KARTOLINË PËR TY

Ka dy mënyra për ta vizituar një qytet.

Mund ta shfletosh si libër, nga monumenti në monument, nga sheshi në shesh, nga tempulli në tempull, nga obelisku në obelisk; nga një rrënojë në tjetrën; të ecësh bulevardeve, rrugëve, rrugicave, sokakëve; të kapërcesh urat dhe të përshkosh si në jerm tunelet e metrosë; të humbesh duke lexuar afishet e operas dhe të teatrit; të shëtisësh buzë hauzit, lumit, liqenit, detit; të ngjërosh dritat e ditës dhe të natës; të kalosh kohë në parqe, me vështrimin të humbur te një statujë klasike a një shatërvan i rrethuar me lule; të ulesh te një tryezë kafeje e vogël, në trotuar, të bësh sehir turmën që rrjedh përreth teje a të lexosh mbishkrimet e lëna aty me majë të thikës, duke përfytyruar, pak me dëshpërim, si do të ishte jeta jote, sikur të kishe jetuar këtu; në ç’bulevarde dhe rrugë do të kishe ecur; ç’ura do të kishe kapërcyer; në dimër, në vjeshtë, në verë, në pranverë; në ç’stol parku do të ishe ulur, për të pirë një cigare qoftë edhe për herë të fundit, dhe për të përfytyruar, pak me dëshpërim, si do të ishte jeta jote, sikur të mos kishe jetuar këtu.

Mund edhe ta vizitosh së brendshmi, t’i qëmtosh gjeografinë dhe historinë, të lexosh pllakat përkujtimore dhe mbishkrimet e fasadave; të çapitesh në korridoret e muzeumeve, herë të zhurmshme herë të ftohta; të lexosh data dhe të interpretosh harta dhe vizatime; të ndalesh me nderim para varresh të shquara, të bësh një lidhje midis emrave të gdhendur në rrasa dhe heronjve të fëminisë sate; të soditësh piktura dhe buste radhë-radhë, në magazinat krenare të kulturës; të përtypësh latinishten; të admirosh ndonjëherë me lodhje fajanca të Kinës, stoli prej ari, smeraldë dhe ametistë, relike të shenjtëve, dinosaurë dhe meteoritë ndonjëherë pleksur bashkë; të zhvendosesh nga mauzoletë te mumjet; të soditësh lakuriqë nate gjigantë, si të ishin avionë; dhe avionë me krahë prej mëndafshi, si të ishin lakuriqë; të mësosh përmendësh emra mbretërish, dukësh, papësh, dozhësh, njerëzish të penës dhe të shpatës; të soditësh armë, armura, patërshana, alabarda, topa të vjetër fushorë; flamuj të përzhitur nga zjarri dhe flamuj që i janë kapur armikut; makina shkrimi, mandolina, avlëmendë, stilografë, kapitele kolonash korinthiane, kolltukë, qilima dhe çibukë opiumi.

Mënyra e parë e sheh qytetin si pikturë; e dyta më shumë e lexon si të ishte libër.

Por me kohë, nis dhe e kupton se edhe kur i qasesh qytetit për ta jetuar, qoftë edhe për një javë të vetme; ose për ta përfytyruar veten si Tjetrin, ose atë që jeton Përtej dhe Gjetiu; të cilit s’i futesh dot në lëkurë pa u futur edhe ai tek e jotja; pra edhe kur e merr në sy të zhytesh në ujërat e qytetit si për t’u pagëzuar rishtas, në fakt veç ke zgjedhur ta vizitosh si të ishte një muze i madh dhe i vetëm, i ngritur në mes të shkretëtirës; një botë e përmbajtur krenarisht në vetvete, por e rrethuar nga hiçi; dhe ta bësh këtë, si një një rast edhe në tjetrin, veç për të pasuruar edhe më atë muze të pangopur që është vetja jote, e shtrirë në kohë, fije e ndritur kujtimesh.

Nuk ka komente

  1. E mora kartolinen tuaj . Ju falemnderit i nderuar Xha xha.

    Kartolinave (per at’kohe qe perdoreshin me shumice) nuk u pelqeja ballinen, se pergjithesisht ishin ‘copeza filmi te memories’ per ata qe ishin ‘bredharake’, por u pelqeja shume pjesen e pasme, ate te shkruaren me ‘shkrim dore’, ate mesazhin (duke fshire me indiferentizem standartin e jetes standarte te at’hershme), ate qe me tregonte paksa ‘skutat’ e banoreve te atij qytetit qe shperfaqej ne balline…

    Kam koleksione kartolinash, madje te plastifikuara per t’u shpetuar agjenteve atmosferike dhe kohore dhe kur i shtrije ne tavolinen e punes a dhe ne dysheme hera-heres me duket sikur me qerthullon fshikeza e mendafshit te kujtimeve te kohes; dhe kur te mbyllet avelmendi i saj sikur do te perfundoj dhe une si krimbi i mendafshit ne ‘lakun e vet’…

    Jeta i do kartolinat, pavaresisht prerjes se tyre formatore e pamore, pavaresisht se jane demode a moderne, pavaresiht mesazheve, pavaresiht ‘perkthimit’ te tyre, pavaresisht kohes e moshes, pavareisht pluhurit a zvenitjes, pavaresisht motivit…edhe pse ishte e hapur faqe botes, para e prapa, pa ju dashur te maskohej me ‘zarfe’…

  2. Ka shume poezi tek kjo proze. Nje shkrim i kendshem!

    Kur me ka rene rasti te vizitoj qytete me fame neper bote te dyja menyrat, ‘piktura’ dhe ‘libri’, me jane dukur njelloj te rendesishme. Ne fakt them se eshte kombinimi mes tyre qe jep efektin e plote te kenaqesise te te qenit ‘flâneur’ qofte edhe per pak kohe, ca dite a nje jave, diku,

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin