JETA E BRISHTË E FJALËVE

Fjalët akush nuk i ka parë të vijnë, por edhe kur ikin, nuk i sheh askush. Arsyet janë të pafund. Edhe politike, bile. Nuk po kujtoj këtu sa fjalë u zhdukën përfundimisht me rënien e sistemit të vjetër. Agonia nganjëherë zgjat edhe gjysmë shekulli. Ka të tilla, që ndërsa janë në hekë e sipër thirren përsëri nga kjo anë e tunelit dhe fillojnë një jetë të dytë.

Ka edhe nga ato të cilave u kushtohet ndonjë nekrologji, thuhen dy fjalë, tregohet edhe cili dekretoi dekretin që i dha fund një ekzistence të tillë. Se ka edhe fjalë që vdesin me dekret.

Para nja dy ditësh lexova që kishte ikur nga kjo botë fjala më e gjatë e gjuhës gjermane. Një që nuk kishte më pak se 63 germa. Fjala: “Rindfleischetikettierungsüberächungsaufgabenübertragungsgesetz”.

Dhe kjo ndodhte sepse parlamenti i Landit të Meklemburg-Poméranisë shfuqizoi ligjin që kishte shënuar lindjen e asaj fjale, pra: “Ligjin e transferimit të detyrimit të survejimit të etiketimit të mishit të trashë”. Por, nëse një akt i tillë pati debate të natyres ekonomike dhe jo gjuhësore, një gjë e tillë nuk ndodhi me futjen  e anglicizmit  “shitstorm” ne faqet e fjalorit të famshëm Duden. Ai u shoqerua nga një stuhi e vërtetë debatesh në linje.

Javën që shkoi publiku frankofon u njoh me vjeljet e reja të fjalëve të vitit të fundit. Është një lloj ceremonie që përsëritet çdo pranverë. Këtë radhë thuhet se debatet kanë qenë të ashpra, por së fundi në Larousse (në atë të vitin 2014, që sapo doli) kanë zënë vend fjalë të teknologjive të reja si “googler” për të bërë një kërkim në “Google”, po ashtu qenë pranuar “texoter” për të shkruar një sms, “cougar” (do të ketë hyrë, me gjasa, nga një film amerikan që flet për gra që synojnë marrëdhënie me burra më të rinj) etj.. U pranua zyrtarisht hyrja e një termi të fushës së mbrojtjes, “cyberdéfense”, nga fusha e ekologjisë “méthanisation”, nga ekonomia “microfinance” e plot të tjera. U hodh poshtë folja “zlataner” (me origjinë futbollistin Zlatan Ibrahimoviçi dhe që ka dy kuptime, të fitosh një ndeshje dhe të fitosh duke poshtëruar kundërshtarin). Për të pati shumë debate edhe në redaksinë e Le Robert. Edhe aty nuk u pranua.

Të gjitha këto janë fjalë që njiheshin e përdoreshim më parë, por kjo nuk e përjashton analizën nëse ia vlen që të zënë vend në një fjalor të gjuhës kombëtare. Ka një procedurë që zyrtarizon ekzistencën e tyre.

Është e tepër të kujtoj se këto shembuj nuk do të kishin asnjë lloj interesi jashtë vështrimit si një mënyrë e fronësimit të fjalëve, si u hapet porta e madhe dhe shmanget gjendja e vështirë e leksikut paralel, që fatkeqësisht është buka e përditshme e shqipfolësve dhe që lë në udhëkryq ata që kanë vullnetin e mirë të bëjnë zgjidhjen më të arsyeshme. Vërtet, nuk janë gjuhëtarët që bëjnë gjuhën, por ata si puna e policëve, njohin diçka më mirë se ne kodin e rrugës.

Është e vërtetë se para gjuhësisë shqiptare, bashkë me problemet me të cilat ndeshen edhe gjuhët e tjera, veçanërisht përpunimi i një strategjie për përballimin e mësymjes së teknologjive të reja, apo shtimi i kapaciteteve kuptimore e shpjeguese, pra bashkë me to ajo ndeshet edhe me çështje që kanë në origjinë një ndërhyrje të vrazhdë në zhvillimet gjuhësore, standardizimin e saj në vitet ’80. Rrethanat rëndohen jo vetëm për shkak të natyrës ikonaklaste të ndërhyrjes, por edhe sepse regjimi i kohës kishte në dorë edhe mjetet për të vënë në jetë vendimet që merrte.

Në këto kushte gjykoj se nuk është i zhveshur nga interesi vështrimi i këtyre problemeve në perspektivën e evolucionit të përgjithshëm gjuhësor. Se, vërtet, çfarë ndodh me fjalët dhe gjuhët, ku shkojnë ato?

Thuhet se gjuha është një lloj organizmi i gjallë, po a duhet t’i marrim seriozisht shenjat klinike që paraqet apo jemi të lirë të aplikojmë ndaj saj një “liberalizëm gjuhësor” dhe t’ia lëmë gjithçka në dorë “tregut” të lirë të komunikimit?

Me sa thuhet, sot nga 6700 gjuhë që fliten në botë vetëm rreth 1.000 prej tyre gëzojnë shëndet të mirë. Në ditët tona ritmi i shuarjes së tyre ka kapur shpejtësi të pa njohura më parë. Llogaritet një mesatare prej dhjetë gjuhësh që zhduken çdo vit. Ka edhe specialistë që parashikojnë zhdukjen e 50 deri 90 % të gjuhëve deri në fund të shekullit.

Në këto kushte, mundësia që një ditë i gjithë globi të flasë një gjuhë të vetme, nuk është më teorike. Me këtë rast ka një lajm për të dhënë: Sipas gjithë gjasave ajo gjuhë nuk do të jetë shqipja. E di që me këtë pohim mund të fitoj mërinë e shumë vetëve, por shqipja nuk figuron as në listën e tetëdhjetë gjuhëve më të shëndetshme në botë, ku janë të pranishme pothuaj të gjitha fqinjet e saj, greqishtja, italishtja, serbishtja. Shqipja bën pjesë te gjuhët që lëngojnë, me mjaft nekroza në trup, por edhe me tendenca të qarta vetëvrasëse. Shkurt, shqipja mund të braktisë ose të braktiset nga shqipfolësit shumë kohë para përfundimit të misionit të saj.

Ka nga ata (A. Klosi) që vërente se ajo paraqitej më mirë gjysmë shekulli më parë. Ana tjetër e këtij konstatimi është se ai provon që sot ajo ndodhet në gjendje bjerrjeje të vazhdueshme.

Pamë se shifrat e vdekshmërisë së gjuhëve janë të larta, ndërkohë që jetëgjatësia e tyre është e shkurtër. Vetëm pak gjuhë, ajo baske, izraelite, ajo kineze e ndonjë tjetër kanë jetuar a vazhdojnë të jetojnë edhe pas 2 mijë vjetësh. Të tjerat nuk e kanë atë fat.

Po çfarë e përshpejton vdekjen e gjuhëve?

Në radhë të parë gjuhët vdesin kur kanë vdekur ata që e flasin atë.

J. Malkieli thoshte se ishte i fundmi që fliste portugalishten e vjetër (në fakt ai atë gjuhë e kishte të mësuar, se i fundmi me tamam kishte vdekur prej kohësh). Por ky rast të ngjall një farë shprese të rreme, të lë përshtypjen se çdo gjuhë e vjetër që vdes lë pas një pasardhëse, fringo të re. Fatkeqësisht këtu kemi të bëjmë me përjashtime të rralla. Në çdo tekst të Hyrjes në gjuhësi jepet rasti i dalmantishtes që u shua me folësin e saj të fundit, Tuonen (Antonin). Nuk la pasardhëse. Kërkush nuk njeh një dalmatishte të re.

Si shkak tjetër veç dobësimit të numrit të folësve, llogaritet edhe emigracioni, dominimi social ekonomik, llogariten edhe rastet e atyre gjuhëve që fliten në një vend ku folësit nuk janë në shtetin e tyre sovran (në kohën time kam lexuar me dhjetëra romane të përkthyera në Kosovë, por vetëm në të rrallë më qëllonte të kuptoja ndonjë paragraf). Më tej mund të flasim për imperializmin kulturor (se në fakt ekziston, edhe pse jo në kuptimin marksist, por në atë evolucionist), pra të rrezikut që vjen nga gjuhë, kultura dhe arte më të evoluuara: dikush që këndon e shprehet më bukur se unë, ul vetiu numrin e fansave të mi. Si të tillë gjykoj atë që ndodhi në vitet e para të mbretërimit të Zogut, kur nisur nga ideja e nxjerrjes së vendit nga prapambetja mesjetare, ai lejoi hapjen e kolegjeve private dhe futjen e gjuhës italiane në mënyrë masive në shkollat e kohës. Sinjalet shqetësuese që nisën të vijnë, por edhe raportet që i paraqitën një sërë burrash me mend si ministri i tij i Arsimit H. Mosi, e detyruan të marrë masa të forta për rivendosjen e monopolit të shtetit mbi arsimin, për t’i dhënë rol përparësor mësimit të shqipes në shkollë. Ky rast len për të theksuar idenë se shqipja është një gjuhë që ka nevojë për mbështetje institucionale, në mos, për asistencë.

Në rastet që rreshtuam më lart nuk merret parasysh problematika e brendshme e një gjuhe dhe e folësve të saj, dasitë fetare e krahinore, por nuk përjashtohen edhe ato politike. Shqipja i ka vuajtur t gjitha këto. Madje edhe këtë të fundit. Studiuesit kanë vënë re me kohë se nëse pika e rëndesës së Standardit bie më pranë toskërishtes, kjo nuk ishte një zgjedhje fort e pafajshme.

Një rast tjetër është ai i bilinguizmit social. Në vetvete, thonë specialistët ky fenomen nuk paraqet një sëmundje për gjuhën, por për këtë nuk jam fort i sigurtë. Është e vërtetë se bilinguizmi kurrë nuk ka shkaktuar zhdukjen e ndonjë gjuhe, por për mendimin tonë nuk përjashtohet që fenomeni të ndikojë në moszhvillimin e ndonjërës prej tyre në rastet kur pjesa më dinamike e popullsisë së saj ka të gjitha mundësitë që të shprehet në një gjuhë tjetër, më të zhvilluar. Se gjithçka tregon se nuk mund të kesh shkathtësinë dhe njohje maksimale në më shumë se një gjuhë, edhe pse mund të flasësh e lexosh në disa të tjera..

Nuk përjashtohet ideja se bilinguizmi mund të jetë një nga arsyet pse shkrimi i shqipes u shfaq aq vonë dhe pse vetë shqipja mbeti një gjuhë aq e varfër dhe e pa përpunuar. Se të thuash të drejtën Buzukut vetë do t’i dilnin jo pak probleme të pazgjidhshme po qe se do të ndërmerrte përkthimin e traktateve të bashkëkohësve të tij, f.v.j të Hobbes. E keqja është se edhe stërnipi i tij njëqind vjet më vonë nuk do ta kishte më të lehtë po t’i shkrepte në mendje t’i njihte tregtarët shqiptarë të kohës me idetë e liberalizmit ekonomik të Xh. Lokut.

Në të vërtetë, shqipja do të përfitonte shumë po qe se ata do t’i kishin hyrë misionit të vështirë të përkthimit të atyre veprave. Nuk i hynë sepse po të kishin nevojë (ata dhe të tjerët si ata) ato vepra i lexonin vetë në një gjuhë tjetër. Si përfundim shqiptarët e vegjël nuk patën rast të lexonin në gjuhën e tyre një mendim të evoluar të shprehur me fraza të përpunuara. Ja pra roli i bilinguizmit në rastin e dosjes së gjuhës shqipe, ai shmang urgjencën sociale. Me të thënë një gjë të tillë, menjëherë duhet shtuar se në thelb është prapambetja e brendshme që nuk nxirrte para shoqërisë së kohës nevojën e mendimit të Hobbes apo Xh. Lokut. Kjo nevojë me sa duket nuk del as sot si urgjencë. Se kemi kapitalistë por jo kapitalizëm.

Megjithatë, Buzukut dhe të tjerëve duhet t’u jemi mirënjohës që përkthyen tekstet fetare. Ato vërtetë nuk shërbyen fort për ruajtjen e fesë tradicionale nga pjesa më e madhe të popullsisë, por gjithsesi kushdo mund të ketë vënë re se termat në këtë fushë nuk janë aq të varfra sa gjetiu. Shpesh mendoj se po qe se Barleti nuk do ta kishte ditur latinishten, ai do ta kishte shkruar Historinë e bëmave të Skënderbeut ne italisht, por po të mos e kishte ditur as italishten, mbase do ta kishte shkruar në … shqip. Vetëm aq do të mjaftonte për të fitur gjysmë mijëvjeçari si komb.

Në thelb ideja e projektit të madh të përkthimit nga ana e Gjon Buzukut, dështoi. Ndërsa përkthimet e para të teksteve biblike mbeten për shumë gjuhë evropiane si faza e tyre klasike dhe gati referencë për ato gjuhë (gjermanishtja e M. Luterit, p.sh…), nuk mund të thuhet një gjë e tillë për “Mesharin” e Buzukut.

Megjithatë, fundi i gjuhëve, për mendimin tim, nuk vjen nga konvergjimi i një gjuhë drejt një tjetre më të fuqishme. Fundi i gjuhëve vjen thjesht se ato bëhen të papërdorshme, nuk vlejnë, ngathtësohen, huazojnë pa kriter, i shprehin gjithnjë e më përafërsisht gjërat, shndërrohen në kufoma të gjalla.

Ne sot jemi dëshmitarë se strategjitë e qëndrimit (kur pati të tilla) ndaj problemeve të mëdha gjuhësore u nxitën, që nga Rilindja e deri vonë, nga motive politike, asnjëherë shkencore.

Kjo është arsyeja që marrëdhëniet e shqipes me mjedisin rrethues vazhdojnë të mbeten të paqarta dhe në fund të fundit shembujt e mësipërm të fjalorëve frëng i sollëm për t’i parë si një alternativë sa kohë që na mungojnë idetë origjinale.

Është shfaqur me çdo kohë edhe një korrent purist që mendon se boshllëqet që krijohen mund të mbushen duke iu kthyer fondit të vjetër të shqipes. Nuk duhet tepruar, gjithsesi. Të pasurosh shqipen me fjalët e vjetra është njësoj si t’i shtosh njeriut diçka që e ka humbur prej kohësh për shkak të evolucionit. Bishtin përshembëll.

Duhet patur përunjësia të pranojmë se nuk kemi trashëguar gjuhën e Shekspirit, as atë të Dantes, por as atë të Cirilit e Metodit, për të mos folur për gjuhën e Ungjijve të fqinjëve tanë jugorë. Kemi trashëguar gjuhën e Buzukut, që e bënte të qante edhe atë vetë.

Por, ndryshe nga sa u tha më sipër, nuk më duket se procesi i kalbëzimit të një gjuhë është gjësendi e pakthyeshme. Besoj më fort ata që thonë se gjuha nuk është një organizëm biologjik i thjeshtë, se ajo shfaqet më fort si një realitet social që nuk i nënshtrohet më shumë determinizmit biologjik sesa vullnetit të folësve të saj.

Nuk kam përshtypjen se ky vullnet mungon. Të gjithë thonë se ka ardhur koha të ndryshojmë qëndrimin tonë dhe të institucionalizojmë zgjidhjen e disa problemeve të mprehta të gjuhës.

E keqja është se këtë e thonë edhe ata që e kanë në dorë ta bëjnë një gjë të tillë.

Nuk ka komente

  1. Kritikën që ja bën përkthimit shqip në Kosovë e kam hasur shpesh, pa ndonjë arsyetim të qëndrueshëm. Kjo më shtyu të reagoj.

    Risi mu duk arsyetimi i mungesës së përdorimit cilësor të gjuhës përmes mungesës së shtetit, arsyetim i cili nuk më duket se qëndron, sepse izraelitët – dhe të gjithë ata që ndërtuan fe a kulturë pa pasur shtet – na mësojnë të kundërtën. Nga ana tjetër, shteti nuk e garanton aftësinë në gjuhë, siç u mësua nga shqipëritarët – supozoj se Lyss është prodhim i sistemit arsimor të Shqipërisë.

    Si ilustrim i pohimit të fundit, do ta analizoj paragrafin e parë të shkrimit kryesor:

    – Fjalët akush nuk i ka parë të vijnë, por edhe kur ikin, nuk i sheh askush.

    Kjo fjali nuk më duket se qëndron si nga ana gramatikore, sepse në një fjali të përbërë të bashkërenditur (supozoj që është synuar të ndërtohet një fjali e tillë) përdor lidhore (të vijnë), që shpreh modalitetin e mundësisë, me dëftore (ikin), që shpreh modalitetin e vërtetësisë, ashtu edhe nga ana logjike, sepse dikush, në një moment, _i sheh_ të paktën disa fjalë të hyjnë a dalin, apo edhe i krijon apo çzyrtarizon ato me vetëdije (si zlatanin në Francë). Ngram e Google-s (http://books.google.com/ngrams) e ilustron shumë mirë këtë për disa nga gjuhët e shkruara.

    – Arsyet janë të pafund.

    Po u hoq problemi filozofik i pafundësisë, fjalia qëndron me zor, sepse e krijon, por nuk e zgjidh konfliktin se cili është i pafund: numri i arsyeve apo madhësia e tyre (pra, një arsyetim që zgjat 10+ vëllime të enciklopendisë). Përndryshe, me pafundësi në të, fjalia s’qëndron hiq.

    – Edhe politike, bile.

    Gjuha, si u shtjellua më tutje në shkrim, është prodhim politik. Prandaj, të gjesh një spic në pafundësi, përderisa ai s’është spic, por vet strumbullari i çështjes, më duket shëtitje e panevojshme.
    Një kosovar i kënduar do të ishte shprehur kështu: Arsyet janë të shumta (dhe të gjera, thella, …), por kryesisht politike.

    – Nuk po kujtoj këtu sa fjalë u zhdukën përfundimisht me rënien e sistemit të vjetër.

    Dalja nga përdorimi nuk do të thotë zhdukje, si e ka dëshmuar me zell M. Elezi. Regjistrat e atyre fjalëve ekzistojnë, prandaj më duket se termi “zhdukje” është një zgjedhje e pafat. Për më tepër, karaterizimi i zhdukjes si përfundimtar hap mundësi interesante interpretimi, si psh çka do të paraqiste zhdukje jopërfundimtare, apo nga e dimë që kjo e tanishmja është me të vërtetë përfundimtare, etj.
    Korrelacionin që i bëhet fjalës me sistemin e lexoj si karakterizim të gjuhës përmes politikës.
    Një kosovar i kënduar do të shkruante se _nuk do të donte të na kujtonte se sa fjalë…_, sepse “a na kujton apo jo këtu” do ta lexojmë vet në vijim.

    – Agonia nganjëherë zgjat edhe gjysmë shekulli.

    Nuk e kuptoj se kush karakterizohet me këtë agoni: njerëzit, sistemi, gjuha, apo fjalët? Më duket se fjala është për _fjalët_, mirëpo atëherë më lind dilema se si duhet menduar agoninë: si ngurtësim të fjalës, apo si fluiditet të saj? Fjala e ngurtë, pra ajo e definuar saktë dhe njëkuptimore, vdes shpejt, por nuk ka _stres_ gjatë jetës.

    – Ka të tilla, që ndërsa janë në hekë e sipër thirren përsëri nga kjo anë e tunelit dhe fillojnë një jetë të dytë.

    Më pëlqeu “në hekë e sipër” për _në largim_ a _në heqje_, por fjalori nuk e ka. Si zgjedhje stilistike më tërhoqi vëmendjen më së tepërmi, përkundër elementeve tjera zbukuruese në fjali (thirren, tuneli, jeta e dytë), e që të gjitha këto e hidhnin porosinë në nivel të tretë a të katërt. Fatmirësisht, kjo porosi pritej që nga fillimi i fjalisë (nga fjalia e mëparshme, prej agonisë, del që ka (fjalë) të tilla që…), prandaj e tërë fjalia del vetëm një ushtrim stilistik me një “përsëri” të tepërt, e asgjë më shumë.

    Përkundër vërejtjeve, më duket se e kam kapur thelbin e idesë që përcillet në shkrim. Si përdorues gjuhe, por jo si specialist, e as si kujdestar a mjekues i saj, mjaftohem me kaq, pa hedhur shkelma mbi _dobësinë_ e përdorimit të saj nga ata që e bëjnë vet gjuhën. Të njëjtën vërejtje ja përcjell edhe kosovarëve që nuk i kuptojnë _llapërçitjet_ e shqipëritarëve. Përndryshe, kam bindjen – ndoshta të gabuar – se gjuha vdes kur nuk mund të përcjell më mesazh. Pra, atëherë kur refuzon të kuptosh me dhjetra romane që tjerët i kanë kuptuar, e ke vrarë gjuhën.

    Po të jetë e pagjasmja që Lyss është prodhim i sistemit arsimor të Kosovës, atëherë vetëm se e vërtetova atë që Lyss e ka shprehur në kllapa, pra që gjendja e sistemit arsimor në Kosovë ka qenë dhe është e mjerë, dhe kërkoj ndjesë për këtë koment. Megjithatë, dua të shënoj se unë i kam kuptuar disa përkthime nga kosovarët, sikurse që nuk i kam kuptuar disa përkthime të shqipëritarëve. Gjithsesi, jam i interesuar ti kuptoj të gjithë, sepse humbja e paevitueshme e shqipes është mëkat. (Por, kush tha që s’jetohet me mëkat?)

    Krejt në fund, e vë në pikëpyetje edhe vet titullin e shkrimit, sepse e barazon gjuhën me tërësinë e fjalëve, përderisa gjuha është shumë më tepër se aq. Për këtë nuk mund të argumentoj më shumë, sepse nuk i kam çështjet të kristalizuara as në mendjen time, por po e shpreh vetëm një ndjesi, _intuitë_ quaje po të duash.

  2. “Për këtë nuk mund të argumentoj më shumë, sepse nuk i kam çështjet të kristalizuara as në mendjen time, por po e shpreh vetëm një ndjesi, _intuitë_ quaje po të duash…”
    Megjithate, AB, faleminderit qe e ke lexuar deri ne fund.

    Sa per perkthimet e atehereshme ne Kosove (se ka nje ndryshim te dukshem me ato te sotmet, po jo shume), ka qene jo vetem nje pershtypje e imja, por e gjithe brezit time. Me pas, kur iu futa mesimit te serbokroatishtes, puna ndryshoi . Kuptova se sintaksa serbokroate nderhynte shume te fjalia e perkthyesve kosovare. Ose shumica e librave perkthehej nga serbokroatishtja ose ate kishin perfunduar studimet ne ndonje nga universitete mira ne Zagreb a Beograd.
    Me tej gabohesh kur krahason nje gjuhe rakitike si shqipja me gjuhen qe folen profetet e Izraelit. Me tekste te tilla qe u shkruajten mijra vjet me pare, kur nuk egzistonin as shqipje dhe as shqiptaret, doemos qe ajo gjuhe nuk ka nevoje per nderhyrjen e shtetit izraelit.
    Me shqipen ndryshon puna. Te nesermen e shpalljes se pavarsise nje pjese e dokumenteve vazhdonte te shkruhej ne turqishte se nuk kishte nepunes per administraten qe dinin shqip…

    Thoni: Gjuha, si u shtjellua më tutje në shkrim, është prodhim politik. … Une nuk e kam thene kete. Di qe edhe gjuhetaret marksiste pranonin natyren neutrale dhe joklasore te gjuhes. Desha te shpreh se nje konteks politik i jep gjuhes nuanca te veçanta. Xhaxhai ka shkruar nje liber te tere per nje gje te tille. Une flas per fjalet me ngjyrese te caktuar sociopolitike qe nuk perdoren me. Me kete rast, po te permend nje, qe m’u kujtua kete çast: qaflesh. Te mos keqkuptohemi, mbase dikush e permend edhe sot, por nuk eshte i njejti kontekst, e njeta ngarkese, i njejti rrezik, po te cilesoheshe i tille, e njejta perbuzje…

    Per me tej une nuk perjashtoj mundesine qe ju ti njihni me mire se une keto probleme. Me kete rast po te pohoj se qellimi i shkrimit ishte vetem qe te nxjerr perpara dy ide te mia, qe besoj se jane te miat. E para shtjellimi mbi rolin e bilinguizmit ne shoqeri dhe e dyta te them me ze te larte ate qe prej dhjetra vjetesh e bluaj ne veten time, pra, qe me gjithe deshiren e mire, projekti i Buzukut (qe do te jete frymezuar nga levizjet e medha te kohes,) doli te jete i deshtur.
    Fatkeqesisht, nuk kishte si te ishte ndryshe.

    1. Qysh në krye e thashë që arsyetimet se përkthimet e bëra në Kosovë janë të dobëta, janë të dobëta dhe nuk qëndrojnë. Përderisa ndërhyrja ime e parë e theksonte defektin në sintaksën tuaj, ju ankoheni për sintaksën e kosovarëve. Me sinqeritet e dashamirësi ju them se s’mund t’ju marr seriozisht për punë të vlerësimit, sepse bëni gabime të tipit “këto shembuj” – përemër femëror me emër mashkullor.

      Reagimi im i ka dy qëllime: të ndalojë me aq sa mundet përhapjen e bindjes së gabuar që përkthimet në Kosovë nuk kuptohen, dhe të ftojë për refleksion, e jo gjykim, sepse ndoshta gabimi është te ne, jo te përkthyesi.

      Për tjerat, kërkoj ndjesë, por s’mund të diskutoj, edhepse kjo temë – sado e vjetër – mbetet interesante.

      1. Nje shembull i nje perkthimi te palexueshem, te pakuptueshem, te pakten per mua, ka qene eksperienca e leximit te romanit te Sartrit perkthyer me titullim “Neveria” nga Masar Stavileci.

        Nuk e harroj megjithese kane kaluar mbi tridhjet vjet nga ajo eksperience jo e zakonte. Alpha Beta mund te jesh i familiarizuar me kete perkthim.

      2. Nuk them se kam marrë shpesh në dorë libra të përkthyer në Kosovë, dhe aq më pak botime të tanishme; por ato përkthime që më kanë rënë në dorë në vitet 1970-1980 kanë qenë të palexueshme.

        Arsyet besoj janë të thjeshta për t’u kuptuar: shqipja në Kosovë nuk ka pasur as kohë as kushte për t’u lëvruar në nivelin letrar.

        Sa u përket përkthimeve kjo arsye shprehet si mungesë e një tradite të konsoliduar përkthimesh në atë bashkësi kulturore, në një kohë që në Shqipëri kjo traditë jo vetëm ka ekzistuar, por edhe është çuar përpara deri vonë.

        Fan Noli është i pari që të vjen në mendje; por pastaj kemi edhe Gjon Shllakun, Halit Selfon, Pashko Gjeçin, Vedad Kokonën, Sotir Cacin, Sejfulla Malëshovën, Bujar Dokon, Henrik Lacajn, Spiro Çomorën, Ali Hashorvën; dhe më tej akoma Petro Zhejin, Misto Treskën, Klio Evangjelin, Alqi Kriston, Neka Turkeshin, Cezar Kurtin; dhe më pas Jorgji Doksanin, Jorgo Bllacin, Afrim Koçin, Shpëtim Çuçkën, Aurel Plasarin.

        (Dhe kushedi kë të madh kam lënë jashtë.)

        Këta përkthyes kanë dhënë një kontribut, për zhvillimin e shqipes letrare, të krahasueshëm me atë të shkrimtarëve më të mirë të shqipes.

        Cili përkthyes nga Kosova mund të vihet përkrah këtyre emrave? Mirëpres sugjerime dhe informacion, meqë njohuritë nuk më mjaftojnë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.

        Por le të mos gënjejmë veten: nga pikëpamja kulturore, Kosova ka qenë, për një kohë dëshpërimisht të gjatë, dyfish e emargjinuar: në periferi të kulturës jugosllave, dhe në periferi të kulturës shqiptare; ose truall i papërshtatshëm për rafinime kulturore, të atij niveli që kemi parasysh kur flasim për përkthime.

        Dua të them që autorë si Dante-ja, Cervantes-i, Boccaccio-ja, Balzac-u, Hugo-i, Shakespeare-i, Pushkini, Tolstoi dhe plot të tjerë si këta janë sjellë në shqip në Shqipëri, brenda një tradite përkthimore ku Kosova dhe autorët kosovarë nuk kanë marrë dot pjesë. Kjo nuk ka ndodhur për faj të tyre, as për shkak të ndonjë inferioriteti endemik; por për faj të rrethanave gjeopolitike.

        Është fat i madh për Kosovën dhe kosovarët që mund ta ndajnë tani traditën e përpunuar në Shqipëri sikur ta kishin të tyren; në emër edhe të afrimit dhe të integrimit kulturor brendakombëtar: mjafton të duan.

        Tek e fundit, shqipja – në të gjitha format e saj – nuk mund të privatizohet, as të gardhohet.

        1. Reagimi im ishte ky: Lyss i *gjykon* përkthimet e bëra në Kosovë si të palexueshme. Unë e gjykoj Lyss-in si të paaftë për të bërë atë gjykim. Nëse gjykimi im s’është i drejtë, ju lutem më njoftoni.

          Nuk mirrem me temën se ku janë bërë përkthimet më të mira.

          Kur e lexoj listën me Kokonën, Noli, Shvarcin e të tjerë, nuk më mbetet tjetër pos të bërtas: O sa mirë me qenë shqiptar!

          1. Shkruan:

            Nëse gjykimi im s’është i drejtë, ju lutem më njoftoni.

            Ja ku po ju njoftoj unë menjëherë: gjykimi juaj nuk është i drejtë. Madje jo vetëm: është dashakeq.

            Lyss-i i ka kartat në rregull për të gjykuar nivelin e një përkthimi (nëse keni dyshime për këtë, hidhini një kurrikulumit të tij). Cilat janë kredencialet tuaja, pseudonim, për të gjykuar aftësitë e Lyss-it?

            Dhe po përgjigjem sërish: kredencialet tuaja, si Alpha Beta, janë zero. Dhe dikush që flet me kredenciale zero, po bën figurën e klounit; por kushedi ky është edhe qëllimi juaj, gjithnjë si Alpha Beta – se në jetë ju mund të jeni edhe Rexhep Qosja dora vetë – po kujt i plasi.

            1. Seriozisht, duke i tundur kredencialet, te cilat megjithate i ka edhe Masar Stavileci, do ta fitosh kete debat?

            2. Po të ketë thënë ndonjë gjë ky Masar Stavileci për cilësinë e përkthimeve të dikurshme në Kosovë (ose edhe në Shqipëri, xhanëm), je më se i mirëpritur ta sjellësh këtu.

            3. Poenta ishte te vlera e kredencialeve, apo argumentum ad auctoritatem, qe ju thua nganjehere.

              Eh, dhe desh me binde qe jam klouni dashakeq ne kete mes…

            4. Kujdes me përemrat: Alpha Beta, për këdo që lexon blogun, s’është vecse një shkurtesë për përmbledhjen e fjalëve që janë nënshkruar ashtu. Një etiketë.

              Pastaj, le të mos e ngatërrojmë parimin e autoritetit me kredencialet. Nuk tha kush këtu që fjala e Lyss-it i vë vulën debatit, as që Lyss-i është autoritet i fushës; por ishe ti që the se Lyss-i është i paaftë të gjykojë këtë ose atë. Dhe këtu t’u përgjigja se jo, jo vetëm që nuk është i paaftë, por përkundrazi, i ka kartat në rregull.

              Gjë që nuk e them dot për ty, sepse nuk të njoh. As unë as shumë prej lexuesve këtu. Dhe në raste të tilla, për fjalët që shkruan, zbatohet parimi i vizores së Wittgenstein-it: ato fjalë që thua për të tjerët, në fakt shërbejnë vetëm për të të matur ty si person.

            5. Lyss shkruan se “në kohën time kam lexuar me dhjetëra romane të përkthyera në Kosovë, por vetëm në të rrallë më qëllonte të kuptoja ndonjë paragraf”. Kjo i duhej për të përcjellë idenë se vdekja e gjuhës përshpejtohet kur folësit nuk janë në shtetin e tyre sovran. (Rrjedhimisht, aftësitë gjuhësore të kosovarëve projektohen në shtet, si dhe mund të konstatohet vdekja e shqipes në Kosovë, sepse nuk kuptohet nga Lyss et al.)

              Kapërcimi nga _moskuptimi i leximit_ në të pranuar si të mirëqenë _përkthimin e dobët_ është shumë i guximshëm dhe i paarsyetuar. Këtu rrah çekiçi im, këtu më rri xhaxha. Ky kapërcim çalon në rrafshin individual (unë nuk kuptoj, pra ky përkthim është i dobët), e aq më tepër në rrafshin shoqëror (unë nuk kuptoj, rrjedhimisht Kosova përkthen keq, pra gjuha atje ka vdekur).

              Lyss mund të jetë studiues i zellshëm i përkthimeve dhe mund të ketë prodhuar edhe ndonjë monografi studimore, por – si shprehesh edhe vet – kujt i plasi (në lidhje me sa po diskutojmë, se ndoshta ja kam lexuar e ja kam pëlqyer librat, ku ta dish). Unë, aftësinë & kredencialet e Lyss dhe vizoret e Vitgenshtajnit i shpalova qysh në fillim, kur e analizova paragrafin e parë të shkrimit. Mendova që në këtë komunikim do të mjaftonte të sillnim mendjen e shëndoshë me vete, pa nevojë për CV. Me këtë rast, guxova të ftoj për refleksion e jo gjykim (e kupton që qysh në fillim është Lyss që e gjykon për të keq një traditë – sado modeste – të përkthimit në shqip në Kosovë?), porse u prita me batare nga ato që i keni zët, plus edhe m’u kërkua që të mos gjykoj; po mirë, ç’do të bëj, të duartrokas?

              Ky muhabet do të përfundonte mirë nëse Lyss do të kishte pranuar kufizimet e veta, shprehjet e zgjedhura pa takt a pa fat, para se të shtonte që vërejtja ime merret me çështje minore përsa i përket thelbit të shkrimit (me të vërtetë është e tillë, sikurse që edhe Lyss do të mund ta shkruante artikullin pa e marrë nëpër gishta Kosovën). Por jo, ai – dhe ju – vazhdoni duke thënë që për gjeneratën tuaj etj etj. Po mirë, gjenerata juaj, që për dallim nga përkthimet kosovare është më e kufizuar edhe në kohë edhe në hapsirë, nuk e meriton një kritikë para se ta shpallni të vdekur gjuhën? Me të vërtetë mendon se me numra (unë, ti, ai, ne, të gjithë ne nuk i kemi kuptuar përkthimet) do të më mbushësh mendjen që përkthimet janë të dobëta? Uroj që të pajtohesh se mjafton pak kredibilitet, kjo ishte e gjitha që kërkova. (Se ç’më kruhet tëmthi dhe kam dronë se do t’më thuash se s’kam të drejtë të kërkoj, apo diçka e tillë.)

              Ta çmoj punën (me timen edhe ta respektoj, edhepse e pranoj që e dua Krypën, Maksin, bile edhe Kristanthi Popoviqin më shumë, ndoshta sepse janë më të njerëzishëm se persona studiuese 2xh), prandaj të njoftoj se jam anonimus i bindur që fjalët, e jo emrat, kanë peshë. Të fala nga Ardian Gojani (Gjakovë, 1974 – ), i cili është rritur me rrogë të fituar nga përkthimet (jo letrare, por administrative; në një ambient ku të gjitha problemet mbi përkthimin që i diskutoni në temat tjera janë shoshitur, por kurrë mjaftueshëm). Pra, këtë çështje kaq personale edhe për mua, aspak nuk desha ta personalizoj, sepse para syve kam fjalët dhe leximin mes rreshtash (athua, a ka tjetër lloj leximi?), por jo shkrimtarin.

              Anonimati më ofron edhe njëfarë kënaqësie tjetër: jam në shoqëri me njerëz që vazhdimisht janë treguar më bujar se elitat, psh Marashi s’i ka proklamuar botës që s’është shqiptar, a Gjergjit ja fali.

            6. I dashur, mik. që nuk je i një mendje me mua apo me ndonjë koleg tjetër nga ata që u shprehën për këtë teme, kjo është normale. Anormale do të kishte qenë e kundërta. Në këtë përfundim erdha pasi lexova ndërhyrjen tuaj të fundit, me të cilën ju shprehni një formim të gjymtë kulturor dhe moral. Duke më kundërshtuar mua apo të tjerët (që të gjithë të sollëm ndonjë shembull ku e mbështesnim opinionin tonë), do të qe fort e dëshirueshme që edhe ju të bënit të njëjtën gjë, të na sillnit ndonjë shembull nga ana juaj. Kundërshtimi do të bëhej më i besueshëm. Ju nuk e bëni këtë. Dhe kjo sepse ju nuk dini asgjë për këtë temë, ju hidheni përpjetë e flisni për një problem që nuk e njihni fare.
              Pra në këto kushte pseudonimi që do t’ju shkonte më mirë është Analfa-bet.
              Si të gjithë injorantët dhe analfabetët që shfaqen e duan të sundojnë sheshin publik, ju jeni edhe i dëmshëm shoqërisht.
              Kur unë flas për një fushë të letërsisë siç mund të jetë përkthimi dhe e limitoj këtë në një periudhë të caktuar ju thoni se: “Lyss do të mund ta shkruante artikullin pa e marrë nëpër gishta Kosovën…” gjë që tregon jo vetëm se shkalla e paditurisë shkon deri në atë pikë sa nuk dini të formonin asnjë fjali të rregullt në gjuhën shqipe, por me përpjekjet që bëni duke krijuar kundërvënie midis emrit tim dhe Kosovës (pra Lyss nuk preku cilësinë e përkthimit të një kohe të caktuar, por bëri krimin e cënimit të dinitetit të Kosovës,), ju tregoni se jeni edhe njw person i mbrapshtë dhe keni karakter prej njeriu të fëlligësht, pervers.
              Tani a ia vlen të merresh me një surikat që nxjerr veshët nga vrima e tij dhe kërkon të tërheqë vëmendjen e të gjithë botës?
              Mendoj se po. Duke gjykuar nga mënyra se si shkruani ju jeni pa dyshim një nga ato minjtë e shkretëtirës që infektojnë hapësirat demokratike të internetit duke kërkuar armiq të Kosovës, agjentë të shitur te serbi etj., juve pra u duhet thënë herë pas here se sa vlerë keni në sytë e opinionit që çdo ditë pëson peshën e padijes dhe ligësisë suaj.

            7. Te ulim gjakrat dhe pa nevojen per te krijuar marredhenie konfliktuale si pasoje e keqkuptimeve.

              Une isha ai qe permenda emrin e te nderuarit Masar Stavileci dhe perkthimin prej tij te romanit te Sartrit.

              Me bukur se kushdo tjeter na jep te dhena mbi kredencialet e tij z. Stavileci, qe nepermjet nje autobiografie verbale te shkurter, sqaron edhe rrethanat dhe gjuhen e perdorur ne perkthimin e romanit ne fjale.

              Ju ftoj te ndiqni linkun e meposhtem te intervistes te tij.

  3. Nuk desha me ta zgjas kete pune se alpha beta i dha adrejtim te padesheruar e te dobet ketij muhabeti duke e ndare me ne dhe ju. Pra, une armiku dhe ai mbrojtesi i integritetit kosovar. Nuk kam qejf te debatoj ne keto pozicione te shemtuara. Por kalimthi po kujtoj edhe Dervishi dhe vdekja e Selimoviçit, nje kryeveper qe nuk e meritonte ate trajtim. Beri mire Ben Andoni qe e riperktheu para nja dy tre vjetesh, me duket.

    1. Lyss, jam kurioz te di pse e quan projektin e Buzukut te deshtuar?

      Ndersa persa i perket ceshtjes se bilingualizmit, mendoj se eshte nje faktor qe duhet te merret parasysh por nuk mendoj se eshte kembane alarmi per zhdukjen e shqipes. Dygjuhesia apo trigjuhesia nuk jane instaluar aq thelle sa te perbeje rrezik per shqipen. Psh sa shqiptare perdorin anglishten ne nivel institucional per t’u marre vesh me njeri-tjetrin ne Shqiperi? Aq me teper qe institucionet e larta arsimore qe perdorin anglishten si mjet komunikimi behen a s’behen dy. Ndersa persa i perket medias, rrezik asnjera nuk perdor si gjuhe kryesore anglishten. Bilingualizmi mund te perbeje problem per gjuhe si hollandishtja apo malajzishtja, vendet e levrimit te te cilave jane perfshire thelle ne globalizim ne rafshin institucional, arsimor dhe mediatik, por jo per vende si Shiperia. Por edhe ne keto vende qe permenda, spekulimet per zhdukje duken me teper si skenare fantastiko-shkencor.

      Pavaresisht kesaj, une mendooj se nje gjuhe e ka siguruar vazhdimesine sa kohe ajo eshte mjeti kryesor i komunikimit ne jeten sociale midis njerezve. Dmth persa kohe ajo perdoret jashte shtepise per t’u marre vesh me tjetrin. Ne Shqiperi, e jo vetem, pervec pako fshatareve te ardhur rishtazi nga Greqia qe shkembejne midis tyre nje greqishte te cale ne linjat e autobuzeve perfikerike (me shume per snobizem) te gjithe perdorin shqipen per t’u marre vesh me njeri-tjetrin. Kembanat e alarmit sot bien per gjuhe si ajo baske apo arberishtja e Italise te cilat nuk perdoren ne rruge midis njerezve. Kurrsesi per shqipen e cila ka njemije e nje probleme por jo kete,

      1. Pse i deshtuar? E shoh Buzikun si pjese te levizjes se madhe intelektuale (mbase edhe kombetare) per te afruar popujt me tekstet e shenjta, por aspak ne lufte me Vatikanin siç e paraqesin disa, sepse nje koncil i Vatikanit e lejonte dhe inkurajonte perkthimin e atyre teksteve ne gjuhet kombetare.(Buzuku flet edhe per qellimin qe kishte qe te ruante gjuhen nga bjerrja dhe kjo duhet te naterheqe vemendjen). Ndodhi qe per disa nga vendet e tjera tekstet e perkthyer ne ate kohe (Rilindja evropiane) mbeten edhe sot reference e gjuheve perkatese letrare. Kjo nuk ndodhi me shqipen. Natyrisht ai qe ka me pak faj eshte vete Buzuku. Ai nuk u pasua e nuk u pasurua.Shqipja letrare mbeshtet kudo, por aspak te Buzuku. Buzuku paraqet arkeologjine e gjuhes shqipe. Si e tille ajo mbetet shume e rendesishme per te kuptuar mjaft fenomene dhe evolucionin e shqipes, por jo per me shume. Fatkeqesisht.

        Per bilinguizmin kemi nje mosperputhje ne kohe bashke. Ju flisni per rolin e tij sot dhe jam dakord me ato qe thoni, ndersa une e shtjellova, me sa munda, rolin e tij ne kohen e Buzukut e me pas, si faktor vonimi ne angazhimin serioz te humanisteve vendas per zhvillimin e gjuhes shqipe.Solla idene e pamundur se çfare do te kishte ndodhur sikur Barletit t’i kishte kercyer ne koke ta shkruante historine e Skenderbeut ne shqip.
        Ketu nuk duhet harruar se per te bere nje pune te tille, ai kishte ne duar nje shqipe te kufizuar, si ajo e Buzukut. Dhe ja ku hyn ne pune bilinguizmi i tij, qe i jepte mundesi te tjera me te mira shpreheje. Veçse, duke u dhene te gjithve nje mundesi te tille (Biçikemit e te tjerve,te themi) bilinguizmi linte shqipen ne gjendje transi, te mpire e te pazhvilluar. Eshte e vertete se ne ate kohe humanistet shkruanin ne latinisht. Por nuk eshte gjesendi eskluzive. Dyqindvjet para tij Bocacio shkruante ndryshe, pra shkruante ne gjuhen e popullit, por ashtu benin edhe mjaft mendje te ndritura sllave etj.

        Te kuptohemi, kjo eshte nje ide e imja, qe mund te kthehet kunder meje me saktesine a pasaktesine e saj dhe asnje tjetri.

        1. Temë ngacmuese.

          Për mendimin tim, në rrethanat ku ndodheshin arbrit aso kohe, ose menjëherë pas pushtimit osman, vetëm një vepër si ajo e Buzukut mund të dilte në dritë. Përkundrazi, Barleti s’mund ta kish shkruar historinë e vet në shqip.

          Kjo për shkak të lexuesit.

          Buzuku shkruajti një meshar, që do të përdorej prej priftërinjve katolikë për shërbimet e tyre rutinë; në kontekstin e kundërreformës, ose të një përpjekjeje të Vatikanit për modernizim.

          Barleti, përkundrazi, shkroi një Histori të Skënderbeut (dhe të tjera vepra) në latinishte, në kontekstin e kulturës së Rilindjes Europiane; të destinuar për konsum nga lexues që i përkisnin kësaj kulture.

          Edhe sikur Barleti ta kish shkruar veprën e vet në shqip, atë nuk do ta kish lexuar dot njeri; arbrit nuk lexonin shqip, ndërsa të tjerët që mund të lexonin, nuk dinin shqip. Pas gjase, vepra do të kish humbur dhe do të ish harruar.

          Secili pra shkroi për një publik të caktuar – dhe kjo ia përcakton karakteristikat veprës përkatëse, duke filluar edhe nga gjuha vetë.

          Shto këtu edhe se vepra e Buzukut kishte karakter “teknik”, nuk i drejtohej lexuesit të gjerë – por meshtarëve katolikë; për të funksionuar si vegël ndihmëse, në punën e tyre me grigjën.

          Kjo pavarësisht nga vetëdija e Buzukut se po bënte diçka të paprecedent me shqipen; dhe se, duke shkruar në atë gjuhë, po e ndihmonte që të mbijetonte.

          Kundërreforma shënoi fillimet e shkrimit në vernakular edhe për gjuhë të tjera në Europë; dhe në këtë kuptim, shqipja nuk është dhe aq mbrapa sa ç’mund të na duket. Prapambetja jonë është relative ndaj afërsisë sonë me qendra rrezatuese të kulturës, si Roma, Venediku dhe Raguza; ose fundja edhe Shkodra vetë, si qytet i lulëzuar i latinitetit adriatik.

          Përndryshe, unë veprën e Barletit nuk do ta futja fare në letërsinë shqipe – nuk është shkruar në shqipe, dhe i përket një tradite që s’ka pasur fare të bëjë me shqipen dhe Arbërinë e kohës. Tema e veprës së tij nuk ngre peshë, në këtë rast; tek e fundit, edhe Vivaldi ka shkruar një opera për Skënderbeun, por nuk e konsideron kush themeluesin e operistikës shqiptare.

          I njëjti argument do të vlente edhe për prejardhjen e autorit; tek e fundit, epopenë e Napoleon Bonapartit nuk e konsideron njeri si pjesë të historisë së Korsikës.

  4. Lyss, të zgjidhim së pari çështjet e gjuhës, e pastaj të dalim te problemet kulturore-sociale-psikologjike? Nuk jam i zoti në multitasking, prandaj…

    Mu në fjalinë ku e kritikon shqipen time, ke shkruar:
    “…shkalla e paditurisë shkon deri në atë pikë sa nuk dini të *formonin* asnjë fjali të rregullt në gjuhën shqipe.” E theksova gabimin, që të mos heqësh keq duke e kërkuar. Besoj që kjo lathitje është e pasherr, e pazarar, si ajo me w. Por, tregon që nuk je duke lexuar e shkruar me vëmendje.

    Gabimi me zarar është në fillim të komentit, kur thua
    “Në këtë përfundim erdha pasi lexova ndërhyrjen tuaj të fundit, me të cilën ju shprehni një formim të gjymtë kulturor dhe moral.” Dhe cili është përfundimi në të cilin erdhe? Ky: “që nuk je i një mendje me mua apo me ndonjë koleg tjetër nga ata që u shprehën për këtë teme, kjo është normale. Anormale do të kishte qenë e kundërta.”? Një njeri që vjen në një përfundim të tillë pasi të ketë lexuar komentin tim, nuk duhet të shkepë gjykime për formimin kulturor të tjerëve. Kupton?

    Të uroj që së paku e gjete armikun e internetit, publicistikës dhe demokracisë. Mbeti të tregosh se nga kush paguhem.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin