DËSHIRA PËR NDRYSHIM

Gjatë një interviste radiofonike, më pyetën nëse zgjedhjet e fundit shënuan një ndryshim epokal për Shqipërinë. U përgjigja me një farë shpjegimi të shkurtër, nuk e mbaj mend saktësisht me ç’terma, por nga goja gjithsesi nuk më doli fjala e thatë “Po”. Tani po mundohem t’ia artikuloj shkaqet së pari vetes, e njëkohësisht kolegëve, me bindjen se arsyetimi do të më shpjegojë edhe mua disa gjëra për të cilat flasim ndonjëherë instinktivisht.

Po të pyesnim militantët e zjarrtë të dy partive kryesore të vendit, përgjigjja mund të ishte e njëjtë. “Po”, do të thoshin militantët e Partisë Socialiste; me ardhjen në pushtet të Edi Ramës po hapet një epokë e re ndryshimi, pra do të ketë ndryshime radikale, natyrisht pozitive. “Po”, do të shpreheshin militantët e Partisë Demokratike, ndryshimi është rrënjësor, sepse iku nga qeveria Partia Demokratike, dhe me ikjen e Sali Berishës, do të hapet vërtet epokë e re, por negative. Të dy palët do të flisnin përkatësisht keq për kundërshtarin, me fjalët më të zeza.

Megjithatë mikrofoni pret përgjigje jo pasionante. Qoftë edhe të gabuar. Le të fillojmë me ndonjë konstatim elementar. Numrat që dolën në Parlament, me zgjedhjet e qershorit, dëshmuan pa pikë dyshimi se dëshira për ndryshim, ose siç quhet ndryshe rrotacion, ishte e madhe. Qytetarët shqiptarë folën qartë nëpërmjet votës, duke u shprehur pa mëdyshje për ndryshimin në qeverisjen e vendit. Këtë fakt nuk e mohojnë as interpretimet më të guximshme, fantazioze e vetëjustifikuese për votën e qershorit. Tek e fundit, dëshirën për ndryshim, si kërkesë e qytetarëve, e kishin kapur edhe antenat e partive gjatë fushatës. Përndryshe, përse slogani elektoral i PD-së do të ishte: “Ne jemi ndryshimi. Përpara”?

A mund të konsiderohet ndryshimi i zgjedhjeve si epokal? Edhe mundet, por mua “po”-ja e prerë nuk më del për tri arsye kryesore.

Së pari, zgjedhjet e qershorit shënuan ndryshimin e mazhorancës, si rrjedhim të qeverisë, por jo ndryshimin e sistemit. Ndryshim epokal, për shembull, mund të quhet pa frikë ai i viteve 1991-1992, kur Shqipëria vendosi të kalojë nga monizmi në pluralizëm, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut, nga autarkia në hapjen e kufijve. Kalimi ishte përnjimend rrënjësor. Në këtë kuptim, që zgjedhjet e fundit nuk përcakuan ndryshim epokal mund të merret si pozitive, për sa kohë po flasim gjithnjë për sistem demokratik e pluralizëm. Praktikisht, për të njëjtin mjedis shoqëror.

Së dyti, nuk duhet harruar se mazhoranca e sotme, ose më saktë opozita e djeshme (PS), ishte pjesë e sistemit, madje pjesë e dialektikës politike. Ka nga ata që përgjegjësitë e opozitës nuk i anashkalojnë thjesht për faktin se përbën pakicë në parlament. Në demokracitë e vërteta, politika e opozitës ka rol të pazëvendësueshëm e vlerë të madhe për mbarëvajtjen e vendit. Këtu nuk është fjala vetëm për rolin e kontrollorit, por edhe të propozuesit të politikave të dobishme. Në këtë rast, thuhet se opozita mban qëndrim konstruktiv. Në qoftë se nuk duam ta fajësojmë opozitën e djeshme për fajet e qeverisë Berisha, të paktën të pranojmë se opozita ishte pjesë e lojës për tetë vjet rresht. Në këtë këndvështrim, por edhe duke pasur parasysh kulturën e përbashkët politike, qoftë edhe të pjesshme, dallojmë një farë vijueshmërie që na e pengon përdorimin e fjalës “epokale” kur flasim për ndryshime.

Slogani elektoral i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) ishte ky: “Të ecim më shpejt”. Pjesëza “më” tregon qartë se ekziston një farë lidhje me të kaluarën. Interpretimi mund të ishte ky: deri më sot kemi ecur, ndoshta shpejt, por tani duhet të ecim “më shpejt”. E kaluara e afërt e bashkëpunimit me PD-në nuk mohohet, madje lihet të nënkuptohet.

Së treti, nuk mund të mohojmë faktin se një pjesë e koalicionit të majtë, më qartë LSI, ishte pjesë e qeverisë Berisha, me të cilin bashkëadministroi me vite të tëra. Edhe nga pikëpamja e ngushtë e vazhdimësisë fizike, nuk mund të themi se thyerja nga e djeshmja tek e sotmja, ka qenë epokale, pra frakturë aq e fortë tektonike sa të shënojë hapjen e një epoke të re. Nuk po i japim peshë “gojëve të liga”, të cilat “vazhdimësinë” e komentojnë me nënqeshje djallëzore, duke përmendur akuzat që i bëhen forcës së lartpërmendur politike. Me fjalë pazari, disi qualunquiste, mund të themi ata që ishin dje, janë po ata që janë sot. Me ca shokë të tjerë në krah.

Pavarësisht nga tri arsyet e mësipërme, nuk mund të mos pranohet se ndryshim pati, madje të madh, përderisa pas tetë vjetësh Shqipëria e ktheu faqen, ndoshta kapitullin, me bindje të plotë. Me sa mbaj mend, gazetares iu përgjigja instinktivisht se e majta shqiptare ka marrë me zgjedhjet e fundit një kredi të jashtëzakonshme besimi nga ana e qytetarëve të vet. Me kalimin e kohës, do të shihet nëse kjo kredi do të justifikohet nga klasa drejtuese në pushtet, apo do të shpërdorohet papërgjegjshmërisht. Dikush mund ta quajë si kinse pritës këtë qëndrim, dikush tjetër mund ta konsiderojë si të frymëzuar nga Shën Thomai (pa e prekur me dorë nuk besoj), dikush mund ta shohë si paragjykim, dikush tjetër si pelëshim. Varet. Ndërkohë, rregullisht e periodikisht, si “epokale” duket pritshmëria e qytetarëve shqiptarë për një politikë me etikë të lartë për të mirën e përbashkët.

Sidoqoftë, në këtë kohë kur fjalët hidhen pa u menduar, si kotijone pa vlerë, një superlativ më shumë e një më pak, nuk e luhat kandarin kuptimor. Por kush beson tek vlera e fjalës, tek pesha e saj, tundimin për ta pezulluar, për ta lënë standby, e ka të fortë. Sepse, kush është djegur nga qulli i fryn kosit, por ndonjëherë edhe qullit.

Atëherë e mendova kështu. Numrin e gazetares e di. Pas ca kohësh, do ta marr në telefon e do t’i jap mendimin tim nëse ndryshimi ishte epokal. Tek e fundit, dita e bukur (çka e urojmë të gjithë), dallohet ndonjëherë që në mëngjes.

Nuk ka komente

  1. Numrat që dolën në Parlament, me zgjedhjet e qershorit, dëshmuan pa pikë dyshimi se dëshira për ndryshim, ose siç quhet ndryshe rrotacion, ishte e madhe.

    Se pari rrotacioni s’eshte e njejta gje me ndryshimin. Rrotacioni tek ne, ku kane qeverisur vazhdimisht PD e PS, eshte “nje here ma hipe, nje here ta hipa”. Nuk them se kjo s’perben ndryshim, por s’duhen mbytur keto fjale bashke se s’jane e njejta gje. Sidomos kur fillon e shtjellon se ku qendron ndryshimi real i Rames nga Berisha (si lidera, sjellje, demokraci e brendshme ne parti, etj) dhe i PS e LSI nga PD (si programe e politika zhvillimi).

    Se dyti, numrat qe dolen nga votimet tregojne qe PS pati stanjacion (ne vend numero me 2009) e qe PD pati humbje te madhe, e qe LSI pati rritje kolosale, cka beri te mundur dhe ardhjen e Rames ne pushtet, e njeheresh deligjitimoi kauzen kutiste te Rames ne 2009. Pra ndryshimi erdhi si rrjedhoje e levizjes te asaj pjese te qeverisjes se neserme qe ishte deri tani ne qeverisje: LSI.

    Kjo ishte duke u bazuar ne perqindjet e votave, se po te shikosh ‘numrat e Parlamentit’, sic thua, dmth mandatet, i bie qe PS ka ne fakt me pak mandate te vetat tani se ne 2009, duke ditur qe ka perfshire 2-3 emra te Metes ne listen e vet. PD nga ana tjeter perfshiu akoma me shume ‘te huaj’ ne listat e saj, dhe rezulton me nje renie akoma me drastike ne mandate sesa ne vota.

    Ndryshime sa i perket ndryshimeve sinjifikante….nje nga keto mendoj se ishte doreheqja e Berishes nga PD (pse jo dhe pranimi paqesor i humbjes…eshte vetem hera e dyte qe kjo ndodh tek ne) e cila ne baze te shifrave prap i atriubohet Metes, se nese Berisha fitonte padyshim qe s’do kishte dhene doreheqjen.

    Dhe Meta, ose “faktori Meta” eshte ndryshimi tjeter i madh, i cili me keto zgjedhje jo vetem u zgjerua si parti, por afirmoi veten si ‘kingmaker’ sic e pagezuan mediat, si ai qe percakton palen fituese dhe qeverisese. Kjo ja vlen te diskutohet ne vetvete se c’pasoja do kete ne politiken shqiptare, brenda dhe jashte koalicioneve te momentit.

    Nese i ben nje veshtrim shifrave te votave bashke me sondazhin e IPR Marketing (qe parashikoi me sakte zgjedhjet) i bie qe skontoja e madhe e PD-se dhe rritja kolosale e LSI-se te kene ndodhur dy muajt e fundit, cka mbeshtet zerat ne teren se pati blerje masive te votave nga LSI. Kjo nuk besoj se ishte e vetmja arsye per tkurrjen e PD dhe rritjen e LSI…sikur dhe pa blerje kishim faktorin Meta=pushtet (vota per te ishte vote e sigurt per pushtet) dhe njeheresh konsumimin e Berishes pas 22 vjet dhe PD pas dy mandateve. Por kjo e fundit mendoj se ishte nga faktoret me me pak peshe, dhe shifrat ne keto zgjedhje dhe ne zgjedhjet e tjera e mbeshtesin kete ide, ndryshe nga c’trumbetohet nga nje sere opinionistesh se valla, pas 22 vjetesh, shqiptaret qenkshin zgjuar papritur dhe e kishin kuptuar se kush qe Berisha dhe vendosen ta votojne jashte politikes ate duke mos ja dhene votat atij por partnerit te tij qeverises, Metes.

    Nje tjeter ndryshim (padyshim ogurzi) ishte humbja e Malajt dhe FRD-se (pse jo dhe votes se bardhe si nisme), duke konfirmuar keshtu qe sot per sot s’ka vend ne politiken shqitpare per forca te treta (perpos Metes) dhe kandidate te pavarur, apo alternativa te tjera, dhe qe kishim dy kyngulleshka (PD e PS) e tani na u bene tre (+LSI).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin