PARZMORJA PREJ DRURI

Një reagim i sotëm publik i Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani më bëri të mendoj për mënyrën si komunikojnë institucionet publike në atë vend.

Çështja që është bërë shkas për këto shkëmbime – ose pronësia ndaj një trualli të kontestuar – nuk ka lidhje me çfarë do të shkruaj më poshtë.

Përkundrazi, sa kohë që vetë Presidenti, si institucion kushtetues, e paraqet veten dhe riprodhohet si i tillë nëpërmjet ligjëratës së tij, atëherë karakteristikat e kësaj ligjërate, dhe të institucionit vetë, janë më të rëndësishme se çështja e truallit në fjalë.

Nuk dua të paragjykoj këtu as të drejtën e Presidentit për të reaguar publikisht; as mundësinë që e vërteta mund të jetë në anën e tij – por vetëm të analizoj disa efekte të ligjëratës presidenciale, siç e shohim të artikuluar në deklaratën e sotme të cituar në vijim, pak të shkurtuar dhe me disa theksime të miat, arsyet e të cilave do t’i sqaroj më tutje.

Sot, përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit të Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike.

Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë.

Ky akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit.

[…]

Presidenti i Republikës, lidhur me të njëjtin problem, i kërkon gjithashtu Zotit Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste propozuar nga shumica e re për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit.

Institucioni i Presidentit të Republikës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet, nuk mund, dhe nuk është përfshirë kurrë në luftën politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

Presidenti i Republikës i siguron qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast përmbushjen e detyrave kushtetuese, sado të rrejshme qofshin shpifjet, dhe sado të ulëta dhe të padenja shantazhet.

Teksti i mësipërm është patetik, në të gjitha kuptimet e fjalës; dhe në gojën e institucioneve, teksti patetik merr trajtat e çka e kanë quajtur langue de bois, ose gjuhë të drunjtë.

Natyrisht, Presidenti Nishani nuk është as zyrtari i parë, as i fundit, që përfundon në rapsod të shqipes së drunjtë; por në deklaratën e tij ka një përqendrim kaq toksik të kësaj karakteristike, sa të tërheqë menjëherë vëmendjen.

Një karakteristikë e kësaj shqipeje të keqe është përdorimi i epiteteve pleonastike, ose të tilla që veç rimarrin elemente kuptimore të emrit që i bashkëngjiten.

Këto epitete si rregull, nuk shtojnë ndonjë informacion për emrin që shoqërojnë; e megjithatë ato luajnë brenda tekstit rol më kritik se emrat përkatës.

Kështu, shpifjet quhen të neveritshme, ose akt i turpshëm; sulmi antikushtetues i rëndë; terrori ndaj familjes së Presidentit është psikologjik; Presidenti zotohet se do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast përmbushjen e detyrave… sado të rrejshme qofshin shpifjet, sado të ulëta dhe të padenja shantazhet.

Tani, meqë shpifje të paneveritshme nuk ka; as sulme antikushtetuese të lehta; as terror që të mos jetë psikologjik; as një president mund të vazhdojë diçka duke u ndalur; as shpifje që të jenë të parrejshme; as shantazhe të larta dhe të denja; atëherë kuptohet se këto kravata stilistikore kumtojnë  më shumë gjendjen shpirtërore të subjektit të tekstit në fjalë, të cilin nuk mund të mos identifikojmë me vetë Presidentin e Republikës.

Me fjalë të tjera, z. Nishani kërkon t’i tregojë publikut se është shqetësuar dhe indinjuar shumë; që mund edhe të jetë ashtu – por shqetësimi i z. Nishani, si personi që trupëzon institucionin e Presidenti, nuk mund të jetë argument për temën në fjalë.

Përdorimi i epiteteve pleonastike, ose edhe ai atyre klishé (akuza të paqena, hedh poshtë me përbuzje dhe neveri, etj.) karakterizon zakonisht ligjërimin autoritar, dhe veçanërisht atë totalitar; në të cilën teksti që i jepet publikut për konsum synon jo aq të informojë, sesa t’i tregojë publikut tonalitetin e reagimit shpirtëror, ose t’i diktojë si duhet të reagojë emocionalisht ndaj problemit (me neveri, indinjatë, etj.).

Të tillë gjuhë e lexon sot e kësaj dite në komunikatat për shtyp të ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut – ku epiteti gjithnjë e mbyt informacionin, ose vetëm sa e përdor për t’u kacavarur në paraskenë të tekstit.

Ka edhe më – mania për t’i shoqëruar fjalët kyçe në tekst me epitete emocionalisht të ngarkuara tregon, ose më mirë tradhton, faktin e trishtuar se këto fjalë kyçe, së paku në tekstin në fjalë ose në vetëdijen gjuhësore të subjektit që e përfton tekstin, e kanë humbur një pjesë të mirë të kuptimit.

Kështu, nëse ekziston nevoja për ta quajtur shpifjen “të neveritshme” dhe “të ulët” e “të rrejshme”; ose për të theksuar se po hedh poshtë “me përbuzje dhe neveri” (khs. absurditetin e “me përbuzje, por pa neveri”); ose për ta cilësuar sulmin antikushtetues si të rëndë, ose shantazhet të ulëta dhe të padenja (po kur kanë qenë ndonjëherë të larta dhe të denja shantazhet), atëherë të gjitha këto shpifje, akuza, akte, sulme, shantazhe rezultojnë të dobësuara tashmë kuptimisht, të zbehura nga kuptimi; nëse kanë qenë dikur plumba, tani janë konsumuar nga retorika e pështymës, për t’u katandisur në gëzhoja.

Dhe më tej akoma, ky inflacion epitetesh dhe ky leksikalizim elementesh semantike në një tekst kaq të shkurtër dëshmon se subjekti, ose z. Nishani, është i pasigurt për çfarë shprehet dhe kërkon të thotë.

Vëreni, për shembull, paragrafin e parë:

Sot, përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit të Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike.

Ky paragraf nuk argumenton asgjë; por veç sa luan rolin e çelësit të solit në partiturë, duke diktuar një tonalitet. Pretendimet e palës kundërshtare quhen menjëherë shpifje të neveritshme dhe të përsëritura, para se të thuhet, në paragrafin vijues se “familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë.”

Në po atë paragraf hyrës, akuzat quhen të paqena dhe lidhja në pronësi cilësohet si e ashtuquajtur. Për nga pesha argumentative, ky paragraf është naiv, madje duket sikur është shkruar nga një fëmijë, të cilit fakti që ai është indinjuar i duket arsye e mjaftueshme për t’i dhënë gjithë bota të drejtë.

Pasigurinë e nxjerr në dukje edhe një shprehje e tillë si [Institucioni i Presidentit] deklaron me vendosmëri, në një paragraf më poshtë, a thua se ekziston përnjëmend mundësia që ky institucion të deklarojë pa vendosmëri.

Që Presidentit i kanë ardhur akuza nga e majta, kjo është e vërtetë dhe kaq do të duhej thënë në deklaratë, duke shtuar se këto akuza nuk kanë bazë, sa kohë që marrëdhënia e pronësisë që ato përsiatin nuk ekziston.

Tani, mund të ndodhë edhe që Presidentit t’i duken këto akuza shantazhe, por teksti i deklaratës nuk bind për këtë; dhe në qoftë se teksti nuk argumenton dot pse akuzat janë, në fakt, shantazh, atëherë lexuesi nuk bindet as për arsyet pse Presidenti i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të nisë hetimet (ose “procedurën e hetimit penal” – gjuhë kompensatë) ndaj këtij shtantazhi.

Shantazhi, në kontekste të tilla formale, ka kuptim të caktuar, që ndryshon nga ai i sulmit, i akuzës dhe i shpifjes. Përkundrazi, vetëm në retorikën e mediave fjalë të tilla janë të ndërkëmbyeshme, duke u reduktuar kuptimisht në një “akt verbal armiqësor të dikujt kundër dikujt”.

Institucioni i Presidentit duhet t’i flasë publikut në mënyrë më precize; për ç’arsye edhe është përforcuar me këshilltarë juridikë dhe të tjerë të fushës së komunikimit. Në aspektin juridik – ku kemi hyrë dashur pa dashur, sa herë që kemi ftuar në valle Prokurorin e Përgjithshëm – sulmi është sulm, shpifja shpifje, akuza akuzë dhe shantazhi shantazh.

Për gjithë sa më lart, mua deklarata e Presidentit të Republikës, z. Nishani, më jep përshtypjen e një thirrjeje të dëshpëruar për solidaritet, nëpërmjet nxitjes së emocioneve të thjeshta; madje të emocionit më të thjeshtë që karakterizon komunikimin publik të ndërmjetësuar nga mediat: indinjatës.

Pa folur pastaj për teknikën tipike të gjuhës së drunjtë totalitare, për t’iu përgjigjur sulmit me sulm, dhe akuzës me kundërakuzë; meqë gjithkush, madje edhe lexuesi më i pavëmendshëm, do të vërë re se z. Nishani, në këtë deklaratë, akuzave që i ka bërë një palë politike u përgjigjet jo duke shpjeguar pafajësinë e tij ose të familjes, por duke i quajtur ato akuza “shpifje të neveritshme dhe të përsëritura”, “sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik”, që “synon të terrorizojë psikologjikisht”, dhe “fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë kundër Kreut të Shtetit” – ose me një kundërakuzë që, sikur të qëndronte, do të përbënte vepër penale më të rëndë se ajo për të cilën është akuzuar vetë Presidenti nga pala akuzuese.

Pa folur as për faktin që z. Nishani – ose Kreu i Shtetit ose Institucioni i Presidentit, nuk ka as dyshimin më të vogël se po i bëhet shantazh, po pengohet të kryejë detyrën, po terrorizohet psikologjikisht etj.; prandaj nuk e shtron çështjen në mënyrë deliberative. Ai i drejtohet publikut për ta informuar jo për problemin, por për gjendjen e tij shpirtërore – a thua se kjo ka vërtet interes dhe meriton vëmendjen e institucioneve të tjera, ose të publikut vetë.

Presidenti Nishani flet kështu jo si president, por si një njeri çfarëdo, i kapur në darën e forcave më të mëdha se ai, dhe që nuk ka rrugë tjetër, veçse t’i apelohet vullnetit të mirë të publikut.

Ky është efekti i klishesë, natyrisht; ose, nëse duam, ka lidhje me faktin që Presidenti i Republikës nuk tregon kujdesin e duhur për të qenë presidencial, në daljet e veta; dhe me mënyrën si artikulohet e paraqet veten si viktimë dhe kërkon, dashur pa dashur, simpatinë e të tjerëve.

Këtë skenar të keq komunikimi, kur një palë e akuzuar hidhet menjëherë në një monolog prej viktime dhe pastaj kundërakuzon menjëherë, po e shohim të përsëritet nga një konflikt publik në tjetrin; edhe pse nuk kemi parë asnjëherë që një konflikt publik të zgjidhet duke adoptuar modelin në fjalë.

Përkundrazi, skenari duket sikur veç sa i riprodhon palët në konflikt; duke krijuar mes tyre një zonë akuzash të përgjithshme, të papërgënjeshtrueshme, dhe të formuluara me një gjuhë të tillë që ia bllokon publikut proceset e të menduarit kritik. Është një teatër që synon të topitë, jo të nxitë pjesëmarrjen; ta mpijë arsyen, në vend që ta aktivizojë; dhe, në fund të fundit, t’i mbajë konfliktet gjallë, duke i nxjerrë nga kontekstet konkrete, praktike, për t’i çuar në një sferë abstrakte, ku fjalët ndërrojnë vendin mes tyre, njëlloj si edhe palët.

Nuk ka komente

  1. “Presidenti Nishani flet kështu jo si president, por si një njeri çfarëdo, i kapur në darën e forcave më të mëdha se ai, dhe që nuk ka rrugë tjetër, veçse t’i apelohet vullnetit të mirë të publikut.”

    Xha-xha, te ishte per “vullnetin e mire te publikut”, keta faresoj krijesash nuk do te ishin as roje bostani dhe Jari e di kete, por kapacitetin e intelektit e ka te limituar deri ne kufirin e homo erectus, ndaj edhe duhet ta mirekuptojme.

  2. Fatkeqësia është që Presidenti aktual i Republikës nuk këshillohet nga njerëz të ditur. Dhe nuk është fjala që të jenë gjë shumë të ditur. Mjafton një mendje e shëndoshë dhe një shpirt bashkëkohor që t’i shpjegojë Presidentit, që nuk mund të flasë siç ka folur.

    Ky njeri duket krejtësisht i paaftë për për të kuptuar edhe gjëra elementare, si për shembull, që ti qofsh kush të duash e mbajtsh veshur çfarëdo ofiqi që të ta marrë mendja, por hapësira publike të takon ty, por dhe më takon edhe mua, kështu që të lutem shumë, mos e ndot me performanca të tilla banale të një niveli kaq të ulët, pa logjikë e arsye, sepse ti vërtet që mund të jesh ai që je, por ne të tjerët kemi nevojë për një higjienë tjetër në mjedisin ku realizojmë përditshmërinë tonë sociale e civile.

    Që një njeri i tillë përfaqëson shtetin shqiptar sot është një fakt shumë i trishtuar, ndërkohë, fakti që ai beson se vërtetë mund të mbajë gjallë një diskutim publik duke u shërbyer në gjuhën boshe, tregon nivelin mizerje të elitave shqiptare.

    Ku janë ata 200 intelektualët e pavarur, që nuk linin rast pa dalë me deklarata për të dënuar diktaturën, që nuk i shkruajnë një letër publike kësaj mumjeje e t’i kujtojnë, që nuk i ka borxh gjë njeri, që t’i hapë barkun kur shprehet publikisht në këtë gjuhë dhe që posti që ka kërkon arsye e jo potere.

  3. Që kur, në vend të “institucioneve”, na takon të merremi me “mostra institucionale”, kjo rrëshqitje e të ashqutuajturit Nishan-presidentit, është e pritshme. Nga ana tjetër ajo që për mua përbën problem, ndër të tjera, është pritshmërisa e ulët se Nishani e shokët e tij të armëve do të sillen saktësisht kështu, duke zhbërë një sërë filtrash kritikë për mënyrën se si një institucion i përgjigjet një institucioni tjetër. Kështu mënyra se si një institucion me natyrë thellësisht politike (si ministri apo deputeti) i drejtohet kundërpalës, ndryshon nga mënyra se si mund dhe duhet, dhe i lejohet të reagojë një institucioni garancie si Presidenti i një republike parlamentare. Dhe në rastin e sistemit kushtetues shtrema shtrema shqiptar, qëllon që Presidenti të jetë konceptuar kryesisht si organ garancie, krahas Gjykatës Kushtetuese, le të themi. Ai filtron, ose supozohet se do filtrojë ligjet, emërimet e caktuara, apo propozimet që i njeh Kushtetuta kryesisht nëpërmjet kriterit ligjor dhe kushtetues.

    Ndoshta po i jap më shumë kredit se sa duhet atij biçimi që i thotë vetes President, me gjithë shpurën e horrave që e vunë të funksionojë si marionetë dy lekëshe ndër mekanizmat aq thelbësorë kushtetues. Por nga ana tjetër, dikush që mbulon një rol aq esencial, e aq teatralisht, e të cilin në kronikat pa skandale të tepërta, e referojnë thuajse seriozisht si “President”, meriton të përballet me modelin origjinal të konceptuar nga inxhinieria kushtetuese. Për këtë, po i referohem mendimit të doktrinës klasike, që qartësisht jep idenë e kuptimit të komunikimit publik të Presidentit, hapësirën, arsyet dhe kufizimet e një presidenti të konceptuar në një republikë parlamentare, ku Presidenti karakterizohet pikërisht nga të qenit i barazlarguar, mbi palët, vizionar, e të tjera të llojit.

    Kushtetuta e ka pozicionuar Presidentin e Republikës jashtë tre pushteteve themelore të shtetit. Ai i ushtron kompetencat e tij jo si organ i këtyre pushteteve, por si Kryetar i Shtetit, arsye pse në doktrinë është identifikuar si pushtet presidencial autonom, i karakterizuar nga funksionet e lidhura me të, të cilat nuk nënkuptojnë asnjëherë një pjesëmarrje të drejtëpërdrejtë të Presidentit në veprimtarinë e drejtimit politik (pushtet neutral).

    Kompetenca e esternimit (shprehjes publike të mendimit) është përdorur me më shumë ose më pak intensitet nga presidentët e Republikës, në varësi të mënyrës se si e kanë kuptuar ushtrimin e funksioneve të tyre. Para së gjithash, ai duhet të shmangë përdorimin e formave të shprehjes të ndryshme nga mesazhi (si psh. kur i drejtohet Kuvendit kur kthen ligje, ose kur përshëndet një legjislaturë të re). Çdo shprehje e mendimit presidencial që mund të shprehet me mesazhet e kthimit të ligjeve ose me mesazhet drejtuar Kuvendit do të duhej të konsideronte se kompetenca e shprehjes së Presidentit lidhet ngushtë me ushtrimin e funksioneve të tij dhe me pozicionin e tij si përfaqësues i unitetit kombëtar. Kjo do të thotë se ai mund ta ushtrojë kompetencën me rastin e ushtrimit të këtyre funksioneve.

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk është organ i drejtimit politik dhe prandaj mesazhet drejtuar Kuvendit, fjalimet e mbajtura në atdhe apo jashtë shtetit në rastin e një udhëtimi zyrtar, fjalët përshëndetëse drejtuar forcave të armatosura apo Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ligjërimet, intervistat apo deklaratat për shtyp, ndërhyrjet në televizion (përveçse kur janë thjesht rastësore, si një mesazh urimi) dhe çdo formë tjetër atipike e shprehjes së mendimit që ka ose mund të ketë reflektime politike, duhet të gjejë një përdorim të kufizuar, sidomos kur Kryetari i Shtetit mund të arrijë të njëjtin rezultat duke përdorur format tipike (mesazhet) në të cilat zhvillohet marrëdhënia e tij me organet e drejtimit politik (Kuvendi dhe Qeveria).

    Edhe si përfaqësues i unitetit kombëtar Presidenti gjen kufizime në shprehjen e mendimit të tij. Në fakt, Presidenti nuk mund të ndërhyjë nëpërmjet formave atipike të të shprehurit, në mos vetëm kur e bën me kujdes të jashtëzakonshëm, për të shmangur mundësinë që shprehjet e tij dhe gjykimet e tij t’i tingëllojnë me nënkuptime opinionit publik si dënim për organet e drejtimit politik ose të mund të interpretohen si mosmiratim i sjelljes së tyre.

    Kjo, ndërkohë që Nishan-ziu e të tijët e ngjashëm, i drejtohet pa pikë filtri mazhorancës wanna-be, si për t’i dhënë dorën e fundit skizofrenisë kolektive të paqenësisë së shtetit, me të cilin bëjmë si bëjmë, bashkëjetojmë dhe e referojmë përditë.

  4. Xaxha. Nishani eshte kaq mjeran sa, duke pare staturen tuaj intelektuale, me duket se po humbisni kohe. Eshte krejt i padenje per ate post qe mban. Nuk flas per problemet fizike, por per ato shpirterore. Shqiperia eshte ne dite te keqe dhe do jete edhe me “grupin e te rinjve” te qevrise se rè qe nuk kane pike dashurie per ate vend.
    Urime per artikullin.
    Andrea Nikaj – rome

  5. Presidentet shqiptare te deritanishem nuk jane njohur ndonjehere per ndonje stature apo personalitet te vecante, po ky eshte kulmeve. Cuditeterisht si minister nuk ishte fare qesharak, njeri me te papershtatshem per kete detyre nuk mund te kishte. Nje figure fizikisht jo domethenese, pa karizem, me fjalor te varfer dhe shkollim dukshem te dobet, ndoshta perfekt per minister policie, por jo per kryetar shteti.

  6. Reagimi i Presidentit shqiptar është edhe i shpërpjestuar në krahasim me sulmet që i janë bërë, duke i dhënë kështu indirekt më rëndësi seç kanë në të vërtetë. Sipas gjasës, “shkëmbime zjarri” si këto, edhe pse në fushën mediatike, kanë synimin të zbulojnë pozicionet e kundërshtarit. Jemi në kohë tranzicioni të pushteteve, kohë ripozicionimesh, ndaj edhe provokime si akuzat e përmendura e kanë një kuptim, meqë duan të zbulojnë koordinatat e sakta politike. Në rast se është kështu, forma e përgjigjes së Presidentit është dyfish gabim, sepse dekonspiron më shumë seç duhet. Ndërkohë që nga lartësitë e Institucionit që Ai përfaqëson, përveç fjalëve të pakta e të sakta, ekziston edhe opsioni i përgjigjes me heshtje. Që ndoshta do të fliste edhe më shumë, ndaj akuzave mjerane, gjithnjë nga pikëpamja formale, që i bënë.

  7. Zgjedhja e atij Presidenti eshte fyerja me e madhe qe Berisha i beri atij vendi. Tregoi nje mungese totale respekti per popullin dhe shtetin shqiptar.

    Te tjerat jane pasoja.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin