POPULLI FOLI

Nga e marrim vesh se çfarë dëshiron dikush?

Si rregull, nga çfarë thotë ose shkruan ky dikush, vullnetarisht, ose kur e pyesin.

Po ashtu, mund të mësojmë duke ia vrojtuar dikujt veprimet që bën. Nëse Agushi këput një lule në lëndinë, atëherë me logjikë mund të deduktojmë se Agushi ka dashur të këputë një lule në lëndinë.

Megjithatë, nëse duam edhe të marrim vesh se çfarë do të bëjë Agushi me lulen, do të na duhet të pyesim Agushin vetë.

Edhe sikur ta dimë që ky ka një të dashur ose të fejuar, nuk na lejohet të nxjerrim përfundimin se Agushi dëshiron që t’ia japë lulen asaj.

Fare mirë, ai mund të ketë ndërmend t’ia japë një gomari për ta ngrënë, ose – le të mos e përjashtojmë mundësinë – t’ia japë lulen një femre të tretë, ose fundja edhe Aqifit; ose ta lërë mbi varrin e të ungjit.

Tani, nëse bëjmë një kapërcim nga individi te grupi, çështjet ndërlikohen pak; sidomos kur nuk kemi mundësi të pyesim veç e veç çdo anëtar të grupit.

Kur bëhet fjalë për një skuadër futbolli që luan në fushë, ose një togë ushtarësh në betejë a në parakalim, dëshirat ose synimet e tyre i marrim lehtë me mend; por për grupe më të lirshme rreziku që të gabojmë vjen duke u shtuar.

E megjithatë – se çfarë dëshiron turma e tifozëve që ka mbushur stadiumin mund ta marrim me mend më lehtë se çfarë dëshiron turma e vizitorëve në një panair lopësh.

Sa më e madhe të jetë turma, aq më shumë ndërlikohet mënyra si kjo turmë do t’i bëjë të ditura dëshirat, qëllimet ose synimet e veta.

Zakonisht, turmat a grumbullimet jo të dhunshme pak a shumë bien në ujdi të zgjedhin një zëdhënës, që t’ua përçojë dëshirat.

Po të ngjitemi edhe një shkallë më lart, dhe të mbërrijmë në nivele të tilla si tërësia e banorëve të një qyteti, të shtetasve (qytetarëve) të një shteti, ose pjesëtarëve të një populli a të një kombi, atëherë vullneti i këtyre mund të mësohet vetëm me anë teknologjish të posaçme.

ombrellaZakonisht, kjo bëhet nëpërmjet votës; ndonjëherë edhe referendumit për një çështje të caktuar. E megjithatë, në këto raste nuk është se qytetarët ose bashkëkombasit pyeten se çfarë dëshirojnë tamam; por vetëm u kërkohet të zgjedhin midis alternativave që i kanë caktuar të tjerët, zakonisht individë me pushtet.

Në fakt, duke zbatuar parimin sa të njohur aq edhe të dyshimtë të shumicës, thuhet se qytetarët dëshirojnë këtë ose atë, në bazë të numrit të votave që këta kanë hedhur.

E megjithatë, demokracia nëpërmjet votës (ose referendumit) lejon zgjedhësit/votuesit të përcaktojnë përgjigjen, jo pyetjen.

Kuptohet se nuk ka asnjë mënyrë të besueshme, për të marrë vesh me siguri se çfarë dëshiron masa e qytetarëve ose e bashkëkombasve; edhe brenda një demokracie ideale, ku sistemi i përfaqësimit funksionon përsosur.

Dhe, nëse është kështu, atëherë do të ishte më e arsyeshme të pranonim se këto masa të mëdha njerëzish nuk arrijnë dot të komunikojnë mes vedit në mënyrë të tillë, që të artikulojnë dëshira, synime, aspirata të caktuara.

Një skuadër futbolli kërkon të fitojë dhe është aq e bashkërenduar në fushë, sa të mund të veprojë “si një trup i vetëm” për ta arritur synimin e vet.

Një turmë e uritur që sulmon dyqanin e bukës, organizohet nëpërmjet pranisë së vet fizike dhe thjeshtësisë së synimit që duhet arritur.

Qytetarët e një shteti ose pjesëtarët e një kombi nuk mund të vetorganizohen kështu; por kanë nevojë për struktura të ndërmjetme (p.sh. sindikatat, partitë politike) dhe teknologji të posaçme (votimi, anketat e opinionit).

Edhe atëherë kur këto struktura dhe teknologji funksionojnë mirë, përsëri ato janë të tilla që të vjelin përgjigje; në një kohë që pyetjet dhe opsionet përcaktohen tjetërkund, si rregull nga një pakicë teknokratike.

Jo më kot Anderson i quante kombet “komunitete të imagjinuara” (imagined communities).

Me lehtësi të papërballueshme e ton zëri të sigurt, demagogët u atribuojnë bashkësive të mëdha dëshira, synime, aspirata – kur thonë: “qytetarët shqiptarë duan…; populli shqiptar e tha fjalën e vet…”, e kështu me radhë.

Më budallenjtë e të ndërkryerit prej tyre, kujtojnë se vërtet janë ngarkuar me misionin hyjnor që të përçojnë zërin e masës; të tjerët, që janë norma, manipulojnë duke zëvendësuar kryefjalët.

Çdo fjali që përdor emra kolektivë të tipit “qytetarët, ky popull, Shkodra, komuniteti mysliman, diaspora shqiptare, çamët, gruaja, populli i majtë, Kosova, rinia, etj.” si kryefjalë foljesh që shprehin dëshira, synime, aspirata, qëllime ose vullnet është, ipso facto, e dyshimtë, në mos manipuluese; dhe i përket retorikës manipulative.

Ideja këtu është se manipulatori dëshiron ta ndikojë dhe ta marrë në kontroll opinionin publik, duke u shtirur sikur po e përçon atë. Ky lloj zë-dhënësi veç jep zërin e vet.

Një sistem demokratik përpiqet, me aq sa mundet, që t’i artikulojë këto dëshira dhe synime të individëve që përftojnë masat, duke i faktorizuar a duke u llogaritur emëruesit e përbashkët dhe mesataret; i vetëdijshëm se mund ta bëjë këtë vetëm duke përafruar, me një proces që, në thelb, ka natyrë aritmetike.

Përndryshe, kush kërkon vërtet të njohë dhe të përçojë vullnete “kolektive,” mund ta bëjë këtë vetëm në nivelin mikrosocial, ose të shoqërisë civile.

Nuk ka komente

  1. Që larmia e rrethanave objektive është e papërshkrueshme, kjo dihet. Po ashut dihet që shumësia e shumëllojshmëria e raporteve të pushtetit nuk lejon të jesh gjer në fund analitik. Prandaj filozofia kontinentale (jo analitikja anglosaksone) është në thelb spekullative, për sa kohë merret me qenien e subjektin.
    Se cili komunitet, xhaxha, nuk është i imagjinuar? Apo, cili konstrukt, real a imagjinar, kolektiv a individual është i pathemeluar mbi “mite”? A nuk është njohja e kësaj, dhe sërish vazhdimi i shkatërrim-ndërtimit, pranimi i domosdoshmërisë së kurbanit në themel? I can’t go on, I will go on thotë Becketti kur e kap me moral optimist.

    1. Besoj se komunitete relativisht të vogla janë diçka më tepër se thjesht të imagjinuara. Kam lexuar diku, por s’më kujtohet tani, se madhësia optimale e një komuniteti njerëzish është rreth 150 vetë.

      Që komunitetet e vogla nuk janë thjesht të imagjinuara, ma sugjeron edhe kjo provë thjesht biologjike: sinkronizimi i menstruacioneve në gratë që jetojnë së bashku (http://en.wikipedia.org/wiki/Menstrual_synchrony).

      1. E ke lexuar këtu, xhaxhai: http://www.sciencedirect.com/science/article/pii/004724849290081J

        It is suggested that the number of neocortical neurons limits the organism’s information-processing capacity and that this then limits the number of relationships that an individual can monitor simultaneously.
        When a group’s size exceeds this limit, it becomes unstable and begins to fragment. This then places an upper limit on the size of groups which any given species can maintain as cohesive social units through time.

        Nga abstrakti, kjo. Interpretimi yt xhaxhai është vetëm i pjesshëm, dhe them se nuk shërben si argument për organizimet, më të mëdha, shoqërore.
        Këto, sikundër mund të kuptohet lehtë me pak arsyetim, nuk janë rezultat, sikundër në rastin e komunitetit të majmunëve antropomorfë, të lidhjeve të mundshme që ekzistojnë në një moment të caktuar nën kontrollin e sistemit nervor qëndror të një iinddividi të vetëm.
        Sadoqë në këtë moment nuk mund ta lexoj të plotë studimin e këtushëm, pra nuk e citoj dot, (e kam lexuar mëpërpara) jam i sugurt se nuk gaboj nëse them se: flitet për lidhjet apo relatat që një individ i vetëm i species tonë, me karakteristika të dhëna të neokores trunore, mund të ketë, njëkohësisht, nën kontroll në një moment të caktuar; pra flitet për njëfarë prerjeje tërthore në kohë të raporteve të mundshme, të azhornuara, të monitooruara, që ky individ mund të vendosë me anëtarë të tjerë të gjendur rrotull…

        Por komunitetet asnjëherë nuk kanë qenë ishuj në oqean, pra të vetmuar. As njeriiu nuk është një ishull në oqean. Ai influencohet dhe ushtron influencën e vet… merr dhe jep, sado fizikisht një entitet relativisht mirë i diferencuar.
        Kështu edhe komunitetet apo grupimet nuk janë përfaqësime të lidhjeve të mundshme, të azhorunuara, që një individ i grupimit mund të mbajë me individët e tjerë të grupimit. Po, çdokush nga ne ka një nr të kufizuar, të limituar lidhjesh, por këto lidhje nuk e influencojnë aspak organizmin më të gjerë, si ai i kombit bie llafi. Organizimet më të gjera vijnë nga shkrirja apo mbivendosja e pjesshme e grupimeve më të vogla. Natyrisht brenda grupimeve më të mëdha ka një ndryshueshmëri më të madhe ideshë nga sa ka në një grupim prej 150, meqë e përmendëm këtë.
        Pra, organizimi më i gjerë nuk kërkon medoemos që X në Sarandë të jetë në dijeni të idesë të Y në Kukës, apo të totalitetit të ideve të banorëve të një Republike. Natyrisht mesatarja të shpëton. Mesatarja ka diçka filozofike në brendësi të vet. Nëse ndonjë filozof nuk ka shkruar ende diçka mbi të, them se padyshim do të shkruajnë. Haset kudo… pra koncepti i mesatares.
        Imagjinoni se çdo të kishte ndodhur sikur të ishte “respektuar” mesatarja e Mukjes…
        Gjithsesi, mbërritja në një qëndrim të përbashkët, përftohet nga kalimi në shumë stade dhe procese moderimi dhe pjekjeje të idesë.
        Fillohet nga lagjja, tek qyteti, tek rrethi, tek shteti e pastaj në rang kombi. Madje, në raste të veçanta edhe në rang kontinenti, dhe me pak imagjinatë në rang planeti, e më tej e më tej…

  2. Nuk thuhet hyri ne lufte me Irakun Xhorxh Bushi, por hyri ne lufte me Irakun SHBA. Shtetasit e nje vendi japin konsensusin per qeverisjen ose kane kontrate sociale dhe kjo behet ne menyre te drejtperdrejte dhe ne menyre te brendshme nga te gjitha gjeneratat. Pavaresisht se ti xhaxha e as te paret e tu nuk keni qene athere kur eshte miratuar dhe vendosur kushtetuta e SHBA, ti je pjese e kesaj kontrate sociale pasi e ke pranuar kete ne menyre te “brendshme” dhe nese nuk e pranon, je i lire te largohesh e te jetosh ne ate vend ku ti do. Ne kete sens une nuk e kuptoj cdo te thote qe nje shoqeri e organizuar politikisht nuk mund te kete perfaqesues. Kjo vlen per Komunitetin Musliman, per elektoratin e nje partie, per komunitetin e nje blogu a forumi ne internet etj.

    Komunitetet edhe sikur ta marrim pa kundershti ate qe thote Anderson, jane te imagjinuara pasi pjesetaret e nje komuniteti te madh, sic eshte kombi, nuk mblidhen dot ne nje stadium dhe te shtrengojne duart e njihen personalisht, por nese keta nuk kane dicka te perbashket, le te imagjinojne sa te duan, nuk behen dot komunitet.

    1. Shkruan:

      Ne kete sens une nuk e kuptoj cdo te thote qe nje shoqeri e organizuar politikisht nuk mund te kete perfaqesues.

      Në fakt, ti nuk e kupton ngaqë kjo nuk ka kuptim. Nëse ti kujton se unë kam thënë kështu, atëherë ti kot je lodhur ta lexosh shkrimin tim.

      Shkruan:

      Pavaresisht se ti xhaxha e as te paret e tu nuk keni qene athere kur eshte miratuar dhe vendosur kushtetuta e SHBA, ti je pjese e kesaj kontrate sociale pasi e ke pranuar kete ne menyre te “brendshme” dhe nese nuk e pranon, je i lire te largohesh e te jetosh ne ate vend ku ti do.

      Kjo nuk ka asnjë lidhje me argumentin tim.

      Në përgjithësi, komenti yt pjesërisht nuk ka kuptim, dhe pjesërisht është i helmuar. Dhe meqë m’u drejtove me të dhëna personale (madje më përmende edhe të parët), ki mirësinë të prezantohesh: kush je, me çfarë merresh në jetë, ç’erë e mirë të solli nga këto anë… Jo kështu drejt e në thela, sikur ta ka njeri borxh.

      1. Cili eshte argumenti yt se nuk po e kuptoj? Ajo qe kuptoj une deri tani eshte qe Selim Muca nuk flet dot per KMSH-ne, nje lider partie nuk flet dot per partine e tij e kshu me rradhe. Ne kete menyre atehere del se mund te flitet vetem per familjen ose fisin me e shumta 150 pjesetare. Andersoni flet per kombin si komunitet i imagjinuar nuk e ka shtrire edhe me tej, ne bashkesite fetare, partite politike etj. mesa di une. Nuk eshte se kam ndonje pelqim per ata qe flasin ne emer te popullit, por te pakten atyre qe ja u kemi dhene vete tagrin, mund ta bejne ne emer te institucionit qe perfaqesojne.

        Shembullin ku te permenda ty nuk e kisha tendencioz, mund ta merrja edhe per veten dhe vendin qe jetoj. Nuk e kam problem te dal edhe me emrin tim por ky blog eshte ku shumica me llagape shkruajne.

  3. Agjenti eshte dreqi vete. Dhe sa me e paqarte kryefjala qe prezanton agjentin, aq me mire mund te fshihet politikani. Krahaso p.sh. “Greket nuk i duan shqiptaret” me “Greqia nuk e do Shqiperine”. NJe tufe nacionaliste perpunohet me mire me fjaline e pare sesa me te dyten. Por varet edhe nga si do te prezantohet politikani. Me te dyten, politikani shfaqet si me institucional, me i distancuar nga inatet e vogla, si me objektiv, sikur ka prova.

    Nga ana tjeter, pergjithesimi eshte i domosdoshem ne shume raste, dhe jo gjithnje eshte manipulues. “Shqiptaret i tregojne gjoksin armikut” eshte manipuluese, por “shqiptaret e perdorin buken si ushqim baze ne dieten e tyre” nuk eshte. Pa dyshim qe jo cdo shqiptar ha shume buke, sidomos sot. Por ne te dy rastet, komuniteti mbetet i imagjinuar. Nje zgjidhje gramatikore do ishte perdorimi i vendit ne vend te grupit si agjent. Nuk eshte thjesht figure, por ka kuptim te ndryshem. Psh “Ne Shkoder e hane krapin me recel” do te thote qe shume shkodrane bejne keshtu, por kjo eshte shume me e peshuar si fraze sesa “Shkodranet e hane…” ose edhe “Shkodra e ha…” . Pra lehtesohet disi pesha e paaftesise se folesit per te provuar vertetesine e deklarates.

    Por agjentet e papercaktuar i vlejne me shume atij qe s’ka mjete te vertetoje me saktesi masen e agjentit dhe nuk ka manipulimin si synim te pergjithesimit. Politikani vertet mund te fshihet pas natyres se papercaktuar te agjentit, por pak i intereson kjo ne praktiken e vet te pergjithshme. Atij i intereson pikerisht ekzagjerimi dhe krijimi i kallepit te urryer ose te adhuruar, inferior ose superior. Politikanit nuk i intereson fort arsyeja apo arsyetimi i grupit, por ndjekja prej tij.

    Dhe tani t’i kthehemi kesaj qe po shkruaj une. Po pergjithesoj edhe une e po them vazhdimisht “politikani” dhe kam parasysh nje grup te caktuar qe kryen nje veprimtari te caktuar, dhe qe pergjithesisht karakterizohet nga tipare te caktuara qe shumica e pjesetareve te atij grupi i ndajne sipas perceptimit te pergjithshem. Sigurisht qe ka edhe ketu vend per manipulim dhe per mungese vertetesie. Jo cdo politikan eshte keshtu, dhe jo cdo politikan e perdor publikun. Ka idealiste do thosha une. Por ndoshta keta jane ne ate faze kur ende nuk jane bere politikane. Jane thjesht para-politikane. Besoj se eshte e veshtire te gjendet pika ose niveli i pergjithesismit ose numri i elementeve brenda grupit, ne te cilen fjala pergjithesuese per grupin nderron natyre e behet mjet manipulues. Besoj se nje aspekt i rendesishem ketu eshte qellimi dhe sidomos interesat e drejtperdrejta te folesit.

    Pa folur pastaj qe edhe termat me manipulues qe u referohen kombesive nga shumica e perdoruesve percillen nga foles krejt te paqellimshem e te pandergjegjshem per cfare thone. Termi manipulues hyn keshtu i maskuar ne gjuhen e zakonshme dhe ky eshte momenti kur nje ideologji e caktuar ka fituar.

  4. Me linden disa pyetje duke lexuar shkrimin e Xha Xhait kur citonte Anderson-in: kombet si komuniteteve te imagjinuara.

    Çfarë rëndësie ka nëse e përkufizojmë kombin si një komunitet të imagjinuar? A do te ndryshojë ndonjë gjë? A pengon ky përcaktim, që kjo bashkësi mikrokomunitetesh të jetë e vërtetë dhe funksionale?

    Për aq kohë sa kjo bashkësi e imagjinuar inkorporohet sipas një kontrate kolektive/individuale vullnetesh të lira(vullnetare) duke ndarë të njëjtën narrative, qofte orale, qoftë të shkruar, duke përdorur të njëjtën gjuhë, tendenca natyrale për bashkësinë do të jetë kohezioni, forca e vullnetit kolektiv/individual do të jetë centripete dhe jo centrifugale.

    Elitat(politikanët, intelektualët, paria ekonomike, etj) nëpërmjet institucioneve politike, kulturore, ekonomike, i japin imagjinatës dimensionin material dhe gjeografik, sovranitetin që duhet, duke krijuar mundësisht, harmonishëm kombin-shtet.

    Nëse elitat janë të pjekura, të përgatitura të balancojnë siç duhet raportin midis interesave apo ambicieve private(apo te klikave) dhe të bashkësisë të gjerë, krijojnë për komunitetet e imagjinuara, atdheun që ka një impakt pozitiv në jetën materiale dhe shpirtërore, mirëqenien e gjithë qytetarëve të bashkësisë, që tashmë nuk ekziston më thjesht në imagjinatë.

    Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh deri tash në atdheun e shqiptarëve.

    1. Read me, të lutem mos ma merr si gjykim vlere, por argumenti yt është kulluar fashist; dua të them, nëse e artikulon vërtet, duhet të jesh gati të përballosh edhe pasojat që zakonisht u shoqërohen lëvizjeve politike dhe ideologjive fashiste.

      1. Une nuk po kuptoj Xha Xha? Sinqerisht. Aq me teper qe mendimet qe parashtrova jane ne mbrojtje te tezes te Anderson-it dhe nuk jane aq te mijat dhe as fashiste. Cfare hyn fashizmi ketu xhanem?

        Shikimi i Andersonit eshte historicist dhe teorine e tij e ka mbeshtetur mbi zhvillimet historike te nacionalizmit ne shek. XVIII-XX, levizje qe krijuan kombe-shtete si Franca, Gjermania, Italia, Spanja. ShBA(kombi imagjinar me afer sa s’behet Andersonit), Greqia, Shqiperia, etj.

        Koncepti dhe termi fashizem nuk ekzistonte ne ate kohe. Atehere perse duhet t’i konsiderojme si produkte te fashizmit keto kombe-shtete, qe lane mbrapa monarkite, feudalizmin, kolonializmin dhe ishin mendimi dhe sistemi me avangard dhe progresist politik dhe ideologjik, qe i sherben akoma bashkesise?

        Nuk eshte fashizem, ku vende si Shqiperia, apo me vone ish-kolonite e fuqive te kohes, pas Luftes se Pare apo te Dyte Boterore, kishin te njejtin bazament konceptual dhe krijuan shtete te pavarura e qe sot jane funksionale, sovrane, etj.

        Te njejtat procese qe krijuan shtete solide ne Evrope, dy shekuj me pare, nuk udhehiqeshin nga vlera fashiste te shek. XX, per te projektuar e konsoliduar ekzistencen dhe sovranitetin e tyre.

        Kurse nacionalizmi i sotem, nese nuk eshte akoma fashizem, rrezikon te na kthehet ne nje te tille!

        Si e kuptoj une shkrimin tuaj: eshte me shume rreth rolit demagogjik, falsitetetit te politikanit apo asaj pjese te parise te nje vendi, ne rastin tone te Shqiperise, qe perdor, evokon simbole, shenja, apo koncepte kombetare apo lokale, shpesh pa lidhje dhe te pa aplikueshme, jo perfaqesuese, per te luajtur me turmen dhe ne emer te saj, ne sherbim te nje axhende te caktuar. Vox Populi! Koncepti i Andersonit merret e aplikohet sot jo vetem ne dimensionin kombetar, por edhe per cfaredo axhende tjeter komunitare apo komunitetesh. Mua me duket se kete ka synuar shkrimi juaj. Perndryshe, nuk e paskam kuptuar shkrimin 2xha.

        Mua me duket se nje gje e tille “Vox Populi!” eshte thjesht nje riperseritje e nje zakoni te mocem mijravjecar, kur nuk kishte kombe, por kishte genos apo ethnos, qe udheheqnin edhe nen hijen e perandorive apo monarkive.

        Po e mbyll ketu, thjesht si sqarim, pavarsisht aplikimeve te ?! . Jo per replike.

  5. Edhe dicka qe s’e kam perfunduar me lart lidhur me pergjithesimin ne fjalen “politikani” ne raport me ate “shqiptari”. Cdo pergjithesim qe krijon kolektivitete ka ne vetvete mundesine qe te behet manipulues. Por i pari, shume me pak se i dyti. Ne te parin ka nje tipar real ne permbajtjen e fjales qe i referohet secilit element te grupit qe ndahet nga te gjithe pjesetaret e ketij grupi. Profesioni, qellimi, interesi, modeli i secilit politikan eshte pak a shume po ai, ndaj edhe mund te pergjithesohet sjellja e politikanit tipik. Ne rastin e shqiptarit ajo qe shqiptare te ndrsyhem ndajne eshte shume me pak percaktuese per nje sjellje te caktuar. Ata ndajne si tipar real te perbashket te folurit e nje varianti te caktuar te se njejtes gjuhe, nje ide te imagjinuar e te bere te veten te perkatesise, interesa jo imediate te perbashketa, por kurrsesi mbi bazen e cilesive te tilla nuk mund te percaktosh sjelljen e nje grupi te tille. Mund te thuash qe “akrepi kafshon” sepse eshte ne natyren e akrepit te kafshoje, “politikani ben premtime sa per te marre votat” sepse eshte ne natyren e profesionit dhe qellimeve te tij imediate te beje premtime pa e ditur nese i mban dot, por nuk mund te thuhet “shqiptari genjen”, ose “shqiptaret jane trima” sepse nuk ka asnje baze reale dhe as logjike nje pohim i tille. Nderkaq shqiptaret mund te rrine mire si kolektiv si foles te nje gjuhe apo ndares te nje territori. Dhe kete s’ka nevoje ta dish apo ta masesh. Mundesia per te matur nje tipar vjen gjithashtu ne ndihme ketu. Kur dikush thote se “shqiptaret jane trima”, une ve buzen ne gaz dhe them “bullshit! nga e gjete?” Por dikush tjeter e thote i bindur dhe pa fort qellim manipulues dicka te tille. Trimeria eshte veshtire te matet. Nga ana tjeter, kur thua se “shqiptaret ia dhane voten socialisteve”, pa dyshim manipulon, por me pak sesa po te thuash qe “shqiptaret nuk ia dhane voten socialisteve”. Ketu matja e tiparit ka nje lloj efekti.

    Nje konceptim i tille i alfabetizimit mediatik (media literacy) mua me terheq shume. Por sot ne shumicen e shkollave aplikohet nje lloj tjeter alfabetizimi qe nuk lidhet me njohjen e metodave per te analizuar tekstin ne media, por reduktohet ne analizen e teknologjive dhe perdorimit praktik te mediave.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin