LE TË PYESIM BLETËT

bletaNë shqip, kur kafshët pushojnë së jetuari përdoret folja ngordh, për njeriun përdoret folja vdes. Bleta përbën përjashtim përnjimend sensacional: kur nuk jeton më, thuhet “bleta vdiq”.  Mjafton kjo për të treguar, pa asnjë pikë dyshimi, se tradicionalisht bleta ka zënë vend të rëndësishëm në kulturën shqiptare.

Nuk duhet të jesh bletar për të kuptuar se bleta në Shqipërinë aktuale nuk është në qendër të vëmendjes. Pavarësisht nga artikujt për vetitë çudibërëse të mjaltit, duhet pranuar se bleta ka dalë nga radari i vëmendjes kolektive, me përjashtim të librave për fëmijë e filmave multiplikativë ku bleta punëtore pikturohet me ngjyra të këndshme e me fytyrë njerezore.

Çdo qytetar shqiptar, si konsumator produktesh të bletës, apo si vëzhgues i thjeshtë, e ka vënë re se në vitet e ekonomisë kapitaliste, bletaria si veprimtari është rritur ndjeshëm. Si rrjedhim është rritur edhe prodhimi i mjaltit e i nënprodukteve të tij. Këtu mund të hapnim një kapitull të veçantë për karakterin e copëzuar e të pakoordinuar të bletarisë shqiptare, sikurse mund të flitet gjatë për mungesën e kontrollit cilësor nga ana e enteve publike ndaj mjaltit të tregtuar. Të gjithë e dinë se bletarët punojnë privatisht e pa ndonjë bashkërendim të punës në nivel kombëtar. Me përjashtim të punës në nivel shoqatash, mungojnë specialistë të mirëfilltë, institute përkatëse, kontrolle të posaçme, me dy fjalë politika sektoriale.

Informacione për bletarinë shqiptare mund të gjenden gjetiu, sikurse mund të gjenden të dhëna për të mirat e mjaltit e të produkteve të tjera të bletës. Në rrjet mund të gjenden informacione pafund për jetën e bletëve, shoqëruar me kuriozitete aq përpirëse saqë lexuesi rrezikon ta shndërrojë kureshtjen në pasion; dhe metamorfoza nga lexues në bletar përbën vetëm një hap të paperceptueshëm. Me sa kam dëgjuar nga bletërritësit, kemi të bëjmë pothuajse me “sëmundje ngjitëse”. Bleta i tejkalon pasionet e zakonshme. Ata që kanë qëlluar në bashkëbisedime mes bletarësh e kuptojnë shumë mirë përse e kam fjalën.

Ajo që më intereson të nënvizoj është aftësia e bletës për të qenë shenjë e diçkaje tjetër. Ndoshta ne kemi humbur aftësinë që ta lexojmë bletën si bashkësi; ja për analfabetizmin që na karakterizon, ja për mungesën e dëshirës për t’ia interpretuar shenjat, ja për faktin se e shikojmë thjesht si “makinë” prodhuese.

Thënia e famshme e Ajnshtainit, sipas të cilit jeta e globit pa bletën do të përfundonte pas pak vitesh, dëgjohet sa herë përmendet roli i jashtëzakonshëm i bletës, veçanërisht funksioni i saj si pjalmuese e luleve, pra si nxitëse e florës në përgjithësi. Natyra është shumë e lidhur me bletën, e anasjelltas. E njëjta gjë mund të thuhet për njeriun. Silogjizmi ndërtohet natyrshëm.

Vitet e fundit po flitet për rënien e numrit të bletëve, në të gjithë botën, e sidomos në Europë. Së fundmi, Greenpeace nisi fushatën me titull “Të shpëtojmë bletët”, duke vënë alarmin për rrezikun real që u kanoset. Gjithashtu në Shqipëri, sipas disa dëshmive, bleta po kalon periudhë të vështirë. Vitin e kaluar prodhimi i mjaltit ka pasur rënie të ndjeshme. Megjithatë, nuk ka statistika e studime zyrtare, e mbi të gjitha nuk zhbirohen arsyet e rënies.

Vështirësitë e bletës janë vështirësi të natyrës e si rrjedhim të njeriut. Vdekja e bletëve dëshmon për probleme serioze: ekosistemi i çekuilibruar,  rritja e ndotjes, ndryshimi i klimës, betonizimi i territorit, përdorimi i pesticideve, shkatërrimi i pyjeve, reduktimi i tokave bujqësore, ndotja e ujërave, etj. Mjafton t’ua dëgjojmë vuajtjet bletëve për të kuptuar hallet tona.

Nga ana tjetër, bletët simbolizojnë jo vetëm punën, por edhe bashkëjetesën. Në botën e gjallë, përbëjnë shembullin më domethënënës të jetës në bashkësi e në planin simbolik  personifikojnë harmoni, altruizëm, solidaritet, thjeshtësi, përkushtim, vetëmohim, urtësi, përulësi, etj. Kosherja mund të përshenjonte shtëpinë, lagjjen, qytetin, fshatin, vendin tonë imagjinar, ku mund të ushtronim jo rregullat konkrete të jetës së bletës, por virtytet që i atribuojmë kulturorisht.

Pra bletët nuk zukasin, por flasin. Por, kush ka vesh t’i dëgjojë?

Nuk ka komente

      1. Gjithsesi, une i besoj fjalorit popullor se te thuhet per bleten vdiq, asnjehere se kam degjuar. Ky ndryshim mund te kete ndodhur sefundmi…gjera qe vijne me moderrnizimin.

        1. Kjo tregon që këshilla ime miqësore nuk është dëgjuar. Nuk më vjen mirë.
          Po të kishe konsultuar Fjalorin e Shqipes do të lexoje sa më poshtë:
          VDES jokal. 1. Pushoj se jetuari, s’jam më i gjallë, nuk jetoj më, s’kam jetë (për njerëzit). Vdiq plaku. I vdiq fëmija. Vdiq i ri. Vdiq nga sëmundja. Vdes bleta.

          Në librin “Mitologjia ndër shqiptarë” me autor Mark Tirta, Tiranë, Shkenca, 2004 (Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Kulturës Popullore. Dega e Etnologjisë), lexoj sa më poshtë:

          Bleta: Nder Shqiptarë në të kaluarën tregohej një nderim i veçant për bletën. Ka mjaft legjenda që ajo, sipas besimit, popullor paska qenë dikur njeri. Për bletën nuk thonë “ngordhi”, por “vdiq“, se ajo paska cilësi të njerëzve dhe jo të insekteve. Është e ndaluar në mënyrë të rreptë që ajo të namet, se një veprim të tillë e quanin gjynah dhe me pasoja të padëshirueshme në bereqet. Kur i marrin mjaltin bletës, lahen në mënyrë të veçantë, duke u nisur nga besimi se po të mos lahen, bletët nuk prodhojnë më mjalt dhe se paska rrezik të “vdesin”. Nopça mendon se ky adhurim i veçantë i bletës ndër Shqiptarë ka të bëjë me kultin e Mitrës me burim nga mitologjia e lashtë persiane. Ndoshta më mirë e më bindës do të ishte që ky kult të shpjegohet, me tradita të hershme vendëse. Tradita e rritjes së bletëve është e njohur ndër llirë, ndër Arbër të Mesjetës e përgjithësisht në Ballkanin e vjetër. Ilirët bënin verë prej mjaltit të bletëve.

          Ka edhe literaturë tjetër që mund të citohet. Por mjafton të pyesësh dikë që i ka pasur bletët disi afër e do ta konfirmojë. Tradicionalisht është thënë vdes për bletën. Ndoshta tani kjo traditë e bukur po shuhet.

  1. Fundi i shkrimit mё lart mё solli ndёr mend disa vargje tё poetit tё mirёnjohur irlandez, W. B. Yeats:

    I will arise and go now, and go to Innisfree,
    And a small cabin build there, of clay and wattles made;
    Nine bean-rows will I have there, a hive for the honey-bee,
    And live alone in the bee-loud glade.

    Poeti ёndёrron vendin ideal tё ikjes larg “nga rrёmuja e rrёmeti”i qendrave urbane. Ёshtё njё ishull nё liqenin ‘Inisfree’ nё tё cilin ai thotё se do ndёrtojё njё shtёpizё tё vogёl druri. Dhe aty pranё do tё mbjellё njё kopёsht me perime e do tё mbajё edhe njё koshere bletёsh, qё tё ndjejё zukatjen e tyre ditёn, njё imazh lumturie.

    Pёr hir tё lexuesve qё mund t’u interesojё, po pёrpiqem tё jap njё variant tё shpejtё shqip tё vargjeve anglisht mё sipёr:

    Tash do ngrihem e do shkoj, tё shkoj nё Inisfri
    Njё shtёpizё atje tё ndёrtoj, me qerpiç e degё pemёsh;
    Nёntё rreshta fasulesh atje do tё kem, bashkё me njё koshere me bletё
    I vetёm n’atё lёndinё tё rroj, mes zukatjes sё tyre tё qetё…

    I duhet vёnё veshi thirrjes qё bёn ky shkrim. Duhen mё shumё “koshere me bletё”, kuptuar kjo fjalё pёr fjalё dhe simbolikisht.

  2. Shkruan autori : ” Bletet simbolizojne jo vetem punen, por edhe bashkejetesen “.

    Me ‘punen’ jam dakort dhe s’besoje te mos e kete degjuar njeri shpehjen ‘punetor si bleta’. Me ‘bashkejetesen’ nuk jam dakort. Pse ?

    Duke u nisur nga eksperienca e asaj kohe kur dhe si familje kishim ca koshere me blete ne kopesht ; kisha vene re se bletet nuk bashkejetojne mire, por kishin nje hierarki gati ushtarake ne kryerjen e detyrave. Nje familje ka me dhjetra mije blete femra , disa mijera blete meshkuj dhe ne krye ‘mbretereshen’ ose memen. Bletet punetore ose femrat jetojne pak, shume pak dhe me hyrjen e dimrit ato i vrasin meshkujt .Mbreteresha kur shtohet dhe i shpeton ndonje meme e re nga pakujdesia pa e likujduar qe ne veze,fillojne betejen ne familje bashke me mbeshtetesit deri sa ndodh roitja ose largimi i njeres meme me ‘ushtrine’ e saj. Mund te kete dhe gjera te tjera ne organizimin e familjes , qe une do ta cilesoja ‘diktature ushtarake’ , ndaj besoj se edhe ‘mizen’ ne e quanim ‘ushtri’…

    Bletet ne i kemi trajtuar me delikatese te perkushtuar, me shume se frymoret e tjere te familjes, duke u interesuar per shendetin, semundjet, ushqimin, deri edhe lodhjen e tyre (pasi matnim kohen e daljes per nektar dhe kthimin e tyre )…por kryesisht bazuar ne prodhimin ‘cudiberes’ si qumeshti, mjalti, dylli…

    1. Po pikërisht ai është përkufuzimi i bashkëjetesës, jetesa në të njëtjin vend, të kesh familjaritet me atë që të rrethon. Apo ndoshta ke parasysh vetëm përkufizimin e antropomorfizuar (kupto: shtrembëruar) ku me bashkëjetesë kihet parasysh jetesa “e barabartë” e një femre dhe një mashkulli, apo e dy femrave, apo e dy meshkujve?

      Mendoj se përkufizimi si diktaturë e një organizimi ku unë, personalsiht, nuk shikoj fare dhunë të ushtruar shtetërore – përpos të qenit edhe ky një vizion i shtrembëruar, parë me syze antropocentrike – është i nxituar.

      Magus-i, më lartë, thotë se “duhen më shumë koshere bletësh”; unë mendoj se na duhen më shumë bletë, ose individë me ndërgjegjje dhe vullnet blete.

      1. Vektoret tane te bashkejeteses ikin paralelisht pa pare kund pike takimi qofte ne kuptimin ‘fjale per fjale apo simbolitikisht’. Pune kulturash…

        Sa per shtimin e ‘koshereve te bleteve’ dhe te ‘bleteve punetore jam shume teper dakort , madje do te propozoja qe vec fushave, kodrinave, luginave te mbushnim dhe taracat e pallateve, por pa cenuar shendetin publik…

        Akoma nuk me ka ardhur mosha per ‘syze’ qofte edhe per mode duke perdorur nga ato kinezet me skelet te bukur…

        Bashkejetesa ?!…Bletet e kane ne rregull me sistemin e tyre; ne administratoret po vuajme per te gjetur sistemin tone…

        1. Atëherë, ti, për t’i thënë Pishakut se “bletët nuk simbolizojnë bashkëjetesën” na fute në lojë një eksperiencë personale. Unë e kuptoj që anon shumë nga leteratura, por ajo që na ke treguar ti me mjeshtëri të madhe, atë tregon – bashkëjetesën e bletëve, sipas disa rregullave.

          Natyrisht bashkëjetesa nuk vjen fshehtas, pa kuptuar, kinse duke ecur mbi majat e këmbëve kur ne jemi në gjymin e arsyes. Madje edhe bashkëjetesa në sensin e bashkëjetesës së dy presonave, që të ka fallsifikuar komplet kuptimin më të gjerë të fjalës, pra edhe kjo bazohet mbi disa rregulla.

          Pra, si e kritikove këtë simbolikë të bletës, apo më mirë të them të shoqërisë së bletëve?, kur në fakt thjesht, pa e kuptuar, vetëm sa ke përforcuar atë që ka thënë Pishaku, dhe që për më tepër është pjesë edhe e “mençurisë apo dijes” popullore.

          Siç tentova të bëja më lartë, i ke aplikuar një filtër antropocentrik studimit të entomologjisë. Ndodh gjithandej nëpër shkenca; mos u demoralizo, e bëjmë të gjithë nga pak. (Madje madje fjalët e disa letrarëve, në disa momente specifike të historiës janë kthyer në llafe që kanë bërë që këto lloj keqkuptimesh të thelloheshin edhe më tepër.) Gjithsesi, unë do ta marr këtë shkakun e pabazë të ndërhyrjes tënde si një pretekst për të na treguar për një eksperiencë personale, që me thënë të vërtetën edhe mua më solli disa kujtime fëmijërie me bletët, dhe të afërmet e tyre, arëzat.

          Sa për njohuritë e mia, ti “vektorin” tim nuk e njeh aspak.
          Mund të pretendosh te njohësh tëndin shumë mirë madje; që bazuar mbi një gjykim të shpjetë mbi ato çka ke lënë këtu, të paktën, them se shkon gjithnjë e më shumë drejt minus infinitit. Ti besoj, me shumë qetësi mendon se ai shkon gjithnjë e më shumë drejt plus infinitit. Unë them se është çështje, jo kulture, por edukimi – mosnjohje të akseve të planit e më tej hapsirës, ose le të themi parë me një optikë të shtrembërt. Sokrati do të ofendohej.

          Kam edhe një frikë tjetër, më të madhe, se mos më je Ana H e PPU. Atëhere, të më falësh, ti, dhe të gjithë ata që po më lexojnë. Ky diskutim mund të zhvillohej fare mirë tjetërkund, sepse thumbat dhe simbolikat askush nuk na i ka borxh. As qejfmbetjet inatçore nga diskutime të tjera të shkuara.

          1. Pse kaq nervoz ne dy paragrafet e fundit ?! Blete e grereza… Sokrati i mirepriste debatet me qetesi…

            Kam shume respekt per ‘vektorin’ tuaj se eshte i juaji.

            Sa per PPu-n dhe Ana H eshte liman qe nuk kam ankoruar kurre…

            Ne mbyllje pak humor : Nese Xhaxhai do te bente nje sondazh se cili komentator i ka dhene me shume ‘mjalte’ ketij blogu, une do te votoja per ju.

            1. ‘Phaino’, alias ‘Rinstikt’, alias…

              Edhe nje here dhe e fundit (me fal xhaxha), per te nxjerre dufin xhanem ne pergjigjer te dufit, se me ke lenduar me ate ‘Sokratin” tend.

              Di mire ne cilen porte te trokas (M’a kane mesuar prinderit, dhe po nuk ju dhane pergjigjen trokitjes se ‘lypjes’ tende nuk te ofendojne aspak. Atje ku pres te me thone ‘bujrum’, pavaresisht nese kam kostum firmato apo te blere tek gabi, pasi nuk njihemi ne mejdan, i bie deres dhe me grusht…

              Po te ishte do te trokisja ne porten tuaj pothuaj te shqyer e pa celes pasi nuk hyne kush, se po te ishte ndryshe ju nuk do te bujtnit mengjez, dreke, darke tek xhaxhai, kur ai nuk ju ka bere asnje vizite,qofte edhe kortezie ne ‘shtepine’ tuaj (blog)…

              I falemnderit xhaxhait qe i mikpret te gjithe, pa u vene ‘metrin’ tek porta, qe kush permbush standartin s’ka nevoje per celes. Me shume mesoj sesa jap leksione.Konfuci ka ka thene sipas ‘citateve te tija’ : ” Kur bisedon me te pranishem te nje niveli me te ulet, te jesh miqesor dhe i drejteperdrejte; kur bisedon me te pranishem te nivelit te larte, te jesh i permbajtur dhe i sakte; kur eshte i pranishem prijesi te jesh i kujdesshem por jo i ndrydhur…”

              Kohet kane ndryshuar. Ekonomi tregu i thone. Nuk me pelqejne produktet me ‘gjilpera’ te marra ne internet, por bio…Per qef e shendet xhanem!

              Po te kisha blog si puna juaj, nuk do te hidhesha ‘preher me preher’ per te reklamuar produktin tim elektronikosht, sepse ne i themi ‘nuk kercehet hu me hu…’

              Ketu, tek PTF ,kryesisht mesoj te gjej ‘pin-in’ per te plotesuar kenaqesite e mia dhe jo per te reklamuar aftesite e mia.

              Hunda e madhe eshte difekt i te zotit qe e ka dhe jo i yni…

              Jemi te ndryshem, madje shume, por njelloj jemi, jemi njerez, sic thote Pishaku, ‘jemi nerez plot jete’…

              Mos e harro Darvinin….

            2. S’qenke kursyer fare. Por prap, mendoj se, asnjë kacidhe nuk vlejnë, aq më tepër që tani i shpure në inflacion. U kuptuam gjithsesi.
              🙂

        2. anna,

          kur themi “bletët simbolizojnë” diçka, nuk do të thotë që edhe ne njerëzit duhet të jetojmë në koshere e të imitojmë jetën e tyre. Kur një bletë thumbon për mbrojtjen e kosheres së vet, edhe pse e di që pas thumbimit do të vdesë, ne shohim në këtë akt vetëmohimin, edhe pse bletari ose entomologu mund të na e shpjegojë me instinktin.
          Bletën ne e përshoqërojmë me virtytin, kurse mizën me vesin; po kështu milingonën dhe gjinkallën, megjithëse krahasimi çalon. Nuk jam bletar, edhe pse disa njohuri për bletën nuk më mungojnë; gjithsesi, bleta vërtet e meriton ta simbolizojë virtytin. E jo vetëm për çka prodhon.

  3. Me sa di unë, bletët janë insekte eusociale dhe çfarë bën një bletë e vetme është po aq relevante sa edhe çfarë bën një qelizë e trupit të njeriut.

    Ngaqë ne jemi qenie me individualitet dhe të vetëmjaftueshme, priremi t’i shohim si individuale edhe qeniet e tjera.

    Kjo mund të vlejë për një mace ose një oktapodh, por jo për insektet eusociale, si bletët, milingonat dhe termitet.

    Një bletë e vetme nuk ka kurrfarë individualiteti dhe nuk mund të mbijetojë larg grupit të vet.

    Kjo shpjegon edhe faktin që bleta vetësakrifikohet aq lehtë, kur thumbon.

    Kusht për të qenë insekt eusocial është edhe çfarë e kanë quajtur ndarje riproduktive e punës; ose faktin që numri i individëve që marrin pjesë në riprodhim është shumë i pakët, në raport me popullsinë e grupit.

    Kolektiviteti i bletëve (dhe e milingonave) mund të vlejë si metaforë për një shoqëri absolutisht hierarkike, ku një masë e madhe individësh inferiorë punojnë dhe sakrifikohen për një pakicë të specializuar për riprodhim.

    Bleta vërtet punon, por jo aq për mirëqenien e vet si insekt individual, sesa për atë të kosheres. Vetë mirëqenia e bletës është në shërbim të kosheres.

    Kosherja është përdorur edhe si shembull i një kolektiviteti ku interesi personal është tërësisht në shërbim të interesit të përgjithshëm.

    E megjithatë shembulli nuk qëndron, sepse bleta individuale është fiksion, ose një imponim i mënyrës si ne i vështrojmë këto insekte.

    Ka diçka të bukur te bleta, sikurse ka diçka të bukur te lopa ose te trëndafili. Natyra ashtu na flet, sepse ne ashtu duhet ta dëgjojmë.

    Aftësia për të bashkëpunuar me përfitim reciprok është virtyt për njeriun, sepse secili prej nesh ka individualitetin e vet, me të cilin identifikohet; dhe prandaj duhet gjithnjë të negociojë me prirjen për përfitim personal në kurriz të tjetrit.

    Për bletët, përkundrazi, bashkëpunimi është po aq i natyrshëm dhe i pashmangshëm sa ç’është për ne djersitja ose procesi tretës.

  4. Sjellja e bletës individuale është tejet altruiste. Altruizmi është një ndër mjetet e korpusit total të procesit evolutiv.
    Ka diçka paradoksale, gjithnjë sa hetë tentohet trajtimi i këtyre temave. Gjithsesi mund t’i shpërtojmë këtij paradoksi duke kujtuar edhe një herë se njësia e seleksionit nuk është individi, pra as bleta e as njeriu, por gjenet e tij.

    Sado që bleta punëtore në vetvete nuk mund të riprodhohet, ajo ndan me shoqet e veta një pjesë të individualitetit të vet, që me përkufizim nuk është më individuale por e përbashkët. Janë gjenet, apo një pjesë e gjeneve.

    Unë nuk jam i azhurnuar mbi këto tema por diçka e di, dhe do ta them. 🙂

    Di se ka patur debate akademike mbi mekanizmin, apo më saktë mbi emërtimin që duhet të merrte ky mekanizmi i bashkëpuminit të milingonave dhe bletëve, për të mirën e përbashkët.

    Disa apelonin për futjen e “inclusive fitness” disa të tjerë për teprinë e këtij termi duke replikuar se kjo lloj sjellje është veçse një aspekt i mekanizmave më të gjerë evolutiv, që vihet re vetëm në qeniet eusocale.

    Bleta sado që nuk riprodhohet, ka individualitetin e vet. Dhe duke ndihmuar kolektivin ku bën pjesë, edhe këta individë pa aftësi riprodhuese, ndihmon në mbijetesëne kosheres së vet, në totalitetin e saj apo më mirë të them në totalitetin e përbashkët. Lutem mos i mvishni bletës intencion, ai është veçse aparent, sikundër edhe tek njerëzit në ato çka bëjmë përdita. Nëse mbijeton kosherja mbijetojnë gjenet e përbashkëta.

    Pra altruizmi, mund të shpjegohet fare mirë me ndihmën që japin në shpërndarjen e këtyre gjeneve të përbashkëta këto bletë punëtore. Edhe kur dëmtohet individi, ka një të mirë, qëllimi i humbjes është shpërndarja e gjeneve. Kjo ide e të parit të gjeneve përkundër individëve është më e re se Darvini. Përkon në mos gaboj me rizbulimin e gjenetikës mendeliane, kombinimin e kësaj me idetë darviniane dhe formulimin e kornizës së neo-Darvinizmit.

    Stresoj sërisht faktin se inclusive fitness nuk qëndron mëvetësisht nga seleksioni natyror. Është më shumë një mjet i tij dhe siç është quajtur nga Nowak el al. një konstrukt sipërfaqësor (superfluous) (“abstract enterprise”).

  5. Kam disa bletarë në zyrë e në fis që, kur bie fjala për jetën e bletëve, nuk pushojnë së foluri me orë të tëra. Jeta në koshere është botë më vete. Shumë interesante e pasionante. Studiuesit e bletarët vazhdojnë të zbulojnë gjëra të reja. Më ka mahnitur një herë shpjegimi që më dhanë për vallen e bletëve, që e hedhin kur ua komunikojnë njëra tjetrës vendin e luleve ose të ujit. Janë më të sakta se busullat ose radarët e sotëm.
    Insektet sociale si bleta kanë mënyrën e tyre të sjelljes dhe të organizimit të bashkësisë. Janë organizma që përbëjnë organizma. Në fakt, kosherja mund të konsiderohet fare mirë si një organizëm i vetëm, me mënyrën e vet të sjelljes, me datëlindje e datëvdekje.
    Megjithatë, mua më interesonte ta shikoja bletën në planin alegorik e simbolik. Bleta i përshtatet mirë këtij këndvështrimi sepse ndryshon ta zëmë nga milingonat, edhe pse këto kanë hyrë në mendjen tonë si kursimtare e punëtore të mëdha; ndryshe nga milingonat, bletët prodhojnë gjëra që na shërbejnë shumë si njerëz. Bletët ne i “kultivojmë”, i rrisim sikurse lopët në stalla. Bletaria ka arritur nivelet të larta shkencore, pothuajse si zooteknia.
    Po kështu, ndryshe nga termitet ose grerëzat (gjithashtu qenie eusociale), bleta përshenjon më shumë, sepse jeton pranë njeriut, e njëkohësisht është e dobishme për të. Nga ana tjetër, milingonat nuk janë të domosdoshme për pjalmimin (polenizimin) e luleve. Karakteri konvencional i asaj që na tregon bleta është i pjesshëm. Në qoftë se bletët nuk prodhojnë mjaltë, ose vdesin më shumë seç duhet, mund të shpjegohet me ndryshimin e klimës, që mund të shkaktohet nga ndotja, që mund të jetë produkt i njeriut…
    Është e vërtetë që ne i personifikojmë kafshët, u japim vetitë e njeriut për të treguar diçka tjetër. Megjithatë, këto veti konvencionale, virtyte apo vese qofshin, unë i shoh më qartë tek bleta se tek një insekt tjetër që nuk hyn në familjen eusociale. Është e qartë se tek filmi i famshëm Antz, personazhi kryesor simpatik, që dëshiron të dalë jashtë konformizmit, nuk mund të ekzistojë në botën reale të insekteve.
    Rrallë herë, e marr të mirëqenë praninë e jetës në Univers dhe imagjinoj se si na shikojnë jashtëtokësorët e mundshëm. Si u dukemi vallë? Si e shikojnë Tokën, si një koshere të madhe, si organizëm i madh? Cili është mjalti që prodhojmë për ta? Po Mbretëreshat, Presidentët, Shefat si i studiojnë? Na konsiderojnë me individualitet apo si kafshë sociale? Më duket sikur i lexoj: “Në shtëpizat e tyre, ku jetojnë e riprodhohen, mbledhin ushqime rregullisht. Furnizohen në vende të posaçme ku mbizotërojnë rregulla të kodifikuara rreptësisht. Kush nuk i respekton merret forcërisht nga të ashtuquajturit ‘njerëz policë’. Ekzistojnë edhe njerëzit punëtorë, gardianë, mjekë, bletarë, sikurse ka edhe parazitë… Punojnë të gjithë për Njerëzit Mbretër, të cilët janë pak e mbledhin pasuri pa kufi. Punojnë zakonisht në financë. Gjithsesi, karakterizohen si qenie nga dëshira për jetën. Që këtej edhe shprehja jonë ndërplanetare: plot jetë si njeri”.
    Kushedi seç shkruajnë në blogjet e tyre galaktike, artikuj me titull: “Le të pyesim njerëzit”. Ose komente: “Njerëzit vdesin nuk ngordhin. Njerëzit nuk janë njerëz, janë kafshë sociale” e kështu me radhë. Këtu lind pyetja tjetër. Po bletët si na shikojnë neve? Me siguri si hajdutë, përderisa ua marrim mjaltin rregullisht. 🙂

    1. Më kujtove një tregim fantashkencor që kam lexuar dikur, ku ishte marrë vesh se njerëzit vërtet mbarështoheshin, në kuptimin blegtoral, nga një qytetërim jashtëtokësor i epërm, siç rritim ne delet ose bletët. Dhe cili ishte mjalti që prodhonte njerëzimi? Dhimbja.

        1. Përtej fantashkencës, kam lexuar që disa etologë gjejnë, te njeriu, tipare të sjelljes karakteristike për kafshët shtëpiake, jo ato të egrat; duke na parë si “të zbutur.” Të zbutur nga kush dhe pse, vallë?

          1. Cdo perpjekje per te bere krahasime ne mes te njeriut si krijese e dalluar dhe krijesave tjera sic jane kafshet mund te jete e natyrshme, e kuptueshme ne nje mase, por jo per t’ia ulur rendesine ose vene ne te njejtin nivel me kafshet, por perkundrazi per te vene ne pah aftesite, priviligjin, dhe obligimin qe njeriu ka perballe vetes, ndaj gjerave qe e rrethojne duke perfshire edhe kujdesin ndaj kafsheve, edhe atyre te egra, por edhe privilegjin qe iu eshte dhene si mekembes ne toke. Eshte se tepermi humbje e paarsyeshme kohe nga kush do qofte per te bere krahasime te tilla ose per te vene epitete te ngjajshme si ‘kafshe e zbutur’, edhe pse nuk eshte dicka e re. Nga ana tjeter njeriu me sjelljet e tij mund te perfundoj ne nivel te kafsheve, por kjo nuk jep te kuptojme se njeriu eshte krijuar i tille. Sic edhe, mund te arrij gradat e melekeve (engjujve) me sjelljet e tij, dhe prap, jo ne kuptimin se eshte krijuar i tille. Njeriu mbetet krijese e nderuar ndaj krijesave tjera por edhe sic thash me heret, me shume obligime dhe pergjegjesi para vetes nga Krijuesi Fuqiplote.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin