LAJME, KUMT, MË KOT

nga Paskal Stafa

Mes nesh dhe asaj çka ndodh vërtet, në proporcion të zhdrejtë me largësinë prej saj, është lajmi. Herë si dylbi apo teleskop, nëse e vërteta është larg e nuk e shohim me sy të lirë, herë si mikroskop kur atë vocërrake nuk e shquajmë dot, herë si pasqyrë ku duhej të shiheshin jonarcisët, herë si tejduk për antipodët e tyre, që ngjajnë kështu si manekinë vitrinash për të tjerët; herë në formë ekrani, ku mëtohet të jepet 1 me 1 ngjarja e stërmadhe krahasuar me të, herë në formë të shkruar, ku është edhe më e vështirë të ruhet ky iluzion verbalisht, e herë në formën vesh më vesh a tavolinë më tavolinë, më së shumti kafeneve, ku shkëmbehen thashethemet, formë kjo e paqëruar, bruto, e drithit me të cilin furnizohen stallat e redaksive, apo edhe si ripërtypje e tagjisë që u ofrojnë publikut me çmim të ulët këto të fundit. Në rastin më të mirë lajmëtari, e për pasojë dhe kumti i tij, do të ishte një sy ndërmjetës midis shikuesit dhe ngjarjes, një Argus i ndershëm që dëshmon të vërtetën, me shkrim, me zë a me figurë qoftë. Në atë më të keq, për të mos thënë: më të ligun, ai është pasqyrë e thyer, që shformon kë e sheh a shihet, apo kaleidoskop që të tregon simetri të paqena të botës.

Po duhet bërë dallim mes lajmit dhe kumtit. Jo çdo lajm ka kumt e jo çdo kumt qenkësh i ri, cilësi pa të cilën lajmi nuk do të ishte dot; pa freskinë që ka ngjashmëri me bukën, nga e cila hamë edhe më shumë, sa më e ngrohtë të jetë. Ndërsa kumti është më të shumtën i vjetër, pothuajse bajat; kasnecët e tij përsërisin njëri-tjetrin nga brezi në brez dhe atë e dinë pothuajse të tërë: diç si urdhëresat e Moisiut, që ua mësojmë fëmijëve, si alibi ndoshta për mosvënien e tyre në jetë. Sa më dendur ndodh kjo – përfundim privat imi i pavërtetuar ky – aq më shumë lajme kemi e gjith‘ e më pak kumt, pasi ky i fundit, ardhur tek njeriu zakonisht drejt e nga hyjnia, pra nga zona parajsore, synon kohën e palajm, ditët kur nuk ndodh më asgjë, gjë që do i zhgënjente shumë vuajeristët e tragjedive që u ndodhin të tjerëve, për të patur kështu bazën e krahasimit „se ka edhe më keq“, burim ky i një, në mos i Schadenfreude, të paktën i një lumturie mohuese. Se me se do të shtyhej dita, ta zemë, e një bashkëkombësi të papunë, apo në punë të qeverisë, nëse në studion e mëngjesit, apo në „edicionin“ e „news“ të paradrekës, të drekës, pasdrekës, të pasdites, të orës 8, të mesantës do të përballej, për shembull me një palajm të tillë si:

„Të nderuar lexues, dëgjues a shikues qofshi! Sot sërish nuk u bombardua asnjë qytet, nuk u mbajt asnjë miting, asnjë demonstratë, asnjë përdhunim, asnjë fëmijë nuk keqtrajtua, nuk u mbajt asnjë fjalim me rëndësi, asnjë koncert, nuk pati lojra, nuk na u dërgua asnjë lajmërim martese, nuk u shit e nuk u ble asgjë: lista e të pangjarave do të zgjatej kështu pa fund e do të qe aq pa kuptim sikur t‘i shtoheshin zero të tjera një zeroje pas një presjeje. Gjithkush shkoi në punë në punë të tij, disa vdiqën e saktësisht po aq lindën. Me siguri ndodhi edhe bashkëfjetja e zakonshme e çifteve, nga ku edhe rrodhën këta të fundit. Por nuk mund të thuhet se kur ndodhën a nuk ndodhën këto gjëra, pasi kush e di sot e kësaj dite se sa është data? Për pasuesit e Krishtit është viti 2089, për ata të Muhametit rreth 600 vjet më parë, hebrenjtë i shtojnë asaj shifre 5000 e ca vjet , ndërsa për ateistët është dita e sodit një numër, i cili nuk mund të jepet këtu për arsye vendi, pasi pikënisja e tyre është, as më shumë e as më pak, çasti i shpërthimit të madh dhe numërimet, varësisht nga llogaritjet e ndryshme të Big Bang-ut, janë të panumërt, rreshtimi i të cilëve do të ishte po aq pa kuptim, sa edhe shkrimi i zerove i zeros pas presjes. Nga ana tjetër, ka edhe nga ata, të cilëve nuk iu është nxënë qëllimisht matematika e për të cilët numrat, orët dhe gazetat nuk janë gjë tjetër, veçse pengesa në udhën mbrapsht për në fillesën e mëkatit, mbrapsht në rivendosjen e gjendjes fillestare, ku Eva nuk do të mashtrohet nga gjarpri, mashtrim ky që, siç dihet, kish të bënte me pemën e njohjes, që qenkësh, sipas tyre, pema e kohës, vetëdija e saj. Siç ka edhe shumë që thjesht nuk dinë të lexojnë më shkronjat latine, por kirillike, apo dhe hieroglifët aziatikë. E kotë të përmendim këtu edhe analfabetët, që janë, siç merret me mend, më të shumtët. Mund të vazhdohej kështu e të bëhej një listë edhe me të tjerët që mbeten e që, me sa duket, përbëjnë shumicën, të cilët kanë këndvështrime nga më të ndryshmet, por kjo do të ishte e kotë, pasi në kohën që ne do t‘i përshkruanim ato, këta këndvështrime do të ndryshonin, por edhe tonët, fakti ky që do e bënte absurd edhe përshkrimin e tyre, pasi nuk është vetëm relativizimi i kohës që e bën këtë të pamundur; këtu duhet marrë parasysh edhe fjala, vetë këndvështrimi dhe rënia e çfarëdolloj kornize, në të cilat ndodh një ngjarje…“

Deri tani u fol në lidhore, por kjo ndodh përditë. Lajme, edhe kur nuk ka, mund të bëhen. Dhe është shumë e thjeshtë. Për shembull: kryeministri ende në fuqi i vendit shkroi në statusin e tij në Facebook se përparimi i vendit kohët e fundit ka bërë përpara dhe ai është optimist për këtë, ndërsa kryeministri i ardhshëm ka cicëruar në Twitter se, nga shtatori e tutje, do të merren masa shumëplanëshe për çuarjen e vendit përpara dhe do të strukturohen sërish organizatat përkatëse. I pari notoi në Dhërmi dhe goxha shumë, më shumë se vjet; ndërsa tjetri kreu një takim krye më krye më një homolog. Dhe këto lajme nuk është se mund të bëheshin; jo, ato janë bërë tashmë, bëhen përditë e ka gjasa të vazhdojnë të bëhen edhe për shumë kohë. Mungojnë veç gardhet me sallame e lumenjtë me qumësht e verë, për të qenë në Shlafari. Lexo më sipër përse.

Kush ka nge e nerva të ndjekë disa ditë lajmin shqip – në është pastaj ende në gjendje të nxjerrë ndonjë përfundim, pasi, për nga trullosja e topitja, ai ka efekt droge të shartuar me pluhurin larës – do të habitet së pari nga mbidozat që u injektohen të varurve nga media. Prania e politikanëve është halucinogene, përqindja e hedonizmit çartës, sasia e lajmit dhe kotësia e tij komatoze. Në Gjermani të qëllon të mos lexosh, dëgjosh, shikosh për javë të tëra për Merkel-in. Por jo kështu në mëmëdhe. Në mos daltë ndonjë i madh në ditë në ekran, duhet, ose duhet të jetë sëmurë rëndë, ose do të ketë rënë viktimë e ndonjë atentati, ndoshta për „motive të dobëta“. Duke qenë se madhësia, edhe në bashkëfjetje, është relative, ka gjithnjë më pak të mëdhej që presin rastin për t‘u hedhur në front të kamerave, qoftë edhe aspak të mëdhej, por edhe jo të vegjël, deri në rrafsh komune e minibashkie; të çarat mbushen në çdo kohë, në ndodh, për shembull, të jetë sezon pushimesh si tani, ose me analistët, që tashmë janë kthyer, ose, fundja, edhe me „zogun“ e Tunës.

Po kudo kështu është – do të reagonte dikush. – Edhe në Perëndim mediat janë shtëpi publike -. Po, ashtu është. Veçse atje banorëve u paguhet akti. Tek ne bëhet falas, për qejf, më kot. E mu këtu kafshon macja bishtin, gjarpëri gëlltit vetveten, lajmi bëhet kumt e ky është thjesht e veç: kot.

Nuk ka komente

  1. Cdo dite e me teper po qarkullojne dhe lajme fallco pa ansjefare vertetesie dhe nga webe e gazeta Prestigjoze dhe cdo gje behet per te fituar dicka me teper!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin