EMIGRANTI NË TIRANË

Vera po ikën dhe emigrantët e lënë Shqipërinë në grupe, duke u shpërndarë në drejtime të paparathënshme kollaj. Është vera emigrante që i jep qendrorësi Shqipërisë më shumë se gjithçka tjetër. Por as nuk e bën dot europiane, as ia zgjidh dot problemet që ka. Sidomos tani që remitancat emigrante bien rregullisht çdo vit. Shqiptarët, siç pritet, ndryshojnë, brenda e jashtë Shqipërie. Largësia reale dhe e perceptuar mes dy grupeve po ashtu rritet; e bashkë me të edhe profilizimet paragjykuese që secili grup ngre për tjetrin.

Kujtoj që një gazetare e mprehtë e jona shkruante para pak vitesh për ta, me përçmim të kontrolluar e duke ndier gjynah të dukshëm: emigrantët që kthehen në Tiranë se si janë, se si duken, se si vishen… Dhe kish pjesërisht të drejtë, sido që, konstatuar dhe lënë me aq, nuk u bën drejtësi as emigrantëve e as atyre që nuk emigruan. Mjafton të bredhësh me sy hapur nëpër Tiranë (sidomos nëpër një pjesë të caktuar Tirane), që të vëresh se gazetarja ka vrojtuar dhe hedhur në letër një të vërtetë, por ama, që ka nevojë të analizohet, se ka brenda po aq të vërtetë, sa të pavërtetë.

Denigrimi i emigrantit në vendin pritës është universalisht i njohur. Më pak i njohur e i diskutuar është  përçmimi i tij në vendin e origjinës. Është i njohur p.sh. nënvlerësimi që shpreh italiani i mesëm (ose mikroborgjez) ndaj italo-amerikanit, shijes së tij të keqe, kuzhinës së përçudnuar, sjelljes së padenjë në nivel banaliteti, mungesës së sqimës e rafinimit. Nuk e dija më parë, por më ka qëlluar të dëgjoj gjuhë tejet përbuzëse nga gojët e kinezëve nga Kina Kontinentale ndaj atyre që kanë emigruar nëpër botë, për fshatarësinë e botëkuptimit të tyre, paaftësinë për të shijuar jetën, mentalitetin komunist e konservator në raport me kinezët modernë të zhvilluar “natyrshëm” në Kinën Popullore kthyer kapitaliste. Një amerikano-indiane ardhur në Shtetet e Bashkuara para dhjetë vjetësh për t’u martuar me një PhD Indian në fizikë, kur e pyeta si mund të gjeja një fustan të bukur Sari, më tha: “Mjafton të mos shkosh ta blesh në lagjet indiane të Amerikës. Shija e tyre ka ngelur 60 vjet mbrapa, dhe vishen e jetojnë siç bënin në kohën kur emigruan. Të vjen turp t’i shohësh e t’u rrish afër nëpër festa.” Ndërsa një shoqe në Prishtinë më thoshte se nuk jetohet në Prishtinë në verë, ngaqë e sulmon bagëtia e emigracionit nga Gjermania dhe Zvicra.

Emigracioni shqiptar (nga viset e Shqipërisë) është ende i ri e s’i ka bërë as 30 vjet. Megjithatë emigranti shqiptar është i kudogjendshëm nëpër botë, ka bërë eksperianca intensive ekzistenciale, dhe ka krijuar ndërkaq një profil të vetin, që herë përkon e herë jo me profilin që i vishet në Shqipëri. Si shihet ai brenda Shqipërisë sot? Po skicoj këtu disa besime themelore (të lehta e bisedore, jo bazuar në vjelje sistematike) sidomos brenda kryeqytetit shqiptar, lidhur me emigrantin, sido që disa janë kontradiktore mes tyre.

***

  1. Janë injorantë dhe s’kuptojnë nga jeta.
  2. Janë më të varfër edhe se ne.

Përgjithësimet paragjykuese më lart nënkuptojnë një raport të perceptuar të pabarabartë ku emigranti është nën nivelin e jo-emigrantit. Në çdo marrëdhënie shoqërore, një nga faktorët themelorë që krijon përçmim social është varfëria (dhe, si pasojë, pamundësia për edukim dhe rafinim). Një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë janë me origjinë nga fshati, dhe nga pjesa më e dërrmuar e fshatit socialist e pas-socialist. Sido që jashtë mund të kenë gjetur punë dhe një strehë të jetueshme, emigranti mbetet i varfër dhe i vuajtur, dhe jo vetëm për vendin e huaj, por edhe për Shqipërinë. Sado që emigranti shqiptar është marrëzishëm kursimtar kudo që jeton, kamja i mbetet gjithnjë ëndërr. Jo-emigrantin shqiptar paragjykues që në fakt pret instinktivisht të shohë një “të jashtëm” nëpër rrugët e Tiranës, me lëkurë të kuruar, të sigurt ekonomikisht e të rafinuar në stil, pamja e emigrantit të ardhur në Shqipëri për pushime apo për hall, e befason, madje edhe e irriton. Sigurisht që jo-emigranti nuk bën krahasime me gjendjen paraprake të emigrantit. E pse t’i bëjë?! Ai ka sy në ballë dhe realiteti flet vetë! Atij vetë brenda Shqipërisë i duket se ka përparuar më shumë, ka një dyqan që e jep me qera, sido që vetë s’ka punë, ka shoqëri, kafen e mëngjesit e pi në klub, nuk para lodhet fort, është rrumbullakosur, dhe nga pasqyra i duket se rrobat firmato i rrinë shkëlqyeshëm. Po ky dreq emigranti, si s’u bë njeri pas kaq vjetësh jashtë?! Pse shkoi fare jashtë?! Jo-emigranti ka të deformuara jo vetëm pritshmëritë ndaj emigrantit, por edhe perceptimin për veten.

***

  1. Është bërë kurrnac.
  2. Janë fundi i kandarit atje ku janë, por vijnë këtu e të shesin edhe mend, pale!
  3. Janë më keq se këta çeçenët e këtushëm.

Të treja shprehjet e kanë bazën në keqperceptimet që përmenda më lart. Emigranti që e fiton me shumë mundim paranë, e ka edhe më të mundimshme ta prishë atë; dhe emigranti e di mirë se, po të mos kishte nevoja të caktuara që e bënin të vinte në Shqipëri, as nuk do i diskutonte fare pushimet. Disa nga argëtimet e emigrantit, sido qoftë, nuk e marrin parasysh këtë konditë. Patriarkalizmi dhe provincializmi vdesin të fundit. Ndaj kur emigranti nga fshati djeg shaminë jashtë dritareve në vargun e makinave të dasmës që derdhen me hare kitsch nëpër rrugët kryesore të Tiranës me kameramanin që filmon harenë nga mbrapa, qytetari i Tiranës fyhet edhe më shumë sesa nga cingunllëku i emigrantit.

Për tiranasin, qoftë edhe atë që sapo është rehatuar në Tiranë, emigranti i ardhur që “ta shpif” me performancën e vet katundareske, është zaptues, s’ka vend në qytetin tonë kozmopolit. A nuk mund t’i ndalohej fare hyrja në të? Mentalitetet ndryshojnë tepër ngadalë, nga të dy krahët. Po të udhëtosh me emigrantë nëpër avionë e autobusë, e dallon menjëherë origjinën e emigrantit, dhe jo vetëm nga gjuha, por edhe nga sjellja e nga pamja. Emigrantët e vonë dhe ata më pleq, e tregojnë këtë “moshë” në çdo lëvizje. Brezat e rinj, sidomos ata që shkollohen mirë apo që lindin fare larg fshatit të vuajtur të origjinës, e tregojnë më pak ose aspak.

***

  1. Shqipoja e ruan gjuhën e traditën!
  2. Është ftilluar, edukuar, zbukuruar dhe ke qejf ta dëgjosh kur flet… është bërë për së mbari!
  3. I ka në terezi ai punët e veta. Ka ikur e ka shpëtuar… Ç’të bëjmë ne, thuaj!
  4. Është bërë ndryshe, si i hutuar e sikur ka rrëshkitur pak!

Ndërsa ky grupim jo dhe aq homogjen, ndryshe nga dy grupet më parë, nënkupton ose barazi në nivelin e emigrantit dhe jo-emigrantit dhe një farë solidarizimi, ose perceptim të emigrantit si superior që herë shprehet me admirim e herë si sulm paksa inatçor ndaj tij. Nga ky vështrim, psh, tradita shqiptare që emigranti vazhdon ta mëtojë nga larg, jo vetëm shihet si pozitive, por akti i emigrantit vlerësohet si superior, idealist e atdhetar.

Por, tamam këtu emigranti shqiptar duket se nuk e justifikon besimin e jo-emigrantit.  Pavarësisht se emigrantët ruajnë lidhje të ngushta me familjet brenda Shqipërie, personalisht mendoj se jemi një grup lehtësisht i asimilueshëm sot. Ndryshe nga grupe të tjerë emigrantësh, si p.. kinezët që bëjnë një jetë kolektive etnike shumë intensive, shqiptarët e Shqipërisë nuk janë aq të lidhur dhe nuk i mbledh dot si grup as një institucion fetar. Lexoja një studim ekstensiv krahasues sociolinguistik të kryer nga Guus Extra dhe Kutlay Yagmur për minoritetet imigrante në Europë, nga i cili rezulton se minoritetet që e kanë ruajtur më pak gjuhën e vet në emigracion, janë: polakët, në vend të parë, dhe shqiptarët, në të dytin. Unë sinqerisht u befasova nga e dhëna, sido që arsyet që është kështu nuk mungojnë.

Rastet kur emigranti shihet pozitivisht e si i prosperuar lidhen me faktin se një pjesë e mirë e emigrantëve kanë punë në vendet ku janë, kanë një lloj sigurie financiare e shëndetësore, dhe pensione, sido që modeste. Ata sot i kanë fëmijët të shkolluar apo nëpër shkolla, gjëra që jo-emigrantit në Shqipëri i japin halle të vazhdueshme. Shihet në këtë mënyrë sidomos emigranti shqiptar që la Shqipërinë, sidomos qyetet e mëdha, duke lënë aty një punë shumë të mirë, një edukim të admirueshëm dhe kushte materiale të rehatshme (e raste si këto ka plot, sido që nuk janë masive). Ky lloj emigranti, normalisht, ka tani në botë një punë dhe kushte edhe më të mira sesa ato që la në Shqipëri. Admirimi prej jo-emigrantit dashamir ndaj emigrantit, bazohet  sidomos në dinjitetin njerëzor real apo të perceptuar që bart ky lloj emigranti; përndryshe, këtij grupi qëllon që i përplaset në fytyrë fakti që po të mos kish emigruar,  në Shqipëri do kishte prosperuar më tepër. Parë ngushtë, kjo ide e jo-emigrantit mund të jetë krejt e saktë.

Por ky vështrim pozitiv prej jo-emigrantit më analitik, i drejtohet pjesërisht edhe emigrantit të varfër që deri para emigrimit jetonte në fshat, ruante e kujdesej për bagëti apo jepte mësim në shkollën e fshatit, i mungonte uji dhe banja brenda shtëpie, nuk imagjinonte dot as mundësinë për t’iu afruar Tiranës, e jo më kryeqyteteve të botës. Plot prej tyre sot punojnë fort në Amerikë e Evropë, ndihen krenarë për punët që bëjnë edhe kur janë të thjeshta, kanë shkolluar fëmijët dhe kanë avancuar në klasat e mesme të shoqërisë, dhe reflektojnë një respekt të ri e të risemantizuar ndaj vetes dhe shoqërisë.

Pakënaqësia ndaj emigrantit të këtyre grupeve shprehet ndonjëherë edhe si një farë admirimi xheloz ndaj fatit të mirë të tjetrit “që ka shpëtuar” përballë fatit të keq të jo-emigrantit, dhe herë të tjera si kritikë ndaj një mënyre të re të sjelli të emigrantit, një lloj distancimi nga ngjarjet apo njerëzit përreth, një lloj psikopatie apo ikjeje nga fiqiri. Besoj se këto lloj sjelljesh janë të shpjegueshme me një lloj ndryshimi real të emigrantit nga influenca e mënyrës së re të jetesës në vendin pritës, me faktin që në vendin e ri shqiptari mësohet për herë të parë me vetminë dhe idenë e të qenit askush, ide që nuk e njihte as në lagjen e fashatit e as në atë të qytetit ku jetonte, ndaj edhe mëson të distancohet nga tjetri dhenga një lloj diskursi ngjitës. Pork y ndryshim nuk kalon pa u vënë re e gjykuar nga jo-emigranti. Por mund të jetë vërtet edhe rast i një lloj rënieje në depresion apo  “shkarjeje” psikologjike. Jo të gjithë emigrantët kanë jetë të qeta e të lumtura, rrethe sociale, dhe, në emigracion atë lloj jete do ta përballosh e do t’i gjesh zgjidhje në vetmi e pa ndihmë nga farefisi apo miqtë.

Nuk ka dyshim që përgjithësimet mbi emigrantët shpesh janë të pasakta ose vetëm pjesërisht të sakta, dhe pikësëpari, sepse nuk bëhet fjalë për një grup aq homogjen sa pritet e perceptohet, dhe, pikë së dyti, sepse mënyra se si perceptohet emigranti,  është shpesh e painformuar dhe e pathelluar. Sido qoftë, të karakterizuarit e grupit të emigrantëve si të tillë, është në vetvete faktor unifikues, dhe dëshmon krijimin e dy entitetve me distancë në rritje mes shqiptarëve emigrantë dhe jo-emigrantë.  Teksa pritet që kjo distancë reale dhe e imagjinuar të rritet, ndërsa ndërkëmbiment social-kulturore mes dy grupeve të vazhdojnë, është mirë që mediat dhe institucionet të drejtojnë kulturën kolektive në kanale me sa më pak cliché e sa më shumë informacione shpjeguese konkrete, të ilustruara, por të palustruara.

Nuk ka komente

  1. Sic thote me te drejte dhe autori emigrantet nuk jane grup homogjen. Bile mendoj se nuk mund te flasim me per “emigrante”. Valet e medha te emigracionit shqiptar kane perfunduar prej 15 e kusur vitesh edhe pse emigrimi si fenomen vazhdon. Kemi te bejme me shqiptare te natyralizuar dhe te stabilizuar ne vende te huaja, qe bejne “turizem familiar” (vijne per halle te afermish apo per te hequr pashaporten perfundimisht) ne Shqiperi.

  2. Mendoj se eshte ende shume heret te flasesh per fazen qe sheh ti, Eni. Kuptohet qe secili e sheh emigracionin me syzet e njohjeve dhe eksperiencave te veta. Por emigracioni shqiptar eshte larg te qenit i perfunduar. Nuk eshte masiv, por vazhdon, sido qe bota eshte ne krize. Besoj edhe se ka ndryshuar natyre e disa karakteristika, dhe nuk eshte thjesht ceshtje numrash. Po ashtu fakti qe emigranti kthehet rregullisht, cfaredo emri paste ai lloj turizmi, eshte tregues i te qenit ende emigrant. Si i tille emigranti jo vetem sillet, por edhe shihet. Ne Tirane emigranti matet me sy e me meter me shume sesa nje person tjeter cfaredo, si ai emigrant qe eshte tiranas, si ai qe eshte nga fshati.
    Gjithashtu stabilizimi dhe vjeterimi i emigracionit shqiptar jane relative. Mjafton te kalosh nje dy-oresh ne Fiumicino ne Rome, ne vrimen nga ku nisen avionet per ne Tirane, per ta kuptuar se sa e ka kaluar apo jo fazen e emigrantit shqiptari. Kur sheh se si ende i evrsulen autobusit per te hipur te paret, cfare thone e si vijne verdalle ne ate hapesire. Dhe nuk flas per pleqte e plakat qe kane shkuar te shohin kalamajte apo kthehen t’ia bejne “ta” shtepise ne atdhe. Flas per te rinj e te reja qe jetojne prej vitesh ne Itali dhe komunikojne tashme ne italisht me femijet e lindur ne Itali. te mos flasim pastaj per Greqine. Ndjeshmeria e grupeve ndaj njeri-tjetrit per te cilen une flas ne shkrim, eshte gjithashtu tregues qe, sado i pjekur emigracioni yne tashme, ka plot plage qe s’jane bere kore.

    1. E vertete Presje, emigracioni shqiptar nuk ka perfunduar, por ajo cfare doja te thoja eshte qe edhe pse sot kemi akoma emigrim te vazhdueshem nga Shqiperia, emigrimi i sotem nuk mund te krahasohet me valet e medha te emigracionit shqiptar 90-93, 97-99, nga ku presupozohet se kane dale afersisht nje milion shqiptare jashte.

      Pyetja eshte sa persona kane emigruar nga viti 2000-2012. Dhe kete besoj mund ta nxjerrim me deduksion nga shifrat e censusit te kaluar dhe atij te sapoperfunduar me 2012, me rezervat perkatese per gabimet sistematike dhe metodike ne keto numerime. Dhe kur kjo shifer na vihet perpara atehere duhet matur se sa eshte perqindja ndaj emigrimit total nga viti 90 deri me sot.

      Pra na duhet te bejme nje analize se sa eshte raporti i atyre qe kane 15 e kusur vite larg Shqiperise ne nje kohe kur Shqiperia ishte cilesisht nje vend ndryshe ndaj asaj qe eshte sot. Poashtu, a mund ti quajme ata serish me emrin “emigrant” kur pjesa derrmuese e tyre jane stabilizuar qofte nga ana sociale/familiare ashtu dhe ligjore, me nenshtetesi e me rreth social.

      Nje vleresim i “trashe” numerik per kete na e jep dhe dinamika aktuale e remitencave. Nese remitencat zbresin ne menyre konsequente per disa vite do te thote qe grupi i te emigruarve i 10 viteve te fundit nuk eshte aq i madh sa ai i meparshmi pasi nese do te ishte keshtu remitencat duhej te qendronin pak a shume ne balance. Kuptohet, ketu luan rol dhe kriza ekonomike etj por kam pershtypjen qe efekti i krizes mund te zhvishet dhe nepermjet remitencave mund te behet nje arsyetim ne vija te trasha nese emigrantet e rinj jane me pak se ata te vjetrit.

      Ketu ka dhe nje dimesion tjeter statistikor qe i komplikon perceptimet. Ata qe kthehen ne Shqiperi me shpesh jane pikerisht ata qe kane me pak kohe jashte dhe kane akoma lidhje te forta me Shqiperine. Pra ata emigrante qe kthehen me shpesh e percaktojne perceptimin e shqiptareve mbi emigrantet pavaresisht se statistikisht ata mund te jene nje grup i vogel brenda totalit (sic dhe mendoj une se jane). Ndaj nga ana teknike Tiranasit apo kushdo tjeter mund te kene te drejte ti quajne akoma emigrante ata qe kthehen rregullisht por nuk mund te bejne pergjithesime per te gjithe grupin e shqiptareve jashte sepse ajo qe shohin eshte nje kampion statistikor joperfaqesues (“biased”).

  3. Atehere, nese emigranti shihet si nje qenie “mbi llojet” apo ” nen llojet” ne Shqiperi dhe kryesisht ne kryeqytet, cdo mund te thuhej per kendveshtrimin e popullsise ne vendet perkatese te qendrimit te emigrantit? A nuk ngjason me “legjitim” percmimi i te huajve kundrejt ketyre njerezve “te pagdhendur” perkunder percmimit te shqiptareve per bashkeshqiptaret? Vetvetiu, nje lloj pergjigjeje do ishte qe racizmi i te huajve ka motivim racial, ndersa racizmi i vendasve ka motivim socialo – ekonomik.
    Me ka rastisur te takoj shqiptare ne vende te ndryshme te Evropes, qe menjehere vetediferencohen si jo-emigrante, por si “te derguar te posacem”, qe gjendja ekonomike e tyre apo e familjeve te tyre i jep epersine te prezantohen me statusin e jo – hallexhiut, me misionin tu tregojme evropianeve, sidomos grekeve e italianeve, qe ne jemi fytyra e mire e Shqiperise. Sikurse me ka ndodhur te takoj dhe plot shqiptare te tjere, qe ndonese s’kishin statusin e emigrantit ekonomik, ishin me kembe ne toke dhe i perceptojne kontrastet nen prizmin e nje vendi qe eshte ende ne tranzicion.
    Ekziston dhe nje lloj paragjykimi tjeter, ai midis emigranteve shqiptare ne Itali dhe atyre ne Greqi, si dhe mes studenteve shqiptare ne Itali dhe atyre ne Greqi. Emigrantet e Italise kane nje ndjenje superioriteti kundrejt atyre te Greqise, qe justifikohet sipas tyre me superioritetin e kultures italiane ne cdo aspekt dhe “racizmin light” te italianeve. Kesisoj emigrantet e Italise radhiten nder te qyteteruarit ndersa ata te Greqise nder fshataret.
    I njejti paragjykim per keto dy grupime ekziston dhe brenda ne Shqiperi. Dallohet menjehere emigranti i Greqise, se i jep makines keq, ve ne diapazon “kenge jevgjish”, flet greqisht dhe ben sikur s’di shqip, ndersa ata te Italise nuk i kane te gjithe keto kusure se nuk jane te ndrydhur nga Italiani..
    Ne dukje te pare, te gjithe keto skenare tingellojne dhe jane realiste ne nje fare menyre, por analizat e cekta dhe te njenanshme jane te rrezikshme, se prodhojne stereotipe te ngurta dhe denigruese..
    Sic thote dhe Sir Peter Ustinov ne librin e tij per paragjykimet: “beaware stale opinions, dead opinions, inherited opinions, thoughtlessly adopted”

  4. Pikerisht, Ele. Perderisa mes te gjitha grupimeve, ekzistuese apo te vete-krijuara, ka kaq shume shprehje ideologjike dhe praktike te lojes se fuqise e pushtetit, emigracioni dhe emigranti jane konstrukte ende te nxehta nder shqiptaret, dhe prodhojne kulture (kuptime) te re intensivisht e cdo dite. Ne keto kushte them se informimi i njerezve nga pozita progresive eshte menyra me e mire per te zbutur paragjykimet.

    Fakti qe nje apo shume shqiptare mund te sillen keq, duhet ta beje “tjetrin” te kuptoje pse-ne, jo ta quaje ate “kafshe”. Sado te mbeshtetura ose jo nga praktika ekzistuese, paragjykimet si nga shqiptaret per shqiptaret, si nga te huajt per ta, nuk mund t’i legjitimoje askush e asgje.

  5. Persiatja ime rreth “racizmit te legjitimuar” te te huajve ishte ne thelb nje kunder-argument ironik, mbasi shqiptaret dhe jo vetem, kane tendencen te kritikojne te tjeret, nderkohe, qe kane nje sens gati inekzistent autokritike. Rralle ndodh te lexoj ne shtypin shqiptar, analiza serioze per emigracionin shqiptar ne bote dhe sidomos ne vendet fqinje.
    Sigurisht, qe piketakimi yne ideologjik eshte i perbashket: racizmi eshte i denueshem, ngado qofte

  6. Ok, jam emigrant i vjeter(prej 22 vjetesh), kur me ndodh te vij ne Tirane gjeja e pare qe me vjen ne mend eshte, jo emigrantet jane inferiore, ne te gjitha kuptimet.Jo vetem krahasuar me ne, por jane inferiore krahasuar dhe me jo emigrantet e para viteve 90. Shqiperia ka pesuar regres te frikshem.

  7. E lexova me vememndje analizen,dhe dua te them se keni shum gabime ne ato qe thoni….ne radh te par ne ishim ata qe u mbajtem me buk juve o te mjer e tani na percmoni.ju vertet u zhvilluat por nga e kunderta..vrasjet,kurvelleku,burokracia,rrushfetet jan te tuajat,mos e harroni.ne vertet jemi emigrant ketu,dhe ka 22 vjet qe nuk ecim perkrah me juve ne shqiperi,po te jesh emigrant,ka shum veshtiresi,qe nga momenti qe hyme ne shtetet fqinj si hajduti nga dritarja,e deri me sot me ket kriz ekonomike,qe mastikon gjith emigrantet.po ku te kuptoni ju,!

  8. Kam 16 vjet ne SHBA DHE KAM MBARUAR INXHINIERI NAFTE, UNIVERSITETI I SHTETIT TE DALLASIT, TEXAS,kam nje rroge shume te mire dhe kam prona dhe ketu dhe ne Shqiperi, me pushime shkoj kudo ne bote biles shpeshere ne Karaibe, kur vij ne Shqiperi njerezit me duken shume here me injorante se me pare, kane marre tere veset negative te EVROPES DHE AMERIKES dhe i kane bastarduar me keq, fillo me veshjen skandaloze te femrave qe dalin pothuajse lakuriq sa dhe kur vene te bkejne buken ne dyqanduhet te dalin si ne parade mode, thonjte si shtriga ne filmin BOREBARDHA dhe me manikyr, sigaret e shtrenjta dhe fundet nga 300 euro, biseda idiotesh kur flet me ta, i mban babi,mami apo dhe ndonje pensionist me leke, DIPLOMATI KANE MARRE ME LEK AO NE UNIVERSITETE FANTAZME PRIVAT, DEGJENERIM,DROGE DHE QELBESIRLLEK NGADO, te huajt po blejne prona dhe keta u hapin dyert duke i konsideruar shpetimtare, dembelizem pa fund dhe snobizem, te tere rrojne me parate e emigracionit, NE HISTORINE E SHQIPERISE NJEREZIT QE E KANE DREJTUAR SHQIPERINE JANE ATA QE KANE JETUAR NJE KOHE TE GJATE JASHTE, SKENDERBEU,ISMAIL QEMALI,ENVER HOXHA,AHMET ZOGU, kjo tregon dhe njehere qe shqiptaet jo emigrante jane shume inferiore dhe te padale

  9. Albatros: Shqiperia ka shume nga ato probleme qe ti permend, por une besoj se ka shume me shume nuanca sesa zia te cilen ti e pergjitheson… ashtu si edhe tufa emigrante paraqitet e gjitha e nuancuar dhe e ndryshme.
    Mua s’me ka qelluar ndonjehere te me keqkuptojne lexuesit kaq sa ne kete shkrim, dhe nuk e kam fjalen vecanerisht per Peizazhet. besoj arsyeja eshte se fenomeni eshte ende i panjohur ne mase, ose njerezit s’e kane vrare ende mendjen qe po krijohet nje armiqesi e re qe reduktohet ne imitime formash klasore, por ne fakt nuk eshte e tille. Sharjet nuk jane problemi im, por me shqeteson fakti qe, kur une perpiqem te them se kjo armiqesi (per te cilen ka precedente popujsh me emigracione sh me te vjetra se i yni) duhet ndalur, emigrantet u versulen shqiptareve qe jane ne Shqiperi duke i share e perdhosur me inat. Ndoshta populli ka te drejte kur thote se nganjehere eshte me mire te mos e ngasesh qenin qe fle. Por une s’le asgje te flere ne paqe, se vete s’kam gjume 🙂

  10. Kundërshtitë e kundërshtimet ndodhin, sipas meje, sepse lexuesit bëjnë lexim të shkallës të parë, pra gjykojnë të dhënat e shkrimit në raport me veten. Gjësendi pa dyshim naive. Por edhe për një arsye tjetër. Fenomeni kapet nga fibra e ndjeshme e autores dhe kundërshtimet e kundërshtitë vijnë sepse asgjë nuk ekziston në gjendje të pastër në « natyrë ». Në krahun tjetër, një pjesë e mirë e emigrantëve janë mjaft të rafinuar dhe fshehin bukurisht opinionin e tyre për pjesën që kanë lënë në « atdheun e dytë », siç thotë më thotë dikush në Amerikë, e cila para disa ditësh më shkruante se shumë vetëve në Tiranë u ka harruar emrin dhe fytyrën, por jo përmasat e prapanicës, sepse kur i qëllon të shkojë atje, do t’i duhet medoemos t’u blejë diçka, se ka hatërmbetje. E kundërta nuk ndodh ndonjëherë.
    Më tej, me sa kuptoj, ka mundësi që termi « perceptim » që përdor autorja, shpreh pak edhe dyshimin e saj për ekzistencën e tij në formë të përgjithësuar. Mbase problemi është më fort i perceptuar dhe ende nuk është konturuar mirë. Personalisht mendoj se ai ekziston si fenomen, por mbase nuk gjen shprehje drejtpërdrejtë për shkak të diferencave kulturore që janë krijuar. Se të qënurit “jashtë” nuk është thjesht një zhvendosje në hapësirë. Se mjafton të ecësh pranë pallateve të Shallavares dhe të ndjesh erën e bodrumeve dhe peshën e asaj arkitekture kaba totalitare, që të krijon ndijesinë se nuk je më shumë se një mi i atyre bodrumeve, ndërkohë që mjafton që edhe një herë në javë të kalosh para Duomos në Milano për të shkuar diku që edhe me aq sa lejon poroziteti i lëkurës ta ndjesh veten element sado i parëndësishëm i një estetike të magjishme.
    Atëhere sa pjesë të vërtete ka në përçmimin e tiranasve ndaj emigrantëve? Këtu duhet bërë një ndarje. Tiranasit autoktonë duhen veçuar. Vërtet ata janë të paktë, por këto pesë shekujt e fundit i kanë vështruar të ardhurit (nga cilado pikë e horizontit) me dashamirësi dhe empati, pa i paragjykuar. Bëj pjesë te ata dhe i njoh mirë.
    Në rastin konkret duhen marrë në konsideratë vetëm “tiranasit e rinj”, pra “les nouveaux tiranas”, të ardhurit. Hitleri, që e studionte mirë këtë fenomen për ta përdorur më vonë, te Lufta ime, ka pasazh ku krahason proletarët dhe intelektualët dhe e varfër të Vjenës së fillimshkullit të shkuar. Thotë se janë klasat që urrehen më shumë me njëra tjetrin, për arsye të … afërsisë që kanë me njëri tjetrin.
    Konkretisht pjesa e tiransve që kërcet dhëmbët me tonalitetet të ndryshme ndaj një pjese të emigrantëve nuk janë tjetër veçse inati i katundarëve të vjetër ndaj katundarëve të rinj. Katundarët e vjetër apo më mirë tiranasit e rinj në dukje nuk e kishin këtë “urrejtje” sa kohë që ata katundarët e rinj qëndronin në katund. I pranonin pa urrejtje edhe kur vinin për ndonjë hall në Tiranë, por me kusht që të ecnin anash mureve, duke fshirë muret, pa rënë shumë në sy. Po qe se kishin sjellë ndonjë kaçile me fiq, i prisnin edhe në shtëpi për ndonjë kafe.
    Atëherë çfarë ndodhi që e ndryshoi këtë “dashamirësi”, pse katundari i sotëm i Shqipërisë nuk është aq i bezdisshëm për tiransin e ri sa ai katundari i djeshëm? E pra, ndodhi një “lidhje e shkurtër”. Për t’i ikur mizerablitetit të jetës prej skllavi të tokës, “katundarët e djeshëm”, pa i marrë leje tiranasit të ri (që sikundër les nouveaux riches russes dhe les nouveaux riches chinois, dinë të gjykojnë vetëm nga pamja e jashtme), emigroi dhe sot, po të njëjtët “katundarë” vijnë dhe i takojnë “les nouveaux tiranas” jo duke zbritur nga Macuklli , por nga avioni.
    Fatkeqësish dhe kjo është vërtetë fatkeqësi, për ta Tirana mbetet përsëri i vetmi shesh ekzibicionizmi i statusit të tyre të ri, por është tamam sheshi i gabuar. Tiransi i ri nuk e duron dot katundarin e djeshëm (se për të ai do të mbetet përjetësisht katundar), të vijë e t’i flasë me zë të lartë te dera e dyqanit, që ky i dyti për ta zotëruar mbase ka ndyer ca edhe duart, në mos edhe moralin.
    Dhe lufta e klasave zbret në terren të ri, tha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin