të dy obsesionet i kanë rrënjët te frika prej të vdekurve që ngrihen lugat, si Bankoja te Makbethi.

Shto këtu edhe se regjimi i Enverit merrte legjitimitet nga varrezat e dëshmorëve, të cilat u kujtonin qytetarëve se pushteti “ishte marrë me gjak”; ndërsa heronjtë e revolucionit të dhjetorit, për fatin e tyre të mirë, por për fatin e keq të pasardhësve të tyre, nuk patën nevojë të binin në fushëbetejë, për ta marrë pushtetin.

Berishës i është dashur, kësisoj, të krijojë edhe disa dëshmorë, sidomos në rrethanat kur legjitimiteti i pushtetit të PD-së ka përfunduar në barceletë.

Kulti i varreve të të vrarëve në luftë dhe krejt teatri i homazheve, tufave me lule, kurorave, stërnipëve, ripagëzimeve toponimike, fjalimeve e stafetave i shërbejnë edhe një qëllimi tjetër: t’u kujtojnë të tretëve se, sa kohë që ka të vrarë, ka edhe vrasës; dhe të vrarët në politikë nënkuptojnë edhe vrasësit, sërish në politikë.

Nëse Azem Hajdari u rropat, me aq sa mundi dhe me mënyrat e veta, të sjellë pluralizmin në jetën politike shqiptare, logjika e të vrarëve dhe vrasësve e dëbon këtë pluralizëm në skajet, për të legjitimuar, edhe një herë, antagonizmin në politikën e Tiranës.

E megjithatë, vështirë të mos e gjesh ironik faktin që PD-ja ka zgjedhur ta kremtojë largimin e saj nga politika ekzekutive nëpërmjet një (ri)varrimi – të thuash se Berisha vendosi të (ri)kallë në dhé kolegun e vet të djeshëm dhe shokun e vet të armëve, në pamundësi për t’u shtrirë vetë në arkivolin simbolik të disfatës.

Nuk ka komente

  1. E megjithatë, vështirë të mos e gjesh ironik faktin që PD-ja ka zgjedhur ta kremtojë largimin e saj nga politika ekzekutive nëpërmjet një (ri)varrimi – të thuash se Berisha vendosi të (ri)kallë në dhé kolegun e vet të djeshëm dhe shokun e vet të armëve, në pamundësi për t’u shtrirë vetë në arkivolin simbolik të disfatës.- Realiste, e goditur, e shprehur bukur, ashtu si di te shkruaj dhe te shprehet Xha Xhai.

  2. Xhaxha. Eshte nje artikull mjaft i goditur. Ka edhe diçka tjeter qe lulezon nder kokat e vrasesve ne Shqiperi: mendesia e pashqitshme e dhunes. Dhuna faktike dhe dhuna si mendesi eshte aq e forte sa tranferohet edhe ne kokat e turmave uleritese hera heres. Dhe dhuna eshte si nje prift: perhere e pranishme ne skena vrasjes e varrimesh. Ne vrasje si sherbetore; ne funerale: per te kujtuar se dikush nga ju e ka rradhen me vone. Dhe ky prift eshte vete shkelqesia e tij zoti Berisha.
    Herta Mùller i quante masat e mashtruara nga politikanet e keqinj “perbindesha ulerites”.
    Bravo xhaxha,
    te fala,
    andrea nikaj – rome

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin