DY HERË 26

Zemra ime,

Ishte më e mira e kohërave, ishte më e keqja e kohërave… Ti ishe tre vjeç, ndërsa unë 26, aq sa je ti sot. Ishin ditët e para të vjeshtës, plot 23 vjet më parë. Ne ishim në gjendje marrie. Ti, e vogël, me të drejtë ngatërroheshe me idenë e ikjes së madhe, që varej në ajër në të gjitha marrëdhëniet me njerëzit. Kishe dhomën tënde, që unë të kisha shpjeguar se do ta linim; kishe lodrat, që unë të kisha thënë se do t’i merrnim (ishin aq pak ato të shkreta lodra atëherë, sa futeshin kollaj në valixhe). Në kokën tënde të vogël përpiqeshe të përtypje lëvizjen dhe kaosin që gjeneronin të rriturit. Ishim pjesë e një shtëllunge të pazakontë historike që Shqipëria prodhoi ato vjet. Unë vetë, nuk dija ku isha: endesha, jepja mësim, vrisja mendjen, jetoja në dy shtëpi njëheraz, zgjidhja problemet e vizave tona (të domosdoshmeve viza!), çaja gardhet e frikës së imagjinimit teksa isha e bindur të ikja pa ditur se ku tamam, takoja njerëz me idenë që ishte hera e fundit që i shihja. Kryesisht kisha mall për gjithçka ende pa e lënë, dhe pezmatohesha që po shkelja për herë të fundit një të krisur trotuari që e njihja si lëkurën time. Nuk ëndërroja qiqra në hell, këtë e mbaj mend mirë. E gjeta botën siç e prisja: një botë që as nuk e dinte se isha, dhe as po më priste mua.

Gjithçka përjetohej si “për të fundit herë”, sepse aso kohe “ikja e madhe” dhe “hera e fundit” ishin po ajo gjë. Ishte aq dramë sa drama mban; unë e mbaja si 26-vjeçare, ndërsa ti si trevjeçare. Ende edhe sot më vret kur mendoj se parimet e mia të të folurit hapur me fëmijën dhe të shpjegimit me realizëm të ndodhive (që unë as nuk kontrolloja e as ua kisha gjetur fillin logjik për veten time), ndoshta të kanë ndëshkuar kur ti ishe ende si boçe e bukur pambuku të bardhë e të butë. Them “ndëshkuar”, sepse sot besoj se një përrallë i jep fëmijës gjumë më të qetë sesa shpjegimi i detajuar i planit për nesër, sado miqësor të serviret plani që prish të djeshmen e të sotmen. Unë jetoja fazën time revolucionare që u thye e u përthye rrugëve të botës; duke luftuar fort, duke gëlltitur lotë e duke rinisur nga e para aq herë sa s’mbaj mend. Po ti ç’faj kishe?! Megjithatë, pa pasur mundësi zgjedhjeje, ti më ndoqe pas me gazin e bukur të fëmijës duke më dhënë gjithnjë atë që s’e mora dot nga vendi im i dërrmuar: një lloj stabiliteti dhe normalësie; dhe fuqi për të vazhduar.

Jam ankuar ndonjëherë për vitet e adoleshencës sate. Diçka është e sigurtë: adoleshenca jote ishte shumë më e qetë dhe e matur se mosha ime 26-vjeçare; adoleshenca jote hidhte shtat në kohën e vet të natyrshme dhe harlisej në krizë e gëzim atëherë kur duhej. Ndërsa adoleshenca e shqiptarit të kohës sime, sidomos e femrave, ishte një lloj ferri që mbante maskë shëndetësimi e përkujdesjeje. Ndoshta është më e saktë të themi se ishte e fshirë nga defteri i ekzistencës. Me dashje e pa dashje aksiomat tona të përbindshme të adoleshencës, ne ua kemi kaluar bijve… që t’i bënim të mirë e të fortë si vetja.

E di tani se nuk kisha të drejtë të ankohesha, por duhet të të prisja pa zë, siç më ke pritur e shoqëruar ti mua gjithnjë, që nga dita kur morëm së bashku avionin e linjës Malév që të përfundonim në Romë nëpërmjet Budapestit. Ishte si lëvozhgë arre të krimbur me motor ai Malévi ynë i atëhershëm. Ishte hera e parë në avion për ne të dyja, unë 26 vjeç dhe ti tre. Nga mënyra se si dridhej dhe i tundeshin zhurmshëm llamarinat mbeturinës teknologjike që na mori ne të dyjave nga Tirana, e vetmja shtëpi që njihnim, na zuri tmerri. Unë, ato orë zhgjëndrre i kujtoj edhe sot kur avioni dridhet, sado i fuqishëm e modern qoftë ky i sotmi. Ndërsa ti tani që je 26 vjeç as e kujton atë karakatinën që, kur doli mbi re, të bëri t’i hapje shumë sytë e bukur, si njeriu që prek dhe dimensionon për herë të parë veten para pafundësisë.

Sa të ndryshme jemi? Sa jemi të ngjashme me jetë formësuar nga ngjarje dhe kultura totalisht të kithëta? Një djalë diçka më i ri ankohej një herë për brezin tim, atë që bëri gjimnazin dhe universitetin rreth viteve 80, e thoshte se është një brez në thelb sentimental, ndaj edhe nuk mund të ndërtojë marrëdhënie reale as me të sotmen e as me të ardhmen, brez që nuk bëri hajër as në socializëm, as sot. Unë nuk besoj se brezat domosdoshmërisht karakterizohen nga tipare thellësisht të ndryshme, por besoj se ngjarje impakte-mëdha gdhendin tipare që vërtet mund të markojnë dukshëm një brez të tërë. Atë sentimentalizmin unë besoj se brezi im e ka, dhe nuk e shoh domosdoshmërisht si tipar negativ. Besoj gjithashtu se tipike për ne ka qenë ideja e ngulitur se puna të bën njeri; pavarësisht nëse puna të pëlqente apo jo, pavarësisht nga sa të vlershme e shihje. Është për ne edhe sot pjesë instinktive e qenies, e paanalizueshme dhe e pakthyeshme.

Ndoshta ky tipar më duket si një gen fatlum që mund të ta kaloj. Të kam treguar shpesh se, edhe ç’ka më është dukur idiotësi kur e kam mësuar e më ka lodhur, më ka hyrë në punë diku e dikur. Nuk të kam shtyrë të më besosh, sepse në mosha të caktuara kjo ide tingëllon absurde, e di. Por ta kam thënë sa kam mundur, si behavior-iste e zellshme që jam. Megjithatë, të them edhe se respektoj shumë këmbënguljen tënde që, atë që bën, ta pëlqesh para se ta bësh dhe jo pasi e sepse duhet ta bësh. Unë punët e mia i kam bërë mirë, por ende sot ëndërr kam atë që kisha dikur, të drejtoj filma. Dhe e di se, sikur të mund të lirohem ndonjëherë nga punët, ajo do ishte shkolla e parë që do rinisja, edhe sikur të isha 62 vjeç apo plakë mbi shkop. Ndërsa ti ndjek pa trazim pasionet e tua dhe kalon pa dert, fjala vjen, nga piktura, në infermieri. Dhe ato që bën, i do vërtet, ndaj i bën. Më pëlqen për këtë dhe nuk të gjykoj siç gjykon ai djaloshi brezin tim.

Dua të besoj se unë nuk kisha zgjidhje tjetër veç punës si vlerë në vetvete në atë marrinë e 26-vjetëshit tim, se bota ime ishte e ashpër dhe vendi im prej guri. Dhe kështu mësova të jem siç jam. Por s’jam e sigurtë që kjo është mënyra më e mirë e të qenit.  26 vjetët e tu, për fat, kanë qenë ndryshe. Ti bën gjithçka me një lloj ngeje të bukur, pa shumë presione e dilema… aq të zakonshme për mua; dhe je buzëqeshur, më shumë se qeshë unë ndonjëherë. Ti je paqësore, ndërsa unë luftëtare… Une luftoj fort për gjithçka, sepse duhet ta fitoj që ta dua.

Ti je rritur pa frikë nga institucioni, pa domosdoshmërinë e paradës, pa prezencën e monumentales, pa nevojën e dy-fytyrësisë publike. Teoria ime e ndërhyrjes, vigjilencës dhe kontrollit të domosdoshëm shkërmoqet pa fuqi para “laissez-faire”-it tënd të hareshëm, natyral. Ambienti yt ka ndryshuar shpesh dhe pa dhimbje në kohën që formoheshe, ndaj ti e pret ndryshimin pa rezistencë dhe i përshtatesh lehtë, si të ishte gjendja normale e gjërave. Ndërsa frika ime e madhe është: a ke ti vallë forcën të mbrohesh në ditën kur ta kesh botën kundër? A ke lëkurën e fortë që zhvillohet nga famëkeqi darvinizëm social kur luftohet për mbijetesë? Dhe a të duhet fare ta kesh, apo unë pjell rrethana kërcënuese, vetëm sepse vjetët e mi qenë ndryshe nga të tutë?

Kam edhe një frikë për veten time: kapërcimin e masës mitike të 26 vjetëve të mi shqiptarë… jam tre vjet larg pragut të ri, dhe nuk e di çfarë do jem atëherë… atëherë kur t’i kem ndenjur Shqipërisë më shumë jashtë sesa brenda. Sot kërthiza primitive ende nuk më është ndarë nga i pari i atdheve të mi. Po kur ato 26 vjet të jenë në krahun sipër të peshores? Ndoshta atëherë do të të kuptoj ndryshe edhe ty, ndoshta atëherë pozicionimi im me vendin tim do nisë të vagëllohet, dhe zorra që më mban lidhur pas tij, do këputet si litarët që varen mbi ujë nëpër skela portesh, të lodhur nga mospërdorimi. Dhe, pa dyshim, një thyerje e tillë me një emblemë jetike timen, do m’i ndryshonte krejt fushat simbolike të orientimit. Ti frikëra të tilla nuk ke; je rehat kudo; të merr malli për shumë vende ku ke qenë e jetuar, por është një mall që s’dhemb.  Ndërsa dilemat e mia ndarëse janë të pashpresa. E, prapëseprapë, unë s’i dua simbolet atdhetare, gjë që s’është e papritur. Ndërsa ti mban shenjën e atdheut në trup, kujtim nga koha kur rrebeloheshe ndaj meje, dhe zilkë kujtese e dyshimit dhe gabimit tim.

Ka një kënd ku ndihem më e qetë kur mendoj për ty: ti je e lirë psikologjikisht dhe fizikisht të marrësh drejtimin që do, të ndjekësh shkollën që do, të prishësh e rindërtosh jo se s’ke rrugë tjetër, por se ke shumë rrugë të tjera, të gjitha joshëse e të provueshme. Unë nuk isha e lirë kur isha 26 vjeç, dhe shumica e moshatarëve të tu në Tiranë nuk janë as sot. Brezi im në Shqipëri ende përpiqet të mbajë kokën mbi ujë, e të nxjerrë në breg të thatë brezin që vjen pas. Kur mendoj ata, lehtësohem për ty; kur shoh prindërit në Shqipëri që luftojnë të kryqëzuar t’u hapin rrugë fëmijëve të vet, t’u japin shkolla nëpër botë me sa munden, t’i sajojnë që të kenë hapësirën e domosdoshme që Shqipëria ende ua mohon qytetarëve të vet, them se, në mos shumë, një të mirë të madhe ikja jonë e marrë e atëhershme e ka sjellë. Kjo më kujton një feministe radikale që paqshëm i thoshte një grupi feministesh te sotme: “ne luftuam që ju sot të mund të përdorni Botox”. Dhe vetiu buzëqesh. Dhe dua që edhe ti të buzëqeshësh, duke e ditur se ke me vete lirinë, që mrekullinë që ke brenda, t’ia japësh botës … për 260 vjetët që vijnë.

Nuk ka komente

  1. Te lumte mendja dhe dora, Presje. Shume i ndjere, shume i vertete ky shkrim. Na shkoi drejt e ne zemer te gjitha grave, nenave qe kane kaluar ne te njejten rruge bashke me femijet e tyre.

    Shume faleminderit.

  2. Sa te ngjashme jane rruga, mendimet, perpjekjet qe kemi bere. Ke shkruar per te gjitha ne grate qe kane kaluar 23 vjet jashte Shqiperise. Te lumte, na vure perpara pasqyres kaq bukur, personalish me lehtesove, gjeta nje shoqe, nje nene nje aleate. Me emocionove. Te perqafoj fort.

  3. Urime per kete shkrim! Ishte kenaqesi ta lexoja.
    Dua te ndalem pak ne nje aspekt te shkrimit qe ndoshta nuk eshte edhe aq qendror si detaj, por qe prapeseprape me duket teper domethenes.

    Citoj: “Një djalë diçka më i ri ankohej një herë për brezin tim, atë që bëri gjimnazin dhe universitetin rreth viteve 80, e thoshte se është një brez në thelb sentimental, ndaj edhe nuk mund të ndërtojë marrëdhënie reale as me të sotmen e as me të ardhmen, brez që nuk bëri hajër as në socializëm, as sot.”

    Ky formulim i shpejte i historise dhe identitetit te brezit te atyre viteve me solli nder mend “le genration perdu”, brezin e humbur te viteve ’20- ’30 te shekullit te kaluar. Ate brez jeta e te cilit u thye njehere e pergjithmone prej pervojave te luftes se pare boterore, prej nga doli i gjymtuar shpirterisht dhe, shpeshhere, edhe fizikisht. Ata u quajten “te humbur” edhe pse kaluan me vone ne luften e dyte boterore dhe neper eksperiencen e nazizmit e holokaustit.

    E megjithate eshte pikerisht ai brez qe rezulton me nje prodhimtari mendimi e arti nga me te lartat e cilesoret ne historine e botes moderne. Eshte brezi i romaneve te Heminguejt e Remarkut; i Dalise dhe Miros; i Benjamin dhe Adornos; i muzikes xhaz dhe bluz; i pamjeve te paharrueshme filmike te Kazablankes; e plot e plot zhvillime te tjera qe perkufizojne shijet dhe tendencat artistike e shpirterore sot e kesaj dite. Nga terri i madh i historise lindin shkendija te shkelqyeshme.

    Ne kete sens do thoja se brezi qe ne rinine e tij mbylli epoken e komunizmit ka patur ca energji te brendshme qe buronin pikerisht prej ndrydhjes dhe halleve te asaj kohe, e qe e bene kete gjenerate shqiptaresh shperthyese. Veprat e tyre ne Shqiperi e ne emigracion jane te shumta dhe, ne njefare menyre, jane produkt i heroizmit. Besoj se edhe shkrimi me lart e thote dicka te tille, ne menyre me te terthorte e te nenkuptuar ndoshta. Por ideja eshte se brezat qe pasojne, brezat e lindur e rritur ne liri, do vazhdojne te marrin gjera te vyera prej trashegimise se atij brezi te viteve ’80. Madje ne menyra qe nuk jane menjehere te dukshme apo te kuptueshme.

  4. Të falenderoj për këtë tekst kaq të sinqertë, duke të premtuar se do ta përdor për shumë funksione gjatë këtij viti shkollor si tekst ilustrues në klasë me nxënësit e mi. Të drejtën e autorit për përdorim besoj se do ta kem.

  5. Nuk kam perjetuar kur kaq fort shembelltimin (imazhin) qe percjell fjala e tjetrit .Ndofta,ndofta perjetova te njejten skenar heren e trete, a , mos pata kohen te vargoj pjeset e coptuara te nje “realiteti” qe gjindet brenda meje.Apo mos ,ndjesia e Presja,katalizoi vazhdimesine e copezave te haruara te kujteses time ,a po ,mos kujtesa eshte koha ,e kaluara ,e perjetuara ne permasa dhe “buajtes” te rinj.
    Meeegjithate Presja ka shum prej nesh qe lundrojne ne te njejtat frekuence valesh,qe fatkeqsisht nuk kane nje cikez uje ti lidhe me realitetin e sotem shqiptar..Shqiperia sot ,nuk eshte me shqiperia e “jona” .E “jona”do te mbetet pergjithmone e vetmuar ne kujtesen e gjithsecilit prej nesh ,dhe midis nesh.Mund edhe diku larg ne paqesor apo brigjet e atlantikut kudo ku jemi bashk,por kur vijme bash a bash me realitetin shqiptar ,jo kjo nuk mund te ndodh.
    Jemi nje trup dhe nje mendim nga jashte ,si te thuash i huaj ,per shqiperine sot ,prandaj mos te cuditemi ata dine se c’heqin.
    FALEMNDERIT PRESJA

  6. Përshkrimi është mahnitës, mundësia për të kuptuar atë brez që në një mënyrë apo tjetër i dha kuptim historisë së Shqipërisë, është e madhe edhe pse kjo ka mbetur në errësirë nga pseudo zhvillimi dhe pseudo heronjtë që mbeten dhe e fundosën më shumë atdheun që nuk guxoi të mbante bijtë e tij. Individët kapërcyen pengesat, lanë prindërit, të afërmit, rrugicat dhe peisazhet e fëmijërisë për diçka më tepër, kurse sot ata që (na) zëvëndësuan, të lirshëm dhunojnë marrëzisht vendin e tyre.

  7. Saktësi e admirueshme emocioni !
    Edhe pse vështrimi, stili dhe shkalla e ndjeshmërisë është e ndryshme, shkrimi më solli ndermen edhe shënimet e librat e shkruara për këtë subjekt nga Besa Myftiu, Ornela Vorpsi etj..
    Nuk mund të ndjesh veçse admirim për pikëllimin e thellë që kanë provuar dhe dinjitetin me të cilin i kanë bërë ballë.
    U jap të drejtë edhe në këmbënguljen për të përligjur aktin e tyre.
    E në fund të thuash: Zot, sa gra të forta !

  8. Faleminderit autores per kete shkrim…. ishte shkruar me shume ndjenje e sinqeritet. Sa e cuditshme, te gjitha vijme nga nje vend I vogel… dikush banonte te lagjia e Dibraneve, dikush tek Medreseja, dikush tel Liceu, dikush tek TIrana e Re… te gjitha kishim vendosur me vendosmeri apo cmenduri qe te iknim …. Kur pershkruanje ate Malevin shkatarraq mu duk sikur me hidhnin uje ne kurriz, aq shume ne brendesi te frikes tende u futa. Historia e “Malevit tim” eshte pothuajse e njejte: 17 vjet me pare arrita ne aeroport ne New York, me dy djemte e mi, I vogli 6 muajsh qe e mbanja ne nje marsupial, dhe I madhi 3 vjec. Me ankth prisnja punonjesit e aeroportit te me therrisnin per te bere formalitetet e duhura, dhe nuk me kishte mbetur shume kohe per te marre linjen e brendshme per te shkuar ne Washington DC. Me afrohet nje zezak I gjate dhe shume I madh ne trup, ishte shoferi I taksise qe do te me conte ne terminalin e linjave te brendshme. Pervec dy femijeve kisha me vehte pese canta super te medha te mbushura me cka kisha menduar mund te ishte me vlere dhe qe sdonja te humbnja nga jeta ime. Kur dola jashte ishte bere erresire e plote, frynte ajer I ftohte (qe cuditerisht me kujtoi Dajtin). Punonjesja sociale qe me shoqeronte dhe me ndihmoi qe te mbanja femijet, sic duket e lexoi fytyren time te shtangur nga zezaku I madh, me tha ” Don’t worry Ma’am, he is a very nice and sweet guy, he works for us”… Rruges duke udhetuar po mendonja po sikur te mos dinja edhe gjuhen cfare tmerri do te ishte….Pjese tjeter eshte histori…..
    Me dha shume kenaqesi shkrimi dhe mbi te gjithe mendimi qe nuk jam e vetmja qe kaloj mes ketyre ndjenjave qe pershkruan ti ne shkrim: mentalitete te ndryshme nga femijet tane, rini te ndryshme, mundesi te ndryshme etj. Faleminderit Presja!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin