DUARTROKITJET – UDHËZIME PËRDORIMI

nkorea_100_anniv_30Dimë që duhen dy duar për të duartrokitur; sikurse dimë edhe që duartrokitja në kontekste ngjarjesh publike shpreh, si rregull, miratim, mbështetje, simpati.

E shoqërojmë mendërisht me turmën, masën, kallaballëkun; ndoshta ngaqë duartrokitja si teknikë edhe e përfton turmën, masën, kallaballëkun.

Kjo lloj turme do të thoshte: duartrokas, ergo sum.

Nga pikëpamja thjesht mekanike-akustike, ka dy lloj duartrokitjesh: kaotike, ku gjithsekush ndjek ritmin e vet, dhe të sinkronizuar, ose ritmike.

Një turmë me përvojë, e di se kur dhe si të kalojë rrjedhshëm nga njëri lloj te tjetri; aq sa rrjedhshmëria e kalimit të shërbejë si shenjë dalluese e turmës së stërvitur mirë.

Kanë thënë se sinkronizimi i duartrokitjeve shoqërohet edhe me sinkronizim të rrahjeve të zemrave të pjesëmarrësve.

Edhe më kompleks është kalimi nga një thirrje individuale te duartrokitja; përkundrazi, shoqërimi i brohorimës a ovacioneve me duartrokitje – rrokje për rrokje – nuk paraqet vështirësi.

Duartrokitja ka edhe elementin e vet pamor, madje koreografik: disa prej nesh madje duan të shihen prej të tjerëve, kur duartrokasin.

Duart mund të mbahen në lartësinë e gjoksit, ose edhe të ngrihen lart, mbi kokat e turmës. Kjo e fundit ndodh rëndom në koncerte, kur publiku dëshiron që artisti jo vetëm ta dëgjojë duartrokitjen, por edhe t’i shohë ata që duartrokasin.

Duartrokitja me krahët ngritur mbi kokë është një përpjekje in extremis për ta individualizuar gjestin, ose për t’u shkëputur nga turma, të paktën në përmasën vizuale.

Shumë nga ata që duartrokasin, mbajnë në fytyrë edhe një maskë të ngrirë buzëqeshjeje që nuk i drejtohet kujt, kur nuk i drejtohet thjesht vetes.

Kush rri e dëgjon a kundron veten duke duartrokitur, është duke duartrokitur veten.

Të zotërosh artin e të duartrokiturit, do të thotë edhe të dish edhe se kur duhet të fillosh, dhe kur duhet të mbarosh së duartrokituri.

Turma ndonjëherë i merr udhëzimet për këtë nga vetë i duartrokituri – nëpërmjet intonacionit ngritës, pauzave domethënëse, fjalëve kyçe, ose shenjave me dorë.

Të dish edhe nëse do të duartrokasësh ulur, apo në këmbë.

Me doreza, kur në sallë bën shumë ftohtë.

Nëna që mëson fëmijën të duartrokasë.

Ankthi se mos duartrokasësh në momentin e gabuar, shumë i fortë se ankthi se mos harrosh të duartrokasësh, në momentin e duhur.

Ka pastaj situata vendimmarrjeje delikate, p.sh. midis kohëve të një koncerti për piano dhe orkestër, ose në kishë.

Duartrokitja në funerale është çështje shijeje. Ditto gjatë zhvarrimeve.

Gjatë një performance arti, duartrokitjet kanë kuptime të ndryshme: kur shfaqet artisti në sallë, nderim për veprën dhe reputacionin e tij; pas një interpretimi, miratim për artin e treguar; në fund të koncertit, edhe dëshirën për encore; në mes të aktit, si shenjë vlerësimi supreme.

Ka pjesë artistike, sikurse ka shfaqje politike ose në përgjithësi publike, të cilat duket sikur janë mbrujtur rreth atyre pak momenteve kulmore, kur do të ndërpritet nga duartrokitjet: p.sh. një betim solemn, ose një refren i parezistueshëm.

Në këto raste, themi se vetë duartrokitja ishte spektakli.

Shpesh i duartrokituri u përgjigjet duartrokitjeve duke duartrokitur edhe vetë – jo për të përshëndetur veten, por për të përshëndetur turmën.

Nëse i duartrokituri duartroket, veçanërisht në mbledhje me natyrë politike autoritare totalitare, kur ai ndalon së duartrokituri kjo do t’i shërbejë masës duartrokitëse si sinjal që edhe ata poshtë mund të ndalojnë, por jo menjëherë – sepse ashtu do të dukej sikur veç po prisnin sinjalin.

Në momente trazirash dhe shndërrimesh të mëdha politike, revolucionesh dhe entuziazmi të pashoq, kur nuk ka kohë për gjimnastikë mëngjesi, duartrokitja është në thelb e vetmja veprimtari fizike që u mbetet në dispozicion militantëve.

Kanë llogaritur se një militant që duartroket, me forcë mesatare, harxhon 86 kkal në orë.

Nëse duartrokitjet ndërthuren me brohorima, këngë, përplasje këmbësh, përplasje grushtesh në tavolina, fishkëllima dhe të tjera gjeste dytësore, atëherë sasia e kalorive të harxhuara mund të shkojë deri në 120 kkal në orë.

Ndryshe nga stuhi të tjera, duartrokitjet e stuhishme mund të parashikohen.

Megjithatë, duartrokitësi i mirë është në gjendje të kursejë energjinë, duke moduluar forcën me të cilën përplas pëllëmbët.

Si rregull, gjasat që dikush ta shprehë miratimin ose entuziazmin duke duartrokitur janë shumë më të larta se gjasat që dikush ta shprehë mosmiratimin ose mungesën e entuziazmit duke mos duartrokitur.

Kjo edhe ngaqë një person që nuk duartroket, nuk është se shpreh vetvetiu ndonjë farë negativizmi.

Mundet ta ketë zënë gjumi.

Disa mjeshtra zen i këshillojnë nxënësit e tyre të mësohen të duartrokasin në nevojtore, ose në ashensor.

Një kategori më vete: duartrokitjet e udhëtarëve italianë, kur avioni ulet në pistë – disa shohin atje supozimin e fshehtë se çdo udhëtim me avion duhet të përfundojë me katastrofë.

(Njerëzit që marrin avionin ndahen në dy grupe: në pasardhës të Dedalusit, dhe në pasardhës të Ikarusit.)

Një tjetër kategori: duartrokitjet e publikut, pas shfaqjes rutinë të filmit, kur asnjë prej autorëve nuk është në sallë.

Edhe një kategori e tretë: duartrokitjet para fillimit të shumëpritur një koncerti ose ngjarjeje me publik, kur protagonistët po vonohen të dalin në skenë.

Ka nga ata prej nesh që fitojnë bukën e gojës duke duartrokitur, dhe jo vetëm në kuptim të figurshëm.

Një duartrokitje e nisur në moment kritik, mund ta pilotojë turmën drejt ujërave të dëshiruara për të duartrokiturin; kjo falë efektit ngjitës të gjestit.

Në mjedise politike totalitare, ose edhe vetëm autoritare, pjesëmarrja në duartrokitje konoton konformizëm dhe disiplinim.

Ndryshe nga ç’ndodh në shfaqje me natyrë komike, ku qeshja individuale tolerohet – p.sh. kur dikush ka kapur një nuancë tepër të hollë, inteligjente, kulturale – duartrokitja individuale konsiderohet si shkelje e etiketës së publikut.

Në mjedise të tilla, duartrokitja luan rol të ngjashëm me ecjen “me hap” ose rreshtoren.

Pa përmendur pastaj që publiku në sallë zakonisht është i ulur në radhë të rregullta, të numëruara dhe mishërim i disiplinës në veprim.

Një militant i devotshëm nuk e planifikon se kur duhet të duartrokasë; por duartroket vetvetiu, duke iu bindur një impulsi spontan, pothuajse të pavetëdijshëm; ose duke e lënë veten të komandohet së jashtmi.

Në 30 korrik 1991, tenori Plácido Domingo u duartrokit për 80 minuta, në Vjenë, pas përfundimit të shfaqjes së operas Otello të Verdit.

Është llogaritur se një delegat i një Kongresi të PPSh-së në vitet 1960-1970 i përplaste duart mesatarisht 8 mijë deri në 12 mijë herë në ditë; duke çliruar një energji të mjaftueshme për të zier tre kokrra vezë të madhësisë jumbo.

Është llogaritur edhe se, sikur çdo delegat i një kongresi të PPSh-së të pillte nga tre kokrra vezë, të madhësisë jumbo, gjatë ditëve kur zhvillohej kongresi …

Duartrokitja është ngjitëse. Të gjithëve na ka ndodhur të duartrokasim, pa e kuptuar edhe vetë pse.

Duartrokitjet ilegale, gjatë mbledhjes së themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, më 8 nëntor 1941.

Ngjitshmëria e duartrokitjes duhet kuptuar edhe, për shembull, në kontekstin e faktit se, që prej së paku viteve 1960, çdo lloj shfaqjeje në publik e Enver Hoxhës shoqërohej me duartrokitje nga të pranishmit e rastit. Duartrokitja default duhet interpretuar, në këto raste, edhe si efekt anësor i agresivitetit zero.

Diçka e ngjashme me majmunët që ia tregojnë të pasmet mashkullit alfa, për t’i treguar se nuk synojnë t’ia marrin pushtetin.

Një histori e duartrokitjes, në kulturën Perëndimore, duhet të ketë parasysh edhe marrëdhëniet e saj me mbajtjen e ritmit, gjatë një kënge ose valleje, duke përplasur duart; p.sh. kur kërcen nusja, ose vjehrri; ose edhe nusja edhe vjehrri.

Kjo edhe pse duartrokitjet përndryshe zakonisht nuk janë ritmike, ose synojnë vetëm të përftojnë zhurmën domethënëse.

Kur shoqërojnë muzikën, duartrokitjet kanë natyrë pjesëmarrëse (participative); dhe ndryshojnë nga ato në fund të aktit (shpërblyese).

Pse nuk e duartrokasin studentët profesorin, pas një leksioni të shkëlqyer? Kushedi ngaqë leksioni, sidoqoftë, nuk mjafton për t’i përftuar si turmë.

Në filmat dokumentarë, imazhi i turmës duartrokitëse qëllon që tregohet i ndarë nga zhurma e duartrokitjeve vetë; çka konfirmon, mes të tjerash, rëndësinë e elementit vizual në duartrokitje.

Kjo duket edhe në ato raste kur zhurma që prodhojnë duart kur përplasen është kaq e lehtë, sa praktikisht nuk dëgjohet dot; dhe të tjerët veç shohin lëvizjen e duarve.

Megjithatë, dhe sado individual të jetë ndonjëherë gjesti përkatës, duartrokitja është zhurma që bën një ngjarje publike, sidomos kundrejt atyre që nuk marrin pjesë në të.

Po ashtu, nëse fillojmë dhe ndalojmë së duartrokituri kur shohim ose dëgjojmë se edhe të tjerët po veprojnë kështu, atëherë do të na duhet të pranojmë se fillimi dhe ndalimi i duartrokitjes, si akte të kulluara, nuk kanë natyrë kolektive, por individuale.

Të gjithë kemi duartrokitur, por pak prej nesh janë duartrokitur; pa çka se meritat tona i shquajmë më lehtë se ato të së tjerëve. Që këtej, mund të deduktohet se pjesëmarrja në ngjarje kolektive gjithnjë synon të na edukojë edhe me domosdoshmërinë e mazohizmit, për jetën në bashkësi.

Si gjest që kryhet i tëri me duar, duartrokitja kërkon një krahasim edhe me shtrëngimin e duarve mes dy vetave – gjest çifti, me përkufizim.

Kështu, ajo e zëvendëson shtrëngimin e duarve me artistin ose politikanin, duke ia lënë këtë privilegj pak të zgjedhurve, por gjithnjë duke i vënë duart në dispozicion të tjetrit, për t’i thënë: ja ku i kam, të lira për ty.

Sikurse ka një lidhje mes refuzimit për të duartrokitur dikë, dhe refuzimit për të shtrënguar duart me të.

Në totalitarizëm, duartrokitja politike luante një rol, në riprodhimin, mirëmbajtjen dhe legjitimimin e pushtetit, të ngjashëm me atë të zgjedhjeve në demokraci.

Thuhet se revolucioni rumun, në 1989, filloi në momentin që turma refuzoi të duartrokasë gjatë një fjalimi të Çausheskut.

(Ose, anasjelltas, që Çaushesku refuzoi të duartrokasë performancën e turmës.)

Në demokraci e njëjta lloj duartrokitjeje merr natyrë më militante – meqë kërkon një kundër-turmë të heshtur, ose jo duartrokitëse, që të funksionojë; si p.sh. në Parlament.

Sikurse kërkon çdo miting një anti-miting, së paku për demokracinë kargokultiste në Shqipëri.

Dimë që duhen dy duar, për të duartrokitur; sikurse dimë edhe që këto dy duar duhet t’i kemi të lira.

Dhe ndoshta është pikërisht ky informacion i dytë, ai që ia lëviz fijet teatrit duartrokitës: çarmatimi.

[Duartrokitje.]

Nuk ka komente

  1. XHXH: “Një militant i devotshëm nuk e planifikon se kur duhet të duartrokasë; por duartroket vetvetiu, duke iu bindur një impulsi spontan, pothuajse të pavetëdijshëm; ose duke e lënë veten të komandohet së jashtmi.”

    Kjo ka qenë një nga enigmat e mija, kur shpërthenin duartrokitjet në sallë gjatë aktiviteteve politike. Pyesja veten: A është spontane apo intervalet dhe momentet kur duhet të duartrokitej ishin të paracaktuara, të planifikuara?

    Shpesh dëgjohej dikush, që hidhte një parullë apo thirrje rroftë udhëheqësi apo partia dhe gjithë salla elektrizohej nga duartrokitjet. Po kështu edhe për kohëzgjatjen, volumin e zhurmës që prodhonte dhe sasinë e energjisë që çlirohej, me dukej sikur bëheshin disa përllogaritje përpara.

    Mua më ngjante sikur i mungonte spontaniteti, si diçka e planifikuar, njerëz të paracaktuar, por ato punë nuk merreshin vesh. Megjithatë gatishmëria për tu ngritur në këmbë dhe duartrokitur ishte shume e lexueshme. Kur ka qelluar te kem ndodhur ne ndonje eveniment te tille, mbaj mend qe ndiqnim njeri-tjetrin dhe keshtu instinktivisht harmonizonim ritmin duke vendosur edhe per kohezgjatjen. Ishte e habiteshme koordinimi dhe perputhja e instiktit te pjesmarresve. Jemi qenie qe disiplinohemi lehte.

    Kur lexoja punimet e kongreseve më të hershme, tregohej në tekst, në çfarë momenti ishte duartrokitur dhe lloji i duartrokitjes(të gjata, të zgjatura, apo të tej zgjatura) dhe kur ishin hedhur parulla e thirrje entuziazmi per partine dhe udheheqesin.

    Një tjetër rast ku jam befasuar, ne rrethana krejt te ndryshme, kanë qenë duartrokitjet në procesionin e ndonjë funerali, këtu në vendin ku jetoj. I vdekuri përcillet në gropë me duartrokitje. Domethënia gjithmonë më ka mbetur e pasqaruar, enigmë: Përse? Ndoshta një celebrim i një jete të jetuar vlefshëm!

    E menduar se duartrokitja është ngjitëse, me ka bërë përshtypje, sidomos tek fëmija im, disa muajsh, që kur më shihte mua pas pune, përplaste duart nga gëzimi apo thjesht kur entuziazmohej për ndonjë arsye tjetër. Asnjë nuk e kishte instruktuar më parë. Kjo lloj perplasje duarsh eshte ndryshe nga duartrokitja ne grup dhe eshte shprehje teper individuale dhe intime.

    E kam vërejtur edhe tek shumë bebe të tjera. Ndoshta përplasja e duarve, që me vonë mjeshtërohet në duartrokitje si mbeshtetje e shprehje publike, apo për të dhënë/mbajtur ritmin, tingullin muzikor, është diçka ndoshta instinktive, e lindur, “hard-wired”, jo vetëm tek njerëzit, por edhe tek primatët tjerë.

  2. nganjëherë shkrimet e menduara për të qëlluar të trishtojnë më tepër se shkrimet e menduara për të lënë përshtypje.

  3. Dicka interesante ne lidhje me duartrokitjen e militantit e vura re neper mbledhjet e OWS. I ngrini parakrahet ne lartesi me koken dhe gjeresi me supet, dhe i tundnin lehte larte ne shenje aprovimi, lehte poshte nga e njejta lartesi ne shenje mosaprovimi, dhe horizontal ne shenje abstenimi, ne te gjitha rastet sikur te ishin gjethe, nje tip “jazz hands” me tre pozicione. Kjo ishte nje lloj duartrokitje e kulluar pamore, pasi duke qene se duart nuk takoheshin, nuk behej as zhurme. Si dhe nje lloj duartrokitje qe vinte dhe zevendesonte voten, duke i dhene keshtu duartrokitesve nje individualitet krejt te vecante nga turma. Po ashtu, shurdhmemecet perdorin te njejtin gjest, “jazz hands” per te duartrokitur.

  4. Xha Xha, desha ta duartrokas shkrimin tënd, por kuptova se duartrokitja është akt kolektiv, jo individual. Për më tepër nuk mund të duartrokasësh përballë kompjuterit.

    Pata dëgjuar një herë një humorist që thoshte: “Bëra aq mirë dashuri, sa që e fejuara në fund fare duartrokiti”. Të qeshurat e duartrokitjet e sallës për batutën treguan se duartrokitjet dhe seksi nuk shkojnë shumë dakord.

    Kam lexuar diku se në Bashkimin Sovjetik botuan një herë të regjistruar në disk vinil një fjalim të Stalinit. Fjalimi hyri tërësisht në një anë të diskut. Në anën B futën minutat e duartrokitjeve. Askujt nuk ia mbajti ta linte jashtë elementin ndoshta më të rëndësishëm të botimit.

    Po ovacionet, janë shkalla sipërore e duartrokitjeve?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin